Ndërmjetësimi kulturor në integrimin e emigrantëve shqiptarë në Itali
Sabina Darova
Para një muaji më kontaktuan nga kanali televiziv “ News24 Albania ” në Tiranë, për të dhënë një intervistë në lidhje mbi zhvillimin e përhapjen e Covid-19 në Itali dhe në veçanti për rajonin ku jetoj dhe punoj. Vura re që emërtimi i profesionit si ndërmjetëse kulturore ngjalli habi, sepse nuk ishte dëgjuar deri tashmë ky profesion në Shqipëri.
Ky fakt, më shtyu të shkruaj diçka mbi profilin dhe punën që kryen ndërmjetësi kulturor me origjinë shqiptare (Mediatore culturale në gjuhën italiane) në Itali, si dhe në Bashkimin Europian.
Pra, çfarë është Ndërmjetësimi Kulturor dhe ku vepron?
Ndërmjetësimi kulturor është një profesion relativisht i ri, i cili e ka zanafillën e tij në SHBA dhe në Kanada rreth viteve 70’ të shekullit të kaluar, si përgjigje e nevojave të shoqërisë multietnike në fushat e shendetësisë dhe të rendit. Ndërsa në Europë dhe konkretisht në Itali, lind në fund të viteve 80’ dhe në fillim të viteve 90’, si pasojë e rritjes së numrit të madh të të huajve në territorin e tyre, për arësye emigrimi ekonomik dhe atij politik. Ndjehet nevoja e një suportimi gjuhësor nga ana e operatoreve apo funksionarëve në sferën shtetërore e private, për të favorizuar komunikimin dhe kuptimin e disa aspekteve kulturore në fushat shoqërore e asaj shëndetësore.
Ndërmjetësimi kulturor, ka si objektiv lehtësimin e raporteve ndërmjet autoktonëve dhe qytetarëve të huaj, në rastin konkret me emigrantët shqiptarë, me qëllim që të zhvillohet një njohje reciproke dhe kuptimplotë , që të ndihmojë mbarëvajtjen e një raporti pozitiv ndërmjet subjekteve dhe kulturave të ndryshme që ata ju përkasin.
Elementët karakterizues të një ndërmjetësi kulturor janë kompetenca komunikuese, ndjeshmëria, dëgjimi aktiv dhe mbi të gjitha njohja e thellë e vendit (shtetit) pritës, ashtu edhe të vendit nga ai vjen (kultura, ligjet, traditat).
Ndërmjetësimi kulturor i drejtohet aktivitetit i cili merret me ndërmjetësimin midis kulturave të ndryshme me një nëkujdesje sociale- antropologjike.
Në nivel nacional në Itali, figura e ndërmjetësit kulturor shfaqet në qarkoren ministerore nr 205 të 26 korrikut të vitit 1990, “ Shkolla e detyruar dhe nxënësit e huaj, ku merr si riferim ekspertët e gjuhës mëmë për të aktivizuar vlerësimin e gjuhës dhe të kulturës së origjinës”.
Kjo do të thotë, që nevojat e para të ndërhyrjes së ndërmjetësimit kulturor, shfaqen në Insitucionet shkollore, aty ku prania e fëmijëve bëhet më konsistuese nga dita në ditë si konseguencë e bashkimeve të trungut familjar.
Ndërmjetësimi kulturor me familjen shqiptare fillon pas vitit 97’, me lidhjet e bashkimeve familjare të emigrantëve të ardhur gjatë vitit 91’.
Lind kërkesa për të njohur sistemin shkollor në Shqipëri, metodën e studimit, ndryshimet gjuhësore dhe gramatikore midis italishtes dhe shqipes dhe kjo, shtyn ekipet pedagogjike të kërkojnë ndërhyrjen e kësaj figure profesionale për t’i ardhur në ndihmë. Qëllimi është që t’i bashkafrohet nxënësit të ri një profesionist që e ndihmon në mësimin e gjuhës italiane, të lehtësojë dialogun me mësuesin, të kuptohen diferencat gjuhësore dhe kulturore, të përkthehen materialet shkollore, dëftesat, vërtetimet e ndryshme, të shpjegohen rregullat dhe funksionet brënda sistemit shkollor, si dhe të zbuten keqkuptimet e të eliminohen konfliktet që mund të lindin midis trupit mësimor dhe familjes, si rrjedhojë e paragjykimeve nga të dyja palët.
Kjo domosdoshmëri e pranisë së kësaj figure, më pas pasqyrohet dendësisht edhe në ambjentet e shëndetësisë, spitale dhe Këshilltore për nënat me fëmijët.
Mos njohja e gjuhës dhe e kulturës së vendit, pengon bashkëbisedimin dhe tregimin e simptomave të një sëmundjeje, apo marrja e informacioneve se si duhet ndjekur një kurë mjekimi dhe kur. Mungesa e njohjes së gjuhës teknike, krijon pengesa të rënda e cila dëmton në radhë të parë shëndetin e pacientit, por krijon edhe pakënaqësira dhe paaftësi nga ana e ekipit shendetësor që asiston të sëmurin apo nënën e re që pret një fëmijë.
Duke vënë re rezultatet pozitive të punës së ndërmjetësve kulturorë, institucionet filluan të kenë në avantazh fitimprurës për faktorin kohë dhe atë monetar. Ndërsa në planin relacional, u stabilizuan raporte të shëndetshme besimi nga të dyja palët, të cilat i hapën rrugë një vazhdimi të pavarur të tyre, krijuan rritje të një vetëdije, ndërgjegjësimi dhe riedukimi me koncepte të reja. Mbi të gjitha, u arrit të fitohet një emancipim i dyfishtë i palëve, të cilët kanë si obiektiv, përmirësimin e kushteve të jetesës.
Ndërmjetësimi kulturor filloi shtrirjen e tij në ambjentin e punës, në drejtësi, në marrëdhëniet financiare e bankare, në sjelljet shoqërore e kulturore.
Të flasësh mbi veprimtarinë e profesionit të ndërmjetësit kulturor duhet jo pak kohë. Ndaj po ndalem, me premtimin qe shkrimet e ardhëshme do të sjellin në mënyrë më të detajuar veprimtarinë e tij në sejcilën fushë veprimi. Sidomos për rolin pozitiv e vendimtar që ka luajtur përsa i përket emancipimit të gruas.
Sot në Itali, janë qindra ndërmjetës kulturorë të formuar që punojnë nga jugu në veri, duke u përballur me paragjykime, konceptin e racizmit, stereotipet e krijuara në kohë, diskriminimin , mosbesimin, dyshimet, të cilat janë të rrënjosura në normat sociale, në kulturë, në vlerat e shoqërisë të cilat kanë shkaktuar e vazhdojnë akoma, vuajtje e probleme në jetën e përditëshme të emigrantit.
Përhapja e vlerave historike e kulturore të Shqipërisë, ështe edhe një nga misionet kryesore të këtij profesionisti, ku zemra dhe mendja e gjejnë rrugën me lehtësi të pagabueshme.
Please follow and like us: