Artur Spanjolli: Leonardo da Vinçi dhe Qi Baishi, dy gjeni në Vinçi të Italisë
Artur Spanjolli
Kanë kaluar tashmë më shumë se 500 vjet që kur Leonardo da Vinçi vdiq në Francë dhe ky mjeshter i madh ishte i destinuar të bëhej një fanar ndriçues jo vetëm për breza të tërë artistësh dhe shkrimtarësh, por edhe një inspirues studjuesish dhe filozofësh, të cilët konsumuan jetën e tyre duke zhbiruar personalitetin kompleks të këtij gjeniu të rilindjes italjane. Leonardo, i njohur kudo në botë, nuk i shpëtoi as edhe Kinës së largët, ku artistë të tjerë, në kontekste historike të largëta apo më të afërta, janë ndeshur dhe njohur me gjeninë e artistit toskan. Një nga ato artistë është dhe Qi Bai shi, një klasik i Kinës së madhe që në kulturën kineze ka një peshë artistike, gati të njëjtë me peshën e rilindasit perëndimor toskan. Kjo gjë, nuk i ka shpëtuar një skulptori të madh bashkëkohor kinez, me emrin Wu Weisha, i cili i ka njohur të dy këto personalitete. Si atë poliedrik dhe shumëplanesh të Leonardo Da Vinçit, si atë të artistit kinez Qi Baishi, është frymëzuar nga këto dy gjeni të njerëzimit të cilët qenë produkt i dy kohërave të ndryshme, i dy kulturave të ndryshme, i dy popujve të ndryshëm, por skulptori i madh kinez, i ka lidhur bashkë ata, në veprën e tij të njohur: Varka e Leonardos dhe Qi Baishit. Duke bërë skulpturat e dy gjenive të njerëzimit, të lidhura bashkë me një varkë, një skulpturë në bronz, skulptori kinez, i ka lidhur ato bashkë jo vetëm si dy gjeni të artit, por edhe si dy figura frymëzimi. Kështu që e famshmja “Rrugë e mëndafshit” nuk mbetet vetëm ajo, por mund të interpretohet edhe si “Rruga e artit” ose më mirë: “Rruga e përbashkët e artit”. Skulptori kinez e ka ekspozuar këtë vepër në bronx në Muzeun Kombëtar të Artit në Pekin dhe vepra është një mirënjohje e thelle e artistit kinez Wu, për gjeniun toskan.
Nuk mjafton kjo. Skulptori i njohur italo-shqiptar Milot, kur ishte për një vizitë në Kinë, i bëri aq shumë përshtypje kjo mirënjohje e thellë e skulptorit kinez për Leonardon, sa që me rastin e 50-vjetorit të miqësisë italo-kineze, propozoi ta ekspozonte veprën “Varka e Leonardos dhe Qi Baishit” në Itali.
Në qytezën e lindjes së Leonardos në Vinçi të Italisë, atje pra, më datë 17 Janar të këtij viti, do të inaugurohet dhe kjo vepër e bukur e skulptorit kinez, kushtuar dy gjenive botërore. Një nder i madh që i bëhet gjeniut toskan, nga një artist kinez me një frymëmarrje ndërkombëtare, një ekspozitë në qiell të hapur që u mundësua nga intuita dhe vullneti i skulptorit Milot. Wu Weishan, i cili është dhe drejtori i Muzeut Kombëtar të artit në Kinë, do të jetë i pranishëm në inaugurimin e ekspozitës, inauguron kështu dhe pikëtakimin e dy mjeshtërave. Leonardo, babai i rilindjes artistike dhe Qi Baishi, babai i pikturës kineze moderne. Do të jenë të pranishëm gjatë ceremonisë së inaugurimit dhe galeristi Nikolo Raugei dhe doktor Andrea Raugei. Vepra të cilën skulptori do t’ia dhurojë Vinçit, qytetit të lindjes së gjeniut, do të mbetet pjesë e vlerave artistike të qytetit të Vinçit. Ai me këtë rast e ka titulluar veprën e tij: “Dialog përtej kohës dhe hapësirës: mjeshtrat e artit italian Leonardo dhe atij kinez, piktorit Qi Baishi”. Do të jetë i pranishëm gjithashtu edhe ndërmjetësi, skulptori dhe artisti me origjinë shqiptare Milot, falë të cilit, u bë e mundur kjo veprimtari mes kultures së dy popujve miq, Italisë dhe Kinës.