Rita Filipi: Letër vajzës sime në ditën e lindjes!
Në ditën e lindjes së vajzës sime.
Është hera e parë që për një ngjarje kaq personale të shkruaj diçka që i kapërcen këta kufij dhe bëhet edhe shoqërore. Ti Sofi linde fiks një muaj pas 8 dhjetorit, në 8 janar. Sa kishim hyrë në vitin e parë të demokracisë. Ditën kur linde, në martenitetin e Tiranës mungonte gjithçka, as çarçafë nuk kishte e kemi fjetur mbi mushamanë e krevateve. Ndiheshim si në gjendje lufte. Por nuk do ta harroj kurrë përkushtimin e stafit mjekësor dhe do të veçoja doktor Tit Dibrën si dhe maminë e mrekullueshme fytyrëmblën, Mimika. Dua të kujtoj dhe kekun e mrekullueshëm të nëna Fillës, të vetmen dhuratë që ata pranuan.
Viti i parë i demokracisë ishte plot entuziazëm, ndonëse dyqanet bosh, dhe për fat të keq dhe brenda meje, mbaroi shumë shpejt qumështi për ty. Nuk do ta harroj zërin e dredhur të gjyshi Sofos (hera e parë që e pashë të ngashërehej) dhe se kujt i thoshte në telefon se nuk kishim qumësht për beben e vogël.
Por era e demokracisë ishte më e fortë se uria në ato vite. Dilja bashkë me ty dhe Zefin, babin tënd, duke shtyrë karrocën e madhe, të rëndë, “të shëmtuar”, ngjyrë kafe në të gjitha protestat. “Jeni të çmendur, -na thoshin njerëzit – si e merrni fëmijën me vete”. Por ne mendonim se ti ishte e sigurt në “tankun” tënd.
U rrite e bukur, e shëndetshme me këtë aromë lirie, derisa fillove ta kuptosh se institucionet arsimore e të tjera me radhë po ta ngushtonin rrethin e lirisë. U rrite bashkë me demokracinë shqiptare, por shkove para saj në Europë dhe provove e vazhdon të matësh aftësitë e tua, si shumë bashkëmoshatarë të tu, pa ndihmën e miqve të mamit apo të babit.
Sofi,
Ti e di mirë se unë nuk vuaj nga ideja se a do të kthehesh një ditë për kompaninë tonë të botimeve, as të të kem pranë, si fëmijë të vetëm që të kam, se siç ka thënë Kahlil Gibran, ‘ne jemi harku dhe fëmijët tanë shigjeta që i takojnë ardhmërisë’. As nuk bëj propagandë që kthehu të japësh kontributin tënd në vendin tënd. Por dua ta them se brezi yt, ka një detyrë të rëndësishme; të kthejë besimin te prindërit e tyre dhe te brezat që do të vijnë, se demokracia jonë pas tridhjetë vjetësh duhet të varrosë përfundimisht mentalitetin monist (që për fat të keq e gjejmë majtas dhe djathtas), kultin e luftës së klasave (që vazhdon ende sot), kultin e unit, kultin e patriarkalizmit, kultin e arrogancës së fitimtarit, kultin e “rilindjes”dhe të mohimit të gjithçkaje, kultin e besimit “se me ne fitojnë të gjithë”, kultin e barazisë, kultin kundër të aftëve dhe kundër biznesit të ndershëm, kultin e militantëve dhe të ngrini në kult profesionalizmin dhe njeriun me hapësira të gjera lirie mendimi e shpirti…
Kaq kisha.
Qofsh përherë TI, rrethuar nga dashuria, fantazia, kënaqësitë e jetës dhe lodhja e punës në të gjitha vitet që Zoti ka rezervuar për ty!