Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: FUSHA E MËLLENJAVE

Image may contain: 4 people, people sitting and text

Kur më 1972 shkela për herë të parë në fushën, për të cilën kisha dëgjuar të flitej aq shumë, ishte muaji tetor. Ajo shtrihej e qetë, me pak mjegull anëve, e ftohtë në prag të dimrit.
Një monument prej guri në trajtë pirgu, në zgavrinën e të cilit mund të ngjiteshe gjer në majë të tij, ishte ngritur për kujtim të betejës. Përballë, jo shumë larg, ishte një tyrbe myslimane, ku janë varrosur jo trupi, por gjaku dhe rropullitë e sulltan Muratit I. Monumenti dhe tyrbja kanë gjashtë shekuj që rrinë përballë, ai, i lartë e krenar, ajo e pikëlluar e pa madhështi, siç janë shpesh vendvarrimet myslimane. Një vizitor që nuk di asgjë nga historia do të kujtonte se monumenti simbolizon fitimtarët dhe tyrbja të mundurit. Në të vërtetë, është e kundërta. Ky është paradoksi i parë, sidoqoftë i falshëm, ngaqë jemi në tokën ballkanase, ku njerëzit e përfytyrojnë historinë sipas ëndjes së tyre.
Mashtrimi fillon shkallë-shkallë te muret e monumentit, atje ku janë ngjitur pllaka bronzi, që flasin për betejën. Në ato pllaka flitet vetëm për serbët. Lart, në një tarracë, prej nga vizitorët mund të sodisin fushën, është një pllakë tjetër, e cila shpjegon betejën. Atje përsëritet e njëjta gjë. Është falsifikuar thelbi i betejës: pjesëmarrësit në të.
E gjithë kjo është tejet e trishtueshme. Një luftë, që duhej të ishte simboli i miqësisë së popujve që luftuan bashkë kundër fatkeqësisë së përbashkët, është kthyer në të kundërtën: në minierë të urrejtjes dhe të krimit.
Lart, në tarracën e monumentit ia them mendimin tim, poetit të njohur që më shoqëron, mikut tim Azem Shkreli. Ai ngre supet, por nuk dëshiron të flasë. Përreth ka turistë. Midis tyre mund të ketë spiunë të veshur si turistë. E njoh fare mirë këtë klimë ferri, por kam kujtuar se në Jugosllavinë komuniste, ka pakëz më shumë liri se në Shqipërinë komuniste.
“Për të tjerët, për popujt sllavë, po, por për ne shqiptarët, jo”, më shpjegon sivëllau im, kur gjendemi vetëm në makinë. “Ne jemi të huaj këtu, më keq se të huaj. Në sofrën e tyre sllave ne jemi të tepërt”.
Kurse bota e mendon ndryshe Jugosllavinë. Mozaik popujsh. Vend festivalesh për vëllazërimin e kulturave. Model për të tjerët.
“Kur isha i vogël”, vazhdon sivëllau im, “ngaqë familja ime ishte e varfër, pasi dilja nga shkolla, im atë më çonte të kullosja një lopë. Shpesh mbetesha vetëm me lopën në ndonjë faqe kodrine të butë. Vështroja përreth: asnjeri. Atëherë mendoja se ishte koha të bëja një gjë të ndaluar, një gjë tepër të dënueshme, diçka që ia kalonte mëkatit. Ti qesh? Ke të drejtë të qeshësh, madje, e di ku të ka shkuar mendja. Po prit, më dëgjo gjer në fund.
Kureshtja ime rrallë herë ka qenë kaq e ndezur.
Ajo gjë e ndaluar, ai mëkat i dënueshëm ishte kthimi i kokës nga ai drejtim ku mendoja se ishin malet e Shqipërisë. Ti habitesh? Të duket me siguri një frikë e tepruar. Dhe në këtë rast ashtu është vërtet: një frikë e tepruar nga fantazia fëminore. Por, në thelb, ajo bazohej në një të vërtetë të madhe. Ishim aq shumë të tmerruar nga ato që kishim dëgjuar, nga vrasjet e fshehta, torturat, spiunët që gëlonin kudo, saqë mjaftonte që edhe kthimi i kokës nga drejtimi i tokës ku duhej të ishte vendi amë, do të përgjohej nga dikush, do të kallëzohej, do të shkaktonte tmerr.
Miku im fliste dhe unë nuk ia ndaja dot sytë fushës së gjerë që shtrihej gjer larg, e mbuluar në cepa nga mjegulla e tetorit.
Gjithë ai tmerr, për të cilin fliste poeti kosovar, kishte lidhje me atë fushë. Ajo e prodhonte atë tmerr vit pas viti, më shumë se grurin, më shumë se lulet. Ajo e përtërinte urrejtjen dhe etjen për gjak, thua se gjaku që kishte rrjedhur gjashtë shekuj më parë në të nuk qetësohej dot.
Ishte një fushë që, e futur gabimisht midis maleve, nuk e linte Ballkanin e madh të flinte i qetë…

 

Ismail Kadare me Azem Shkrelin, fragment nga libri “Unaza në kthetra”

Please follow and like us: