Albspirit

Media/News/Publishing

DY PRANVERAT E VIGANIT-SHEN PAPA GJON PALI II

(Në përkujtim të Papës Gon Pali II)

EUGJEN MERLIKA

Këtë pranverë bota kujton një nga burrat më të shquar të shekullit të shkuar, Papën Gjon Pali II, datat kryesore të ardhjes dhe ikjes nga jeta tokësore të të cilit përkojnë me stinën e pranverës. Për nga përmasat e mëndjes e të karakterit dhe rëndësinë e ndikimin e veprimtarisë në historinë bashkëkohore Karol Vojtila, Gjon Pali II, është pa dyshim një nga personalitetet më të spikatur të shekullit 20, një vigan i tij.

Ishte lindur në Wadowice të Polonisë më 18 maj 1920. Ishte njëri nga fëmijët e shumtë të lindur mbas luftës së Parë botërore, në një përpjekje të Zotit për të zëvendësuar jetët e shuara mizorisht të dhjetra milionë njerëzve nga lufta e nga pandemia spanjole mbrapa. Lindi në atdheun e Kopernikut, të Maria Sklladovskajas Kyri, të Adam Mickieviçit e të Frederik Shopenit, në Poloninë martire e tepër katolike. Fëminija dhe djalëria i kaluan në republikën polake të mbas luftës së parë botërore. U njoh  shpejt me dhimbjen njerëzore mbasi, fëmijë nëntë vjeç, humbi nënën e tij. Ndofta ky fakt e lidhi pazgjidhshmërisht me kultin e Zojës së bekuar, figurës së nënës së Jezuit, kult të cilit ai i u kushtua gjithë jetën.

Në vendin e tij ky kult trupëzohej në tempullin e Çestokovës, të cilin djaloshi Karol Vojtila do ta adhurojë deri në amëshim. Ai shihte në bustin e Zojës, jo vetëm mbrojtësen hyjnore të Atdheut të tij por, thellë në nëndërgjegje, ndofta dhe përfytyresën e dëshëruar të nënës së re, që përkujdesej për të nga mbretëria e së vërtetës.

I pajisur nga natyra me një zgjuarsi jo të zakonshme, u shqua në shkollë për prirjet e tij në lëndët humanitare e veçanërisht në gjuhët klasike. Katastrofa e Atdheut, shpërbërja e Shtetit polak nën pushtimin dypalësh barbar ruso-gjerman, pasojë e traktatit Ribentrop-Molotov të 23 gushtit 1939, e gjeti student të vitit të parë të filozofisë. Lufta, me tmerret e saj të pafund në tokën e martirizuar polake, nguliti me forcë në thellësinë e shpirtit të tij prej poeti e aktori bindjen se kjo botë mizore, në të cilën mbizotëron dhuna e padrejtësia, ka nevojë urgjente për kthim në mësimet e Atij që, dymijë vjet më parë, u kryqëzua për t’i hequr njerëzimit mëkatet e tij.

Ashtu si Tolstoi, që e shihte zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara të shoqërisë njerëzore nëpërmjet “vetëpërsosjes morale të individit”, poeti e dramaturgu Vojtila konsideronte riungjillizimin e shoqërisë detyrë parësore, fisnike e delikate, për kryerjen e së cilës duhej një përkushtim i plotë. Kështu nisi rruga e gjatë, më shumë se gjysëm shekullore, e priftit, doktorit në teologji, ipeshkvit, arkipeshkvit të Krakovias, kardinalit të emëruar më 26 qershor 1967.  Bindja kthehet në një mision të fuqishëm që prifti poet do t’a ketë lejtmotivin e jetës së Tij të gjatë.

E kreu këtë mision me kurajo të pashembullt në Poloninë e mbas Luftës së Dytë Botërore, në të cilën ishte vendosur regjimi komunist, ateist për nga baza e tij ideologjike e kulturore dhe armik deri në vdekje i besimit fetar, “opiumit të popujve” e sidomos i doktrinës së krishterë. Për dhjetëvjeçarë me rradhë klerikut Vojtila i u  desh të ballafaqohej me demagogjinë dhe praktikën e atij regjimi që, falë historisë e traditës së popullit të tij, nuk tregoi fytyrën e tij më të egër, siç e shfaqi fatkeqësisht në Shqipëri.

Karol Vojtila, ish arqipeshkvi i Krakovias, që u shugurua Papë, për një rastësi të çuditëshme, në ditën kur Enver Hoxha festonte 70 vjetorin e lindjes, më 16 tetor 1978, shpirt poeti e trup atleti, prelati i parë jo italian në fronin e Shën Pjetrit mbas 445 vitesh, ka mbartur në vete një seri parësish. Ka kohëgjatësinë më të madhe të qëndrimit si Papë, mbas Piut IX e, ndoshta, mbas Shën Pjetrit, ka vizituar shumicën e vendeve të botës, duke udhëtuar më shumë se gjithë paraardhësit të marrë së bashku, ka numurin më të madh të fjalëve të shkruara e të shqiptuara, një seri mahnitëse enciklikash, letrash apostolike, mesazhesh, diskutimesh, librash. Ai ishte i pari Kryetar i Kishës katolike që hyri në një xhami në Siri, i pari që hyri në një sinagogë në Izrael, i pari që puthi tokën në të cilën shkonte si mik. Ai ishte një nga nismëtarët më të zellshëm të dialogut ndërfetar me përfaqësuesit e besimeve të ndryshme, duke filluar që nga ata që i besojnë Krishtit shelbyes e deri në fetë e tjera monoteiste. Ai pati  kurajon të kërkonte falje për episodet e së shkuarës së Kishës së Romës si inkuizicioni, të përmallohej tek muri i Jeruzalemit për tragjedinë e hebrejve në shekuj, të padiste  dukurinë e shëmtuar të  shitblerjes së skllevërve nga Afrika, të kryer nga tw krishterwt.

Vitet 80-të shënuan zhvillimin e shpejtë të shoqërive të Lindjes komuniste drejt ndryshimit përfundimtar të sistemit. Roli i Papës polak në këtë kalim paqësor është i dorës së parë. Vizitat e Tij në vendin e lindjes i japin krahë qëndresës kundër-regjim në shembëlltyrën e Solidarnostit. Bisedat e tij me burrat e shtetit më në zë të kohës, me Reganin, Gorbaçovin, Theçerin, Miteranin, Kolin, Kraksin etj. synuan të ndërtojnë përfytyresën e një Evrope të re, në të cilën lufta e ftohtë Lindje-Perëndim të zbehej deri në shuarje, për t’i lënë vendin një kontinenti që duhet të fliste me një gjuhë të përbashkët nga Atllantiku deri në Urale. Ajo duhet të ishte gjuha e lirisë dhe e shoqërive demokratike, në të cilat dhuna policore, teoria e “sovranitetit të kufizuar”, ndarja në zonat e influencës të famëkeqes Jaltë do t’i linin vendin bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektimit të vullneteve të popujve.

Ishte një sipërmarrje marramendëse e titanike, që tejkalonte disa herë dhe fantazitë më të guximshme të bujkrobërve të vendeve mbas “Perdes së hekurt”, por Gjon Pali i II i besonte dhe punonte çdo ditë për t’a vënë në jetë, mbasi Zoja e Bekuar, së cilës ai i ishte kushtuar dhe i kishte kërkuar mbrojtjen, ia kishte dërguar mesazhet dhe parathënë ndodhitë nëpërmjet mistereve të fëmijëve të Fatimas.

38 vizitat zyrtare të Papës Vojtila në të katër anët e botës, qindra takimet dhe audiencat në Vatikan me kryetarë shtetesh e qeverish, përballimi me të njëjtën qartësi idesh i problemeve të rënda e të ndryshme, kryesisht të të dobtëve, të të varfërve e nevojtarëve në përputhje me frymën e Ungjillit, këshillat e tij të vyera për qeveritarët e planetit, veprimtaria energjike dhe  e pandërprerë për asnjë çast gjatë viteve, i dhanë një autoritet të pakrahasueshëm. Dënimi pa mëdyshje i mizorive naziste e komuniste të këtij shekulli e respekti i sinqertë ndaj viktimave, ngritja e zërit me forcë ndaj anëve negative të shoqërisë së globalizuar, mbrojtja e Vendeve të vogla e në zhvillim, protestat për krimet masive e thirrjet e vazhdueshme për shmangien e tyre në kasaphanat afrikane apo ballkanike, kërkesa për shlyerjen e borxheve të jashtëme të vendeve afrikane etj. e kanë bërë Gjon  Palin e II pikën më të çmuar të riferimit në botën bashkëkohore për miljarda njerëz ttë kohës së tij, e jo vetëm të besimit katolik.

Dhe për ne shqiptarët Papa polak ka simbolizuar shpresën dhe mbështetjen morale në netët e gjata të diktaturës. Nga brigjet e Pulies në vitet 80 ai shprehte dhimbjen për fatet e “tokës së zgjedhur të Shqipërisë”, ndërsa regjimi kriminal protestonte për “ndërhyrje në punët e brëndshme”. Fjala e tij në çdo festë Krishtlindjeje apo Pashke, përshëndetja në gjuhën shqipe për ata që e dëgjonin, duke rrezikuar dhe privimin e lirisë, ishin si  një bar çudibërës që i vihej plagës së hapur të shpirtërave të një populli të dënuar me mungesë lirije, me mjerim, me veçim nga bota.

Ishte shtator 1991. Në qytetin e Latinës vinte për vizitë Papa Gjon Pali II. Në stadiumin e qytetit ai do t’i epte kungimin gjithë të rinjve që ishin krezmuar ato ditë. Mes tyre ishte edhe një vajzë shqiptare që vinte nga Grabiani, një fshat, kamp internimi i Lushnjes. Babai e porositi që kur t’i afrohej Atit të Shenjtë për të marrë osten t’i thoshte se ishte shqiptare e t’i kërkonte të lutej për Vendin e saj. Vajza e plotësoi porosinë e Papa i vuri dorën mbi shpatulla e i buzëqeshi ëmbël. Me atë buzëqeshje ndoshta desh t’i thonte asaj vajze të re se Vendi i saj ishte në zemrën e tij.

Do t’a vërtetonte këtë me vizitën që bëri më 25 prill 1993, kur solli mesazhin e shpresës për “tokën e fshikulluar nga përndjekjet”, mirëkuptimin dhe dhimbjen e sinqertë të babait për bijtë e martirizuar sepse predikuan Ungjillin e Krishtit. “Ajo që ka ngjarë në Shqipëri , të dashur vëllezër e motra nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit”. Janë fjalët e Gjon Palit II në mitingun e Tiranës. Është pohimi i një të vërtete historike së cilës shumë të tjerë nga Perëndimi i kanë anashkaluar. Papa këtë të vërtetë e shpalli me forcë, madje dhe në hollësi, kur foli për priftërinjtë e besimtarët e përndjekur nga regjimi. Por mesazhi i Atit të Shenjtë nuk synoi të ndalet vetëm në këtë të shkuar aq të hidhur e të dhimbëshme e nuk u kufizua vetëm në sferën e viktimave reale të diktaturës komuniste.  “Kam ardhur për t’i shfaqur çdo shqiptari admirimin dhe mbështetjen në këtë fazë delikate të kalimit historik dhe shumë të dëshiruar, të ringjalljes shoqërore dhe shpirtërore…” ishin fjalët përgëzuese dhe inkurajuese që Kreu i Kishës katolike botërore i drejtonte një populli bujar e mikpritës, por që në gjirin e tij kishte vetëm një të dhjetën e tij katolikë. Dëshmojnë për strategjinë e  atij institucioni për t’i dhënë përparësi harmonisë e mirëkuptimit në shoqëritë e kombet shumë fetare për të shmangur kundërshtitë e ndryshme që mund të lindnin nga këta faktorë e, që në historinë e vjetër e të re të botës, kishin shkaktuar male kufomash.

Në atë vizitë ai i bëri një thirrje kontinentit të vjetër duke u shprehur: “Evropa nuk duhet të harrojë!”.Donte t’i kujtonte asaj se misioni historik i saj nuk mbaronte me rrëzimin e Murit të Berlinit, se nuk mund të quhej i kryer përderisa në Evropë të kishte Vende të tilla si Shqipëria që “dilte nga një dimër i dhimshëm vuajtjesh” , e të cilët komunizmi i kishte kthyer në gërmadha. Ringjallja e tyre materiale e morale ishte një detyrë e çastit dhe e së ardhmes për kontinentin që me kohë do të bëhej një bashkësi e vetme politike.

Në atë frymë dashamirësie ndaj Shqipërisë duhet parë edhe emërimi i kardinalit të parë shqiptar në historinë e gjatë të Kishës së këtij Vendi, në personin e Dom Mikel Koliqit, njërit ndër klerikët më të shquar që patën fatin të mbijetojnë ndaj kalvarit të gjatë të terrorit komunist.

Fatkeqësisht Evropa u tregua shumë e vonuar në proçesin historik që ravijëzonte Papa Vojtila n’atë 25 prill të 27 viteve më parë. Sigurisht llogaria e ftohtë e shpirtit tregtar të saj që merrte në shqyrtim gërmadhën e llahtarëshme që kishte lënë komunizmi, zotëroi mbi idealin human të zëdhënësit të Krishtit mbi tokë. Por në këtë histori, që ka ndikuar aq shumë në jetën e shqiptarëve, duhet pranuar ndershmërisht se mangësitë kanë rrjedhur edhe nga vullneti i keq i atyre që kanë drejtuar Shqipërinë në këta vite.

Në paraditën e 2 prillit 2005 zëdhënësi i Vatikanit, Joakin Navarro Vals, i komunikoi shtypit botëror fjalët e fundit të Papës. Ishte mesazhi i tij i fundit dhe i drejtohej të rinjve të cilëve, pesë vite më parë në Tor Vergata, i u kishte besuar misionin më të lartë e më të vështirë: “Ju takon juve të ndryshoni botën!”. Fjalët e fundit, të nxjerra me ndërprerje e me shumë vështirësi, qenë këto: “Un dhe u thirra, ju erdhët un u falënderoj.” Ka një kuptim të thellë në këtë frazë. Ati i Shenjtë, që tashmë e kishte mbaruar misionin e tij të jetës tokësore e përgatitej të merrte gjykimin për veprën e jetës së tij atje lart tek Krijuesi i Gjithësisë, projektonte në t’ardhmen trupëzimin e atij misioni, vazhdimësinë e tij, e përcillte atë tek brezi i nipave, tek ata që do t’i jepnin formën shekullit të ri. Ishte sendërtimi i thelbit të veprës së Tij, për më shumë se një të katërt qindvjeti në drejtimin e Kishës së Romës, synimi më i lartë që njeriu Vojtila i kish vënë vetes që në rininë e tij: të luftonte me të gjitha forcat për të ndryshuar botën në ato pjesë ku ajo ishte ndërtuar keq. Në kllapinë e çasteve të fundit të jetës ndoshta i shfaqej misioni i pakryer plotësisht e kërkonte që, deri në frymën e fundit, të  porosiste vazhdimin e tij.

18 maj 1920 – 2 prill 2005, dy data që përkojnë me pranverën e përjetëshme të jetës së një vigani, me vështrimin e ngrohtë e të pafajshëm të një fëmije, me shpirtin e bardhë, që barti deri në fund dhimbjet, dertet e mundimet e një epoke njerëzore, duke predikuar shpresën, të mirën, rrugën e pasosur të Jezu Krishtit

Lavdi të përjetëshme kujtimit të tij të ndritur në këta përvjetore të lindjes e të ngjitjes në qiell të shpirtit të madh të Gjon Palit të dytë!/gazeta dielli/

Prill 2020

Please follow and like us: