Albspirit

Media/News/Publishing

Petro Marko, personalitet i letërsisë shqiptare

Petro Marko personalitet i letërsisë shqiptare

Prof.dr. Bardhosh Gaçe

 Sa herë vemi në brigjet e Himarës, ndalemi në Dhërmi, te varri i Petro Markos. Është një moment i nevojshëm shpirtëror për të nderuar Petro Markon, këtë personalitet të shquar dhe një nga përfaqësuesit e spikatur të letërsisë moderne shqipe.  Petro Marko është ngulitur në kujtesën tonë dhe në letërsinë shqipe për atë që ai solli në këtë letërsi.  Sipas mendimit tim, ai është ndër shkrimtarët e rrallë, ku nuk arrin dot të ndash karakterin e tij nga vepra letrare, e cila është kaq e pasur dhe e begatë. Në gjallje të tij, sa herë e takoje, përballë kalonin një galeri e tërë personazhesh, burrështetas zulmëmëdhenj dhe viktima të heshtura. Të gjithë ata që pinin një kafe a kuvendonin me Petro Markon, lehtë vëreje që ata bëheshin edhe më fisnikë, më të çiltër, ndjeheshin më të lirë dhe më komunikues.

Ishte kënaqësi të kuptoje buzëqeshjen e Petro Markos, ajo që çelte në cepin e buzëve, si valë e detit Jon në Dhërmiun e bukur. Buzëqeshja e tij shoqëronte dhe ata që i vidheshin syrit të tij të mprehtë ironik, dhe atyre që ndërronin rrugë në trotuare, pasi i trembeshin lirisë së tij, i cili sapo kishte dalë nga burgu i radhës. Petro Markoja hynte në burg për të kuptuar më mirë lirinë. Në sytë e brezit tonë, përherë ringjallet Petro Markoja, me fatin e vet dramatik, që është një roman më vete. Në Tiranë dhe këtu në Vlorë, sa herë që vinte i përmalluar, me fjalën e tij tërë duf e rebel siç ishte, dallgëzonte jeta e brigjeve të Himarës, gjëmimet e luftës së Spanjës, mërgimet, burgosjet dhe internimet e tij, lufta antifashiste, e mbi të gjitha, ëndërrimet dhe shpresat e njerëzve, si kalorës të idealeve humanitare apo si kalorës dashurish. Në jetën dhe në veprën e tij letrare gdhendet me një mjeshtëri të rrallë dashuria njerëzore në situata komplekse, dashuria mes popujve në ngjarje të mëdha dramatike, por dhe lufta kundër tiranisë dhe tiranëve.

Petro Marko si njeri dhe si shkrimtar ishte human, një njeri ëndrrathyer, ku plekseshin fatet dramatike, por kurrë nuk i kanë munguar vizionet e gjera për njeriun dhe botën shqiptare. Është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të prozës shqiptare, të gjysmës së dytë të shek. XX, i cili solli risi në traditën letrare moderne. Duke qenë poet, prozator, dramaturg dhe publicist, ai ushqeu me veprën e tij një art universal e human, të pasur me tipa, karaktere dhe larmi konfliktesh, ndërkohë që hodhi themelet e romanit realist shqiptar, me një poetikë moderne. Në krijimtarinë e tij dhe veprimtarinë e tij Petro Marko shpalosi dhe demonstroi shpirtin e madh, karakterin e fortë dhe fjalën e mençur, duke i dhënë vetes dhe letërsisë shqiptare një profil të spikatur.

Sado që kohët kalojnë, për shkakun e një raporti të thellë që ai ka krijuar me letërsinë dhe me njerëzit, P. Marko duket se është i pranishëm, duke mbetur një personalitet, i cili arriti ta reflektojë njeriun te shkrimtari dhe shkrimtarin tek njeriu. Ai tash do të ishte 106 vjeç. Do të vazhdonte të ishte një karakter burrëror, saqë iluzionet për një njeri të paepur si ai, na duket sikur të jemi ulur diku në brigjet e Vlorës dhe po kuvendojmë me të. Dhe është i natyrshëm ky iluzion, pasi kanë kaluar kaq vite, e ai ringjallet me botimin e veprave të tij, në rrëfimet  e njerëzve, në mendimin tonë kritik dhe letrar, te nxënësit e shkollave dhe të studentëve të filologjisë.

Këto raste, gjithmonë reflektojnë kujtesën tonë për këta njerëz të një dimensioni të epërm. Nuk mund t’i harroj fjalët e tij, një mbrëmje vjeshte. Ishte viti 1987, në Ujët e Ftohtë në Vlorë, ku më tha: “Brigjet e Himarës dhe horizonti i përflakur midis Sazanit dhe Karaburunit më kanë frymëzuar përherë t’i shoh shqiptarët duke fluturuar në qiejt e lirisë e të dashurisë!

