Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Emil LAFE: GJERGJ FISHTA DHE KINA

 

 

“GJERGJ FISHTA DHE KINA”

(LIDHUR ME VJERSHËN “CASUS BELLI” NË VËLLIMIN “ÂNZAT E PARNASIT”)

 

Në gjysmën e dytë të shek. XIX Kina ishte e dobësuar shumë nga Lufta e Opiumit[1] dhe agresioni japonez i viteve 1894–1895. Në këto rrethana fuqitë imperialiste të kohës, Anglia, Gjermania, Franca, Rusia, Japonia, e kishin ndarë Kinën në zona influence (fig. 1), grabisnin pasuritë e saj, ndërhynin në punët e brendshme, merrnin nëpër këmbë zakonet dhe rregullat shekullore të jetesës së kinezëve dhe mbeteshin pa u ndëshkuar, sepse të huajt kishin imunitet dhe nuk mund të procedoheshin në gjyqet e Kinës. Të gjitha këto ngjallën zemërim të thellë te populli kinez, që u ngrit në një revoltë të fuqishme, e cila njihet në histori si Kryengritja e Boksierëve (Boxer Rebellion) 1898–1901.

Në atë kohë Shqipëria gjendej nën sundimin e Perandorisë Osmane, por idetë çlirimtare të Lidhjes së Prizrenit (1878–1881) dhe të Rilindjes Kombëtare kishin ndezur zemrat e shqiptarëve, që dëshironin të jetonin e të qeveriseshin vetë pa të huaj në vatër. Prandaj edhe për shkrimtarët shqiptarë luftërat për liri e për vetëqeverisje të popujve të tjerë, sado që mund të ndodhnin në vende shumë të largëta gjeografikisht, ishin shumë të afërta emocionalisht. Kishin kaluar vetëm 20 vjet nga Kongresi i Berlinit dhe ishin ende të gjallë kujtimi dhe jehona e luftërave të organizuara nga Lidhja e Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare të shkëputura me vendimet e atij Kongresi.

Ngjarjeve të Kinës në kapërcyell të shekullit XX (Kryengritja e Boksierëve[2]) Gjergj Fishta u kushtoi një vjershë të tërë, “Casus belli”[3] (e përfshirë në vëllimin Ânzat e Parrnasit, 1907)[4]. Nga vargjet Prandej u çuene / sivjet Bokserët … kuptohet se vjersha është shkruar në vitin e parë të shpërthimit të kryengritjes, d.m.th. më 1898. Atëherë Gjergj Fishta ishte vetëm 27 vjeç dhe ndodhej në atdhe. Po në këtë libër gjendet edhe vjersha “Lum i forti”, me të cilën poeti ynë stigmatizon Anglinë që kishte nisur luftën e dytë kundër popullit të vogël të Boerëve[5] (1899–1902) në Afrikën e Jugut, i cili kundërshtonte me armë e me vendosmëri lakmitë imperialiste të Mbretëreshës së Detrave, siç quhej Anglia në atë kohë.[6]

 

Vjersha “Casus belli” ka 29 strofa me nga katër vargje dhe është e ndërtuar në formën e një dialogu: në fillim (18 strofa) raportojnë Lajmtarët[7] (ambasadorët) e fuqive europiane në Kinë dhe në pjesën e dytë Europa (mbretërit dhe të pushtetshmit e fuqive) arsyeton vendimin për të ndërhyrë në Kinë me ushtri, duke pasur si casus belli vrasjen e ambasadorit gjerman nga kryengritësit (“boksierët”) kinezë. Kanë mbetur në histori fjalët e Kajzerit Wilhelm II, kur përcolli në portin e Bremenit kontingjentin gjerman për në Kinë, duke u kujtuar ushtarëve të tij se ashtu siç kanë hyrë në histori e në legjendë Hunët e Atilës (që shkretuan Evropën) një mijë vjet më parë, në të njëjtën mënyrë duhet të silleni dhe ju, që emri “gjerman” të kujtohet në Kinë për një mijë vjet të tjerë.

Një koalicion i përbërë nga fuqitë europiane të kohës: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia, të cilave iu bashkuan edhe Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia, mësynë Kinën, me një fuqi ushtarake prej 54 luftanijesh, rreth 5000 marinarë dhe 52.000 trupa të tjera. Forcat ushtarake të këtij koalicioni ndëshkimor bënë rrënime, grabitje, tortura e vrasje të llahtarshme jo vetëm të kryengritësve që zinin rob, po edhe te popullsisë civile. Këto fuqi e mbajtën të pushtuar një vit Pekinin, kryeqytetin e Kinës dhe i sollën fatkeqësi të mëdha popullit kinez.

Vjersha e Fishtës përshkohet nga një ndjenjë e sinqertë simpatie për Kinën me pasuritë e me bukuritë e saj natyrore (… âsht nji e bukur/ Mbretní e madhe/ Tanë mal i blerun,/ Fushë e livadhe) dhe për Kinezët, njerëz punëtorë, të mençur e të virtytshëm (janë mjaft t’mêçem/ Kinezët e ngratë:/ Punen e dijen/ I kanë zanatë./ Kanë gjyqe t’mira, E dijn shka âsht besa, E der tash s’vonit/ S’kanë pasë ngatrresa…). Duke lexuar vjershën të duket sikur me të vërtetë Poeti ynë ka jetuar jo pak në mes të asaj natyre e të atyre njerëzve që i përshkruan sikur t’i kishte përpara syve. Por këtë mbarësi e begati gati idilike e dhunon politika grabitqare e fuqive europiane: Por q’prej se hine/ N’Kinë Europejt/ Nuk janë tue shkue/ Bash punët fort drejt. Sepse shtetet imperialiste N’sŷ t’perparímit/ Janë msue m’ja vû/ Zgjedhen njerzimit. Kështu nis ndërhyrja ushtarake e tyre.  Dhe si gjithnjë kur lufta ka si casus belli një njeri të vetëm, qëllimi i vërtetë mbulohet me demagogji: Me nisë n’Kinë luftën/ Mue nuk m’bjen keq/ Lkura e Gjermanit[8]/ Âsht halë n’perpeq;/ Veç shka: do t’thoni,/ Se këte ushtri/ E nisë Europa/ Veç për lirí

Demagogjinë e fuqive europiane si sjellëse të lirisë e të përparimit Fishta e fshikullon edhe te pjesa e dytë e vjershës , ku flet për politikën e atyre fuqive ndaj Ballkanit.

Vjersha e Fishtës është interesante edhe nga thurja e saj, nga leksiku e nga frazeologjia e përdorur, nga figurat artistike, nga mjeshtëria e karakterizimit të personave e të psikologjisë së tyre. Kjo vjershë është njëkohësisht edhe një dëshmi historike e simpatisë së hershme të Shqiptarëve për Kinën dhe popullin e saj, gati gjysmë shekulli para se të shpallej solemnisht Republika Popullore e Kinës dhe të vendoseshin për herë të parë marrëdhënie diplomatike ndërmjet dy vendeve. Ajo i bën nder jo vetëm Poetit tonë të shquar të Rilindjes Kombëtare, po edhe letërsisë shqipe në tërësi, si dëshmi historike që shqiptarët kanë qenë gjithnjë në anën e popujve që luftonin për të drejtat e për dinjitetin e tyre kombëtar dhe kundër politikës grabitqare e poshtëruese të disa fuqive të kohës.

Në rrethana të caktuara historike në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë  u vendosën marrëdhënie të ngushta e të gjithanshme dhe lidhje miqësie e simpatie të ndërsjellë. Këto lidhje, që mbijetuan gjatë ngjarjeve të pafavorshme të mëvonshme, po shërbejnë si një themel i shëndoshë për marrëdhëniet e reja të shumanshme në zhvillim e sipër. Këtë e dëshmoi edhe Konferenca shkencore ndërkombëtare me temën “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze: tradita, gjendja dhe e ardhmja” e zhvilluar në Vlorë e në Gjirokastër më 12–13 tetor dhe e organizuar nga Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës në bashkëpunim me Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Konferenca pati dy seksione: Ekonomi dhe politikë; Gjuhë dhe kulturë, ku u paraqitën 45 kumtesa (prej tyre 8 nga studiuesit kinezë).

Festimi i 70-vjetorit të themelimit të RP të Kinës (1 tetor 1949) dhe i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve (23 nëntor 1949) është një rast i bukur për ta bërë më të njohur, për shqiptarët dhe për kinezët, këtë vjershë të shkruar rreth 120 vjet më parë, e cila dëshmon se një ndër njerëzit më të shquar të kulturës shqiptare, siç është poeti Gjergj Fishta, duke  shprehur ndjenja simpatie, dhembshurie e dashurie për Kinën dhe popullin e saj, ua ka përçuar ato edhe lexuesve shqiptarë. Vjersha e Fishtës, që për arsye të ndryshme ka mbetur si në hije dhe është pak e njohur[9], përmban mjaft mesazhe të çmuara edhe për marrëdhëniet e ngjarjet ndërkombëtare në ditët tona. Prandaj po e sjellim këtu të plotë.

 

JUS GENTIUM

PJESË E PARË

CASUS BELLI

BISEDË

EUROPA E LAJMTARËT E SAJ

 

 

LAJMTARËT

Europë, kjo Kina

Nuk âsht pallavra.

Porsi Sibería

Veç mal e avra*;

 

Por âsht nji e bukur

Mbretní e madhe

Tanë mal i blerun,

Fushë e livadhe.

 

Ktû endet mndashi,

Qi s’t’i del shoqi;

Ktû bín orizi

E kallamboqi;

 

Ktû bâhet gruni

Elbi e tershana,

Del edhe cehja*

E porçelana.

 

Ka edhè shum gryka

Kah ana e bregut,

Qi per anë t’Lindjes

Jânë çilca tregut.

 

Besa, edhè njerëzit

Nuk janë fort t’kqí,

Si duen me thânun

Nji palë zotní:

 

Por janë mjaft t’mêçem

Kinezët e ngratë:

Punen e dijen

I kanë zanatë.

 

Kanë gjyqe t’mira,

E dijn shka âsht besa,

E der tash s’vonit

S’kanë pasë ngatrresa.

 

Por q’prej se hîne

N’Kinë Europejt

Nuk janë tue shkue

Bash punët fort drejt.

 

T’bijt e Jafetit*

N’sŷ t’perparímit

Janë msue m’ja vû

Zgjedhen njerzimit.

 

Por se Kinezi

E ka n’merzí

Nder rraqe t’tija

Kush m’iu perzí;

 

Prandej u çuene

Sivjet Bokserët,

E me u hjekë qafet

Na lutne t’mjerët.

 

Por, mbasi e pane

Se na n’shpi t’huej,

Sí t’ngulim thêmren,

S’ndígjojm mâ kujë*,

Besa t’u ngrehne

(E s’paten faj…)

Edhè t’na u lshuene

M’shpinë si çakaj.

 

Me mshrierë kineze*

M’né lane lesh*,

E porsí e lypem

Na bâne pshesh.

 

Nder sa Europeas,

Qi m’qafë i mueren,

Lajmi i Gjermanjes*

La i ngrati lkuren.

 

Per ketë t’pafatin,

N’mos daç per tjerë,

Shka t’bâjm, po t’pvesim

Tash, me Bokserë.

 

N’ kjoftë casus belli

Ti na kallxó,

A se rrin puna

In statu quo.

 

EUROPA

 

Persè t’Gjermansit

I erdh exheli

Me lanë lëkurën,

S’âsht casus belli.

 

A niset lufta,

Tash, per njí nieri?…

Por, ndal, pse u nguta:

Kam folë pa híri

 

Po thoni: Kina

Nuk âsht pallavra,

Porsi Siberia

Veç mal e avra;

 

Por âsht nji e bukur

Mbretní e madhe

Tanë mal i blerun,

Fushë e livadhe…

 

Ka ‘dhe shum gryka

Kah ana e bregut,

Qi per anë t’Lindjes

Janë çilca tregut…

 

Tash, ktû ndrron puna…

Ç’thotë Machiavelli?

Lkura e t’Gjermanit

Âsht casus belli!

 

Me nisë n’Kinë luften

Mue nuk m’bjen keq

Lkura e Gjermanit

Âsht halë n’perpeq;

 

Pse, po mund t’nguli

N’Pekin un kamen,

Kinës paçë m’ia shitun

Sa i biri t’amen.

 

Si t’ia njes doren,

Po e ziej çervishin:

S’rrij pa ia ndukun

Lkurën a mishin.

 

Prá, tash ju kputni

Me Kinë kornamet*,

Pse kam me nisun

Atje donamet*.

 

Veç shka: do t’thoni,

Se këte ushtrí

E nisë Europa

Veç për lirí…

 

 

 

 

Shpjegim fjalësh të rralla:

 

avër – avra: vend i hapër, hapësirë e gjerë e papunuar

cehe – cehja: minerale të ndryshme.

Jafeti: sipas Biblës njeri nga bijtë e Noes, prej të cilit rrjedhin popujt europianë; prandaj edhe gjuhët e Europës quhen shpesh gjuhë jafetike.

kujë: (këtu) askujt.

me mshrierë kineze: me mëshirë kineze (këtu: pa kurrfarë mëshire)

m’né lane lesh: lanë (folja laj) lesh mbi shpinat tona, d.m.th. na rrahën paq, na zhdëpën në dru.

Lajmi i Gjermanjes: ambasadori i Gjermanisë.

korname-t: sjelljet a mënyrat diplomatike në marrëdhëniet me autoritet kineze.

doname – donamja: anije lufte (turqisht).

 

 

 

 

     

Shënimet:

[1] Lufta e Opiumit (1840–1842): Ndërhyrje e armatosur e Anglisë kundër Kinës për ta detyruar të hapte portet e saj për të blerë opiumin e sjellë nga tregtarët anglezë, në një kohë kur në Kinë përdorimi i opiumit ishte i ndaluar nga shteti. Pas fitoreve ushtarake të anglezëve, falë epërsisë së flotës e të armatimeve, me traktatin e paqes që iu diktua, Kina u detyrua të hapte portet e saj për mallrat e tregtarëve anglezë dhe t’u jepte anglezëve ishullin e Hong-Kongut.

[2] U quajt kështu sepse kryengritja u frymëzua dhe u nxit nga një rrjet organizatash të fshehta që quheshin “Grushti i drejtësisë dhe i harmonisë”. Anglezët, duke u nisur nga fjala grusht, filluan t’i quanin boxer (boksierë) veprimtarët e këtyre organizatave dhe kështu emërtimi Boxer Rebellion u përhap në Perëndim, ndërsa në Kinë njihet si Lëvizja Yihetuan (義和團運動).

[3] Shprehje latine me kuptimin: preteksti a arsyeja formale e nisjes së një lufte.

[4][4] Nuk jam në dijeni për ndonjë botim të saj para këtij viti. Fjala Ânzat është forma e gegërishtes për arrëzat a grerat. Me këtë titull poeti paralajmëron satirat e forta politike që përmban libri. Vjersha Casus belli është pjesa e parë e vjershës së gjatë Jus Gentuium (term i së drejtës romake me kuptimin “e drejta e popujve a e kombeve që nuk ishin qytetarë romakë”. Fishta këtu duket se e ka përdorur me kuptimin: e drejta e popujve jashtë fuqive që sundonin botën atëherë). Pjesa e dytë e vjershës mban titullin Status quo, përbëhet nga 39 strofa dhe ka si temë punët e Ballkanit në kapërcyell të shekullit XX. Ashtu si pjesa e parë (Casus belli) edhe kjo nis me raportimin e “Lajmtarëve”: Europë, Balkani/ Mbrapshtë âsht tue shkue,/ si flokë harapit/ Krejt âsht pshtjellue./ Do krajla-kuklla/ Majmuna mbretash,/ Si edhe do knjaza/ T’shkundun kuletash … Pas përshkrimit të gjendjes së Ballkanit “Lajmtarët”, ashtu si edhe në rastin e Kinës, i kërkojnë Europës t’u çojë fjalë Se a t’rrijë Balkani/ In statu quo (d.m.th. të mbeten trojet shqiptare e të tjera nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe nën kërcënimin e copëtimit, apo do të ndërhyhet që të rregullohet me drejtësi e në mënyrë të qëndrueshme çështja ballkanike dhe Ballkani të jetojë në harmoni e në paqe). Por Europa s’nget,/ Ku e din se barra/ Qirán s’ia qet …, dhe përgjigjet përfundimisht: Edhe Balkani,/ Kshtu domosdo/Atëherë do t’rrije,/ In statu quo. Por tash ju flêni/ Pse un larg do t’dal:/ Do t’çoj lirin/ Atje n’Transval … Të dyja pjesët e vjershës “Jus Gentium” janë një satirë politike therëse e Fishtës ndaj politikës së pamoralshme që ndiqnin fuqitë e mëdha të kohës që nga Kina në Azi, Transvali në Afrikë dhe Ballkani në Europë dhe që e mbulonin me demagogji sikur po çonin përparimin dhe lirinë. Me këtë Fishta u thotë shqiptarëve se nuk duhen mbajtur shpresat jashtë, por duhet vepruar e punuar brenda vendit për të përballuar rreziqet që i vinin Shqipërisë nga klientët e fuqive imperialiste në Ballkan.

[5] Boerët – popullsi me prejardhje nga Holanda, e vendosur në Afrikën e Jugut gjatë shek, XVII. Në gjysmën e dytë të shek. XIX u formuan prej tyre dy republika autonome: e Oranzhit dhe e Transvalit, të quajtura edhe Republikat Boere.

[6] Vjersha është ndërtuar në formën e një dialogu ndërmjet Inglizit dhe Boerit: i pari kërcënon: Boer, ti a ndieve? qitma shpejt kuletën/ Me sa t’kesh pare, e s’ke pse lypë arsye… I dyti e kundërshton me të madhe dhe i kujton se: I Madhi Zot tha nierit tu’i dhanë jetën:/ Mos i ban kujë shka ty s’kish’ me t’pëlqye…, dhe i drejtohet Europës: Ndihmom, Europë! Inglizit ç’faj un’ pata? Por Europa e vlerave të larta e ndan gjyqin me cinizëm: Mos bzâjë tash, Boer, arsyeja rrin ke shpata.

Për luftën e Boerëve kundër Anglisë ka shkruar edhe Çajupi (Me Transvall lufton Anglia/ Shihni ç’punon Trimëria/ Lufton bualli me minë/ Transvalli lodhi Anglinë) për t’u dhënë shqiptarëve një shembull të asaj që Noli do ta shprehte më pas te “Marathonomaku” me vargjet: Se i vogli shtrin viganin/ dhe i shtypuri tiranin.

[7] Fjala lajmtarët këtu ka kuptimin e diplomatëve të fuqive të huaja në Kinë, të cilët u njoftonin qeverive e tyre gjithçka që kishin arritur të njihnin për Kinën dhe popullin e saj.

[8] Është fjala për ambasadorin e Gjermanisë Baron von Ketteler, që u vra kur kryengritësit sulmuan lagjen e ambasadave në Pekin.

[9] Në fillim të viteve ’60, kur po merrnin hov marrëdhëniet e gjithanshme me Kinën, me nismën e disa profesorëve të letërsisë shqipe, pati një përpjekje nga Instituti i atëhershëm i Historisë dhe i Gjuhësisë për ta botuar këtë vjershë dhe për të hapur kështu rrugën që Gjergj Fishtës t’i përmendej emri edhe për mirë. Me këtë rast e lexova për herë të parë vjershën e Fishtës për Kinën. Por “nga lart” erdhi përgjigje negative.

 

 

Image may contain: 1 person

Ndarja e “tortës kineze” nga fuqitë imperialiste: (nga e majta në të djathtë): Mbretëresha Viktoria e Anglisë, kaizeri gjerman Vilhelmi II, cari Nikolla II, Mariana (simboli i Francës) dhe Japonia; prapa tyre kinezi i llahtarisur për ato që i shohin sytë!

Image may contain: 4 people, people standing and outdoor

Luftëtarë “boksierë”.

No photo description available.

Ushtarakë dhe flamurët e tetë fuqive të koalicionit që ndërhynë në Kinë.

Image may contain: one or more people and outdoor

Trupat amerikane në luftime për marrjen e Pekinit.

Image may contain: 1 person

Luftimet për marrjen e Tiencinit (porti ku zbarkuan trupat e koalicionit).

No photo description available.

Sulmi mbi kështjellën e Pekinit.

Image may contain: text

Karikaturë e vitit 1913 për Shqipërinë, që të kujton karikaturën për ndarjen e “tortës kineze”.

 

 

 

Please follow and like us: