Fran Gjoka: ‘Marigoja shqiptare në Norvegji’ e Viron Konës
Intervistë me shkrimtarin Viron Kona për librin e tij të kohëve të fundit “Marigoja shqiptare në Norvegji”.
Zoti Kona, ju jeni autor i më se 45 librave me tregime, novela, romane e poezi për fëmijë e për të rritur. Kohët e fundit keni dalë përpara lexuesit edhe me tre monografi kushtuar tre mërgimtarëve të njohur në Suedi dhe në Norvegji. Është ndryshim kursi ky për ju?
Viron Kona: Nuk është ndryshim kursi, por shkrimtari shkruan vazhdimisht dhe e sprovon veten edhe në përshtatje me rrethanat që krijohen. Në vitin 2015 shkrova monografinë “Ju dua më shumë se veten”, kushtuar leksikografit, poetit dhe atdhetarit Sadulla Zendeli – Daja, i cili është nga Gostivari, por jeton për më shumë se 50 vjet në Suedi. Në vitin 2017 botova mongrafinë “Kur vjen Sokoli”, kushtuar poetit, përkthyesit dhe atdhetarit Sokol Demaku nga Drenica e Kosovës, që jeton prej afro 20 vjet në Suedi. Kurse “Marigoja shqiptare në Norvegji” është monografia e tretë dhe i kushtohet stilistes, poetes dhe atdhetares Emine S. Hoti, e cila banon prej 30 vjetësh në Norvegji.
Viron Kona: Ka qenë nisma dhe dëshira juaj për këto monografi?
Viron Kona: Po, ka qenë nisma dhe dëshira ime, nisur nga fakti se të tre këta atdhetarë të shquar, me veprimtaritë e tyre krijuese dhe mëmëdhetare e meritojnë vlerësimin dhe respektin e shoqërisë. Të tre janë emra të njohur edhe në vendlindje, edhe në rrethet suedeze apo norvegjeze, por edhe nga publiku shqiptar sepse të tre janë njerëz të veprave. Janë personalitete që bartin vlera të dukshme sociale dhe kombëtare, të cilat duhen pasqyruar. Nuk do të ishte e drejtë të qëndronim indiferentë ndaj veprave të tyre. Nisur nga këto motive i shkrova këto monografi.
Le te qëndrojmë paksa te libri juaj monografik “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Një titull befasues për lexuesin, mund ta na thuash diçka më shumë për jetën dhe personalitetine kësaj zonje?
Viron Kona: Siç ju thashë dhe më lartë kjo monografi i kushtohet shkrimtares, stilistes dhe atdhetares shqiptare – norvegjeze Emine S. Hoti, tashmë e njohur edhe me emrin artistik “Marigoja shqiptare në Norvegji”. -Emine S.Hoti është nga Drenica e Kosovës. Në vitin 1989 për shkak të represionit serb mbi shqiptarët, ajo mërgoi në Norvergji. Iu desh një kohë që atje të integrohej, pasi i duhej të ushqente dhe të rriste katër fëmijët e saj, dy djem dhe dy vajza, që në atë kohë ishin të vegjël. Duke qenë se kishte mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në Prishtinë, ajo u integrua shpejt në Norvegji, dhe fitoi profesionin asistente edukatore kopshti dhe më pas edukatore kopshti e shkolle.
Dhe si vijoi jeta e saj?
Viron Kona: Fillimisht duhet të themi se kur shteti norvegjez krijoi një vizon më të plotë për çështjen shqiptare, dhe veçanërisht për Kosovën, i mori në mbrojtje dhe i mbështeti plotësisht shqiptarët, qofshin ata të Kosovës, të Shqipërisë apo të trojeve të tjera. Gjithsesi, një grua me fëmijë, siç ishte Eminja, nuk e kishte të lehtë jetën, por me këmbëngulje dhe sakrifica arriti të fitonte besimin e norvegjezëve. Ndërsa gjatë ditës punonte asistente edukatore kopshti, por dhe punë të tjera për të mbajtur ekonominë e familjes, ajo kishte edhe disa pasione që e shoqëronin gjatë gjithë kohës dhe që priste rastin t`i vinte në jetë.
Cilat ishin këto pasione?
Viron Kona: Në fëmijëri dhe në rini, kur jetonte në Drenicë, së bashku me prindërit dhe pastaj kur u martua dhe lindi katër fëmijët e saj, Eminja kishte pasion poezinë, donte të bëhej poete, donte që, në raste festash e ditësh të shënuara, të recitonte vjershat e saj në gjuhën shqipe përpara shkollës dhe banorëve të fshatit. Ndërkaq në veprimtaritë e ndryshme që zhvillonin në shkollë, në fshat, por edhe kur ishin festat kombëtare shqiptare, ajo dëshironte që banorët e fshatit e sidomos të rinjtë, të kërcenin, të këndonin dhe të festonin festat kombëtare shqiptare të veshur me kostume kombëtare. Vetë nuk e kishte këtë mundësi, e vetmja grua që u ofronte vajzave ndonjë veshje ishte një grua nga Drenica, por, aq sa ofronte ajo, një dhe dy kostume nuk mjaftonin, ndërkohë që, serbi, e pengonte propagandimin e veshjeve kombëtare shqiptare. Kështu që, teksa ndodhej në kushet e lirisë, në një vend si Norvegjia, që krijon hapësira dhe mundësi të arta për të shpalosur dijet, pasionet dhe përkushtimin, Eminja vendosi që t`i bënte realitet ëndrrat e saj. Bleu një makinë qepëse, penj e rroba dhe, gjatë natës, ndërsa vinte fëmijët në gjumë, ajo qepte veshje kombëtare, kryesisht të zonës së saj, por edhe më gjerë. Fillimisht këto i qepi për fëmijët e saj dhe për grupin artistik të shoqatës së shqiptarëve në Norvegji. Më pas, e përhapi këtë dëshirë të saj edhe te shqiptarët e Suedisë, ata të Maqedonisë së Veriut, në Kosovë, te nxënësit e shkollës Dritan, ku ajo kishte mësuar, por edhe në Itali e kudo ku i jepej mundësia. Këtë veprimtari humane me vlerë edhe kombëtare, ajo e vijon edhe sot.
Domethënë ajo nuk i shet, por i dhuron veshjet kombëtare që përgatit?
Viron Kona: Eminja i dhuronte dhe i dhuron veshjet kombëtare. Deri më sot ky numër ka shkuar në 250 veshje kombëtare, të dizenjuara, të prera dhe të qepura nga vet Eminja dhe të dhuruara prej saj. Këtu mendoj se qëndron edhe e veçanta e saj. Në kushtet kur edhe vetë kishte nevojë për të holla, që i duheshin për familjen, ajo bënte këtë gjest human. Kush do lexoj librin, besoj do arrijë në përfundimin se një njeri i zakonshëm, mund të bëj gjëra të jashtëzakonshme, kjo është Eminja që po prezantojmë sot përpara jush. Këto akte përkushtimi dhe dhurimi, kanë bërë që, shumë shoqata atdhetare shqiptare nëpër botë të paraqiten në aktivitetet e tyre me veshjet e përgatitura nga Eminja. Ata shëtisin në ditë të shënuara, festojnë, kërcejnë e këndojnë me këto veshje rrëzëlluese, të bukura, ku gjithnjë kanë spikatur ngjyrat e kuqe dhe e zezë e veshjeve tona, qëndizmat, shqiponja dhe plisi, si të ishin në Prishtinë apo në Tiranë.
Ka ndonjë episod që ilustron këto që po na thoni?
Viron Kona: Një 17 maji, Ditë e festës kombëtare të Norvegjisë, një gazetar norvegjez kur pa fëmijët e Emines të veshur me kostume të panjohura për të dhe që festonin duke tundur flamujt norvegjezë dhe shqiptarë, i pyeti ata duke treguar flamurin shqiptar me shqiponjë:
-Çfarë flamuri është ky?
-Është flamuri i Nënë Terezës,-iu përgjgij djali i madh i Emines me krenari.
-I Nënë Terezës!?
-Po, Nënë Tereza është shqiptare, siç jemi edhe ne. Ky është flamuri ynë, kurse kostumi që kam veshur është kostum popullor shqiptar. Ma ka qepur nëna.
Përgjigja e djaloshti bëri përshtypje dhe zgjoi interesimin e mediave norvegjeze të cilët i ftuan fëmijët në emisione të veçanta…
Ndonjë moment tjetër?
Viron Kona: Ka shumë, por unë po ju tregoj dhe përshtypjen që bëri dhurimi i xhubletës kombëtare, këngëtares së shquar të operas së Milanos Anila Hoxha, e cila kur Eminja i dhuroi një xhubletë gjatë një vizite në Itali, ajo i shkroi: “Jam shumë e lumtur që u takuam bashkë, më dhurove xhubletën aq të bukur të punuar me duart e tua të arta dhe unë e vesha për festën e pavarësisë ku u preferua shumë nga të gjithë…Dua të falënderoj që erdhe në koncert në Milano ku unë këndova soliste në teatrin “Xhuzepe Verdi”, u takuam edhe mbas koncertit dhe aty më dhurove xhubletën kuq e zi. Jam e lumtur që je një poete me shumë vlera, ke shkruar disa libra, e ndihem edhe unë krenare me ty që përfaqëson kaq mirë vlerat e gruas shqiptare”. Ja se si e përshkruan një moment takimi me Eminen, artistja shqiptare në Itali, modelja dhe aktorja e njohur Lumnie Hoti (Çota Luna): …Dielli më ndriti e më ngrohu shpirtin kur nga larg njoha motrën time Eminen, ndonëse nuk e kisha parë 56 vjet, vetëm në fotografi. E vogël si floriri e me flokët gërsheta si Shote Galica. Me një frymë, e me diellin që ma ndriçoi rrugën, eca drejt saj dhe e përqafova e lotova… Ditë e bekuar takimi me motrën time Emine. Ishte një takim surprizë për mua… Shumë valixhe i pashë në duar?? Në ato duar të vogla, të arta, ajo shqipen kishte qëndisur. E dija që është stiliste e veshjeve të arta të kombit tonë. Një udhëtim me valixhe të mëdha, ku brenda, për mua kishte thesare: kostume me erë shqiptarie. Valixhet bënin melodinë e rrotave por brenda ishte Thesari i Shqiptarisë, ku shumë fëmijë do të vishnin kostumet tradicionale… E kjo më gëzoi shumë që kisha një motër duarflori e të palodhur. Që nga Norvegjia solli peshqeshet e fëmijëve shqiptarë kudo që janë nëpër shoqata. Zyrtarja e lartë e bashkisë së Borasit Ida Legnemark, ish kryetare Bashkie, kur mori vesh se në qytetin Boras të Suedisë, zhvillohej një festival poezie, shfaqi dëshirën që të vinte në atë festival e veshur me kostum tradicional shqiptar të prerë dhe të qepur nga Eminja. Erdhi dhe, gjatë gjith aktivitetit e mbajti veshur kostumin, i cili për hirë të së vërtetës i shkonte shumë. Shumë pjesëmarrës në atë aktivitet, nxituan të bënin fotografi me Idën. Sigurisht që Eminja ia fali asaj atë kostum, gjithnjë e udhëhequr nga fjala e urtë: “Një këmishë që e vesh për vete, dhuroja kujtdo qoftë pa hezitim, por, atë që nuk të pëlqen ty, mos ja dhuro askujt”. Kështu dhe të tjerëve suedezë, norvegjezë, italianë të gjithë ata ndihen krenarë me veshjet shqiptare tradicionale të përgatitura nga Eminja, madje ata edhe kanë dalë në fotografi apo janë filmuar nga televizione, siç është dhe rasti i albanologur të njohur suedez “Miku i madh i Shqiptarve” Ullmar Qvick(Kvik). Ai e mbajti veshur xhubletën shqiptare gjatë gjithë aktivitetit, madje, dhe kur e morën në intervistë, ai shfaqi dëshirën të dilte me atë xhubletë shqiptare të prerë dhe të qepur nga Eminja. Nëpër vite Eminja e perfeksionoi këtë talent të saj, dhe bashkë me ngjyrat e bukura të aurorave polare nga Norvegjia, ajo ka shpërndarë dhe shpërndanë të gjitha ngjyrat e larmishme dhe bukuritë e kostumeve tradicionale shqiptare të krahinës së Drenisës, së pari, dhe, pastaj të krahinave të tjera shqiptare.
Çfarë lloje veshjesh bien më shumë në sy tek ato që përgatit Eminja?
Viron Kona: Mes veshjeve të përgatitura nga Eminja ka vezulluar xhubleta shqiptare, ajo xhubletë të cilën udhëtari hungarez Daniel Kordinez, e cilëson kështu: “As palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e shqiptarëve! Se kjo veshje ka pasur të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.” Eminja thotë me krenari se me veshjet kombëtare shqiptare kanë dalë në fotografi Bajroni i madh dhe Edith Durham, se këto veshje i kanë bërë të njohura në botë Eduart Liri dhe piktorë të tjerë me famë botërore.
Cili është pasioni tjetër i Emines që ka zënë vend në librin tuaj?
Viron Kona: Atje, nëpër natë, duke punuar me makinën qepëse, Eminja mbante edhe laps e letër dhe hidhte edhe mendimet e saj poetike që i vlonin, por dhe episode, ngjarje, ide dhe motive, që do të shndërroheshin në libra në prozë dhe poezi, mes të cilave po përmend romanin “Jetë ferri”, librin në prozë “Shqetësime mërgimtarësh”, vëllimet poetike: “Lulet e vendit tim”, “Pyesni zemrën”, “Fenisk”, “Sinfonitë e jetës”, “Hija e heshtjes”, etj. Për këto libra janë shkruar komente të shumta, nga shumë autorë, në Shqipëri, Kosovë dhe në mërgatë, sidomos në Norvegji dhe në Suedi. Ato janë edhe përuruar në Bibliotekën Kombëtare Prishtinë, por edhe këtu në Tiranë. Më datën 15 Nëntor 2019 u përurua në Tiranë edhe libri “Marigoja shqiptare në Norvegji”.
Çfarë të veçanta të tjera ka libri juaj?
Viron Kona: Në libër, në sfond të personalitetit të Emines, si protagonistja e librit, lexuesi do të gjejë të shpalosura veprimtari atdhetare, artistike e letrare, mbresa dhe emocione nga Lufta e Kosovës, kontributi i Emines në atë luftë për liri e pavarësi, marrëdhëniet e saj me shoqe luftëtare të UÇK-së, ashtu dhe veprimtari kulturore e humane; mendime dhe ide të përparuara, fakte, artikuj, si dhe fragmente nga Norvegjia dhe jeta në Norvegji. Do të gjeni artikuj letrarë e studimorë për veprat në prozë dhe ato poetike të Emines. Me këtë rast, falenderoj për pjesëmarrjen në libër me artikujt apo pronocimet e tyre: gazetarët dhe shkrimtarët: Imri Trena (Norvegji); Hamit Gurguri, Sokol Demaku, Hysen Ibrahimi, Xhavit Çitaku (Suedi); Lumnie Hoti (Çota Luna) dhe Anila Hoxha (Itali); Izet Abdyli, Frok Kristaj, Ajete Zogaj, Edita Curri, (Kosovë), redaktorin e librit Kadri Tarelli, gazetarët: Nuri Dragoj, Bashkim Saliasi, Sejdo Harka, Bajram Mejdiaj, Luljeta Llupi, Liljana Kona (Tiranë); Fran Gjoka (Lezhë); Agim Qoku (Elbasan), Halim Laçi (Krujë), por dhe shumë miq e të tjerë, që u bënë me dëshirën e tyre pjesë e këtij libri me konsiderata dhe vlerësime të merituara kushtuar shkrimtares, stilistes dhe atdhetares Emine Hoti, sot edhe me emrin artistik “Marigoja shqiptare në Norvegji”.