Kozeta Zavalani: Ditëlindja e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
A e dini ditëlindjen e alfabetit të gjuhës sonë shqipe?
Në 22 nëntor mbush plot 111 vjet, që nga Kongresi i Manastirit 1908.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe – 22 Nëntori, është ditë jo pune për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si dhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm, që do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu dhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar.
Në historinë e Shqipërisë, Kongresi i Manastirit shënon një ngjarje të rëndësishme politike, kulturore, shkencore (gjuhësore) dhe arsimore për kombin shqiptar, pasi është kongresi i alfabetit kombëtar të shqipes, që u përpilua dhe u miratua prej tij, alfabeti që përdoret edhe sot. Alfabeti kombëtar i sotëm është kurorëzim i një pune disashekullore, një proces që zgjati afër katër shekuj dhe që u përfundua në nëntor 1908 me punën e Komisionit të Kongresit të Manastirit.
Dihet që nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare.
Kongresi u hap më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.
Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar. Kongresi nëntëditor vendosi me votë të plotë që shqiptarët të linin mënjanë alfabetin e Stambollit me dhjetë shenjat e tij të veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm me alfabetin latin. Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Pse i duhej shqipes një alfabet thjesht latin dhe cilat ishin përparësitë e tij? Alfabeti latin i përshtatej më mirë gjuhës shqipe, atë e përdor bota e qytetëruar europiane, prandaj i duhej ta përdornin edhe shqiptarët që i përkasin kësaj bote europiane; alfabeti latin kishte një traditë shekullore në Shqipëri, i shkëpuste shqiptarët nga alfabeti araboturk dhe ai grek, me të cilët nuk e lidhte asgjë, duke shmangur kështu edhe rrezikun e madh të shkombëtarizimit.
Kujtoj 100 vjetorin e Kongresit kur pasardhës të delegatëve të Kongresit të Manastirit, që 100 vjet më parë, vendosën njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe, u mblodhën si gjyshërit, apo stërgjyshërit e tyre, në takimin “Të nderojmë veprën e rilindësve dhe të forcojmë dashurinë për gjuhën tonë, vlera më e madhe e kulturës kombëtare”. Ishin nipër e stërnipër të Frashërllinjve, Topullinjve, Vrionasve, Qiriazëve, Luarasëve, Zavalanëve, për të vijuar me pasardhës të Shahin Kolonjës, Dhimitër Budës, Hilë Mosit, Luigj Gurakuqit, etj. Organizatorja e takimit, Elida Jorgoni, nuk e pati të lehtë t’i gjente. Iu desh të kërkonte në arkiva e numëratorë telefonikë. Të lënë në hije për vite me radhë, madje edhe të persekutuar gjatë periudhës së diktaturës, pasardhësit e delegatëve të Kongresit të Manastirit pretenduan të dëgjohet zëri i tyre. Duke parë që organet e shtetit shqiptar nuk po i kushtonin rëndësinë e duhur kësaj ngjarjeje madhore, që është një nga kulmet e historisë sonë kombëtare, sipas projektit të zonjës Elida Jorgoni, një grup nga pinjollët e familjeve të ish delegatëve të këtij kongresi të madh u mblodhën për të vendosur në lidhje me kremtimin e kësaj ngjarjeje. Bordi drejtues i përbërë nga pasardhësit e këtyre delegatëve, parashikoi kremtimin e këtij përvjetori në Manastir (sot qyteti Bitola ne Maqedoni) në shtëpinë e Zavalanëve, ku u mblodh kongresi më 1908. Në historinë e Shqipërisë, Kongresi i Manastirit shënon një ngjarje të rëndësishme politike, kulturore, shkencore (gjuhësore) dhe arsimore për kombin shqiptar, pasi është kongresi i alfabetit kombëtar të shqipes, që u përpilua dhe u miratua prej tij, alfabeti që përdoret edhe sot, por askush nga pushtetarët nuk u kujtua se këta njerëz, që na dhanë alfabetin, kanë lënë pas pasardhës, të cilët në të vërtetë kanë se ç’tregojnë. Të mbledhur rreth një tryeze të rrumbullakët, pinjollët kërkuan të kujtohen dhe të jenë të pranishëm në përkujtimet e këtyre datave të shënuara, që janë pjesë e jetës së tyre.
Unë si sekretare e Komitetit të ngritur me këtë rast, (në komitetin e alfabetit, 100 vjet më parë, sekretare ishte Parashqevi Qiriazi, e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar) thashë se ky takim është edhe një lloj sensibilizimi që i bëhet qeverisë shqiptare, për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj ngjarjeje.
Koha ishte e kthjellët dhe e ftohtë, por ne të gjithë me gëzim në zemra e ngrohëm edhe motin. Udhëtimin nuk e ndjemë fare, duke dëgjuar bisedat e këndshme të historianit enciklopedik Tanush Frashëri, i cili kishte ardhur me bashkëshorten e tij Fifi, mbesë e diplomatit dhe veprimtarit të njohur politik Eqrem Vlora, ardhur nga Viena posacërisht për këtë eveniment.
Me të mbërritur në Manastir, zbritëm nga furgonat dhe me flamuj kombëtarë në duar, kaluam urën mbi lumin Draguar dhe iu drejtuam shtëpisë së Kongresit, tashmë të restautuar.
-Mirëseardhët në shtëpinë tuaj- na u drejtua ne Zavalanëve poeti Xhevahir Spahiu, ndërsa shkrimtari Andon Andoni na fiksonte me aparatin fotografik. Midis shkallëve mbi flamurin kombëtar ishte vendosur stema e këtij evenimenti ku shkruhej:”100 vjet shkruajmë njësoj 1908-2008 Kongresi i Manastirit”. Teksa ngjisnim shkallët për të vizituar dhomat e shtëpisë muze, dëgjoja zërin e Petro Skënder Luarasit: “Edhe nëse do të më vrisni, vramëni, por më ruani gjakun, sepse do t’u duhet bijve dhe nipërve tuaj për të shkruar gjuhën shqipe”. Kështu tha dikur Petro Nini Luarasi, një nga delegatët e Kongresit të Alfabetit të mbajtur 100 vjet më parë, në njërën prej dhomave, të ndërtesës tre katshe. Këto fjalë ishin shkruar edhe në fletë-palosjen me programin “Manastiri Feston – 100 vjet Kongresi i Alfabetit” që u mbajt në Manastir nga 14 deri më 22 nëntor 2008.
Kongresi i Manastirit është një përpjekje vigane për ta ruajtur dhe për ta afirmuar identitetin kombëtar. Ai hyri ne histori për shkak të vendimeve të rëndësishme për punën e shkrimit të gjuhës dhe njësimit të plotë të alfabetit, nga i cili u ndërtuan breza të tërë intelektualësh të përmasave botërore, vlerësuan pjesëmarrësit në tribunën me teme: “Dallimet gjuhësore, solidariteti dhe toleranca”, me të cilën zyrtarisht u hap manifestimi kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Ndërkohë mbi stendë projektoheshin emrat e pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit kryesuar nga Homeri shqiptar Gjergj Fishta e pasuar nga familja Qirjazi e me rradhë.
Sotir Peci, delegat i dy kolonive shqiptare të Bukureshtit dhe Amerikës, përfaqësohet nga stërmbesa e tij, Kostanca Rexhepi, Kote, vajza e Mariana Pecit. Gjergj Qiriazi, delegat i Manastirit, përfaqësohet nga Robert Dako. Dhimitër Buda, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga mbesa e tij Tatiana Haxhimihali, Buda. (Vajza e Prof. Aleks Budës.).Simon Shuteriqi, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga mbesa e tij Mira Shuteriqi. Kamber Efendi Sejdiu, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga nipi i tij Hysen Sejdiu. Lef Nosi, delegat i Elbasanit, përfaqësohet nga nipi i tij Skënder Kosturi. Refik Bej Toptani, delegat i Tiranës, përfaqësohet nga Blendi Fevziu. Leonidha Naçi, delegat i Vlorës, përfaqësohet nga Gjergji Naçi. Bajo Topulli delegat i Gjirokastrës, përfaqësohet nga i Bajo Topulli. Çerçiz Topulli, delegat i Gjirokastrës, përfaqësohet nga Skënder Topulli. Mit’hat Bej Frashëri, delegat i Klubit të Shqiptarëve të Selanikut dhe Janinës, përfaqësohet nga stërmbesa Najada Toptani, Petrela. Shefqet Bej Frashëri, delegat i Korçës, përfaqësohet nga Tanush Frashëri. Sami Bej Pojani, delegat i Korçës, përfaqësohet nga Orhan Pojani. Grigor Cilka, delegat i Korçës, përfaqësohet nga nipi Grigor Gilka. Hafiz Ali Korça delegat i Korçës, përfaqësohet nga nipi i tij Ali Korça. Haxhi Jashar Efendi Bitincka, delegat i Shkupit, përfaqësohet nga Fatos Bitincka. Hilë Mosi, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga nipi i tij Perikli Jorgoni. Luigj Gurakuqi, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga stërnipi i tij Nikolin Gurakuqi. Mati Logoreci, delegat i klubit “Bashkimi” Shkodër, përfaqësohet nga nipi Pjerin Logoreci. At Gjergj Fishta, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga nipi Tonin Frani. Dom Ndre Mjeda, delegat i Shkodrës, përfaqësohet nga Tonin Thaçi. Shahin Bej Kolonja (Ypi), delegat i Kolonjës, përfaqësohet nga Ares Ypi, djaloshi më i ri i grupit. Sulejman Fiqiri Efendi Starova, delegat i Starovës, përfaqësohet nga nipi i tij Sulejman Starova. Adam Shkaba, delegat i Sofies (Bulgari), përfaqësohet nga nipi Angeli Argjiri. Dhimitër Mole, delegat i Filipopolit (Bulgari), përfaqësohet Gjergji Mole me banim në Zvicër. Nyzhet Bej Vrioni, delegat i Beratit, përfaqësohet nga Anila Godo. Fehim Zavalani, delegat i kolonisë shqiptare të Misirit, përfaqësohet nga Nezi Kazani. Izet Zavalani, delegat i Follorinës, përfaqësohet nga Gjergj Zavalani. Dom Nikollë Kaçorri, delegat i Durrësit, përfaqësohet nga Gjon Kaçorri. Hazis Hoxhë Efendi Lila, delegat i Bërzeshtës (Librazhd), përfaqësohet nga Artan Lila. Maliq Elmaz Bej Frashëri, delegat i Nakoletes (Azia e Vogël), përfaqësohet nga Malo Frashëri. Xhemal Bej Frashëri, delegat i Ohrit, përfaqësohet nga Xhemil Frashëri. Patriarku martir i gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasi, përfaqësohet nga nipi i tij Petro Skënder Luarasi.
Përfaqësues nga mediat lokale e kombëtare kishin material të bollshëm, sjellë nga goja e paraardhësve të Kongresit të Manastirit. Shumë prej tyre si Tanush Frashëri, Tatiana Haxhimihali, Petro Luarasi e Gjergj Zavalani, i intervistoi gazetari Afet Miftari nga TVM i Shkupit. Në fjalën e tij Gj.Zavalani tha se ishte i kënaqur që Shoqëria e re “Bashkimi” kishte mbledhur e ruajtur shumë letra që i ishin dërguar nismëtarit të Kongresit dhe kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Fehim Zavalani. Një prej tyre ishte ajo e dërguar prej Fan S. Nolit më 13 tetor 1908, ku shkruante: “Kam shpresë se Klubi do të kujdeset dhe të mos harrojë, cilat kanë qenë dhe janë dëshirat e përcemërshme të çdo shqiptari atdhetar”.
Në muzeun e porsakrijuar ishin ekspozuar deftesa të pagesave të bëra për botimet e viteve të para pas Kongresit si dhe Abetare e parë hartuar nga Parashqevi Qirjazi. Z. Tanush frashëri i dhuroi këtij muzeu një foto nga arkivi i familjes me gjithë delegatët e Kongresit të Manastirit…
22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe për shqiptarët e Maqedonisë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër. Mendoj se edhe ne shqiptarët e Shqipërisë duhet të festojmë për këtë ditë feste, që vendosi alfabetin me të cilën ne sot flasim e shkruajmë gjuhën e bukur shqipe, gjuhën tonë amtare.