Bardhyl Berberi: Pse nuk ka turizëm bashkohor në Prespë?
Badhyl Berberi
Vetëm kur e viziton Prespën e ndien thellë mahnitjen nga peizazhet e shumta të saj, liqenet, malet që e rrethojnë zonën i japin asaj një pamje të rrallë. Me 9 fshatra të vendosur në gjoksin e maleve që përbëjnë komunën e Liqenasit: Me Kallamasin, Goricën e Madhe, Gorica e Vogël, Gollomboçin, Diellasin, Liqenasin, Lajthiza, Zaroshka dhe Cerja ku jetojnë afërsisht rreth 4 mijë e 500 banorë. Malet e lartë të bleruar që e kalojnë lartësinë mbi 2000 m lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar krijojnë atë konfiguracion të papërsëritëshëm.
Kështu, i mbushur me këto kontraste bukurish, me një kulturë të lashtë, me ushqim të mirë dhe një mikpritje dhe mbi të gjitha një shpirt njerëzor ndjehesh komod në Prespë. Këto kushte të favorshme klimatike, ujrat e pastra të burimeve përzemërsia e banorëve janë joshëse dhe të krijojnë relaks në çdo stinë të vitit. Por bukuria e vërtetë e Prespës janë dy liqenet e tij katër ishujt në dy liqenet e Prespës.
Legjenda e liqeneve të Prespës
Nje peshkatar i moshuar pranë liqenit na tregon se Prespa ka qenë një qytet shumë i madh. Një ditë djali i mbretit që drejtonte qytetin kishte dalë nëpër pyll dhe aty rastësisht takon një zanë pylli shumë të bukur të quajtur Nereida. Djali i mbretit mahnitet nga bukuria e saj dhe i kërkon dorën për t`u martuar me atë. Por Nereida refuzon duke i thënë djalit të mbretit se nëse ata martoheshin do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe. Por djali i mbretit i verbuar nga dashuria e mori për nuse zanën e bukur Nereida. Por shumë shpejt pas martesës u hap qielli dhe ra një shi shumë i madh dhe i rrëmbyer që mbyti të gjithë qytetin duke krijuar një liqen të madh ku ndodhet sot liqeni i Prespës dhe lulet që ndodhen sipër sipërfaqes së tij, sipas legjendës, janë shpirtrat e njerzëve të mbytur. Por kjo është vetëm legjenda që qarkullon tek të moshuarit.
Në lartësinë mbi 850 m mbi nivelin e detit gjenden dy liqene të ndarë nga një brez i ngushtë toke. Më i madhi i quajtur Prespa e Madhe i cili ka një sipërfaqe prej 285 km2 dhe thellësi maksimale 54 m. Ky liqen është i ndarë nga tre shtete ku pjesën më të madhe e ka Maqedonia, kurse Shqipëria dhe Greqia kanë nga 40 km2 secila, ndërsa liqeni tjetër ai i Prespërs së Vogël i cili ka një sipërfaqe prej 47 km2 dhe një thellësi prej vetëm 12 m i takon pothuajse i gjithi Greqisë, me përjashtim të një pjese të vogël që ka Shqipëria.
Turizmi dhe parku i Prespës i masakruar
Rreth zhvillimit të turizmit në zonën e Prespës në bashkëbiseduam me peshkatarin e vjetër Slave Petre dhe ish-kryetari e komunës Edmond Themelko.
– Në 2 shkurt të vitit 2000 kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë e kanë shpallur parkun e Prespës si zona e parë e mbrojtur në Ballkan?
– Është e vërtetë që është shpallur zonë e mbrojutur, por kur kalon nëpër parkun e madh të Prespës shikon një masakër të vërtetë. Drurë të parkut të masakruara në mënyrën më të shëmtuar. Parku shfrytëzohet nga banorët për dru zjarri për ngrohje.
– Natyrshëm lind pyetja me çfarë merren banorët e kësaj zone turistike?
– Banorët merren me bujqësi, blegtori dhe me peshkim. Nga zona e Prespës ka filluar një emigrim pas viteve të trazicionit duke e ulur ndjeshëm popullsinë e kësaj zone. Tashmë në peshkim marrin pjesë shumë persona, të cilët duan të nxjerrin të ardhuara për mbijetesë, por shpesh prodhimi na dëmtohet nga mungesa e përpunimit sepse tregun deri në Korçë e kemi larg dhe mundësi përpunimi këtu tek ne ende nuk ekzistojnë. Një fakt i hidhur për Prespën është se ka ende banorë që nëpër shtëpitë e tyre mbajnë bagëti duke e ndotur ambientin përreth.
Në Prespë, na thanë, që janë bërë rreth 30 shtëpi model që mund të presin turistë, por kjo shifër është shumë e vogël me mundësitë reale që ka kjo zonë e cila me bukuritë e pafund ka dhe liqenin në gji ka mundësi që të presi mijëra e mijëra pushues çdo verë.
Zona e Prespës mes rrugëve të ngushta me erë, që ju çojnë pranë drunjëve të mollëve përreth liqenit, tek strofullat e zogjëve, më pas lart në Galiçicë ku rruga kaloni nëpër livadhet e bukura, në majë të Malit të Thatë do të shikoni njëherazi të dy liqenet e Ohrit dhe të Prespës.
Banorët e shumtë që takuam na thanë se ka ardhur koha që edhe kjo zonë të ketë turizëm bashkohor. Zona turistike përreth liqenit të Prespës të presi vizitorë t`u tregojë atyre mitet, legjendat dhe historitë e saj të lashta të civilizimit, t’u tregojë atyre që ka qenë qendra e mbretërisë së Samuilit, degëzimet e rrugës Egnatia dhe kryqëzimet si dhe kullat mesjetare përgjatë rrugës kishat e shumta të shekullit të XII dhe XIV ku ndodhen themelet e qendrave të banuar nën ujrat e këtyre liqeneve.
Nuk mund të largohesh nga Prespa pa shijuar tavën e krapit të shijshëm apo peshqit e vegjël që vendasit iu thonë ‘tsironia’. Këtu nuk gjen shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanet artizanalë të rakisë që vendasit e ruajnë për miqtë…
Kjo ishte Prespa mes bukurive të pafund një pritje bujare dhe një distance që ajo ka ende me mundësitë reale me turizmin bashkohor, madje edhe në dimër shumë turistë udhëtojnë drejt Prespës vetëm për tavën e rrallë të krapit.