Donlad Trump shihet si kandidati presidencial më negativ për femrat në historinë moderne të Amerikës.
Ky imazh për të filloi që kur nënkuptoi se gazetarja Megyn Kelly duhej të kishte qenë me perioda, kur i kishte bërë një pyetje gjatë debatit të parë në televizion.
Kjo lloj gjuhe ka humbur nga retorika politike amerikane prej dekadash dhe kritikët janë shumë të shqetësuar që Trump po legjitimon kthimin bashkë me shumë banalitete të tjera.
Imazhi antifeminist u çimentua pastaj nga deklarata se femrat që abortonin duhej të ndëshkoheshin në një farë mënyre, te refuzimi për të dënuar dhunën e managjerit të tij ndaj një gazetare femër etj.
Strategjistët republikanë kanë paralajmëruar prej kohësh se mbështetja shumë e ulët nga gratë do t’i kushtojë garën presidenciale miliardierit njujorkez.
Duket se Trump ka ndërmend të përdorë vajzën e tij, Ivanka, një biznesmene dhe aktiviste, si front të fushatës së tij me gratë. Ajo ka folur shpesh për babain e saj si mbështetës dhe fuqizues të grave
Por Trump, që u bë i famshëm në SHBA, me të ashtuquajturat “reality shoë TV” nuk mund t’i rezistojë sjelljes të të njëjtës frymë edhe në betejën zgjedhore. Dhe deri tani i ka shkuar jo keq.
Rasti më flagrant ishte kur nxori një fotografi të gruas së tij dhe një të gruas së rivalit të tij republikan Ted Cruz. Gruaja e tretë e miliardierit ish-modelja Melania kishte dalë në një foto të bukur, ndërsa për Heidi Cruz kishte zgjedhur një që dukej keq. Besoj ishte rasti i parë në historinë e Amerikës, që një kandidat presidencial godiste rivalin duke i thënë që e kam gruan më të bukur se ty.
Jo më kot disa kritikë ankohen se politika amerikane ka zbritur papritmas në nivelin e shkollës së mesme.
Po ideja e “femrës së bukur” nuk është thjesht një nga llastimet foshnjarake që kundërshtarët thonë se karakterizon kandidatin Trump.
Kjo shkon në zemër të luftës kulturore që vijon prej dekadash në SHBA për rolin gruas në shoqëri. Konservatorët kulturorë besojnë se liberalët idealizojnë një grua që braktis rolin e saj tradicional dhe kthehet dalëngadalë në burrë në duke u rrënuar shpirtërisht dhe fizikisht. Ata jo më kot ngazëllehen kur shohin gra të shëndosha, të vjetra ose jo shumë ta pashme që mbrojnë kauzat liberale.
Për liberalët kjo është një tjetër formë diskriminimi i paturpshëm që kërkon që gruaja të jetë jo një individ me pikëpamje dhe vullnet të lirë, por një objekt seksual dhe përdorimi nga burri pa jetë dhe karakter.
Ata vënë në dukje se Në nnjë farë mënyre, ndonëse konservatorët ankohen ditë e natë për myslimanët dhe ISIS-in ata kanë një këndvështrim për gratë që nuk është edhe aq larg imazhit të tyre për armikun kërcënues nga Lindja e Mesme.
Disa gra në krahun konservator nga ana tjetër vënë në dukje se feministet kanë fituar të gjitha betejat dhe tani thjesht po abuzojnë me mundësitë e reja për synime politike. Ato thonë se feministet në SHBA duhet të marrin shembull nga feministet e vërteta në vendet e lindjes të cilat kanë vërtet pengesa për të luajtur rol kryesor në shoqëri dhe ndryshe nga koleget e tyre amerikane sfidat e tyre janë reale.
Mund të debatosh pa fund në këto tema, që nganjëherë analistët mendojnë se heqin vëmendjen nga tema ekonomike e të sigurisë.
Trajtimi i kësaj teme është aktual sot, kur mbështetëset e Donald Trump kanë lëshuar nismën Gocat e Trump Thyejnë Internetit dhe po postojnë pikërisht foto vajzash të bukura e të reja me kapelet simbolike të fushatës së republikanit.
Qëllimi praktik i fushatës është që të tregojë se nuk është e vërtetë që Hillary Clinton ka monopol të votës së femrave si dhe që nuk është e vërtetë se rinia nuk do të votojë për një kandidat republikan. (Ruben Avhiu)
Demokratët kanë reaguar duke u përfshirë në të njëjtën nismë, por duke postuar foto me femra që mbështesin nazistët, femra që mbështesin Ku Klus Klanin, fotografi plehrash etj, për të treguar se këto janë në fakt femrat që mund të mbështesin një kandidat si Trump.
Për të thënë të vërtetën edhe fotografitë nga mbështetësit e Donald Trump janë gjithashtu ofenduese dhe provokuese.