Yzedin Hima: Ligjërimi poetik i Agim Mehqemesë
Ka një përqasje midis mjedisit ku u lind, u rrit dhe jetoi e punoi Agim Mehqemeja dhe krijimtarisë së tij. Në planin shpirtëror, atë që ka Berati e gjen te Agim Mehqemeja: butësinë, qetësinë, heshtjen, meditimin, lirizmin, maturinë. Edhe në nyjëtimin poetik të teksteve ndihet fryma krijuese, si tatuazh i kohës dhe mjedisit ku u formua qytetari dhe krijuesi Agim Mehqemeja. Rrjedha e poezisë së tij është e dlirë, e tejdukshme si ajri, puhizë si puhiza e lumit. Duke u nisur nga shijet e mia estetike, mendova të ndalesha pikërisht te libri poetik “Nëpër shtigjet e një udhe të humbur”, si një librat poetikë më të arrirë të Agim Mehqemesë.
Agim Mehqemeja ka botuar katër libra poetikë: Poemën “Margarita Tutulani”, botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” në vitin 1969, librin me poema në prozë “Nyja tri”, botuar nga shtëpia botuese “Jonalda” në vitin 1995, librin me tingëllima “Nëpër shtigjet e një udhe të humbur”, botuar nga shtëpia botuese “Mendimi i lirë” në vitin 1996, dhe librin “Dimri i fundit rrëfimtar”, botuar nga shtëpia botuese “Jonalda”, në vitin 2007.
Krijimtaria poetike zë një vend më të vogël se sa krijimtaria në prozë dhe sidomos krahasur me veprën e tij voluminoze studimore. Në një vështrim të përgjithshëm poezia e Agim Mehqemesë ndjek shtratin krijues tipik të këtij autori, pa patetizëm, pa gurgullima përrenjësh malorë, pa thellësira të padepërtueshme, pa maja, hone e rrëpira. Prurja poetike e tij i ngjet lumit që rrjedh i qetë në një terren fushor drejt detit.
Në librin poetik “Nëpër shtigjet e një udhe të humbur” kemi këtë ndarje ciklike: Cikli i parë titullohet “Humbëtirë”, cikli i dytë “Në kërkim të një shtegu”, cikli i tretë “Meditime të udhës” dhe cikli i fundit “Shtigje pa emër”.
Në poezinë e parë që hap ciklin “Humbëtirë”, uni poetik ndihet i humbur që në krye të herës, sapo nis udhën e jetës: Kur të njëzëtën udhë nis planeti,/ Ashtu si Dante në një pyll u gjeta/ E keq atje, sa udhën humba, mbeta,/ Se udhëheqës s’pata si poeti./
Siç shihet, humbja nuk vjen nga brendësia e unit poetit, nuk është rezultante e tij, por rrjedhojë e mjedisit dhe kohës që në këtë tekst emërtohet si humbëtirë. Dhe në një dimesion kohe dhe mjedisi që i ngjet një humbëtire, subjekti mendues është i destinuar të humbë, gjithashtu, një shpirt i ndjeshën është i humburi i parë.
Në krye të librit poetik “Nëpër shtigjet e një udhe të humbur” ky tekst i ngjet kalimit nga bota e bukur shkollore plot shpresa, energji krijuese në një botë tjetër që i ngjet Ferrit: I frikshëm ngava pyllit… Shpresa fjeti…/ E s’dija ç’shtigje ngiste më pas jeta,/ Kur në një brryl më rrok në gjoks shigjeta/ Që s’di nga erdhi e kush ma hodhi i shkreti./
Tekstet poetike të këtij libri janë shkruar, siç shënon Agim Mehqemeja në patathënien e librit, në harkun kohor të tetë viteve: “Në shtator të vitit 1954 u gjenda mësues në Sqepur. Vitet e ëndrrave mbetën pas. Jeta nisi shtigjet e një udhe të humbur. Nëpër këto shtigje, deri në dhjetor 1962, si këngë që mbartin brengën e kohës, lindi një tufë me tingëllima”.
“Natë ish akoma e s’kish të ardhur dita/ Të shihja dritë… Mbeç mendimdërrmuar,/ Se s’dilja dot nga atje ku qesh burgosur./- Përfundon teksti i kësaj poezie. Fjalët që pikturojnë këtë fund të tekstit janë: Natë, dita e palindur, drita e munguar, mendimdërrmuar, i burgosur. Thënia e bukur: “Kur s’ka dritë ç’i do sytë” shpjegon më së miri terrin e humbëtirës ku është burgosur shpirtërisht poeti. Dhimbja më e madhe është jo mungesa e ditës, jo mungesa e dritës, por mendmi i dërrmuar. Kur njeriu nuk ka mundësi as të mendojë, kur mendimi i tij pengohet, ndalohet dërrmohet, atëherë njeriu ka rënë vertëtë në fatkeqësi.
Humbëtira është shenjë semantike e ketij libri. Humbëtira është mjerimi shpirtëror, mjerimi intelektual, mizerja materiale, mungesa e lirisë, mungesa e vizionit, prania e frikës, e sidomos mungesa e së nesërmes në një vend ku diktatura është bisha me fytyrë humbëtire.
Uni poetik, në atë humbje udhe në humbëtarë, i mungon një udhëheqës si Virgjili, sikurse e pati Dante. Mësuesit tanë, kur nuk i gjejmë në shkolla, i kërkojmë diku në qytet, kur nuk i gjejmë në qytet, i kërkojmë në bashkëkohësi dhe, kur nuk jemi të kënaqur as me ta, i kërkojmë ndër palët e shekujve, te raftet e librave. Askush nuk na pengon në këtë përzgjedhje.
Natyrisht, subjekti mendues me kohë do t’i kërkonte do t’i gjente udhërrëfyesit e tij te rafti i vjetër, ku qendronin mësuesit e mëdhenj: Homeri, Dante, Shekspiri, Gëte, Balzaku etj. etj. Për shpirtrat e lartë dhe fisnikë, libri ishte purgatori dhe parajsa, ku njeriu, i tmerruar nga shterpësia shpirtërore e humbëtirës, nga dhuna e varfërisë, nga dhuna e padijes, nga dhuna e diktaturës, gjente strehim. Edhe Agim Mehqemeja gjeti strehim shpirtëror, estetik, ideologjik e politik ndër libra.
Në poezinë e dytë të ciklit “Humbëtirë” takojmë metafora të tilla si: U mpinë shpresat, laku i kohës, fati terr më terr hedh fall.
Në një vend ku shpresat mpihen, ku koha i ka ngritur njeriut lakun për ta kapur siç kapet një shtazë, ku fati është tretur në terr dhe nëpër terr hedh fall për të gjetur të ardhmen, uni poetik ndihet i tradhëtuar. Cikli përfundon me një tekst të ndërtuar me pyetje retorike: Nga ç’brum’ më je gatuar shpirti im, / Që nuk të qeshi buza asnjëherë? I shoh të rëna forcat dhe pa vlerë/ E shoh përpjekjen time pa kuptim./ dhe më poshtë: Më kot u dhash’ në punë si i marri…/ Më kot kërkova gazin e rinisë…/Do nuk e gjeta shpresat ç’premitm dhanë./
Më tej takon një tekst meditativ-filozofik. Poezia, që mban numrin 46, nis me një apostrofë: O det, o det i thellë si mendimi,/ Si sytë e tu, o vashë, i thellë, o det!/ Ç’dëshira fsheh në gjirin tënd kjo jetë/ E ç’forcë i shtyn sot njerëzit nga qëllimi?
Ky tekst merr trajta universale mbi fatin e njeriut gjithëkohor, raportin e tij me me kohën e tashme dhe kohën e ardhme, raportin e tij me habitatin ku vepron. Uni poetik e shikon fatin e njeriut të shkruar në gjirin e detit (jetës) dhe njeriu vetëm ka për detyrë ta lexojë, ta përjetojë dhe t’i nënshtrohet këtij fati. Nëse jata simbolizohet nga deti, njeriu simbolizohet nga peshkatari që endet e endet mbi det në një punë pa fryt në kërkim të fatit apo fatalitetit të tij: I ngrysur sheh ti detin çaperëndë/ E deti diç të thotë e diç të flet / E ty s’të shkon, o peshkatar, ndër mend/ Se qesh e lot ky det me fatin tënd,/ Se qesh e lot e qesh e zë buçet / E ty të pret, në gjinë e tij të pret./
Në ciklin e dytë me titull “Meditime të udhës” takon një tekst disi ekzotik, nyjëtuar me fije meditimi. Uni poetik i drejtohet një zogu mjaft të bukur që quhet Planos. Siç e shpjegon autori, “është një zog shtegtar, sa një harabel, me pupla në ngjyrë të verdhë e të ndritur, me krahë të zinj, me sqep të kuq, që e vënë në kafaz për të ndjellë e për të kapur zogj të tjerë.” Sërish teksti nis me një pasthirrmë: Planos, planos, o zog i brengës sate!/ Planos, o mall e shpresë e lot vajtimi!/ Kush njohu këngën tënde, prishi fate,/ Pas këngës sate u varros kuptimi./
Në leximin e parë të këtij tekst dallojmë një kurth estetik ku si mjet përdoret forma: pupla në ngjyrë të artë e të ndritura, krahë të zinj e sqep i kuq. Një pamje tejet tërheqëse për nga pikturimi, kompozimi dhe kontrasti. Një formë e përkryer, tejet tunduese. Gjithashtu në këtë kurth estetik një rol të dorës së parë luajnë edhe tingujt: zëri i tij i bukur, tërheqës, i trishtuar deri në brengosje: Planos, planos, o zog i brengës sate!/ Planos, o mall e shpresë e lot vajtimi!
Po sa njerëz kanë rënë e bien viktima të së bukurës ndjellëse, të formës tronditëse?
Pikërisht ky kurth esteik, i ndërtuar me mjeshtëri, tërheq zogj të tjerë brenda kafazit. Zogjtë të joshur dhe grishur nga ngjyrat dhe tingujt fluturojnë drejt burgut-kafaz dhe bien në robëri.
Leximi i dytë i këtij teksti mbetet disi enigmatik. Cilat qenë ato ngjyra, cilat qenë ato zëra, cilat qenë ato forma që e joshën dhe e futën në kurth dhe e robëruan shpirtin e unit poetik?
Kurthi është ngritur për shpirtin, jo për fizikun. Ai josh me ngjyrat dhe tingujt. Për rrjedhojë, mendoj se këtë magji e zotëron arti, letërsia si një nga format e artit.
Vetëm arti ka forcën e papërballueshme të joshjes pa fund, të “robërimit” shpirtëror e mendor. Një poezi e bukur, një tregim që shkakton mahni estetike, një roman që të ofron një botë të tërë ku ndihesh komod, janë kurthi estetik ku njeriu shkon me vetdije për të mos u kthyer kurrë.
Fakti që Agim Mehqemeja shkroi këto libra të ndjerë poetikë, fakti që lexoi e shkroi poezi deri ditën që iku nga kjo botë, tregon “robërimin” e shpirtit të tij nga e bukura.
Thonë se ky “robërim” është liria sublime për shpirtrat e ndjeshëm, për shpirtrat fisnikë.
Berat, më 7 mars 2020.