Petro Marko u lind në Dhërmi, në një familje me tradita detarie. U shkollua në Vlorë, në Shkollën Tregtare dhe më pas në Athinë. Që në moshë të re, vitet ‘30-të merret me gazetari, me tregime dhe shkruan poezi. Petro Marko ishte një njeri  kurajoz, i fortë dhe konkret. Shkoi në luftë në Spanjë me një grup shqiptarësh për të luftuar fashizmin spanjoll, dhe pasi kthehet në atdhe në vitin 1940 internohet në Ustika të Italisë. Në vitin 1944 kthehet në Vlorë dhe Tiranë dhe merr pjesë në lëvizjen kundër nazi-fashizmit.

Petro Marko – biri i shquar i Dhërmiut të Bregut, filloi të botojë krijimtarinë e vet letrare që në vitet ‘30-të të shekullit XX, atëherë kur poetët e këtij brezi, me në krye Migjenin, kërkonin dhe dëshironin të krijonin një fytyrë të re të letërsisë dhe shoqërisë shqiptare. Ka një fakt interesant mes Petro Markos, i cili po nisej për në Spanjë dhe poetit të mjerimit Migjenit, i cili i thoshte luftëtarit të Spanjës: “Do të vija në Spanjë së bashku me ty, po shih si jam ligështuar. Miku im, nisja jote për në Spanjë është poema jote më e bukur”. Dhe Petro Marko udhëtoi si kalorës i lirisë në brigjet e Spanjës, duke thirrur: – Rroftë jeta!

Në Spanjë Petro Marko njohu poetët dhe shkrimtarët e shquar të letërsisë botërore si Neruda, Marlo, Gilen, Nekse, Ludvik Ren, Ehrenburgu, Heminguei, Aleksei Tolstoi të cilët i kanë dhënë letërsisë dhe shkrimtarit tonë hapësirat humane të shpirtit, por dhe të artit.

Petro Marko është njëri nga shkrimtarët që jetoi intensivisht dhe intelektualisht tri epoka; periudhën e Mbretërisë shqiptare, periudhën e sistemit totalitar dhe agimin e shoqërisë demokratike shqiptare. Të tri periudhat, Petro Marko i jetoi si shkrimtar dhe intelektual, i cili shquan për bashkëkohësinë si njeri dhe shkrimtar.

Krijimtaria në prozë e Markos fillon nga vitet 1935 e deri sot, e cila ka mbetur e tillë, asaj nuk mund t’i shmangesh dhe as t’i ikësh, pasi në të ka një ind jetik dhe të domosdoshëm, për të kuptuar prozën nga rrëfimi, personazhin letrar nga ai i përditshëm, heroin nga njeriu i zakonshëm, dashurinë nga urrejtja, të “sendërtuar” në strukturën rrëfyese të prozës së shkurtër dhe atë të gjatë. Petro Marko është njëri nga shkrimtarët më realistë të kohës së tij dhe të kohës sonë, pavarësisht se mjeshtëria artistike që ai demonstroi në krijimtarinë e tij, e afronte atë me një lloj “realizmi magjik”,

Ardhja e Petro Markos në letërsinë shqiptare përbënte një moment të rëndësishëm zhvillimi, në romanin shqiptar, ku shquan një lloj humanizmi real, me një koncept të dukshëm të dashurisë njerëzore dhe me një raport universal të këndvështrimit të jetës. Petro Marko ka shkruar romane, të cilët shquhen për konceptet dhe fondamentet e lirisë njerëzore në kuptimin universal. Romanet si: “Hasta la vista” (1958, roman), “Horizonti” (1960, poezi), “Qyteti i fundit” (1960, roman), “Një emër në katër rrugë” (1973, roman), “Nata e Ustikës” (1989 roman), “Çuka e shtegtarit” (2001), përbëjnë një trashëgimì të rëndësishme të romanit shqiptar në përgjithësi, pa harruar edhe romane për fëmijë dhe të rinj, si: “Shpella e piratëve”, “Halimi”“Griva”“Ultimatum”“Fantazma dhe plani tre plus katër”. Në vitin 2001 atij iu botua vepra ku reflektojnë shumë çështje edhe të jetës së tij të titulluar “Intervistë me vetveten”.

Petro Marko njihet si një shkrimtar realist, i prirë për të “reflektuar” konceptin e lirisë njerëzore në situata dhe konflikte të ndryshme, pasqyruese të plagëve të shoqërisë, mjerimit, varfërisë, pabarazisë në shoqëri, fenomene të tjera të përhapura, të cilat i ka shprehur me dhimbje, trishtim dhe me revoltë. Letërsia e tij përmes romanit kryesisht ndërtoi një alegori të qëndrueshme dhe të kuptuar mirë me kohën dhe me zhvillimet, përmes të cilës ai ka evokuar një metaforë qëndrese përballë fatit historik të vetes dhe të shoqërisë. Ndoshta në letërsinë e shkruar prej tij, autori ka reflektuar jetën e tij, pasi jeta e Petro Markos ka qenë me lëkundje të mëdha, me të papritura dhe me drama të thella, qoftë në Dhërmi, Himarë, Tiranë, Athinë, në Spanjë, në Ustika e kudo ai shkoi dhe jetoi. Në romanet e Petro Markos ka një qasje moderne e bashkëkohore në trajtimin e dukurive, fenomeneve dhe të personazheve, karaktereve dhe zgjidhjet e konflikteve në të cilët ato mbahen, duke i dhënë gjithë romanit shqiptar shqisën e një trajtesa bashkëkohore.

Romani “Hasta la vista“, është një nga romanet më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, pasi ai ka një gjetje të rëndësishme, duke qenë ndërkohë dhe një tip i ri romani në letërsinë shqiptare. Romani kishte prurje interesante mbi karakteret dhe personazhet, nga struktura dhe “definicionet” e nënkuptuara nga lexuesi. Është një roman që ngjan me një strukturë të hapur komunikimi, për shkakun e larmisë që autori i jep ngjarjeve, linjave të konfliktit dhe meditimeve të personazheve. Është një roman që ka në të gjithë hapësirën e vet luftën e brigadave vullnetare nga gjithë Evropa kundër fashistit Franko. Romani “Hasta la Vista” përbën gjithashtu një fond të letërsisë botërore me një temë dhe një ngjarje të tillë, pasi për ngjarjet e kësaj kohe kanë shkruar dhe shkrimtarë të tjerë të njohur, Ernest Heminguei, por dhe poetët e shkrimtarët Neruda, Marlo, Gilen, Nekse, Ludvon Ren, Ehrenburgu. Romani është një homazh për jetën.

Një pamje dhe dimension të rëndësishëm shpaloset në romanin “Qyteti i fundit“. Romani zbulon luftën në dy pamje; nga njëra anë jetën e partizanëve që luftojnë për çlirimin e vendit dhe në anën tjetër, atë të ushtarëve italianë dhe familjet italiane që kthehen në vendin e tyre. Është një roman me tipa, karaktere dhe ngjarje interesante. Pasi Italia ka kapitulluar, ushtarët italianë të mbetur në vendin e huaj, përjetojnë ankth dhe trishtim. Dashuria e togerit shqiptar Leka Gurra me një prostitutë italiane, me ç’rast shkrimtari shpalos shpirtin human të kohës nga njëra anë, reflekton edhe dramën që zakonisht sjellin luftërat e kësaj natyre.

Zakonisht në temën e luftës, Petro Marko solli personazhe të rëndësishëm dhe të veçantë në prozën shqiptare dhe arriti të shtjellojë ide dhe angazhime, që letërsia perëndimore i kishte në temën e ditës. Romani “Një emër në katër rrugë” ka atmosferën e luftës, kur vendit ishte nën sundimin e mbretit Zog, kur vepronin grupet antifashiste dhe çetave partizane, të cilat ishin të detyruara të rrinin në ilegalitet, një temë e njohur dhe e shkruar me realizëm nga Petro Marko. Ndërsa romani “Stina e armëve” sjell një kronikë të njohur të kohës, kryesisht atë të luftës partizane në krahinën e Vlorës dhe të Bregdetit, protagonist i të cilit është Zaho Koka dhe çeta e tij. Në pjesën më të madhe të personazheve të romaneve të Petro Markos ka elementë biografikë të vetë autorit, i cili në jetën e zakonshme ka qenë një nga njerëzit më aktiv të kohës.

Romani “Nata e Ustikës” është një gjetje tjetër rrëfimtare në prozën shqiptare, ku pleksen   elementë të shumtë realistë me fatin e autorit dhe të gjashtëqind të burgosurve të tjerë në Ustikë të Italisë, në një ishull afër Sicilisë. Autori me një mjeshtëri të rrallë përshkruan gjendje njerëzore jo të zakonta, ku bie në sy përpjesëtimi i raporteve mes ngjarjeve, personazheve dhe ekuilibrave, që domosdo duhet të jenë të pranishëm në këto raste. Në një strukturë komunikuese të një romani kjo është e rëndësishme.

Petro Marko është një nga romancierët dhe shkrimtarët e dimensioneve të mëdha njerëzore. Në romanet e tij, shpalosen një marrëdhënie e gjerësishme njerëzore, nga të gjitha shtresat, në të cilat mund ta gjejë veten çdo njeri i botës. Dramaciteti, ngjarjet, rastësitë, këndvështrimet, raportet, marrëdhëniet, të cilat vijnë si rezultat e konflikteve dhe “aventurës” romaneske (fictions), bëjnë të pranishme tema të mëdha të shoqërisë njerëzore, ku bie në sy humanizmi, pavarësisht tipizimit dhe ngjarjeve të njohura mbi të cilat ndërtohen subjektet e tyre. Kështu romanet e Markos kanë jetë, kanë kumt të thellë njerëzor, kanë praninë e besueshme të njeriut me gjithë fatin dhe kompleksitetin e tij, qoftë dhimbjes, dashurisë, ëndrrave apo dhe zhgënjimeve.

Asnjëri nga romanet e tij nuk ngjan me tjetrin, qoftë në strukturën rrëfyese, personazhet e secilit roman janë si një njohje e re, një realitet i ri dhe një qëmtim origjinal. Kjo ka të bëjë me aftësinë e shkrimtarit për të krijuar marrëdhënie të drejta dhe të qëndrueshme me realitete jetësore, por dhe me mesazhin që zakonisht përcjell letërsia artistike si e tillë. Prandaj Petro Marko, sa herë ka shkruar romane, duket, se ai po tregon histori të vërteta.

Marko e përdor mjeshtërisht personazhin, formimin dhe tiparet e tij për të “prezantuar” kohën në plotësinë e saj metaforike dhe thellësinë e saj psikologjike. Ai i përdor me një racionalitet të habitshëm subjektet, konfliktet, kohën, duke i vënë rëndësi komunikimit me lexuesin. Personazhe të mrekullueshëm në romanet e tij arrijnë të zbulojnë kohën, ata krijojnë një linjë komunikimi mes lexuesit, shkrimtarit dhe kohës.

Petro Marko është një fenomen letrar në letërsinë shqiptare, jo vetëm për tematizimin e larmishëm që krijimtaria e tij ka në të gjithë shtrirjen e vet, por të stilit, tipizimit, personazheve, mjediseve, karakterin komunikues të natyrës universale, të prerjes social – historike të botës etnopsikologjike, të kurajës dhe guximit prej luftëtari të emancipuar për ta rrokur kohën në gjerësinë e saj. Proza e tij ishte një prozë bashkëkohore, moderne, ajo ndërtonte një metaforë komunikuese me kohën kur u shkrua edhe më vonë. Proza e Petro Markos i ka dhënë letërsisë shqiptare konceptin e një letërsie moderne me të gjithë elementët e saj.

Petro Marko – shkrimtari ynë i magjishëm e rebel vuajti tmerret e burgjeve dhe të internimeve fashiste e totalitare, tmerrin e ndalimit të botimit të veprave letrare, persekutimin e familjes dhe të fëmijëve të tij, përjashtimin nga tekstet shkollore dhe universitare, por pavarësisht gjithë kësaj drame personale dhe familjare, ai është i pranishëm, pasi vepra e tij është themeli i romanit realist shqiptar, duke qenë ndër romancierët shqiptar, që i çeli udhën romanit bashkëkohor modern.

Dy javë para se të vdiste, Petro Markoja më ka thënë:”- I kam lënë amanet Xhevahir Spahiut dhe Moikom Zeqos, kur të vdes, më varrosni në brigjet e Jonit, në Dhërmi, se edhe në varr do të kuvendoj me brigjet shqiptare të Himarës. Varrin ma bëni me gurë të mëdhenj. Mama Milla më ka thënë, se kur linda unë, një dëborë  madhe kishte mbuluar Vetëtimat dhe brigjet. E di. Edhe kur të vdes, ditë me dëborë do të jetë.”

Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë.

Gjithmonë, atje në brigjet detare të Dhërmiut, duket se shpirti rebel, me atë botën e thellë mesdhetare të poetit do të meditojë vargjet brilante:

 

Rrëmbem’ o dallg’ e bukur si pirati,

          Dhe më bashko me kapedanë trima,

           Zemër- delfina e t’ashpër vetëtima

 

          Te kull’ e Jetës ku na shkruhet fati,

          Të derdhemi, o dallgë, e ta hedhim n’erë!

          Të shoh edhe unë- edhe në parëverë! 

Please follow and like us: