Luftëtari i shekujve Resul Resuli – shkëmb labërie që ra për mbrojtjen e Janinës
(Kushtuar luftëtarit Resul Beqo Resuli/Onjea, (1869–1897), i cili ka rënë për mbrojtjen e truallit shqiptar në Vilajetin e Janinës më 1897, në luftën e tretë për Janinën)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Brezat “takojnë” dhe i flasin brezave kudo ku flitet shqiptarçe në të gjithë Shqipërinë natyrale dhe jo vetëm në Shqipërinë londineze, sepse brezat i bashkon gjaku, gjuha, kultura, flamuri, tradita dhe besa që të mos harrojnë kurrë të rënët për tokën arbërore, për të shkruar e treguar për heroizmin në luftë në mbrojtje të tokës amëtare arbërore. Sot kur “pluhuri” i harresës ka rënë, kur ndërgjegjia kombëtare e shoqërore kërkon të memorizojë historinë e kombit shqiptar të nëpërkëmbur, të sulmuar e të lakmuar duhet rihapur një çështje kaq e munguar për dhënien e statusit “Dëshmor”, sepse që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri më sot ka rreth 50mijë të rënë në betejat e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci. Në piedestal të kombeve qëndron gjaku i të rënëve, i bijëve dhe bijave që kanë shkruar epope trimërie e guximi, që nuk mund të harrohen. Për këtë arsye luftëtarit Resul Resuli/Onjea bazuar në Ligjin nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”; i cili ka hapur dritën jeshile për dhënien e statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe për zbatueshmërinë e një procesi të munguar meriton t’i akordohet titulli dëshmor dhe të nderohet për veprën e tij, sikurse gjithë bijtë e bijat e kombit që gjakun e derdhën për Atdheun.
Me emër profetik “Resul/Profet” shkruhej historia në Arbërinë e gjyshërve
Resul Beqo Resuli (Onjea) lindi në Fushëbardhë të Gjirokastrës në veren e vitit 1869. Ishte koha kur vendlindja e tij sikurse gjithë treva e Labërisë e më gjerë vuante sundimin osman. Emrin ja vuri gjyshi. E quajti “Resul”, me emër profetik, që do të thotë “Profet”, sepse të tillë e donte ai. Fëmijëria e tij ishte e vështirë si gjithë moshatarët. Arsimimi për kohën ishte ishte privilegj vetëm i shtresës së administratës civile e ushtarake osmane, dhe në fakt zhvillohej vetëm në mejtepet në osmanllisht. Por sikurse gjithë fëmijet e të rriturit në atë kohë mësonin vetëm gjuhën e nënës, gjuhës amëtare shqipe, por dhe osmanllisht të nevojshme për kohën sepse cdo lloj dokumentacioni ishte në osmanllisht. Fëmijëria e Resulit shkoi shpejt dhe u burrërua duke mësuar bëmat e të parëve të tij të ardhur nga fshati Vajzë e Vlorës e të vendosur në kodrat pranë Kofolesë në kufi me Zhulatin, në Fushëbardhë. Ditët kalonin kodrave, maleve e atyre pak lëndinave e fushave të fshatit, për të siguruar minimalist jetesën, ndërsa në mbrëmje rreth vatrës ushqeheshin me fukarallëkun e kohës, por dhe me frymën e traditës atdhetare, mësonin trimëritë e betejat e lebërve shekujve, për nizamët që kosharet osmanë mobilizonin çdo vit jo pak por 14mijë djem ushtarë në të gjithë sanxhaqet/prefekturat e Shqipërisë në Rumeli. Por për rastet që dovleti lëshonte kushtrim “Vatan koruma için/për mbrojtjen e vatanit” në “harb zamani”/kohë lufte, numri i të mobilizuarve sërish rritej që përfshinte edhe redifët dhe vullnetarët. Resuli kur u rrit në moshë u bë zot i vetes dhe familjes. Erdhi koha e martesës sepse nizamllëku duhej që disa gjëra t’i bëje në kohë, të martoheshe dhe të bëheshe me fëmijë “ishte detyrë”, për të siguruar vazhdimësinë. E tillë ishte tradita familjare që kur kishin ardhur në “nomenë e re”, në Fushëbardhë, kur ishin vendosur prej Vajzës së Vlorës. Në Fushëbardhë kishin ardhur rreth mesit të viteve 1850, nga katër vëllezër tre prej tyre: Azemi, Asimi dhe Bequa; ndërsa vëllai i katërt Myniri qëndroi në fshatin Vajzë, “për ta mbajtur zjarrin ndezur”, në vatanet e të parëve, pasardhësit e degës së të cilit janë sot gjenden në Amerikë dhe në Tiranë. Erdhi dita e dasmës dhe Resul Beqo Resuli/Onjea, u martua në verën e 1890, kur ishte 21 vjeç. Dasma ishte sipas traditës labe me miq e të ftuar të shumtë nga Fushëbardha, krahina e kardhiqit e deri në Vajzë të Vlorës. Shpejt u bë me fëmijë i lindi djali i parë Avdiu në vitin 1892 dhe vajza e tij Simitja që e quajtën Simite në vitin 1895. Edhe pse ishte djalë i vetëm Resuli, ju përgjigj thirrjes “për nizamë”, ndërkohë që pas kishte lënë prindërit, bashkëshorten dhe dy fëmijët në moshën pesë e tre vjeçare. U përcoll me lot në sy dhe me shpresë të rikthimit, edhe pse ishte djalë i vetëm pa vëlla e pa motër. Rënia në fushëbetejë u prit si një gjëmë familjare. Eshtrat nuk ju kthyen por vetëm mandate dhe fermani osman, se ra për vatanin në krye të detyrës. Kaq vlente jeta. Koha kaloi dhe shpejt u rritën fëmijët Avdi Resuli (Onjea) dhe vajza Simite Resuli (Basho). Jeta rrodhi më tej dhe miqësitë e krushqitë u forcuan me miqësi të reja, por nuk u harrua as orige Vajzës së Vlorës, që shikohej si “derëbabe”, për djemtë e vajzat që rriteshin në fisin Resuli në lagjen fushëbardhase “Onjea”.
Djemtë shqiptarë kur shkonin “nizamë” dhe luftonin për Dovletin
Fakt është se djemtë e Fushëbardhës i merrnin “nizamë”, (rregull, rrend, ligj) dhe i conin në Delvinë, dhe nga garnizoni i Delvinës ku grumbulloheshin djemtë që do bëheshin “asker” i conin në skelën e Sarandës, ku vinte vaporri me emrin “Daut”, që mbushej me djem shqiptarë për të bërë askerllikun 7 vjeçar. Gemia “Daut”, ishte bërë një emër i njohur për skelat bregdetare shqiptare sepse conte në kazermat ushtarake të Portës së Lartë “ajkën e djalërisë” shqiptare, në zbatim të “fermanëve” famëkeqe, që Sulltanati mbushte radhët ushtarake për të mbajtur pushtetin e pushtimit me gjak, me zjarr e hekur. Njerëzit në brigjet shqiptare e quanin “Anija e Dhembshurisë”, të dhimjes dhe dashurisë, të mallëngjimit dhe shpresës, sepse ndër vendet ku shërbenin arnautët/shqiptarët ishte edhe Jemeni sikurse ishte çdo pikë e sulltanatit në 8 milionë km² në tre kontinente. Jemeni njihej veçanërisht nga këngët popullore… “Ah o Jemen,/trëndafil prej bari,/vallë kush shkon,/pse nuk kthehet më për së gjalli?.”.Në vitin 1896 nga Fushëbardha u mobilizuan disa askerë/ushtarë nga kosharet osmane dhe që të gjithë u dërguan fillimisht në kazermat e Stambollit. Prej andej katër prej tyre u dërguan në Jemen, ndërmjet të cilëve edhe Resul Resuli/Onjea. Por një ngjarje luftarake detyroi Portën e Lartë dhe Këshillin e Luftës së Perandorisë që të bënte riorganizim forcash. Kështu fushëbardhasit u rikthyen përsëri pas disa muajsh për arsye se kishte shpërthyer lëvizja për ishullin e Kretës, të njohur në zonën greke. Askerët u afruan me anije për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e ishullit, që historia e njeh si “lufta greko-osmane për çështjen e Kretës”. Kronologjikisht ngjarjet luftarake zhvilloheshin në atë që njihet si “Lufta e tretë për Vilajetin e Janinës të 1897-tës/;, ku në plan të parë del dhe vorbulla e madhe e lakmive ballkanike, një stacion lufte që për shqiptarët dhe çështjen shqiptare dëmtimi i tokave të perandorisë në këtë periudhë ishte humbje për truallin shqiptar. Në mars 1897 gjendja në hapësirën shqiptare u acarua dhe më shumë. Pjesa jugore e Shqipërisë rrezikohej nga forcat greke, por edhe nga ndërhyrja e shteteve të tjera të Ballkanit, Serbisë e Bullgarisë. Trupat greke ishin në kufijtë e Thesalisë të vilajetit të Janinës, ndërkohë që luftonin për Kretën. Në vilajetin e Janinës, udhëheqësit e lëvizjes kombëtare dhe shumica e parisë shqiptare nuk pranuan t’i jepnin Sulltanatit ushtarë se do t’i ruanin forcat për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Grekët nuk patën sukses për pushtimin e Kretës në mesin e shkurtit të 1897. Greqia e shtriu luftën në Thesali dhe në vilajetin e Janinës, ku sulmoi forcat osmane më 12.4.1897. Sulltanati luftën kundër Greqisë e paraqiste si luftë për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Atdhetarët shqiptarë, udhëheqës të lëvizjes kombëtare, përballë rrezikut të pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, u detyruan të ndryshonin qëndrimin dhe ta përballonin me forcat e tyre agresionin grek. Gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit shkruante: “Në fillim të luftës greko-osmane, kur grekët luftonin për Kretën, për ta bashkuar ose për autonominë e saj, shqiptarët, të krishterë e myslimanë, simpatizuan luftën e grekëve dhe deklaruan se nuk i japin Sulltanatit ushtarë për luftën. Por, kur Greqia donte të rrëmbente Maqedoninë e Epirin, domethënë Shqipërinë, simpatitë u kthyen në zemërim, dhe “..u lëshuan të mbrojnë mëmëdheun e tyre”. Porta e Lartë, premtoi tituj, shpërblime e privilegje në administrimin e vendit dhe bëri për vete parinë shqiptare si dhe siguroi mobilizimin e forcave “vullnetare” shqiptare, që u hodhën në luftë kundër ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë, në vilajetin e Janinës. Ushtria greke pësoi disfatë të rëndë në frontin e Janinës dhe u shpartallua plotësisht në tri javë në një luftë të përgjakshme. Lufta pati edhe të rënë të shumtë si ushtarë edhe vullnetarë shqiptarë. Pothuaj luftatarët osmanë në shumicën dërmuese ishin ushtarë nizamë shqiptarë, të cilët ishin të bindur në mbrojtjen e truallit amëtar.
Kënga që lindi në luftë, u shkrua në “arkivin-këngë” dhe u këndua në gjithë Labërinë
Një ndër djemtë e Fushëbardhës që luftoi dhe u vra trimërisht për Vilajetin e Janinës ishte dhe Resul Beqo Resuli (Onjea) 28 vjeçar, që ra në fushëbetejë në pranverën e 1897-tës, babai i dy fëmijëve. Trupin e tij nuk e sollën në vendlindjen e tij të dashur në Fushëbardhë, por sollën vetëm “fermanin-mandatë”, me fjalët e thata: “Shehit, rënë për vatanin”. Shokët e tij bashkëluftëtarë përpara se të vinte mandati sollën këngën, e cila është “Autobiografia” më e mirë e të rënëve, e dokumentuar me bojën e gjakut në “arkivin-këngë”. Ata trima fushëbardhas që mbetën gjallë dhe mbuluan shokët në Janinë, sollën më të papërsëritshmen, këngën labe që kënduan në Stamboll, në Jemen dhe në Janinë, që edhe sot e kësaj dite pas 122 vjetësh na shërben si një “arkiv gjigand” trimërie, me fonde-arkivore, që shkruajnë e dokumentojnë lavdinë e shqiptarëve. Kënga që erdhi nga qendra e Vilajetit të Janinës që u këndua brez pas brezi thotë: “Fushëbardhë t’u rritën djemtë/Të luftojnë për dovlet,/Djalë i vetëm pa vëlla,/Luftove me pashallarë/Resul Beqo djalë i rrallë/Gjakun derdhe për vatanë,/ O Janinë, Janinë xhani,/Del se të kërkon junani,/Të të ndajë nga vatani,/ Nuk më lënë djemtë levendë,/Që plumbin presin në këmbë…”. Kjo është kënga që që lindi në xhephane lufte, u dokumentua dhe u shkrua në “arkivin-këngë” të historisë dhe u këndua në gjithë Labërinë. Prandaj ka marrë me vete pavdekësinë, meriton nderim në altarin e burrave të kombit. Është pikërisht kjo këngë që më së shumti u këndua në dy fshatra të Labërisë në Fushëbardhë, por dhe në Vajzë të Vlorës në origjinën e familjes “Resuli/Onjea”. Resul Beqo Resuli/Onjea, e derdhi gjakun për truallin shqiptar dhe meriton nderimin e respektin e brezave sikurse e meriton çdo luftëtar shqiptar që gjakun se kurseu me idealin e madh: “Për Mëmëdhenë”. I tillë ishte “fati” shqiptar për 4-5 shekuj para 1912-tës, që jetën jepnin për shërbim të Perandorisë. Fakt është se me ndërhyrjen e Rusisë dhe të Fuqive të tjera të Mëdha, trupat osmane bashkë me repartet vullnetare shqiptare, e ndalën përparimin e tyre. Më 19 maj 1897, u nënshkrua armëpushimi ndërmjet Sulltanatit Osman dhe Greqisë dhe më 4 dhjetor 1897 nënshkroi Traktatin përfundimtar të Paqes. Edhe pse doli fitimtare, Perandoria Osmane, sipas marrëveshjes me Shtetet e Mëdha evropiane, e humbi Kretën, e cila u shpall “autonome” dhe “asnjanëse”, nën kontrollin e Fuqive të Mëdha. Gjaku i Resul Beqo Resulit/Onjea dhe shokëve të tij rrodhi për truallin e lirë shqiptar, pa i ditur dhe pa i njohur konjukturat e pabesitë e kohës. Ai e derdhi gjakun një dekadë e gjysëm përpara se Ismail Bej Qemali të shpallte pavarësinë shqiptare më 28 nëntor 1912. Por djemtë që shkonin në roje të Vilajetit të Janinës, shkonin të luftonin me bindje të plotë në mbrojtje të së drejtës së tyre kombëtare, në mbrojtje të familjes, fshatit, krahinës, gjuhës, kulturës e territorit shqiptar. Djelmoshat shqiptarë që pavarësisht uniformës, formacioneve ku bënin pjesë, armatimit dhe kundërshtarit përballë kishin një ideal, Shqipërinë e lirë, të jetonin të lirë në truallin e tyre amëtar të trashëguar dhe të lënë amanet nga të parët.
Barikadë gjaku në portat e shqiptarizmës – gjak për kryeqendrën e vilajetit lab
Gjatë kohës së Luftës greko-osmane të vitit 1897, dhe pas fitores së Gruparmatës III, më 1897-tën pati sërish luftra dhe përsëri gjak tjetër i derdhur nga Fushëbardhasit e Lebërit në Vilajetin e Janinës, kur nga 4 tetor 1912 në Luftën për Mbrojtjen e Janinës, në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike deri 6 Mars 1913; gjaku skuqi tokën e fortesave të Janinës në luftën gjeopolitike të zotërimeve, ku dolën në pah lakmitë e për “të zgjidhur” çështjet e tyre. Dhe gjaku u derdh në Janinë nga bashkëluftëtarë të tjerë Fushëbardhas vijoiedhe në vitet e dekadat që pasuan. Pjesëmarrien e bijëve të Fushëbardhës dhe Labërisë në luftën-epope të Bezhanit është përjetësuar në kënga: “Hajde shokë të këndojmë,/Nesër askerë shkojmë,/Në Vilajet do luftojmë,/Me junanët e me dushmanë,/Do luftojmë për vatanë,/Bezhani maja mbi maja,/e rreh topi kumbaraja,/Sa të cuditët dynjaja,/Për vatanin japim xhanë,/Derdhim kanin (gjakun) fukaraja…”. Të rënët e Fushëbardhës dhe të krejt Labërisë lidhen pikërisht me fshatin Bezhan, i cili ishte 14 km në Juglindje të Janinës dhe mbrojtja e Janinës varej veçanërisht nga “porta e parë e hyrjes në Janinë”, që ishte një mbrojtje e fortifikuar në Bezhan e ideuar nga Marshalli gjerman, Von Der Goltz. Gjaku i derdhur për truallin shqiptar do vijonte të derdhej edhe pas vitit 1897. Kështu nga Fushëbardha e Labërisë nga rreth 40 luftëtarë vullnetarë e redifë (rezervistë) që morën pjesë në luftime në 1913, ranë trimërisht Rustem Shalari dhe Muho Cama në Grebene, ndërsa në portat e Bezhanit në Janinë do derdhin gjakun gjithashtu më 1913 Resul Peçi, Islam Kondi, Ismail Nora. Por në Bezhan kishin rënë përpara gjashtë dekadash më 1854 dy djem të Fushëbardhës Bajo Kazo dhe Habib Xhuvani që njihen të dokumentuar si të rënët e parë të njohur zyrtarisht të rënë në fushëbetejë në mbrojtje të trojeve shqiptare të Vilajetit të Janinës. Krahas luftëtarëve të Fushëbardhës ranë edhe qindra luftëtarë nga të gjithë trevat jugore të Shqipërisë. Prandaj vargjet popullore tregojnë: “O Bezhan përmbi Janinë,/ jeshe istikam i mirë,/ treqind topa një të shtirë,/ bien gjulet në zinxhirë..”. Hidhërimin dhe tronditjen që shkaktoi shkatërrimi i nyjës mbrojtëse rreth Bezhanit, ndër atdhetarët e shumtë, i ka pasqyruar edhe njëri prej tyre në vargjet e veta, botuar në fletoren “Zgjimi”, Korçë, dt. 15.1.1914: “Ra Bezhani, ra Bezhani!/ Qaj, moj Shqipëri e mjerë./ Ç’është kjo mynxyrë e madhe,/ që të gjeti këtë herë!?/…”. Mposhtjen e nyjës mbrojtëse të Bezhanit dhe rënien e Janinës e vajtuan edhe osmanët, gjë që dëshmohet nga vargje: “Ç’ka që qan dovleti ynë?/ Qan për içinxhi ordhinë./ U batërdis në Janinë,/ jo pakë, po njëzet mijë/ burra e trima të mirë,/ dhanë xhan, humnë zoinë,/ djalëri e levendinë,/ me dhëm’ e brrijën harbinë,/ me gjoks e prisjën sfungjinë”. Rënia e Vilajetit më 1913 ishte rënie edhe për gjakun e rreth gjashtëmijë të rënëve në katër luftra nga viti 1854, që ishte një hidhërim i madh edhe për pasardhësit e dëshmorit Resul Beqo Resuli/ Onjea, që gjakun e derdhi pikërisht në Janinë për mbrojtjen e truallit arbëror. Por Resul Beqo Resuli/Onjea nuk mund ta mësonte kurrë se Trualli shqiptar dhe trojet u humbën me diplomaci dhe tradhëti, me “marrëveshje për Janinën”, ku Vilajeti vlente sa një një “makinë me portokalle”, që në fakt ishte me flori dhe kapërceu frontin osmano-grek. Edhe pse u derdh gjak në dekada përsëri “Janinës ju sos fryma!”. Humbjen e Janinës e shpreh vargëzimi popullor: “Janinë, të hiftë zjarri,/raftë e të mbuloftë mali,/t’erdhi te dera Junani!/Janinë, çerek Stambolli,/daltë e të mbyttë gjoli,/hapi sytë, se të mori!”. Lakmia junane nuk kishte të sosur dhe vërviti drejt tokave shqiptare andartët e saj më 1913-1914-tën dhe që të tjerë fushëbardhas derdhën sërish gjakun por kësaj here jo më në qendër të Vilajetit, por fare pranë fshatit të tyre në Qafën e Skërficës, sepse lufta që do të ndillte vetëm luftë dhe gjak të derdhur të rrafshin shqiptar e ballkanik. Në betejën e Skërficës ngelën dëshmorë për lirinë Halil Sullo, Dalip Kondi, Rizal Muho, Surja Tefa, Halil Nora, Sejdi Baho, Mete Jonuzi, Haxhi Muxhai dhe Cenko Onjea. “Fatet” e dëshmorëve bashkohen, sikurse kishte rënë një dekadë e gjysëm para Luftës së Skërficës Resul Resuli dhe që gojëdhëna e transmetoi në këngë dhe në histori, duke folur për brezat një të shkuar luftarake për djemtë që nuk ngelën në Jemen, por në hapësirën arbërore të Janinës, për luftëtarin e shekujve Resul Resuli/ Onjea, i cili mbeti “dhëndër” i lirisë në portat e “Kryeqytetit të Toskërisë”, në rrethinat e Vilajetit të Janinës, ku shkruhej fati i nizamllëkut shqiptar dhe jo vetëm. Këngët e dëshmorëve që prej periudhës Osmane dhe më parë u gdhendën në memorien e shqiptarëve sepse ata shkruan histori me gjakun e tyre duke lagur tokën arbërore me gjakun që e derdhte për tokën e të parëve. Luftëtari i shekujve ra në tokën e tij në Vilajetin e Janinës, në tokën që e donte si shpirtin, si jetën, si frymëmarrjen e lirisë në kryeqendrën e Jugut. Kur ishte djalë dhe kishte shkuar në Janinë, shpirin e kishte lënë tek ai pazar që gumëzhinte dhe që kishte gjithçka për syrin e tij, ku artizanët e Janinës si dhe pajisjet për blegtorët ishin “pasuria”, që çoi në Fushëbardhë, si krenari e tregëtisë dhe “pazarllëkut” të bërë në kasaba. Atje kishte shkuar edhe kur do bëhej dhëndër pa ditur se pas disa vitesh do të ngelej përjetësisht “dhëndër” i lirisë së tokës amtare në vitin 1897. Jeta ngeli e ngritur në vendlindjen e luftëtarit Resul Resuli/Onjea edhe përgjatë shekullit të XX-të e më tej. Për herë të parë për luftëtarin e Janinës ka përgatitur një skicë-portret, mjeshtri Kosta Raka. Brezat në Fushëbardhë, në Labëri e më gjerë i bashkon gjaku, gjuha, kultura, flamuri, tradita që nuk harrojnë të rënët për tokën arbërore, për të shkruar e treguar për heroizmin në luftë në mbrojtje të tokës amëtare shqiptare. -%-