Arben Kallamata sfidon përrallën dhe historinë shqiptare me librin “Hijet e Muzgut”
Intervistoi: Taulant Dedja
Gazetari i mirënjohur Arben Kallamata vjen me librin e tij të parë “Hijet e Muzgut”, një botim i Toena, i cili do të prezantohet këto ditë në “Panairin e Librit” në Tiranë. Për të mësuar diçka më shumë rreth këtij libri, FlasShqip i sjell lexuesit pjesë nga këndvështrimi dhe përvoja e autorit.
T.D. Pas kaq dekadash në publicistikë, eseistikë dhe në fushën e përkthimeve letrare, si mund të karakterizohet kjo eksperiencë e parë në letërsinë e mirëfilltë, produkt i të cilës është romani i sapo botuar?
A.K. Si një vullkan i fjetur që mezi ka pritur të shpërthejë, apo jo?! Megjithatë, për të folur pak më seriozisht, të qënit shkrimtar në kuptimin e krijuesit të letërsisë artistike ka qënë pjesë e vetëdijes sime qysh herët – një pjesë e tulatur, të cilën për një arsye apo një tjetër për një kohë të gjatë nuk kam dashur ta nxis. Kur isha në vitin e tretë të shkollës së mesme paraqita një vëllim me tregime në një konkurs të talenteve të reja dhe fitova çmimin e dytë në shkallë vendi. Por kjo nuk më nxiti të synoja botimin. Vite më pas punova në gazetën “Drita” ku e gjeta veten në një mjedis tepër kërkues, i rrethuar nga shkrimtarë dhe poetë me pervojë. Kjo për mua ishte një shkollë e vërtetë. Pranë meje në të njëjtën dhomë kishin tavolinat e punës Rudolf Marku, Teodor Keko, Skënder Buçpapaj, ndërsa shkrimet e tona duhet të kalonin sitën e Bardhyl Londos dhe Zija Çelës. Aty pranë ishte zyra e Dritëro Agollit, ndërkohë që në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve hynin e dilnin regullisht krijuesit më në zë të vendit. Përvoja në gazetën “Drita” ishte koha më e bukur e karrierës sime, pasi ishte një punë që ndërthurej plotësisht me pasionin tim, si edhe një mjedis ku mësoje çdo ditë diçka të re.
Ardhja në Kanada i komplikoi gjërat, pasi në plan të parë dilte mbijetesa. Unë e arrita stabilizimin duke punuar si mësues, që është profesion i nderuar dhe e bëj me qef, por jo puna e ëndrrave të mia. Prandaj edhe kam arritur një pakt me veten: Në mëngjes shkoj aty ku duhet të punoj për të jetuar, ndërsa pjesën tjetër të ditës ia lë pasionit tim – të shkruarit. Një lloj dyzimi i tipit Dr. Jakyl dhe Mr. Hyde që më jep lirinë të shkruaj çfarë dua, publicistikë ose letërsi artistike por jo kohë të pakufizuar për ta bërë këtë. Gjatë kësaj periudhe ndonëse pjesa e krijimtarisë që kam ndarë me lexuesit është kryesisht publicistikë dhe përkthime, unë i kam lënë gjithmonë kohë krijimtarisë artistike dhe thellë-thellë më pëlqen ta shoh veten si shkrimtar. “Hijet e Muzgut” është vetëm një pjesë e asaj krijimtarie që ka kapur pikën e vlimit dhe del tani në dritë.
T.D. Çdo krijim letrar apo artistik e ka një motiv… cili ishte ky motiv për Arben Kallamatën në rastin konkret?
A.K. Motivi ose shtytja për ta shkruar librin ka të bëjë me pyetjet rreth vetëdijes sonë kombëtare – çfarë jemi dhe përse jemi ata që jemi? Ne ndihemi shqiptarë, por s’para e mendojmë se ç’na bën të ndihemi të tillë. Përveç rastësisë, faktit që unë kam lindur nga dy prindër që ishin shqiptarë dhe në një vend që quhet Shqipëri, çfarë më bën mua të jem shqiptar? Si ndihem unë përballë patriotizmit të atij flamurit që mbulon gjithë tribunën e stadiumit apo dronit që ndërpret ndeshjen duke zbritur nga qielli një hartë ku shkruhet “autoktonus”? A duhet të jem krenar që jam shqiptar sepse fituam dy me zero me Greqinë apo të ndihem i menderosur kur na mund Turqia? A duhet të krekosemi që kemi jetuar në Ballkan që kur është krijuar bota, apo duhet të ulim kokën të turpëruar nëqoftëse provohet që jemi shumë më të mëvonshëm atje? Sa duhet të ndikojë historia në vlerësimin që i bëjmë vetes?
Këtë punën e krenarisë të të qënit shqiptar e gatuan Rilindasit (ata të vërtetët, jo këta të tanishmit), të cilët donin të zgjonin nga gjumi një popull që po vonohej për t’u ngritur dhe për të shpëtuar nga perandoria e errësirës. Ata morën ç’mundën nga historia, e plotësuan me legjenda dhe me imagjinatën e tyre dhe krijuan histori/përrallën e bukur që iu dha njerëzve krenari për vetëdijen kombëtare. Funksionoi. Njerëzit lëvizën dhe u krijua vetëdija shqiptare.
Mirëpo ne jemi kapur keq pas përrallës dhe tani nuk duam të hapim sytë e të shohim realitetin. Kemi mëse një shekull që s’bëjmë dot asnjë hap për t’u shkëputur prej saj dhe për të parë realitetin në sy. Iu kthehemi e iu rikthehemi disa gjysmë të vërtetave të hershme, disa naiviteteve dhe historive fantastike, nganjëherë qesharake; vazhdojmë të mburremi me lavdinë e dikurshme, me të qëna e të paqëna, ndërkohë që në asnjë nga dy vendet që kontrollojmë nuk jemi në gjendje të ngremë një shtet për të qënë, e jo më të bashkohemi.
Ndoshta ka ardhur koha të heqim dorë nga përralla. Ndoshta duhet të fillojmë të përpiqemi t’a gjejmë krenarinë te vetvetja, te ajo që mund të bëjmë dhe arrijmë të bëjmë në ekonomi, në jetën shoqërore, në shkencë, në kulturë, në art.
Libri që kam shkruar sfidon përrallën, sfidon historinë, duke e kthyer atë në parodi, por duke e lënë të mjegullt se cila pjesë po parodizohet dhe cila po vlerësohet. Në mënyrën time unë e nxis lexuesin të mos i besojë shumë të kaluarës. Historia është histori dhe mund të interpretohet si të duash ndërsa heronjtë e historisë janë vetëm njerëz si ti dhe si unë që kanë jetuar në kohë të shkuara.
T.D. Ç’rrugë ndoqi romani që nga lindja e idesë deri tek botimi? A ka përjetime të veçanta që mund ti ndash me publikun dhe miqtë e dashamirësit?
A.K. Një nga nxitjet për librin u bë ajo mania absurde për t’i nxjerrë si shqiptarë njerëz të shquar të historisë dhe kulturës botërore. Para disa vitesh fillova të eksperimentoj me skica të shkurtra, duke kapur emra aktorësh dhe njerëzish të njohur dhe duke luajtur me absurdin e kësaj mode për t’i paraqitur si shqiptarë. Pastaj e çova pak më tutje, duke nxjerrë si shqiptarë jo vetëm nga ato figura që të bëjnë “të ndjehesh krenar”, por edhe monstra, që të bëjnë të të vijë turp – Musolini, Stalini, Mao. Eksperimenti u prit mirë.
Kjo ide u bë nxitje për një rishikim të historisë nën këndvështrimin e mitologjisë patriotike pellazgo-iliro-shqiptare. Më është dashur të bëj shumë kërkim në faktet historike, për ta përqasur gjithçka me të vërtetat e njohura historike dhe për të dhënë interpretime që të jenë sa më të pranueshme. Prandaj u deshën rreth pesë vjet udhëtim nga ideja deri te botimi.
T.D. Cili është filli qëndror mbi të cilin bazohet fabula dhe gjithë shtjellimi i saj në “Hijet e Muzgut”?
A.K. Romani vërtitet rreth një ngjarje historike të shekullit të katërt – udhëtimi i Helenës, nënës së Perandorit Konstantin për në Jeruzalem. Krenaria jonë kombëtare e faturon Konstantinin e Madh si “shqiptar”, ose të paktën ilir. Me këtë logjikë nuk përjashtohet mundësia që edhe nëna e tij Helena të ketë qënë ilire, pavarësisht se prejardhja e saj ka qënë gjithmonë e paqartë dhe objekt spekullimesh nga historianët.
Gjatë udhëtimit Helena tregon historinë e vet, atë të të birit, Konstantinit, si dhe historinë e popullit të saj pellazgo-ilir. Ajo tregon legjendën e prejardhjes autoktone përmes një çifti progjenitor; tregon historinë e Pirros dhe fitores së tij, tregon bëmat e Mbretëreshës Teutë. Krahas historisë së lashtë pellazgo-ilire e parë në këndvështrimin e marrëdhënieve me Romën, jepet shpjegimi për fatet e Romës, e cila e arriti kulmin fuqisë me Konstantinin e Madh, por edhe filloi rënien pikërisht me të, me “tekën” e tij të çuditshme për ta bërë Krishtërimin besimin sundues të perandorisë. Apo ndoshta kjo s’ishte tekë, por pjesë e një plani të fshehtë?! Për më tepër duhet lexuar libri…
T.D. Ku do mund ta gjejë lexuesi librin, e kam fjalën sidomos për lexuesit e Kanadasë?
A.K. Librin ka marrë përsipër ta shpërndajë shtëpia botuese TOENA në libraritë e saj në Shqipëri. Sa për shitjen këtu në Kanada dhe më gjerë, këtë do ta vendosim së shpejti.
T.D. A ka projekte të tjera në proces?
A.K. Po t’i kthehemi përsëri figurës së vullkanit që përmenda në fillim, mund t’ju siguroj që është në vlim. Jam duke përfunduar një tjetër roman, që është gjithashtu fantazi historike, por që s’ka lidhje të drejtpërdrejtë me “Hijet e Muzgut”. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1975. Më pas, të shohim, ndoshta mund të vijë koha për një vëllim me tregime.
T.D. Nuk di pse mendja ime sapo bëri një paralele me 1984 e Orwellit. Jam i sigurtë që edhe subjektet e ardhshme do të jenë gjithashtu ngacmues të mendimit kritik dhe reflektimit të lexuesit, përndryshe nuk do të mbanin autorësinë Kallamata. Faleminderit Beni dhe suksese të mëtejshme!
Nëntor 2019
©FlasShqip.ca