Albspirit

Media/News/Publishing

Namir Lapardhaja: Përballë miteve dhe pengesave të letërsisë

Image may contain: text that says 'YZEDIN HIMA LETERSIA E PENGUAR DHE MITET E SAJ ISKK'

Shënime për librin studimor “Letërsia e penguar dhe mitet e saj” të Yzedin Himës

Studimet e letërsisë shqipe janë përqëndruar kryesisht në dy drejtime kryesore: në letërsinë e traditës (vitet ’30) dhe në atë të autorëve shumë të njohur, si në rastin e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Me pak përjashtime, studimet për letërsinë e shkruar nën diktaturë, kanë qenë të pakta dhe, në raste të tjera, të mangëta. Me “Letërsi e penguar” është për qëllim ajo lloj letërsie e shkruar në gjysmën e dytë të shek. XX në Shqipëri, e cila, ndonëse nën asfiksimin e tejskajshëm të realizmit socialist, ka ditur të mbijetojë dhe të shkojë në forma të ndryshme tek lexuesi.
Në qendër të librit studimor “Letërsia e penguar dhe mitet e saj” me autor Yzedin Himën janë krijuesit Arshi Pipa, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Zef Zorba, At Zef Pllumi, Mihal Hanxhari, Jamarbër Marko, Vilson Blloshmi, Trifon Xhagjika, Maks Velo, Fatos Lubonja, Havzi Nela, Pano Taçi, Zyhdi Morava, Sadik Bejko, Ylljet Aliçka etj.
Ky studim na tregon se, përveç letërsisë zyrtare të realizmit socialist, në Shqipëri ka ekzistuar një letërsi tjetër, e kundërt me atë zyrtare, që për nga rëndësia do të ishte në vazhdën e letërsisë moderne të viteve ’30, sepse i ruajti të gjitha tiparet e modernitetit, duke i pasuruar më tej ato.
Që në titull na jepet çelësi i leximit, “letërsi e penguar”. Kemi të bëjmë me një letërsi që has vështirësi, nuk gjen dritën e botimit, edhe kur botohet, pengohet, në të gjitha rastet dënohet, duke u lidhur ngushtësisht me fatin e krijuesit të saj, por edhe kur nuk dënohet ndalohet, internohet, izolohet. Dhe kjo ndodh për arsye jashtë letrare. Pengesa vjen për shkakun e thjeshtë: letërsia dhe krijuesit e marrë në studim, me vetëdije ose jo, dalin jashtë skemës së ngurtë të realizmit socialist, duke krijuar një letërsi dhe një vetëdije letrare krejtësisht të re dhe të panjohur për kohën. Karakteri universal i letërsisë, bën që ajo t’i tejkalojë të gjitha pengesat jashtëletrare dhe të gjejë pikëtakimin e saj me lexuesin, qoftë edhe në diktaturë. Është ajo që në teorinë e letërsisë njihet si horizonti i pritjes. Pikërisht këta poetë që Hima ka si objekt studimi kanë kaluar në këtë proces derisa kanë ardhur tek lexuesi i tyre.
Kemi të bëjmë me një monografi të shkruar, mbi të gjitha, me dashuri. Ka ndodhur ajo që Umberto Eco e quan si “pikëtakim i përvojës së lexuesit me atë të shkrimtarit”. Në këtë rast përvoja dhe eksperienca e autorit pikëtakohet me poetët që ai merr nën shqyrtim, çka bën të shkruhet dhe të realizohet një vepër e veçantë për nga lloji. Yzedin Hima është modern në trajtimin e letrares. Merret vetëm me analizën tekstuale, por ky modernitet është i gjallë dhe plot jetë, duke mos i ngjarë asnjë analize strukturaliste, të ftohtë, skematike dhe pa shpirt.
Fjala “mit” është çelësi tjetër që del në titull. Vlen të theksohet se miti në këtë studim nuk është një imazh i izoluar, por bëhet alegorik dhe aktualizohet, duke e përfshirë të gjithë studimin dhe autorët e marrë në trajtim. Kemi tematika të tilla si “Diskursi mitologjik i socrealizmit”, “Miti i humbjes në poezinë e Frederik Rrashpjes, në poezinë e Visar Zhitit, Jamarbër Markos,” “Miti i metamorfozës në poezinë e Zef Zorbës”, “Miti i kohës”, “Miti i vetmisë” etj. Në fakt, studiuesit “i jep dorë” ky diskurs mbi mitin dhe mitologjinë, ngase kemi të bëjmë me poet, të cilët në shumicën e rasteve ishin të destinuar, pse jo dhe të dënuar, të shkruanin në mënyrë alegorike, duke e mbështjellë vargun, qoftë nëpërmjet një figuaracioni të pasur letrar, qoftë nëpërmjet një nënteksti të hollë dhe ironizues, por qoftë edhe nëpërmjet thirrjes në ndihmë të botës së pasur mitologjike nëpërmjet figurave dhe heronjve të saj. Këtë gjë autori e ka shfrytëzuar dhe e ka qëmtuar mjaft profesionalisht.
Në këtë libër tematika e “Letërsisë së penguar” përcaktohet si e larmishme: fati i individit përballë dhunë së shtetit, tjetërsimi i njeriut si pasojë e dhunës, metamorfoza si dukuri traumatike në diktaturë, roli i turmës në diktaturë, bjerrja e virtyteve të formuara ndër shekuj për shkak të terrorit shtetëror, përballja e dashurisë me urrejtjen në shoqërinë diktatoriale, zhveshja e një shoqëria nga humanizmi dhe zëvendësimi i tij me urrejtjen klasore, atdheu si përhershmëri dhe diktatura si përkohshmëri, dashuria si streha e vetme në diktaturë, janë disa nga temat e trajtuara në tekstet e kësaj letërsie. Aty argumentohet se “Letërsia e penguar” është pjesë e rëndësishme e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Kjo letërsi nuk vjen si mohim i një letërsie, nuk vjen si mohim i një teksti, apo autori. Ajo vjen dhe zë vendin e saj të mohuar për arsye jashtë letrare për dekada të tëra, ajo vjen e zë vendin e saj të mbetur bosh në mozaikun e letërsisë moderne shqipe.

Please follow and like us: