Konstandinos P. Kavafis: PABESI
Kur Tetisin martonin me Peleun
u çua Apolloni në mësallën madhështore
të dasmës dhe lumnoi të porsamartuarit
për filizin që do lindte nga kjo martesë.
Tha: – Sëmundja kurrë atë s’ka për ta prekur
dhe jetën do ta ketë të gjatë. – Këto kumtoi, e Tetisi
u ndje shumë bukur, sepse fjalët
e Apollonit që merrte vesh nga profecitë
ju dukën mburojë për djalin e saj.
Dhe kur u burrërua Akili, e u bë
krenaria dhe mburrja e Thesalisë,
Tetisi fjalët e perëndisë binte në mend.
Por një ditë erdhën pleqtë lajmëtarë
dhe i rrëfyen vrasjen e Akilit në Trojë.
Dhe Tetisi shqyente rrobat e purpurta,
shkulte e flakte tej vetes e përtokë
unaza e ç’ ishin tok me byzylykë.
Mes kujës e vajtimit u kujtua˙
dhe pyeti ç’u bë i mënçuri Apollon,
ku bridhte poeti që nëpër mësalla
bukur ligjëronte, ku ndodhej vallë profeti
kur djalin po ia vrisnin në lulen e rinisë.
Dhe pleqtë i thanë asaj se Apolloni
u nis e zbriti vetë në Trojë,
aty, tok me Trojanët, vrau Akilin.
Shqipëroi: Arqile Garo
nga libri “Pelegrin në Ujëvarat e Poezisë Helene”.