Grida Duma: E vetmja rrugë drejt rimëkëmbjes
Instrumentet që ndërtojnë ose minojnë zhvillimin e një shoqërie bëjnë pjesë në një arsenal të pafund armësh të dukshme dhe të padukshme. Keqpërdorimi i tyre jep rezultate të qarta për këdo. “Është ndarë mileti në dy pjesë, ca me beun, ca me kongresin”, -është shprehja emblematike e filmit socrealist “Kongres në vitin ‘36″. Mileti i ndarë me thikë në dy pjesë, në të bardhë e në të zinj, vijon rolin e tij të gjatë në histori. Por asnjëherë realiteti nuk është bardhezi. Pa dyshim, shumëkush ka të drejtën e krenarisë për një përkatësi të caktuar politike apo shoqërore, fetare apo kulturore, me rrënjë të forta tek e shkuara, ashtu si zhvillimi, ecja përpara, nuk mund të ndërtohet duke përsëritur pafundësisht nisjen nga e para.
Kombet europiane prej kohësh kanë ndjekur një rrugë akumuluese; arritjet ruhen dhe njihen e mbi të mëparshmen ndërtohet arritja tjetër. I perifrazuar, Edmund Burke shprehej se në këtë mënyrë, duke ndërtuar me besim mbi të shkuarën, por pa u druajtur nga rishikimi i trashëgimive të saj, “asgjë që është e vjetër nuk mbetet jashtë kohe dhe asgjë që është e re nuk nis nga zeroja”. Çka do të thotë që mbi disa çështje themelore duhet dakordësi, por mbi të gjitha duhet të jemi në gjendje të kuptojmë.
Kjo që shtroj këtu nuk lidhet me aludime të natyrës politike. Nuk po shpalos aspak ndonjë platformë që kërkon një qasje dakordësuese mes palëve politike. Jo dhe jo, kurrë nuk mendoj që kjo sjell zhvillim. Nëse në emër të stabilitetit dhe vijimësisë së reformës opozita dhe pozita shkrihen në një, ky është vetëm vazhdimi i rrënimit të vendit. Ajo çka përpiqem të përcjell lidhet me një dakordësi kuptimore për kolonën vertebrale të shoqërisë sonë: kontratën sociale.
Ekonomia, ashtu si dhe politika, veprojnë mbi këtë kontratë. Në Shqipëri, politika ashtu si dhe ekonomia kanë funksionuar më keq seç duhej. Arsyet për këtë, krahas emrave të përveçëm, gjenden në një themel social specifik shqiptar për natyrën e të cilit duhet të jemi të vetëdijshëm. Ka shumë për të ndryshuar në funksionimin tonë e ky nuk është një gjykim vetjak. Është fakt social. Normalizimi i tranzicionit 30-vjeçar shqiptar nuk mund të justifikohet më me asgjë.
Aq më pak na hyn në punë shpallja pompoze e fundit të tranzicionit dhe zëvendësimi i heshtur i tij me një lloj të ri diktature. Fakti që organizimi i jetës sociale në çdo dimension nuk ka ecur funksionalisht përpara duhet të kuptohet përtej akuzave mes palëve. As duhet lejuar më që disfunksionaliteti ynë të justifikohet, argumentohet apo mbulohet me folklorizma të tipit “punë shqiptarësh”. Sepse ky është bataku më i errët ku mund të biem – të pranojmë fatalisht që nuk bëhemi dot.
Kontrata sociale shqiptare, në kuptimin e përdorur këtu, është dakordësia e përgjithshme mbi llojin dhe mënyrat e përfitimit të ndërsjellë nga bashkëveprimi i individëve që i bashkon gjuha, kultura dhe nevoja për të shkëmbyer me njëritjetrin. Në shumicën e analizave mbi shoqërinë tonë, kontratës sociale i mbivendoset koncepti mentalitet. Nuk janë aspak e njëjta gjë, ndonëse mes tyre ndërkallja është e fortë. Pikërisht te dallimi midis tyre mund të gjendet embrioni nga mund të nisë evoluimi i kontratës sonë sociale. Mentaliteti është traditë zakonore, kontrata sociale është një refleks i mësuar nga përpjekja për t’ia dalë duke shkëmbyer interesa dhe nevoja.
Vendet e vogla si i yni e kanë jetike të shfrytëzojnë ekonominë e shkallës. Adam Smith e argumentonte këtë gjenialisht thjesht. Në një treg të vogël mund të specializohesh të prodhosh 1000 funtë gozhdë për një orë, por nëse nuk ka blerës për kaq gozhdë, atëherë specializimi nuk ia vlen të ndodhë, pasi përmirësimi vjen si pasojë e nevojës. Këtë mungesë përmasash e vuajnë tregjet e vogla si Shqipëria. Tregu i vogël ekonomik është një treg i vogël politik. E rëndom njëri mban peng tjetrin, në një vijimësi monopolesh dhe oligopolesh.
Për të njëjtin shkak, sot demokratizimi i jetës politike është në nivelet më të ulëta të mundshme – edhe pse ndoshta vërtet ende s’kemi parë gjë akoma! Tranzicioni i pafund fshin dhe atë që është shpresa e vetme në këto kushte, idealizmin. Pasi ai nuk është më i nevojshëm. Në Shqipëri kjo duket se tashmë ka ndodhur. Nuk ka më nevojë për sondazhe dhe hulumtime të shtrenjta. Në këtë vend idealizmi nuk është më motori i zhvillimit social.
Në vendet dhe tregjet e vogla duhet vëmendje e madhe që ekonomia të mos copëtohet gjithnjë e më shumë, duke e humbur përfundimisht çdo qasje ndaj ekonomisë së shkallës. Kjo, sepse atje ku tregu është i madh imponohet natyrshëm zhvillimi. Ai vjen si përgjigje ndaj nevojave më të mëdha dhe konkurrencës; nëse një shërbim nuk e kryen njëri, do ta kryejë një tjetër ofertues.
Aftësia për të prodhuar dhe infrastruktura duhen mirëmbajtur në mënyrë që kostot fikse të ulen dhe fitimi të rritet. Një nga arsyet e normës së ulët të kthimit të fitimit në shumë sektorë shërbimi është ngurtësimi i kostove fikse të tyre, nga ato të nisjes tek ato të operimit. Konkretisht, mjafton të ecësh në tri blloqe pallatesh në kryeqytet dhe do të numërosh, duke ecur në më pak se një kilometër, së paku gjashtë njësi marketesh të vogla, katër farmaci, pesë a më shumë shërbime parukerie, midis gjashtë dhe shtatë bar- kafe, patjetër tre bukëpjekës.
Në këto njësi shërbimi, norma e rentabilitetit është ekstremisht e ulët, ndërsa ngurtësimi i kostove fikse tejet i lartë. Sigurisht, mbrojtësit e doktrinës së tregut të lirë në pamje të parë do të ngulmonin për mosndërhyrjen në këtë rendje të lirë të sipërmarrësve, që i rregullon natyrshëm tregu. Por ajo çka duhet shqyrtuar më tej nuk është kaq e sipërfaqshme. Në moment të parë duhet theksuar që gjetja e ekuilibrit të artë mes normave rregullatore dhe kontrollit planifikues është një sfidë e përjetshme e qeverisjes në ekonominë e tregut.
Copëzimi i ekonomisë shqiptare nuk ka ardhur thjesht nga mungesa e imagjinatës së biznesit apo nga vendimi i shpirtrave të lirë sipërmarrës për të marrë pjesë në tregun e lirë aty ku deshën vetë. Më së shumti është rrjedhojë e një dështimi të mëparshëm.
Ende na mungon reflektimi për situatën, aksesin dhe strukturën e tregjeve vendëse; të pakta janë sondazhet dhe kërkimet. Por edhe në mungesë të tyre, kemi material të mjaftueshëm për analizë. Nëse merren regjistrat tregtarë do të shikohet se afërsisht 60%-70% e kompanive të Shqipërisë, të cilat e kanë nisur aktivitetin me bashkëortakëri e kanë ndërprerë atë, duke u kthyer në kompani më të vogla me aksionerë të vetëm. Kjo shpjegon se përse rentabiliteti apo norma e kthimit të fitimit në shumë kompani të mëparshme është ulur. Kjo, sepse një kompani mobiliesh e zotëruar nga 3 aksionerë, pas proceseve copëzuese shndërrohej pashmangshmërisht në tri kompani më të vogla mobiliesh me nga një aksioner. Kjo ka shtuar kostot fikse dhe të mirëmbajtjes dhe ka ulur fitimin e sektorit.
Copëzimi i këtyre kompanive të nisura me bashkëpronësi ka në themel një defekt në kapacitetin e bashkëpunimit mes individëve shqiptarë. Ky defekt lidhet sa me mënyrën sesi e shohim punën dhe kontributin e tjetrit dhe po aq me pamundësinë për të komunikuar qartë pa ekuivokë mes nesh. Shumë pak jemi thelluar në kostot e mëdha të komunikimit dhe pasojat kulturore të disbalancave komunikative në ekonominë dhe mbarëvajtjen tonë të përgjithshme.
FLASIM, POR NUK THEMI
Shoqëria komuniste shqiptare i ndërtoi kithtazi kodet e nënkuptuara të së vërtetës. Ndërsa fjala thoshte diçka, fjalia dhe intonacioni nënkuptonin diçka tjetër. Kuptimi i dyfishtë i komunikimit në Shqipëri është një nga kostot më të mëdha që na la trashëgimia e së shkuarës. Jo vetëm sepse gjuha e fshehur kërkonte talent për të naviguar mes kodeve, por sepse kuptimi i dyfishtë sjell atë të trefishtë dhe më tej të katërfishtë.
Efektet e kësaj ilustrohen me shembullin e copëzimit të kompanive shqiptare me disa aksionerë. Ndër arsyet më të shpeshta të copëtimit gjendej te pritshmëria e heshtur e secilit ortak që tjetri të sillej njëlloj me përdorimin e fitimit, të ishte i ngjashëm në mënyrën e jetesës, pavarësisht se bëhej fjalë për individë kryekëput të ndryshëm. Në Shqipëri, mosmarrëveshjet mes ortakëve që çonin në copëzim të shoqërive tregtare kanë pasur shumë më shumë natyrën e keqkuptimit jetësor, sesa konflikte mbi ecurinë e punës së përbashkët. Kështu, dallimet në shpenzime jetese, në mjete luksi, dallimet në banesa dhe jo konfliktet për strategjinë dhe mënyrën e menaxhimit të biznesit, janë bërë shkak mjaft i shpeshtë i shkëputjes së bashkëpunimeve. Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar. Ekonomia greke, një pjesë të problemeve ekonomike të 40 viteve të fundit e pati nga humbja që pësoi nga rikapitalizimet e investimeve në nënkompani të vogla, që rrodhën nga pamundësia e menaxhimit të punës në grup.
Në periudhën e komunizmit, këto kosto të komunikimit i balanconte ruajtja e barazisë në standardin e jetës së përgjithshme. Ruajtja e kësaj barazie është e pamundur në ekonomi të decentralizuara, për rrjedhojë kostot e komunikimit dhe keqkuptimit kanë çuar ndër të tjera në copëzimin e një pjese të madhe të ekonomisë.
SHIJET APO NEVOJAT
Provoni të pyesni një grup njerëzish sa prej tyre kanë nevojë për një pagë 50-mijëlekëshe. Ata do të ngrenë të gjithë dorën. Kur i thua a pranon që për këtë pagë të pastrosh rrugët, pjesa më e madhe thonë që nevoja për para nuk do t’i bënte kurrë të bënin çdo lloj pune. Nëse e vazhdon më tej dhe u thua: mendohuni mirë, për një pagë 1.5 milionë a do të pastronit rrugën, thuajse të gjithë e pranojnë që do ta bënin.
Ky është çasti kur ata bëhen të vetëdijshëm se thënia “s’bëj çdo lloj pune thjesht për para”, në fakt është vetëm një gënjeshtër e paditur, që shfaqet me reflekset mbrojtëse të trashëguara nga kultura rutinore. Ashtu si është e vërtetë që është më e thjeshtë të bëhet çdo punë jashtë Shqipërisë, mjaft që ajo të jetë produktive, të krijojë dhe të përmirësojë një nivel jetese. Nëse këtu marzhi i fitimit të ndershëm është ekstremisht i ulët dhe i vetmi fitim domethënës kryhet nëpërmjet refleksit të korrupsionit dhe vjedhjes, atëherë duhet kuptuar se këtu shumëçka është ndërtuar gabim. Muret e këtij refleksi duhen rrëzuar e që ti shohim këto mure që na pengojnë, na duhet t’i vëmë emrin problemit. Thënë thjesht, na duhet që të krijojmë atë tokë, atë humus, atë ambient, ku të mos ia vlejë, të mos leverdisë të realizosh fitimin nëpërmjet korrupsionit. Mos të të ruajë vetëm frika, por njëkohësisht as mos të ta leverdisë.
Që pjesa më e madhe e qytetarëve të mos të përfshihet në korrupsion, ata duhet ta ndiejnë se korrupsioni nuk ia vlen. Nëse në disa apo shumë raste korrupsioni është i dobishëm, atëherë ai do të vetëndodhë dhe asnjë masë ndëshkimore nuk do të mundet realisht ta ndalojë. Nuk ka asnjë utopi në këtë qasje dhe po ashtu, nuk ka asnjë përgjigje teknike për këtë.
Të gjitha përgjigjet e tipit transparencë dixhitale, publikim online, portale mirëqeverisjeje janë arna mbuluese të problemit. Zgjidhja –shumë e vështirë– gjendet në krijimin e një mjedisi besimi, i cili është demotivues ndaj një sistemi të tërë korruptiv. Në çrrënjosjen e tij qëndron vetëm konkurrenca reale, drejtësia në kontributin e qytetarit në sistem, taksimi i drejtë, aksesi sipas meritës në hierarkinë e sistemit. Kjo gjë në Shqipëri nuk ka ndodhur. Reforma në Drejtësi tregon që një gjë e tillë nuk po ndodh. Emrat e mëdhenj – SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, KPK janë vetëm kaq – thjesht emra, pasi të gjithë e shohim cilat janë veprimet, disa nga njerëzit që lidhen me ta dhe kush vepron pas tyre. Kjo është një e vërtetë e pakohë: asgjë nuk do ndodhë, përveçse dëm, nëse ti ngre ngrehina të reja prej letre dhe i popullon ato me kasapët e së shkuarës. Xhejms Medison, një nga etërit e Kushtetutës amerikane, ka thënë pikërisht këtë: një digë prej letre nuk do ta bllokojë kurrë të keqen. Nuk do ta shpëtojë Shqipërinë sistemi proporcional, mazhoritar apo procesi i vetingut. Nëse duam të shkruajmë letra për këtë që duken mirë te ndërkombëtarët, mund të vazhdojmë ta veprojmë kështu edhe për 30, 50 apo 100 vjet të tjerë. Do të arrijmë të njëjtin rezultat – asgjë. Por shumë para do të jenë derdhur, një grusht njerëzish do jenë ata që do të kenë përfituar, i pafund do vazhdojë të mbetet mjerimi.
Kush fajëson qytetarët si promotorë të parë të korrupsionit, është në rastin më të mirë një spekulant dhe më të keq, një malinj i yshtur. E kundërta është e vërtetë. Sistemi në tërësi ka bërë shumëçka që qytetarit shqiptar t’i leverdisë të korruptohet e të korruptojë. Qytetari shqiptar ndihet më i sigurt nëse jep ryshfet sesa po të mos japë, si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë të shërbimeve. Sot shqiptarët ndihen më të sigurt nëse sillen si konformistë, edhe më shumë kur veprojnë të përulur dhe servilë; kjo edhe në rrafshin e karrierës. Në shumë poste pune është më e leverdishme të mos sfidosh realitetin, duke e bërë punën sipas mënyrës së vjetër, kjo sepse ndëshkohesh automatikisht për çdo përqasje të ndryshme, pavarësisht se ajo mund të sjellë një produkt më të mirë. Ndërtimi i sistemit nga lart motivon ose demotivon disa sjellje të caktuara, të cilat hallkë pas hallke apo ingranazh pas ingranazhi avancojnë apo pengojnë ecjen. Për rrjedhojë, kushdo që fajëson sjelljen e popullatës me përçmim moralist, duhet së pari të shqyrtojë edhe zgjuarsinë dhe vendimmarrjen pragmatiste në këtë sjellje mbarëshoqërore.
Vetë sistemi dhe elita që e kontrollon atë ka promovuar këtë sjellje dëmtuese ndaj punës. Shoqëria shqiptare fare mirë mund të konsiderohet si një laborator sociologjik. Nuk ka asnjë ironi në këtë përcaktim. Kalimi ynë nga feudalizmi në komunizëm nuk vendoset në linjën e evolucionit natyral shoqëror të shoqërive europiano-perëndimore. Kjo, sepse kalimi nga “popullatë” në “shoqëri” është rrugë që kalon nga urbanizimi me bazë shkëmbimin ekonomikoindustrial. Kështu ndërtohet kontrata sociale ekonomike; “bashkëveprojmë sepse ia vlen, se na duhet”.
Deformimi i konstruktit mendor shqiptar vjen më së shumti nga shtrembërimet e arsyeve të bashkëveprimit. Bashkëveprimi midis individëve shqiptarë nuk ka rrjedhur natyrshëm. Ai është imponuar, është planifikuar, është shtrënguar. Para viteve ’40, të dominuara nga mungesa e industrializimit dhe marrëdhëniet feudale, popullata mbijetonte, marrëdhëniet e shkëmbimit ishin merkantiliste. Pas viteve ’40, planifikimi shoqëror diktatorial imponoi çdo element të bashkëveprimit mes njerëzve nëpërmjet kodeve të ngurta të ekonomisë së planifikuar, jo mbi bazë nevojash individuale, por mbi bazën e diktatit të shpërndarjes nga lart.
E vetmja mënyrë për të kapërcyer stadin disfunksional të shoqërisë tonë është të ndërtojmë një sistem, i cili motivon produktin dhe demotivon artificin. Kushtet e trashëguara, ashtu si elitat postkomuniste, të kryqëzuara me nënproduktet e tyre gjysmë primitive të “oligarkisë me forcat tona” vazhdojnë të jenë një barrierë kolosale për zhvillimin, duke shërbyer si pjesë e rrjetës mbajtëse të tranzicionit. Përballë tyre na del detyra që të risistemojmë energjitë e shoqërisë atje ku ajo prodhon.
Ndryshimi i gjithë kësaj është i mundshëm; nëse ai realisht prek parimet kryesore që orientojnë politikën dhe ekonominë e vendit, ai do të përcjellë në kohë riparimet e sjelljes shoqërore drejt progresit, të cilat do të jenë më pas mekanizma vetërregulluese. Çfarë i duhet Shqipërisë? Shmangia në nivelet më të larta të “kapitenëve të industrisë” e mendësisë së pseudokapitalizmit shtetëror, ridimensionimi dhe reduktimi i PPP-ve, që vrasin konkurrencën po aq sa shkretojnë publiken, integrimi vertikal dhe horizontal ekonomik me Kosovën, bashkërendim aktiv politikash, njëjësim real tregjesh, integrim kapitalesh për sipërmarrje të përbashkëta në një treg të përbashkët, minimalisht të dyfishuar. Konsorciume biznesesh andej dhe këndej kufirit, më pak politikë në kurriz të ekonomisë, jo më luftë e fshehtë apo e hapur tregtare. Jo më paternalizëm, jo më etno-nacionalizëm i kalkuluar, mirë apo keq. Nuk është aspak e pamundur për t’ bërë. Por, me këtë konfiguracion socio-politik që dominon tregun nëpërmjet zhvatjes, që politikat kombëtare i bën për llogari të tepsisë, duke i ofruar publikes degradimin, privates kartelin dhe Teatrit Kombëtar shembjen, kjo bëhet e pamundur.
Shoqëria është theksuese apo penguese e vetive të një forme qeverisjeje, por ajo formën e merr nga udhëheqësia dhe cilësia e përmbajtjes së saj. Ky është realiteti faktik i historisë së zhvillimit. Pa dyshim që do të mund të gjykojmë sa vlerë ka shoqëria shqiptare, pasi për një periudhë të qëndrueshme kohore t’i kemi mundësuar të veprojë me mundësi reale për zhvillim./gsh.al/