Albspirit

Media/News/Publishing

Festimi i humbjes, tradita e re e Edi Ramës

Nga Enton Abilekaj

 

enton abilekaj (1)

Vapë, ora 15:42. Forca të Gardës së Republikës me veshje të rënda pas një pritjeje 1 orëshe në zheg, Kryeministri me kostum dhe Ministrja përgjegjëse për sportin bashkë me të, të dy të kujdesshëm për kombinimin kuqezi, presin të hapet dera e avionit për të filluar shfaqjen.

Ja ku hapet, me siguri, gardistët e ceremonialit po psherëtijnë të lehtësuar, në prag të fundit të torturës, për kryeministrin është e kundërta; shfaqja e tij po fillon. Edhe kombëtarja është pjesë e protokollit, Presidenti, trajneri, kapiteni, autori i golit të vetëm dhe pastaj të tjerët.

Me radhë përqafohen me Kryeministrin dhe me Ministren. Problemi më i madh i tyre nuk është vapa, por shprehja e fytyrës, a duhet të shprehin gëzim apo trishtim.

Ata nuk janë aktorë, por një rol mund ta kishin luajtur nën regjinë e një piktori. Protokollit në këtë pikë nuk i ka shkuar mendja, disa dalin të qeshur, të tjerët e ruajnë akoma trishtimin në sy dhe në çehre. Pavarësisht kësaj, “The show must go on”.

Presidenti i Federatës zhduket dhe në podium shfaqet kryeministri me trajnerin dhe kapitenin për të nderuar himnin kombëtar (kolona zanore default). Pas ç’malljes me çunat në zonën VIP të aeroportit, Ai i hipën ata në një autobus të marrë enkas, në një nga ata autobusë që kemi parë të udhëtojnë kampionët e Trofeve më të rëndësishme të botës dhe niset për të korrur lavdinë.

Një i huaj do të pyeste, çfarë ka ndodhur? Çfarë fitoi Shqipëria? A përfundoi Europiani? Por shqiptarët nuk pyesin, megjithëse as mund t ‘u përgjigjen këtyre pyetjeve. Shqipëria u rendit e 20-a në Europian, ishte ndër humbëset e para, por prapë po feston.

Një festë jo e zakonshme, protokollare, e organizuar deri në detaje nga qeveria, me çelësa bashkie dhe pasaporta diplomatike, me pritje zyrtare dhe darkë festive. Pse u bë festë atëherë? A nuk u bë festa pas fitores në Armeni?

Ndoshta duhej një bis, pas dështimit të skenarit dhe regjisë së atëhershme. Ndoshta duhet dhe një festë tjetër, ndoshta u duhet thënë shqiptarëve se duhet të festojmë, pavarësisht nga rezultati, se rezultati nuk është i drejtë, se meritonim më shumë.

Dhe vërtetë meritonim më shumë, rezultatet nuk ishin të drejta në asnjë nga ndeshjet që bëmë, por as në ndeshjet e grupeve të tjera, ku vendet e treta morën rezultatin që dëshironin, duke pasur favorin e njohjes së rezultatit të kombëtares Shqiptare.

Vërtetë ndryshuam imazhin jo vetëm për futbollin, por edhe për shqiptarët, me atë tifozeri paqësore dhe festive që pushtoi Lensin, Marsejën dhe Lionin. Vërtetë Shqipëria bëri figurë të mirë dhe demonstroi më të mirën e vet, por rezultati nuk ishte pozitiv. Festa nuk është e justifikuar, aq më tepër në përmasa të tilla. Atëherë pse festojmë?

Mos ndoshta duhet të ndryshojmë këndvështrim për humbjen? Është njësoj si të gëzohemi se Shqipëria po zhvillohet përderisa qeveria po përpiqet dhe po bën maksimumin, pavarësisht se njerëzit ndihen të varfër, pavarësisht se institucionet ndërkombëtare e shprehin hapur alarmin, pavarësisht se bizneset e huaj e bërtasin ‘Lamtumirë’.

Është njësoj si të gëzohemi se nuk ka më krim se qeveria po bën maksimumin, pavarësisht se kërcasin armët në mes të bllokut, është sit ë gëzohemi që nuk ka më kanabis që kur u çlirua Lazarati, pavarësisht se kudo në Shqipëri lulëzon trefletëshi i bekuar nga deputetë të maxhorancës, është njësoj si të gëzohemi se nuk ka më korrupsion që kur u hap Transparence.al, pavarësisht se 2 % e prodhimit të përgjithshëm bruto të vendin humbet në dogana dhe tatime, është njësoj si të gëzohemi se kemi turizëm pasi u rregulluan 2 shëtitore fshatrash, pavarësisht se rrugët kryesore janë të bllokuara dhe plazhet nën gërmadha, është njësoj si të gëzohemi se reforma në drejtësi do na bëjë anëtarë të Bashkimit Europian, pavarësisht se kriminelët qeverisin në parlament apo në krye të Bashkive.

Është njësoj si të gëzohemi se nuk ka më varfëri që kur rilindja rregulloi qendrat e qyteteve, pavarësisht rritjes së numrit të njerëzve që jetojnë në varfëri të plotë, shtimit të emigracionit dhe uljes së shpenzimeve. Sepse sot po festojmë një humbje, një humbje shumë dinjitoze, për të cilën organizatori i festës nuk ka asnjë pjesë të meritës, por vetëm të fajit.

Nuk ka meritë se nuk ka bërë asnjë fushë ku fëmijët shqiptarë të luajnë, nuk ka lënë asnjë oborr pallati që kur ishte në Bashkinë e Tiranës, ku t’i bien topit një herë, nuk ka subvencionuar asnjë akademi futbolli dhe as ka bërë ndonjë kontroll në akademitë private, nuk ka nxitur asnjë klub futbolli më politika fiskale favorizuese. Ndaj e kërkon meritën të disenjimi i bluzës së kombëtares, ndaj kërkon të shesë biznesin privat për stadium kombëtar.

Ndërsa ata që bënë historinë në Francë, po kërkojnë të përshëndeten me tifozët dhe ndoshta t’u shprehin trishtimin që nuk bënë dot më shumë, Edi Rama, po themelon një traditë të re, festimin e humbjes.

 

Please follow and like us: