Albspirit

Media/News/Publishing

Genocidi i fundit i shekullit XX

(Veprimtari kushtuar kësaj ngjarje, tek shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia)

 

Nga Tajar Domi

Njëzet vite më parë, shqiptarët e Kosovës përjetuan atë cfarë kombi shqiptar dhe mbarë bota e qytetëruar, e kujtojnë si ngjarja më e rendë, si genocidi më i tmerrshëm që i ndodh popullsisë së një vendi, pas atij të Hitlerit ndaj hebrenjvë. Dhe kjo ndodhi, rreth 80 vite më vonë, këtu në Europën e civilizuar, rezultat i një persekutimi të përshkallëzuar vit pas viti nga regjimi monstër i Beogradit ndaj shqiptarëve te Kosovës, ndërsa faktorit ndërkombëtar ju desh një kohë e gjatë për të kuptuar e për tu pozicionuar në të drejtën e një populli që po përpëlitej e mundohej të organizohej për të mbrojtur familjet e veta , për të realizuar atë që quhej shpesh ëndërr por që koha e solli, lirinë dhe shtetin e tij. 

Por, miku i shqiptarëve matanë Atlantikut, foli. Presidenti Bill Klinton, me datën 20 mars 1999 paralajmëroi: “40 mijë trupa militare serbe në Kosovë paraqesin rrëzik….Për agresorët në Ballkan , hezitimi ynë është një leje për me vra …”.  E serbët gjatë dëbimit të shqiptarëve ato ditë, mbasi na shajnë nënën shqiptare, u thonë të mundurve: “Shkoni te Klintoni…, bërzhi për Kukës”.

Pas katër ditësh, me datën 24 mars nisen bombardimet e NATO-s mbi objektivat ushtarake serbe në Kosovë e Serbi, nisi kështu një nga ngjarjet e mëdha të shekullit, ndoshta për ne shqiptarët ngjarja më e madhe në këto 1000 vitet e fundit, që do ta kthejë, do ta orientojë historinë perfundimisht në kahjen e duhur. 

Ndërkohë me datën 20 maj 1999, kryetari i OKB -së, z. Kofi Anan viziton qytetin e Kukësit, nga ku deklaron : “Jam i njohur për tendencën e Beogradit, për më tërheq edhe Shqiperinë në konflikt …, por kini besim se kjo punë do të mbarojë shumë shpejt “. Dhe ashtu ndodhi. 

Shkëputëm keto informacione të shkurtra nga libri “Dëbimi i Shqiptareve Prej Kosove ne Vitin 1999” i autorit Sulejman Dida, i cili së bashku me librin “Ditet Kuksiane te Drames Kosovare” të autorit Jonuz Kola, përbënin objektin e veprimtarisë që shoqata Bijtë e Shqipes organizoi keto ditë, në 20 vjetorin e genocidit të pa precedent ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ishte një veprimtari e mirë organizuar, ku pati persona që referuan, pjesëmarrës me kumtesa të përgatitura, u shfaqën video me tmerret e asaj periudhe, këngëtar që me kënget për qëndresën dhe historinë shqiptare iu dhanë kënaqësi pjesëmarrësve.

Kjo veprimtari, vërtetoi edhe njëhere se tashmë Shoqata Bijtë e Shqipes, është shëndruar në një institucion të rëndësishëm jo vetëm kulturor, por edhe historik e shkencor, për komunitetin shqiptar në Filadelfia e më gjërë. Dita–ditës, Qendra jone social-kulturore, po shihet, pëlqehet e frekuentohet nga grup-mosha të ndryshme të bashkëatdhetarëve, përfshi edhe intelektual të shumtë të fushave të ndryshme, me banim jo vetëm në Filadelfia, por edhe në qytetet e shtetet e tjera, përfshi këtu edhe vendlindjen tonë  të dashur, Shqiperinë. 

Por, le të japim më shumë detaje për lexuesin, rreth veprimtarisë së sotme, që une do ta quaja session i mirëfillte shkencor:

I – Genocidi I fundit ndaj shqiptarëve, është vazhdimësi e më shumë se një shekulli -, ky ishte konkluzioni që solli në referatin kryesor z. Llazar Vero, pasi solli për pjesëmarrësit ngjarje e histori të shkurtra, duke bërë lidhjen midis barbarizmave ndaj shqiptarëve, në kohëra të ndryshme. Në librin e S. Didës, citon z.Vero, diku lexova për një toponim të llahtarshëm: “ Nër vorr të fëmijve”, për një kodër në fshatin Prush. Nuk ka toponim më të mënxyrtë dhe duhet të jetë toponim i vetëm, jo vetëm në Europe. 

Ndërsa, gazetari vjenez Leo Frenndilch në librin e tij “Golgotha Shqiptare”, botuar në vitin 1913, midis të tjerave do të shkruante: “ …Torturat më të mëdha i pësonin gratë, përdhunoheshin, lidheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzëna, u cahej barku me bajoneta dhe pasi u nxirrej fëmija vendosej në majë të bajonetës apo hunjve”.

Gazeta amerikane “Daily Telegraph “e marsit 1913, në një artikull mbi luftën Ballkanike (Tetor 1912 – Maj 1913) citon një officer serb: “E vetmja rrugë për të nënshtruar Shqiperinë, është të zhdukim shqiptarët”. Ata vranë 3000 shqiptar midis Kumanovës dhe Shkupit, vazhdon artikulli i kësaj gazete. 5000 shqiptar u masakruan në afërsi të Prishtinës. I detyronin gratë të shihnin si vdisnin burrat, si i coptonin fëmijët, pastaj i vrisnin edhe ato “. 

Sollëm këto dy citate thjeshte për të treguar se janë të njëjtët serbe, të njëjtat metoda dhune dhe krimi, i njëjti objektiv : genocid ndaj një populli të pa armatosur , grabitje, dhunim deri në shtazëri . 

Pas këtyre fakteve të akteve cnjerëzore, me të cilat u njoh gjithë bota, vjen kapitulli i larjes së duarve nga gjaku i shqiptarëve të pafajshëm. Hapet kapitulli i mohimit. 

Mashtrimi , falsifikimi i historisë ka qenë dhe është pjesë e punës së shovinistëve serbë. Në librin që kemi në dorë sot, Selajdin Guri 43 vjec dëshmon: “Asht ndërtue kisha ortodokse (serbe) në kompleksin e universitetit në Prishtinë, ma konkretisht pranë Fakultetetit Albanologjik. Asht ndërtue pas 90-ës, dmth para 5-6 vitesh ka fillue ndërtimi dhe ka përfundue parvjet. Në themelet e kishës kanë futë data sikur kjo daton që nga 600 vjet më parë”. 

 2. LIBRI “DËBIMI” i autorit Sulejman Didaështë kujtesë e përhershme e realitetit të masakrave serbe mbi shqiptarët e Kosovës, në pranverën e vitit 1999. Autori është gazetar me pervojë të gjatë, ndërsa në kohën e luftës së Kosovës përballoj një punë të madhe informuese të situatave të vështira të atyre ditëve, duke transmetuar jo vetëm për Radio Kukësin por edhe për mediat e tjera të shkruara e vizive kombëtare e të huaja. Një numër i madh i intervistave të dhëna nga kosovarët e dhunuar e që u detyruan forcërisht të largohen nga shtëpite e tyre , janë përshkruar me aq realizëm që e bën edhe lexuesin të përjetojë jo vetëm dhimbje nga masakrat e pa para, por edhe të rrisë ndjenjën e urrejtjes ndaj shovinistëve për gjakun që shqiptarët u detyruan të derdhin në luftë ndaj tyre. Libri përbën një mbushje tjetër të arkivës historike duke fuqizuar faktin se asgjë nuk ka ndryshuar në armiqësine e serbëve ndaj shqiptarëve, por është e njëjta ideologji, të njëjtat masakra e veprime raciste, parulla për të justifikuar krimin, si edhe 100 vite më parë.

Dy deshmitë e mëposhtme, midis të shumtave në libër, shkëputem për lexuesin: 

Një grua rreth 40 vjec nga Suhareka: “Kanë marrë kufomat e atyre cka i kanë vra, i kanë përzie me gomat e llastikut a c’ka punojnë në fabrikën “Ballkan” në Suhareke, dhe i kanë djegë.” (fq. 161)

Sevdije Petreshi , rreth 40 vjet nga Duhla : “ Na kena pa ngjarje të rënda qysh prej 28 prillit 1988. Na jena dalë nëpër male, s’kena ba gjumë kurrë…na i kanë kall shpiat deri në temel..na i kanë vra 26 vetë vetëm në fshatin Duhel. Janë me emra: Halim Lugi, Adem Lugi, …Rruzhdi Qatani…Hasan Shukolli …e prej masakrës së Recakut me 15 janar 1999, ku u mbytën 45 vete, na kurrë s’jemi kan rahat”. (fq.162 ).

E gjithë përmbledhja e dëshmive të Sulejman Didës, në dy librat e tij, është vetëm një pjese e tragjedisë më të fundit të shekullit të 20-te, të popullit shqiptar të Kosovës. Por ajo është një akt-akuze e fuqishme e pa kundërshtueshme në gjyqin e madh, të pa përfunduar të shovinizmit të egër serb, që ende vazhdon të zgjasë dorën mbi teritore e pasuri të Kosovës.

 3. DITËT KUKSIANE TË DRAMËS KOSOVARE – kështu e ka titulluar librin e tij z.Jonuz Kola, kryesisht me fotografi tepër cilësore dhe krahas tyre përshkrimi në shqip dhe anglisht i momenteve e ndodhive më kryesore të cdo dite nga data 27 mars–13 qershor 1999, në qytetin e Kukësit vecanërisht. Autori është protagonist i atyre ditëve, pasi që nga marsi 1988 ka filluar punë në Zyrën për refugjatët në Prefekturën e Kukësit duke ndjekur hap pas hapi së bashku me të tjerët, situatën që rëndohej cdo ditë. Ai punoi gjatë kësaj periudhe për gazetat “Los-Angeles Time” dhe “USA Today” në të cilat jepte informacione të shoqëruara me foto, duke prezantuar dramën kosovare në të gjithë botën. Sot ai banon ne Nju Xhersi – SHBA.

Në kumtesën e tij të mbajtur në veprimtarinë e organizuar me titull “Vlerat humane dhe kontributi I madh I popullit të Kukësit gjatë eksodit te vitit 1999”, z. Kola përvec të tjerave citon: “Gjatë 78 ditëve që do të pasonin, Kukësi u bë qyteti i bujarisë, mikpritjes dhe shpëtimit të 530,624 kosovarëve të dëbuar me forcë, por edhe kryeqyteti i mediave botërore. Gazetari i “Los Angeles Time”, John Daniszewski , ato ditë do të shkruante ; “Kukësi e bëri median të qante”. Por unë do të shtoja se më pas, media e bëri gjithë botën të qante.

Sipas autorit, pak është shkruar e trajtuar me shifra e dokumente, ndihma dhe mbështetja e madhe që ka dhënë qeveria dhe populli shqiptar, ai kuksian në vecanti, për kapërcimin e krizës së refugjatëve, ndihmë e cila duhet thënë se ka qenë disa herë më e madhe se ajo e ndërkombëtarëve. Shqiptarët e Shqipërise mbajtën peshën kryesore të krizës, hapën zemrat dhe shtëpitë, ndanë kafshatën me ta. Studiuesja Amerikane, Mary Elizabet Walters në Universitetin e Karolinës, në librin e saj të përgatitur “Unexpected Humanitarians”, përpiqet të paraqes pikërisht këëe gjë kur shkruan “…kjo ndihmë është disa here më e madhe se ndihma ndërkombëtare”.

Për ta ilustruar, autori ynë z.Jonuz Kola, në kumtesën e tij sjell disa shifra të përmbledhura , që e vërtetojnë më së miri këtë:

16% të refugjatëve kosovare (83,331) janë strehuar në kampet e ndërtuara nga Ushtria Amerikane, shtetet anëtare të NATO-s dhe Organizatat Humanitare. 18 % e refugjatëve (95,282) janë strehuar në qendra Kolektive (Ndërtesa publike që u vunë në dispozicion nga qeveria shqiptare, ndërsa 66% (352,011) janë ndihmuar e strehuar nga familjet dhe qeveria shqiptare. Vetëm në Kukës u strehuan mbi 109,116 refugjatë në 9,933 familje për rreth 78 ditë, afërisht cdo familje kuksiane strehoi 10-15 persona. 

Deri tani kësaj ngjarje të madhe, përvec disa shkrimtarëve lokal si z. Dida, Besim Cengu, Rexhep Shahu, Bashkim Shala e ndonjë tjetër, që kanë bërë përpjekje për të evidentuar anë të saj, por që ata nuk e kanë anë financiare të mjaftueshme për ta bërë si duhet këtë punë.

Prandaj më të drejtë autori kërkon mbështetje për botimin e librave të tillë, duke bërë thirrje që edhe shoqatat atdhetare në diasporë apo individë të saj, të krijojnë një fond të quajtur “Fondi i Kujtesës” për të ndihmuar në këtë drejtim. 

Shoqata “Bijtë e Shqipes” përvec fondit fizik të librave të grumbulluara për bibliotekën në pjesën e historisë tonë kombëtare, do të jetë e gatshme për të punuar e bashkëpunuar për të shtuar sa më shumë botimet e kësaj fushe.

  Në këtë veprimtari, folën e diskutuan edhe mjaft pjesëmarrës të cilët vlerësuan punën e madhe të bërë nga autorët që janë të pranishëm sot, si dhe kryesinë e shoqatës për organizimin e saj. Të tillë ishin zotërinjtë Hys Hasa, Sadik Elshani, Hamdi Gjana , Renato Shemsiu, Dritan Matraku etj

Dokumentari me pamje nga eksodi i pranverës 1999 që u shfaq në ekran, plotësoj akoma më mirë prezantimin e ditëve të tmerrit, të dhunës e gjakut që shqiptarët e Kosovës dhanë për vendin e tyre. Sa shumë urrejtje serbe!

4. MIRËNJOHJE për dy autorët e librave të promovuar.

Duhet thënë se si asnjëherë më parë, në luftën e fundit, krimi u regjistrua dhe u dëshmua fuqishëm nga gazetarët e huaj e ato shqiptar. Në këtë fushë një ndihmesë të madhe japin dy bashkëatdhetarët tanë të ftuar, zotërinjtë Sulejman Dida dhe Jonuz Kola, prandaj kryesia e shoqatës “Bijtë e Shqipes” vendosi ti vlëresojë ata me Certifikatë Mirënjohje, të cilat u dorëzuan nga kryetari i kësaj shoqate z. Bujar Gjoka e sekretari z. Vlashi Fili.  

Eshtë një inkurajim modest ndaj njerëzve të punës, të cilën duhet ta bëjnë në radhë të parë strukturat shtetërore, institucionet e kulturës dhe ato lokale në Shqipëri, për ti motivuar intelektualët e kësaj fushe, konkretisht. 

Rapsodët e talentuar Nexhip Dida e Perlat Sheqeri që shoqëruan aktivitetin, me repertorin e tyre, i bënë jehonë historisë, luftës së Kosovës dhe mikpritjes shqiptare në pranverën 1999, duke marrë duartrokitjen e të pranishmëve në sallë e duke i shtuar kënaqësinë e aktivitetit. 

Duhet theksuar se edhe darka “Buke e Kripë e Zemër”që tashmë është bërë e përhershme pas cdo veprimtarie këtu, ajo e kësaj nate ishte edhe më e pasur, në asortimente por edhe në cilësi. Bollëk me gatimet tradicionale që nënat e motrat tona kishin sjellë për të respektuar të pranishmit. 

Kështu, duke shijuar këtë, si dhe pijet e shumta (lengje, birra, verë, raki etj) të ofruara nga bashkëatdhetari Shefqet Beqa, në atmosferen e këngës të dy këngëtarëve, u mbyll veprimtaria e shoqatës “Bijtë e Shqipes” për “Genocidin e fundit të shekullit xx-të”.

Filadelfia, Nëntor 2019

Please follow and like us: