“Saga e dhimbjes” së djeshme me mesazhe për të sotmen
Fatbardha Mulleti Saraçi/*
Libri i jetës sime, viti 2019 përkon me 80 vjetorin (tetëdhjetë) e lindjes. Në tetor 2016 isha në takim me gjimnazistë e shkolles së mesme At Pjeter Meshkalla të qytetit të Shkodrës, në sallën Iliricum. Një takim i organizuar nga OSBE (znj.Claudia Vollmer-Head of Democratizaton Department). Tema ishte: “Tregoni –përjetimet e juaja”.
E fillova bisedën me fundin e vitit 1944, kur po mbushja pesë vitet e para të jetës sime. Vazhdova… Në sallë ju dhurova studentave librat “Dhimbje 3” dhe “Kalvari i grave në burgjet komuniste” botuar nga ISKK (që janë të tre librat “Dhimbje” I-II-III). Kur erdha në shtëpi i thashë tim biri: “Petër, e fillova librin e ri, (sepse e kisha menduar me kohë, por s’më bëhej të shkruaja)”.
Kisha menduar se çfarë bilanci bënë njeriu me jetën e tij. E mbarova librin në fundin e vitit 2018. Kisha një qetësi të plotë. Duket sikur njeriu ka disa detyrime ose disa borxhe, që duhet t’i kthejë në jetën e tij. Ky ishte një borxh që ia kisha femijërisë, rinisë, moshës së mesme e në vazhdim.
U linda në Tiranë në familjen Mulleti. Prinderit e mij zonja Pertefe Muka e z.Haki Mulleti ishin familjarë të mrekulleshëm, dukej se do të rriteshim me të gjitha të mirat që zotëronim, por fuqia ekonomike u bjerr nga fuqia politike.
Erdhi komunizmi që u shoqërua me burgosjen e babait, Haki, u zhveshëm nga pasuria dmth na u grabit çdo gjë, na nxorrën nga shtëpia, na dëbuan nga qyteti i Tiranës, në Kavajë që strehim ishin vetëm bodrume e barake, na ndoqi lufta e klasës dmth racizmi komunist shqiptar.
Persekutimi vazhdoi me breza dhe e shoqëruan me komedinë groteske, butaforike “Prefekti”, që personazhet ishin emra realë.
Qyteti i Kavajës nuk kishte shkollë të mesme, por mua m’u hapen dyert e qytetit hyjnor, Shkodres.
Gjyshja ime, Zade, që ishte me origjinë nga qyteti i Ulqinit, kishte ardhur në këtë qytet kur Ulqini iu la Malit të Zi. Nuk e harronte qytetin e saj të lindjes dhe të rinisë. Thoshte: “Jam vajzë Ulqini e rritur me vaj ulliri.”
Një grua e bukur, shtatlartë, e qetë, punëtore, bamirëse, një zonjë që kishte lindur shumë fëmijë (trinjakët dhe binjakët nuk i jetuan, por kishte një djalë dhe pesë vajza). Gjyshja jetoi në familjen shkodrane Muka, pau ndrrime qeverishë, pushtime, provoi dhe jetën në Shqipërinë socialiste dmth s’iu nda lufta klasore (burgosja e të birit dy herë, vuajtjet e vajzës Pertefe etj). Një zonjë, që bashkë me të bijat strehuan dhëndrin dhe nipin e familjes Muka. Kur vinin kontrollet- tregonin vajzat- na dridhej zemra si fleta e plepit.
Është historia tipike se si njeriu vjen në jetë dhe ikën nga kjo botë, ajo u largua, e qetë por nuk pati pranë djalin e saj të vetëm (ndodhej në burg).
Në librin “Saga e dhimbjes” ka shumë personazhe që më kanë shoqëruar në jetë.
Ishte vëllai i babait tim-Xhaja Niu- studenti i Gjimnazit të Korçes dhe i Universitetit të Monpelje në Francë, që kishte studiuar Ekonomi, ishte emigrant politik, jetonte në Itali (Bologna).
Ai u bë i dashur për ne, e njohem me anë të letrave, të shkruara bukur, me një shkrim prej rilindasi. Përveç letrave, xhaxhain e njohëm nëpërmjet pakove që na dërgonte, ato përmbanin ilaçe dhe veshje. Në këtë mënyrë na ndihmonte ekonomikisht.
Pas vitit 1970 na u ndërpre korespondenca, sigurimi i shtetit futi duart edhe këtu, nuk i lejoi letrat tona të arrinin në Itali dhe anasjelltas, ata të xhaxhait nuk erdhën më.
Vdiq me idenë se e harruam, e braktisëm. Një heshtje e tmerrshme.
U vramë shpirtërisht se vdiq, pa e ditur se ndrroi jetë në janarin e 1980. (Në vitin 1981- emrin e tij të çmuar e të paharrueshëm, vëllai im Tanushi e ringjalli tek i biri).
Ky libër tregon jetën tonë, të një shtrese të madhe, që ishte shtresë e të persekutuarve politikë.
Tani migroj në thellësinë e kohës, nga gjenerata në gjeneratë, permes rrugëtimit të memories si dhe memoria shkurton distancat.
Memoria na krijon mundësinë të marrim pjesë në çdo ditë të të ardhmes tonë.
Fati i shtresës tonë- disa herë ka qenë, i varur ndërmjet jetës dhe vdekjes, ndërmjet shpresës dhe dëshperimit, ndërmjet shpërnguljes dhe shfarosjes.
Gjysma e dytë e shekullit XX për ne u bë: Gjysëm shekulli i tmerrshëm i vdekjes, me dhunë e torturë, në burgje, në kampe pune të detyruar, në kampe çfarosëse, ku u zhdukën një pjesë e mirë e popullsisë (familje të tëra mbetën pa pasardhës). Intelektualë, që kishin studjuar në Universitetet e Evropës dhe të Amerikës u burgosen dhe s’u lejuan që me dijet e tyre t’i shërbenin Atdheut, po ashtu pronarët, fshatarët e punës (i quajtën kulakë) klerikët…, më vonë filluan dhe brenda shtresës së tyre, që i quajtën revizionistë, ndodhën vrasje të shumta në kufi.
Sa jetë humben, po të kishin jetuar do të kishin dhënë ndihmesën e tyre në përparimin e vendit tonë.
Të gjithë dhjetëvjeçarët e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë ishin për ne; vite mundimi, të luftës për mbijetesë dhe të jetosh me lirinë e brendëshme shpirtërore.
Nuk ishte e lehtë të përjetosh dëbimet masive, internimet familjarisht dhe burgjet e Shqipërisë. U mbush Shqipëria Socialiste (1944-1991) me burgje nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, u shtuan kampet e internimit, ku i degdisnin familjet, nga foshnjet deri tek të moshuarit, në vende të largëta që të vuanin sa më shumë.
Vazhdonte lufta klasore, që ishte luftë në kohë paqe, që ndërhynte mizorisht në jetën tonë. Ishte muri i urrejtjes së madhe, që dilte nga goja e diktatorit, transmetohej tek të gjithë diktatorët e vegjël, që gjarpëronin në muret e ndërtesave shtetërore tek të gjithë ngrehinat, në Pallatin e Kongreseve ku buçisnin vendimet e tyre, në çdo sektor të jetës që shoqëroheshin me duartrokitje pa mbarim. Vazhdonte muri i urrejtjes së madhe.
Kjo urrejtje futej në mendësi, në Universitete, në romane të realizmit socialist, në art, në filma, e vazhdonte kudo…
E gjitha vinte nga doktrina marksiste-leniniste-staliniste e hoxhiste dhe dukej se s’do të mbaronte kurrë.
Kjo luftë ishte futur thellë, në mendësi, në ndërgjegje të njerëzve dhe muret e kësaj lufte na ndanë nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Po t’i lidhim këto vende të izolimit, do të krijoheshin izotermat e izolimit, që mbyllej me izotermin e madh të kufirit.
Shqipëria e rrethuar me tela me gjemba, me kulla vrojtimi, me ushtarë të armatosur, që siguronin izolimin e vendit nga bota dhe në këtë vijë kufiri nga deti deri në male u vranë të rinj shqiptarë nga pushka e shqiptarëve, e rojeve vigjilente, që vrisnin pa kaluar kufirin, që komandantët i shpërblenin me leje pushimi dhe lavdërime.
Në kampe internimi vdiqën foshnje, fëmijë, njerëz, emra që po të kishin jetuar do të përmendeshin me admirim dhe do të ishin vlerësuar, po të kishin jetuar e punuar.
I vranë fëmijët katër herë:
- Njëherë si fëmijë që u dërguan forcërisht në kampet e internimit.
- Njëherë të rritur që do të bëheshin në një të ardhme të afërt.
- Nuk u lejuan të jetonin në qytetet e tyre, në shtëpitë e tyre, të gëzonin pronat dhe të kishin të drejtën të arsimoheshin (të vazhdonin shkollat e larta dhe të jetonin të lirë).
- U përdor lufta e klasore që i diskreditonte në çdo hap të jetës.
Arkivi i diktaturës që u bë totalitariste në Shqipëri janë kujtimet e familjeve që kanë vuajtur.
Po mbushi 80 vite të jetës sime dhe këtë jetë s’mund t’a kisha menduar pa këto libra, krijesat e mia, që janë krijesat e të gjithë antarëve që përbëjnë këtë shtresë të vuajtjeve.
Janë etapat e jetës sime, të familjes, të të afërmëve, janë shumë, prandaj sa të jetë e mundur do e vazhdoj këtë mision.
Në çdo jetë nëne, gruaje, vajze, motre, vëllai, të afërmëve, të fëmijëve, kudo jam edhe unë. Eca, jetova, punova, dhe nxorra lotë bashkë me to, por dhe forca shpirtërore erdh duke u formuar e rritur dhe jetën e çmova shumë, është gjëja më e mrekulleshme që na është dhuruar, me lirinë e brendshme shpirtërore dhe familjen e çmuar. Nuk bëra asgjë që është në kundërshtim me të vërtetën dhe u bëra e durueshme me dobësitë e njerëzve që më rrethonin. Kështu mbeta e pamposhtur dhe praktike.
Jetova me mantelin e kujtesës rreth shpatullave të mia që nga fëminija e në vazhdim…
Kur fillova të punoj, mësova respektin që duhet të kesh për njerëzit, vlerën që duhet të kesh për çdo njeri, në veçanti për të shtypurit, të varfërit, të përndjekurit, për ata që janë lënë pas dore, kur atë e kanë harruar, kur e kanë dëbuar…
Të punosh është përgjegjësi. Mësuesin e bëra mision të jetës sime.
Edhe punëtore e vazhdova këtë mision.
Mbas moshës 50-vjeçare punova për të vërtetën, për të treguar realen, jo me gënjeshtra komuniste dhe me mosmirënjohje (që është e meta më e madhe e njerëzve).
Solla zërin e njerëzve të papërfillur, me anë të intervistave, bisedave. Shkruaja rrëfimet, për të treguar me penë ndershmerie dashurinë njerëzore, me thjeshtësi, transparencë, vërtetësi, kurajë. Nxorra në dritë të vërteta të hidhura.
Kur bisedoja me ato gra, vajza, të dënuara, më dukej sikur i përqafoja me qetësi, me forcë të papërballueshme si të ujit, si gurgullimë dijesh, eksperiencash, që të pastron, që të shuan zjarret idiote të luftës klasore.
Ato femra flisnin me butësi, të qeta, pa hile, dinjitoze, plot dritë në sy e në shpirt, dituri, mençuri, dashuri, ndershmëri. Edhe pse vuajtën, ishin shoqe e mike pa kushte, të ngrohta, të buta, shpirtlira, shpirtëmdhaja, qortuese (për pse?), të pabindura ndaj dhunuesve, shqiptare të vërteta.
Edhe pse vuajtën, ishin të qeshura, rrezatonin mirësi, të jepnin ndjesinë e paqës dhe ishin plot pozitivitet çlodhës.
Historitë e shkruara janë të vërteta, nuk kam nevojë të shpik.
Rrëfimet askush s’ka mundur t’i ndalojë.
Ju lutem. Kujdes! Harresa përsërit të kaluarën.
* Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Saga e Dhimbjes” Fatbardha Mulleti Saraçi, organizuar në Biblioteken Marin Barleti të Shkodrës më 25 tetor 2019.