Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e 1960-ës për Hysni Kapon/’Besniku’, ‘Lisi’, ‘Rubiku’, ‘Mali’ etj., gjenerali i Sigurimit nxjerr pseudonimet e Peshkopisë…

Letra e 1960-ës për Hysni Kapon / “Besniku”, “Lisi”, “Rubiku”, “Mali” etj., gjenerali i Sigurimit nxjerr pseudonimet e  Peshkopisë….

Dashnor Kaloçi 

Memorie.al publikon një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” të nxjerrë nga arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit ku dy kuadrot e lartë të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mbulonin Ministrinë e Punëve të Brendëshme, gjeneral-major Rexhep Kolli dhe kolonel Vilson Pecani, informojnë sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapon, lidhur me gjendjen në Degën e Punëve të Brendëshme të rrethit të Peshkopisë, ku si problem kryesor i kanë ngritur çështjen e rrjetit agjenturor të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, si : “Besniku”, “Lisi”, “Rubiku”, “Mali”, “Referi i vogël”, “Shkencëtari” etj., dhe punëtorëve operativë që punonin me ta, kryesisht në qytet dhe në zonat kufitare…

 

Nisur edhe nga pozita gjeografike që kishte rrethi i Peshkopisë në veri-lindje të vendit, duke pasur një brez të gjatë të vijës kufitare me shtetin fqinj të ish-Jugosllavisë, edhe vëmendja e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit ishte shumë më e madhe nga rrethe të tjera të vendit që nuk mbartnin atë problematikë që kishin rrethet kufitare. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një sërë dokumentesh arkivore me siglën “Tepër Sekret”, ku kuadro të lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonin Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit, me ekipe të shumta kanë organizuar kontrolle të herëpashershme në rrethin e Peshkopisë, duke u përqendruar kryesisht në punën e Degës së Brendshme që mbulonte sektorin e Sigurimit të Shtetit dhe rrjetit të saj agjenturor. Lidhur me këtë, bën fjalë dhe raport-informacioni i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit që mban datën 4 prill 1960, i nënshkruar nga gjeneral-major Rexhep Kolli dhe kolonel Vilson Pecani, të cilët asokohe punonin në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së në sektorin e organeve të Diktaturës së Proletariatit, sektor i cili kishte nën vartësi edhe Ministrinë e Brendshme dhe gjithashtu Sigurimin e Shtetit. Siç do të shohim nga dokumenti në fjalë, dy kuadrot e lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së, në kontrollin që ata kanë bërë pranë Degës së Brendshme të rrethit të Peshkopisë, kanë konstatuar “një sërë të metash dhe dobësish”, kryesisht me rrjetin agjenturor dhe punën e punëtorëve operativë me bashkëpunëtorët e tyre, gjë për të cilën ata kanë informuar menjëherë eprorët e tyre dhe konkretisht, Hysni Kapon, i cili ka vënë edhe shënimin përkatës mbi atë dokument, duke shkruar aty se çfarë udhëzimesh i kishte dhënë Kadri Hazbiut lidhur me problemet që parashtroheshin në atë relacion që publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim ekskluzivisht për Memorie.al

LETRA E DY KUADROVE TE SIGURIMIT PER HYSNI KAPON

 REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE               TEPER SEKRET
MINISTRIA E P. TE BRENDESHME
DREJTORIA E SIGURIMIT TE SHTETIT

Tiranë, më 29.4 1960
Nr.

               R E L A C I O N
PER GJENDJEN DHE AKTIVITETIN E PUNES SE SIGURIMIT
TE RRETHIT PESHKOPI, TE SIGURIM-ZBULIM-KUFIRIT

Prej datës 12.IV.1960 deri më datën 19.IV.1960 u analizua gjëndja dhe aktiviteti i punës së Sigurimit në Degën e Punëve të Brendëshme Peshkopi dhe konstatuam se:

Gjatë vitit 1959 si dhe në tremujorin e parë të këtij viti, gjendja e punës së Sigurimit në krahasim me vitin 1958 ku u vërtetuan dobësi të mëdha, ka përmirësime të dukëshme, të cilat më kryesoret janë:

  1. Eshtë përmirësuar puna me agjenturën, janë bërë rekrutime të reja atje ku nuk ekzistonte, janë rimarrë në lidhje B.P. (bashkëpunëtorë të Sigurimit, shënimi ynë), të përjashtuar, të cilët ishin të nevojshëm dhe janë bërë 12 rekrutime me material kompromentues.
  2. Janë arrestuar 15 elementë armiq si rezultat i përpunimeve agjenturore.
  3. Eshtë bërë një punë efektive në drejtim të evitimit të arratisjeve, e cila ka dhënë si rezultat që të ketë shumë më pak arratisje nga vitet e kaluara. Kështu përshëmbull, ndërsa në vitin 1958 u arratisën në Jugosllavi 34 persona, në vitin 1959 vetëm 6 persona, kurse këtë vit nuk është arratisur asnjë.
  4. Eshtë përmirësuar metoda e punës në disa drejtime, si në ndihmë të bazës, ashtu dhe në sistemimin e evidencave. Por krahas këtyre rezultateve në Sigurimin e rrethit Peshkopi vërehen akoma mjaft dobësi dhe të meta, nga të cilat më të theksuarat janë:

1) Duke analizuar problemet e Degës, përpunimet dhe agjenturën, konstatohet se nga gjashtëmujori i dytë dhe këtej, ka një rënie të punës nga kolektivi i Degës. Kjo rënie pasqyrohet nga fakti se:

a) Vërtetohen çthurje dhe neglizhenca në drejtim të zbatimit të detyrave nga ana e shumë Punëtorëve operativ dhe mungesë kontrolli e kërkim llogarije.

b) Problemet kryesore të Degës ja kanë lënë Punëtorëve operativ të lokaliteteve të cilët janë të ngarkuar, kurse aparati (seksionet) që kanë Punëtorë operativë ma me eskperiencë, janë çliruar pothuajse fare nga përpunimet, të cilët çështjet kryesore i kanë në terren dhe poshtë dhe jo në qytetin e Peshkopisë. Kështu, shefi i Seksionit të III-të bashkë me dy Punëtorë operativ, nuk ndjekin vetë asnjë përpunime aktive. Në lidhje kanë agjenturë vetëm me informator, pa asnjë agjent. Shefi i Seksionit të I-rë bashkë me dy Punëtorë operativ, ndjekin vetëm tre përpunime aktive. Shefi i Zbulimit të Kufirit, përpunimet e rendësishme ja ka lanë Punëtorit operativ të zonave. Kjo gjëndje spjegohet nga fakti i vetë-kënaqjes për disa rezultate të arritura, e cila i ka larguar nga çështjet kryesore të punës. Kjo anë shumë negative ka influencuar mjaft në dobësimin e punës agjenturale dhe më e keqja është se nuk është kap dhe vënë në vënd nga udhëheqja e Degës.

2) Dega e Brendëshme e Peshkopisë ka të dhënë të rëndësishme për veprimtarisë së punës së armikut, sidomos në drejtim të elementëve që dyshohen plotësisht si agjentë të vënë në shërbim të zbulimit Jugosllav, por fatëkeqësisht këto të dhëna në shumë raste nuk janë ndjekur sistematikisht me masa agjenturale operative, duke munguar dora e përgjegjësave.

Kështu p.sh. nuk janë ndjekur aktivisht përpunimet në drejtim të Zija Tafçiut, Jaruk Salihut, Xhevdet Hunës, Qazim Strazimirit, e të tjerë.

Mos ndjekja në mënyrë aktive e të dhënave t’agjenturës, e përpunimve agjenturale, e zbatimit të planit të masave, ka bërë atë që të mos njihet veprimtaria e armikut në shkallën që kërkohet, sidomos e Zbulimit Jugosllav.

Gjithashtu duke mos ndjekur dhe njohur si duhet veprimtarinë e armikut në drejtim të kooperativave bujqësore, duke mos pasur asnjë përpunim aktiv në drejtim të 76 kulakëve të këtij rrethi, Sektori i III-të bën analizën e punës, mbi çfaqjet armiqësore dhe dëmtimet në kooperativat bujqësore dhe në vënd që të nxjeri shkaqet dhe burimet e kësaj veprimtarije nga puna e elementit armik dhe nga dobësit e punës sonë, i nxjerr këto në mënyrë të gabuar si shkak i gabimeve kryesore të kryesisë, organizatave bazë, Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit të Partisë, të cilët nuk i përkasin aspak për të analizuar organet tona.

3) U konstatuan raste të shkeljes së platformës së organeve tona. Ja faktet konkrete:

Sekretari i Partisë ka aprovuar me shkrim rekrutimin e një rezidenti, strehues dhe disa informator, anëtar partije, që nuk i takon simbas platformës. Rekrutohet para një viti, rezidenti me pseudonimin “Mali”, i cili deri në momentin që ishte ekipi, i pa aprovuar nga Kryesija e Degës. Ky resident i pa aprovuar, mban lidhje me 6 informatorë. Janë rekrutuar mbi baza patriotike, dy B.P. (“Referi i vogël” dhe “Lisi”) për të cilët kishte material se zhvillonin propagandë armiqësore. Disa B.P. janë rimarrë në lidhje pa vendim simbas platformës.
Të gjitha këto tregojnë se nuk është mbajtur parasysh platforma në të gjithë punën tonë të përditëshme.

 Mbi agjenturën

Mos zbulimi në shkallën e duhur të veprimtarisë armiqësore në rrethin e Peshkopisë, e kanë burimin te puna e dobët që bëhet nga ana e Punëtorëve operativ me agjenturën. Mbi punën me agjenturën konstatohen këto dobësi:

a).Nga mungesa e studimit të materjaleve t’agjenturës nga Punëtori operativ, si dhe nga vetë përgjegjësit, janë bërë edhe rekrutime pa princip dhe qëllime të caktuara, sidomos rekrutime të tilla gjen në qytetin e Peshkopisë, të cilat kanë shtuar numrin e lidhjeve. Ja p. sh., në planin e Degës për Sektorin e III-të vihet për të rekrutuar 3 B.P. në kooperativën e berberëve, pa qenë aspak nevoja. Në qytetin e Peshkopisë numërohen 47 B.P. që mbahen në lidhje, plus 25 që ka Policija. Numri është mjaft i madh dhe që nuk kanë drejtim të caktuar. Këto çfaqje të shumta kanë dobësuar punën në drejtimet konkrete.

b).Konstatohen raste të besimit të tepruara mbi agjenturën nga ana e Punëtorëve operativ. Kjo ka shkaktuar që kontrolli mbi agjenturën, verifikimi i të dhënave të saj, të jetë i dobët. Një munges e tillë është shumë e rrezikëshme sepse lejon futjen e elementëve armiq në rradhët e agjenturës sonë dhe në materjalet që ata japin, disinformojnë organet tona. Efektivisht në rradhët e agjenturës së rrethit të Peshkopisë, vërehen B.P. të dyshimtë dhe në pozita armiqësore dhe që nuk janë marrë masa aktive për të sqaruar dhe vendosur mbi pozitën e tyre, siç janë p.sh. B.P. “Besniku”, “Rubiku”, “Engjëllushi”, “Plepi”, “Shkencëtari’ etj.
Gjithashtu ka edhe B.P. të dekonsipruar të cilët mbahen akoma në rrjetin agjentural.

c). Drejtimi agjenturës bëhet në forma të përgjithshëme, e cila nuk jep rezultatet e duhura në zbulimin e veprimtarisë së armikut.

Gjithashtu u konstatuan raste të pakta por shumë të dëmshme, ku drejtimi i B.P. është bërë në mënyrë t’atillë që i janë ekspozuar objekte pa i dhënë vetë ajo?! Kështu ndodh me B.P. “Xhadja e madhe” dhe “Sazja”, të cilëve u janë dhënë objekte për t’i përpunuar, pa i dhënë ata vetë mbi ta.

Drejtimi i keq i agjenturës vjen nga fakti se:

Punëtorët operativë nuk studjojnë materialet e dosjes dhe nuk përgatiten më parë në takimet me agjenturën. Se ato nuk kontrollohen si duhet nga përgjegjësit. Se takimet bëhen në vënde jo të përshtatëshme për ruajtjen e konspiracionit dhe jo të rehatëshme. Kështu p.sh. shefi i Seksionit të III-të, bën takim me një B.P. (klerik) në një vënd shumë të rrezikshëm për dekonspirim, ku e detyron B.P. t’i heqë vëmëndjen për takime të këtilla, ose kur zv/ Kryetari i Degës i thotë punëtorit operativ të lokalitetit Shupenzë, se përse nuk i merr raportet me shkrim B.P. në takim, ay i përgjigjet, për të mos shkuar kohën kot. D.m.th. nuk e konsideron se takimi është çështje kryesore e punës sonë me agjenturën, se në takim merren me hollësi për detyrat që ka kryer B.P. dhe se i jepen detyrat për në të ardhmen dhe i bëhet edukimi dhe kontrolli mbi punën e saj. Se bazat e takimit janë të pakta dhe kjo ka influencuar negativisht ne edukimin e agjenturës.

4) U konstatua se disa nga përpunimet e rëndësishme të Degës dhe të zbulimit të kufirit, janë ngritur nga fundi i vitit 1958 dhe fillimi i vitit 1959, nuk kanë hecur, kjo për faktin se ka munguar dora e fortë e përgjegjësave se një pjesë e agjenturës mirë që ndjek këto përpunime është lënë në dorën e P. operativ.

5) Mjaft plane masash, kanë mbetur pa u zbatuar për arsye se nga njëra anë, janë vënë çështje formale dhe nga ana tjetër atje ku detyrat e planit kanë qënë konkrete nuk është ushtruar kontroll sistematik për zbatimin e tyre, madje karakteristike është se në një rast një Puntor operativ i Zbulimit të Kufirit arrin të prishë ndërgjegjen duke kopjuar datën e planit të vitit 1959, në vitin 1960 për ta paraqitur veten në rregull. Gjithashtu vërehet mungesa e bashkëpunimit të ngushtë midis Punëtorit operativ të lokaliteteve dhe atyre të Zbulimit të Kufirit, sidomos në mos organizimin e mirë të përpunimeve dhe të lidhjeve të tyre që u takojnë të dy planeve, si dhe në mos-shfrytëzimin efektiv të agjenturës për objektet e njëri tjetrit kur këto lidhen me njëri tjetrin.

6) Në shumë drejtime të metat dhe dobësitë dalin të përsëritura nga vitet e kaluara. Bashkimi i këtyre dobësive dhe të metave japin një pasqyrë të qartë ku gjëndja agjenturore operative në rrethin e Peshkopisë është akoma e dobët. Sipas mendimit tonë, organizata bazë e Partisë nuk e ka luajtur rolin e saj në shkallën e duhur për forcimin e gjithanshëm të punës si dhe për të luftuar dobësite dhe të metat e komunistëve në Degën e Peshkopisë. Madje mund të thuhet se ajo jo vetëm nuk është marrë siç duhet me problemet që i takojnë, por edhe me çështje që dëmtojnë sekretin e punës p.sh., Byroja e organizatës merr në analizë në detaje punën e një Puntori operativ të lokalitetit, këtu është për të vënë në dukje se Komiteti i Partisë nuk e ka pasur në qëndër të vëmëndjes punën e Degës dhe organizatën bazë të saj. Lidhur me të gjitha këto dobësi dhe të meta, përgjegjësinë kryesore e ka kolonel Banushi, i cili nuk ka mundur të organizojë si duhet punën në Degë dhe, i ka munguar kontrolli sistematik mbi vartësit dhe shumë çështje që u përmëndën më sipër kanë kaluar nëpër duart e tij pa u kapur. Duke marrë parasysh se kolonel Banush Goxhaj, nuk po i përgjigjet si duhet detyrave të kohës, megjithëse përpjekjet dhe sakrificat e tij për punën janë shumë të mëdha, mendojmë që ai të largohet nga Peshkopia dhe të zëvëndësohet me një shok tjetër më të aftë për punën agjenturore-operative.

   Kolonel                         Gjeneral-major
(Vilson Pecani)                    (Rexhep Kolli)

Please follow and like us: