Albspirit

Media/News/Publishing

Leximi i poezisë “Vegim” të Ndue Ukajt

Entela Tabaku

Poezia është një art i hollë dhe enigmatik që shkon përtej dëshirës dhe synimit të poetit: është arti i destilimit të pavetëdijshëm të ndjenjës dhe të mendimit. Prandaj poeti di vetëm çfarë ka dashur të shprehë por jo çfarë shpreh. E di sfondin e poezisë së vet, çfarë ia dha shkëndijën, cila melodi, foto, ngjarje, mendim, aromë ia shtypi butonin e krijimit, por destilimi ndodh pavarësisht/jashtë vetëdijës së tij. Është talenti krijues që e zien, e kullon, e filtron, e avullon, e përçon. Kur lexuesi e provon pijen mandej, ndodh mrekullia. Prandaj poezia është ndryshe nga artet e tjera të shkrimit që mbruhen në/me vetëdijen e krijuesit, dhe ngjan më shumë me muzikën dhe pikturën. Poezia mbulohet dhe zbulohet në misterin e komunikimit. Poezitë e shoqëruara nga poetët me foto, shpjegime përreth kontekstit, muzikë, bibliografi, duan vetëm ta kthejnë leximin e lexuesit kah përjetimi i poetit, duke ia hequr lexuesit të drejtën legjitime të përjetimit të vet. Lexuesi mbetet megjithatë mbreti i poezisë. Por një traditë e gjatë e leximit në sipërfaqe, e përforcuar nga kuti estetik i realizmit socialist që e shihte kritikën e poezisë si mihje në dhé të autorit, na ka shndërruar në lexues me parmendë. Athua se leximi i poezisë ka të bëjë me atë çfarë autori ka fshehur pas plisave. Ose vetëm me këtë. Plisat e dheut hapen vetëm në lexim të parë ndoshta, sepse mandej poezia e mirë të të çon pezull në abstragim, sikur të mbart nga dheu i autorit në dheun tënd. Çfarë kritika e poezisë mund të bëjë është t’i përngjajë kritikës së muzikës dhe të artit: të na ndihmojë ta lexojmë poezinë, të na tregojë se si mund të lexohet, çfarë alternativash ka, të na e mësojë veshin me poezinë e mirë derisa të arrijmë ta njohim e ta shijojmë. Poezia është shumë më tepër se fjalë me domethënie, nën a mbi domethënie, është përjetimi që krijon në lexuesin. Poezia lind kur pjeket dhe vjen në lexuesin. Pa lexuesin s’është veçse një masturbim i poetit. Dhe sa kohë kritika ta analizojë si të ishte ekzaminim anatomik i poetit a përçuese vlerash të një epoke, e të tjera të këtij lloji, do ketë vetëm lexues që lexojnë poezi sikur po dalin në arë për të mihur tokën.

Lexoje tashti të lutem poezinë ”Vegim” nga Ndue Ukaj.

 

Vegim

 

Më sëmbon diçka

teksa si anije kthehem nga dallgët

drejt limanit të kujtimeve.

Aty është koha e pashkruar. Ankorimi i ngadalshëm.

 

Është vjeshtë e hershme

e një zog këndon si më parë.

 

Dielli shtrihet mbi tokë e qyteti zgjohet i zhurmshëm

anija ime i afrohet qetësisë.

Matanë kujtesës një kambanë

paralajmëron tregimin e pakryer.

 

Gjethet e kuqërremta vazhdojnë të jenë kurora e imagjinatës sime

E qiellit tim.

Është muzg. Jehu i detit ma mbush gjoksin me një dëshirë:

Lirinë e peshqve.

Ah, kjo zonë është e ndaluar për peshkim.

Por një anije luftarake shkeli ligjet ndërkombëtare

dhe kushedi sa peshq vrau.

 

Ne zbresim poshtë e më poshtë

dhe dielli shkëlqen e deti duket si kristale mëngjesore.

E nga toka dëgjohen notat e një melodie-

një melodie që s’dua ta deshifroj.

 

(marrë nga revista HAEMUS 51-53 2015, fq 95)

 

Leximi i parë (leximi i sipërfaqes)

 

Leximi i parë është leximi i së dukshmes, i sipёrfaqes: tema (për çfarë flet poezia?) dhe gjuha poetike (çfarë e mban një poezi në këmbë figurativisht, cilat janë metaforat, gjetjet, ritmi?). Në leximin e parë vëren edhe si të bën të ndihesh kjo poezi: a të hyn në gjak, a të flet apo ta kundron botën me sytë e tjetër kujt?

Poezia “Vegimi” e ka pikënisjen në një metaforë të vjetër sa poezia: shpirti i trazuar i poetit (anija në dallgë) gjen paqe dhe ngushëllim në kujtime (limani). Poeti niset drejt kujtimeve si anija drejt limanit, këtij vendi të mbrojtur nga stuhitë, të mbrojtur nga koha që kalon. Aty në liman koha është ende e pashkruar, por rishkruhet sa herë që vjen anija e poetit. Tregimi është i patreguar, por tregohet kur shfaqet anija e poetit.

Toposi i vegimit e shoqëron krejt udhëtimin: ankorimi është i ngadalshëm, në slow motion. Anija i afrohet qetësisë, gati rrëshqet në ujë. Shqisa më e ndieshme e këtij vegimi është shqisa e dëgjimit:

e një zog këndon si më parë

qyteti zgjohet i zhurmshëm

një kambanë paralajmëron

Jehu i detit

notat e një melodie

Shqisa e të parit është fiksuar në imagjinatë, aty ku krijohen dhe rikrijohen gjethe të kuqërremta. Vegimi andej është shumë tokësor, me gjethet dhe zogun si simbol të tokës, të limanit, por njëkohësisht është i largët, siç shihet toka vagullt nga deti. Atje janë edhe këmbanat dhe qyteti. Këndej gjindet poeti, me elementet e detit, anije, peshq.

Në mes tyre është ankorimi, ky sëmbim që e lidh anijen me tokën.

Më sëmbon diçka

Sëmbimi është kapja e spirancës me tokën. Këtu, në këtë ankorim duket se mbahet e gjithë poezia. Një ankorim i ngadalshëm që ndodh dhe nuk ndodh, sepse melodia vazhdon të vijë nga toka dhe toka përmendet kështu veç kur je ende në det. Dhe si në një vegim, tashmë të shndritshëm në diell

Ne zbresim poshtë e më poshtë

dhe poezia largohet tutje e padeshifruar, si një fragment që pret vazhdimin e vet.

 

Leximi i dytë (leximi i teknikës)

Ajo që më josh ta lexoj sërish këtë poezi është ndjesia se diçka nuk shkon, se nuk qe thjesht një anije që iu rikthye limanit dhe iku tutje.

E para është parafjala “nga”, që ma bën leximin lëmsh: kjo parafjalë e bekuar e shqipes që shënon si vendin për ku je nisur, si edhe vendin prej ku vjen. Nga shkon ky vegim? Shkon apo vjen? Ku ndodhet limani? Ku ndodhen dallgët? Përpara apo mbrapa?

Lexoje edhe një herë poezinë, të lutem!

Kthehem nga dallgët drejt limanit, thotë poeti. Në lexim të parë më vjen si ”kthehem prej dallgëve”, si ”vij prej dallgëve”. Apo është në kuptimin ”kthehem përkundrejt dallgëve”, me fytyrën nga deti? Poezia papritmas më përshfaq dy botë të shtresëzuara njëra mbi tjetrën: Në njërën poeti vjen nga dallgët e jetës dhe hedh spirancën në limanin e mbrojtur të kujtimeve, hyn nga realiteti me dallgë në vegimin ngushëllues. Kjo është udha më e zakonshme që ndjekin poezitë. Anija e poetit vjen nga dallgët dhe gjen prehje në limanin e përfytyrimeve. Tregimi i pakryer dhe koha e pashkruar e lejojnë poezinë ta tjerrë e ta shtjerrë qiellin e vet simbas dëshirës. Është mëngjes, mandej është muzg. Është qetësi, mandej është zhurmë. Është ankorim, mandej është ikje, zbritje teposhtë. Si në botën e vegimit. Ku gjithçka është e lejuar.

Por kur ia mbërrij fundin kësaj bote, një tjetër nxjerr kryet. Pikërisht në bashin e anijes luftarake, që shfaqet kërcënueshëm nga fundi i poezisë dhe e shpërndan pa mëshirë paqartësinë e vegimit. Kjo më shtyn ta lexoj poezinë për herë të dytë. Kjo anije luftarake që duket sikur shfaqet prej hiçit, por që ndoshta ka qenë aty prej fillimit “teksa si anije kthehem”. Një anije që vret dhe një anije që largohet. E njëjta? Njëra që ikën në kërkim të prehjes dhe tjetra që e përndjek nga e kaluara?

Në lexim të dytë vërej papritmas se dy planet e poezisë, deti dhe toka, mund të ndërrojnë vendet. Vargjet e mëposhtme

qyteti zgjohet i zhurmshëm

anija ime i afrohet qetësisë.

më krijojnë imazhin e ikjes nga zhurma, nga qyteti, dhe afrimit tek një liman tjetër, që nuk është tokësor. Është deti, me jehun e tij, me ëndrrën për liri që e fton në mëngjese ku dielli shkëlqen mbi detin kristalor. Në këtë lexim vegimi ngushëllues përmbushet, poeti rrëshqet tutje, në det të hapur, mes dallgëve, aty ku peshqit janë të lirë.

Dhe ankorimi i ngadalshëm ndodh, siç ndodh sëmbimi.

 

Leximi i tretë (leximi i mendimit)

Poezia e mirë e shtyn lexuesin pashmangshëm në një lexim të tretë, leximin e mendimit. Poetët e talentuar mbjellin mendime dhe përjetime në dheun tonë. Leximi i tretë e ndihmon lexuesin të ndjekë fillin e mendimit të poetit, por dhe fillin e mendimit të vet.

Një Uliks më avitet në këtë poezi. Me ose pa emër të vet avitet gjithmonë një Uliks në poezitë e burrave. E lexoj strofën e parë dhe mendoj: ç’është kështu me burrat dhe Uliksin? Ç’ka kjo figurë që ua mëshiron kaq fort ëndërrat sa nuk mund t’i ndahen? Të jetë udhëtimi? Mundësia për të udhëtuar gjatë në vend që të mbërrish menjëherë në shtëpi dhe t’i vësh shpatullat punës? Gratë e ndryshme nga ishulli në ishull? Mundësia t’ia vesh fajin e tradhëtive dhe magjive dhe grave histerike? Thirrja e sirenave? Mundësia për ta dëgjuar deri ne fund joshjen por njëkohësisht të jesh i mbrojtur kundër vetes? Gruaja besnike që e pret megjithatë, vetëm për t’u plakur me të? Gruaja që refuzon të mirat e kësaj bote për hatrin e një burri të pabesë, vetëm pse është burri i saj? Gruaja që nuk ke nevojë ta fitosh se ajo të do pa kushte?

A nuk do të duhej me qenë burrëria e Akilit ajo që nuk i ndahet poezisë së burrave?

 

Leximi i katërt (leximi i vetes)

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë shndërrohem në liman kujtimesh. E shoh nganjëherë anijen që kalon përbri, në det të hapur. Është prej druri dhe e di se gjethet e kuqe dhe zogjtë ia kujtojnë një jetë prej peme dhe e ftojnë të kthehet. Dhe e fashis zhurmën e sëpatave në pyll.

Please follow and like us: