Enver Memishaj: Cila ishte kënga e parë që iu kushtua Luftës Antifashiste?
Enver Memishaj
BALLISTI BARDHYL POGONI I KËNDON RËNIES SË KOMUNISTIT QEMAL STAFA
Rënia e Qemal Stafës (1920 – 1942), djaloshit 22 vjeçar, më 5 maj 1942, veç të tjerave nxiti patriotët që sipas traditës t’i ngrinin atij këngë. Është e njohur kënga “Afër një spitali”, që ngriti bejtexhiu Gaqo Trola nga Vunoi e cila duke qenë këngë popullore u njoh dhe u përhap shpejt. Këtë këngë e kanë quajtur si kënga e parë që iu ngrit Luftës Antifashiste. (Shih: Vaso Tole, Irena Shabani “Panorama”, dt. 24.4.2003, etj)
Në vitin 1942, për çudinë tonë paska pasur edhe fëmij 9 vjeçar, që paskan ndier dhimbje të madhe për vrasjen e Qemal Stafës! “Sofokli Thomaiai, sot 80 vjeç, ishte nëntë vjeç kur bashkë me shokët e tij në Tiranë përjetoi dhimbjen e vrasjes së “Heroit të Popullit” Qemal Stafa…. (Shih: “Telegraf”, dt. 5.8.2013)
Shembuj qesharak që mundohen të tregojnë historinë me “dhimbjet e fëmijëve 9 vejçar për Qemal Stafën” që as nuk e njihnin, as nuk e kishin dëgjuar dhe as e kuptonin se ç’kishte ndodhur…
Unë dua të parashtroj një fakt historik. Bardhyl Pogoni një intelektual i Ballit Kombëtar dhe më pas profesor universioteti në Amerikë, shkroi e botoi një këngë, poezi, që u frymëzura nga rënia e Qemal Stafës. Pra ishin dy patriot Gaqo Trola dhe Bardhyl Pogoni që në të njëjtën kohë e ndien dhe e vlerësuan rënien e Qemal Stafës dhe dhimbjen e shprehën në këngët e tyre. Kënga e Gaqo Trolës si këngë popullore u përhap shpejt, ndërsa poezia e Bardhyl Pogonit u njoh pak në atë kohë dhe më pas dihet se u mohua e harrua sepse atë e kishte shkruar një “armik i popullit”!
Nga ana historike si shpegohet që një intelektual i Ballit Kombëtar himnizonte një komunist?
Sot është pranuar se deri më 1 tetor 1943 dy forcat antifashiste Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste pavarësisht nga programet e tyre nuk kishin kontradita të thella por përkundrazi vepronin në mirëkuptim dhe bashkëpunim me njera tjetrën. Më 1 tetor të vitit 1943 Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste u dërgoi të gjith Komiteteve Qarkore të PK një letër ku flitej për masat për forcimin e pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtare, dhe për qëndrimin armiqësor kundër Ballit Kombëtar. Kjo letër saksiononte politikën e Partisë Komuniste që nuk pranonte alternativë tjetër, pra i vetmi pushtet duhet të ishte ai i Këshillave Nacionalçlirimtare, më saktë i Partisë Komuniste. ( Shih: Enver Hoxha, Vepra Vëll. 1, f. 426).
Poezia e Bardhyl Pogonit shkruar menjëherë pas rënies së komunistit Qemal Stafës është një shembull kuptimplotë se nuk kishte armiqësi ndërmjet dy forcave politike deri më 1 tetor 1943.
Poezia është botuar së pari në organin e Ballit Kombëtar “Kushtrimi i Lirisë”, gusht 1942, ribotuar në antologjinë “Mosha e Lirisë”, Tiranë 1999, f. 74-75.
Por Bardhyl Pogoni nuk është i vetmi që u këndon veprave antifashiste të komunistëve. Në dhjetor 1942 Dhimitër Kol Bala (1885 – 1945), bashkëfshatari Gaqo Troles, pushkatuar nga komunistët në një pozi brilante për Luftën e Gjormit krahas Hysni Lepenicës ai flet edhe për komunistin Hysni Kapo Abazaj. (Shih: Enver Lepenica “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, Tiranë 2017, f. 210)
E tillë ishte atmosfera në Shqipëri deri më 1 tetor 1943, kur siç thotë populli pështynë jugosllavët dhe hapën vëllavrasjen në Shqipëri.
Nuk gjejmë asnjë komuniste t’i ketë kënduar rënies së një dëshmori të Ballit Kombëtar e çka tregon politikën antikombëtare të kësaj partie.
Folklorisi i shquar Fatos Mero Rrapaj thotë se kënga e Gaqo troles ka pasur edhe vargjet: Ngreu Qemal se të kërkon Bazi i Canes” e që më pas siç kuptohet u hoqën nga komunistët.
Por edhe vetë Qemal Stafa nuk ka qenë komunist enverist, përkundrazi ai dinte me kulturën që kish të vlerësonte Mid’hat Frashërin, e patritë të tjerë që ishin antikomunistë. Sa për shembull po flasim për një letër që Qemal Stafa nga Italia i shkruan me nderime dhe veneracione patriotit Lef Nosi (1877-1945, pushkatuar nga komunistët), letër që e ka bërë publike nipi Qemalit, Veli Stafa. (Shih: “Tirana Observër”, dt. 5.5.2013)
Veliu shkruan se letrën Qemal Stafa e nisi nga Firence, ku ai studionte në Fakultetin e Drejtësisë, më 1941. Nga letra vihet re se me çfarë respekti i drejtohet Qemal Stafa ,20 vjeçar, firmëtarit të Pavarësisë Kombëtare, duke i shpjeguar Lef Nosit 66 vjeçar, rreth porosisë që ky i fundit i ka dhënë Qemalit për të gjetur tek bukinistët e Firences materiale që kanë lidhje me historinë mesjetare të Shqipërisë.
Letra fillon me fjalët vlerësuese: “I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…”
Letra përfundon: “Pëherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”.
Letërkëmbim midis dy intelektualve që pavarësisht nga mosha, i lidhi shkenca dhe dashuria për atdheun, por të dy patën një fund tragjik: Qemali u vra nga fashistët, Lefi u pushkatuar nga komunistët, shokët e Qemalit.
Kush ishte Bardhyl Pogoni që i ngrinte himn komunistit Qemal Stafa?
Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё vitin 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё Lёvizjen Antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i arsimit nё kohёn e Mirash Ivanaj. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. Ai qёndroi pёr njё kohё nё Austri dhe pasi u kthye nё atdhe u bashkua me forcat antifashiste tё Ballit Kombёtar. Mё vonё u bashkua me çetat e Ballit nё luftё pёr lirinё e Kosovёs.
Bardhyl Pogoni u largua pёrgjithmonё nga Shqipёria nё fund tё vitit 1945 dhe u vendos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishte Mid’hat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinё franceze nё Universitetin e Bolonjёs.
Nё vitin 1950 migroi nё Shtetet e Bashkuara dhe filloi punё pranё seksionit shqip tё Radio-Evropa e Lirё. Nё vitin 1959 filloi punё nё Shkollёn Ushtarake tё Gjuhёve nё qytetin Bloomington tё shtetit Indiana. Nё këtë universitet mbaroi studimet e larta dhe nё vitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nё fushёn e gjuhёsisё. Nё vitin 1967 u emёrua profesor nё Universitetin Vestern Kentucky ku qёndroi deri nё vitin 1972.
Prej vitit 1974 e deri nё vitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nё Tripoli tё Libisё dhe prej vitit 1978 e deri nё vitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nё Napoli tё Italisё. Gjatё karrierёs sё tij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tё ndryshme pёr gjuhёn shqipe.
Ai ruante shumё kujtime tё mira pёr Mid’hat Frashёrin dhe nё vitin 1949 kishte botuar nё Itali poemёn “Fytyrё e Kombit” kushtuar Mid’hat Frashёrit:
“Iku e s’kthehet mё.
Qepallat i mbylli nё vetmi,
e mbeti Fytyr’e pa-zё,
me buzё qё s’flasin mё
me duar qё s’dridhen mё.
Ti ike, Shёrbestar i Kombit,
e s’kthehesh mё”,
Nё vitin 1976 profesor Bardhyl Pogoni botoi anglisht përmbledhjen e poezive me titull “Contemporary Albanain Poems”, (Poezi bashkëkohore shqiptare), ku përfshihen: Migjeni, Lasgush Poradeci, Arshi Pipa, Martin Camaj dhe Ismail Kadare, shoqëruar me komentet e tij për jetёn dhe veprimtarinё e poetëve, botim i financuar nga Ekrem Bardha.
Veprimtaria dhe vepra e tij kulturore ёshtё e shpёrndarё gjithandej, por Bardhyli nuk ishte i kujdesshёm pёr punёt e tij kulturore. Bardhyl Pogoni ishte intelektual i vёrtetё, por nuk punonte. Vdiq me 24 tetor tё vitit 1985 nё moshёn 60-vjeçare. Ai ishte martuar me një vajzë amerikane Barbara Pogonin dhe me të la një djalë, Sam. (Shih për më shumë: Gjekё Gjonlekaj “Tirana Observer”, dt. 30/11/2012)
Bardhyl Pogoni: MARTIRIT QEMAL STAFA
Me plumb të vranë, kush të ra?
Oh, shpirt i grisur; yt vëlla,
Vëlla në gjak, në vatër e tokë,
Por… vëlla i shitur këmbë e kokë.
Ti re përdhe si një rrufe,
Me sytë e tu gjë tjetër s`pe,
Veç flakë e zjarr, veç dritë hiri,
Veç komb të mbytur, në robëri…
Dhe re përmbys e zemër plot,
Tek syt` e tu nuk pamë lot,
Por pam` shkëndija, pamë zjarr,
Që nuk u fikën gjer në varr.
Qemal, Qemal, o trim, o djalë,
Një vdekje e rrallë si shkrumb t`u fal,
Një zjarr që ndez, një zjarr që vdes,
Ta drodhi zemrën mes për mes.
…
Flamur e nxirë në gjak të shtrirë,
Me duar lidhur me zinxhirë,
E mbajmë lart nga dher` i zi
Ku ndizet gjaku për liri.
Agimi hesht mbi varr e gur,
Ku ra një zemër, një flamur,
Ku ndizen eshtrat e një trimi,
që vdiq me flakë dëshpërimi.
…
Flamuri ngrihet lart e ulet,
Po kurrë armikut s`i përkulet.
Ashtu dhe ti, ashtu dhe ne,
I mbajmë kryet përmbi dhe.
Agimi hesht mbi varr e gur,
Ku ra një zemër, një flamur,
Kushtrimi i Lirisë.
Poezia është botuar së pari në organin e Ballit Kombëtar “Kushtrimi i Lirisë”, gusht 1942, ribotuar në antologjinë “Mosha e Lirisë”, Tiranë 1999, f. 74-75
Po botojmë edhe vjershën popullore kushruar rënies së Qemal Stafës nga Gaqo Trola nga Vunoi, pra nga fshati Dhimitër Balës që i këndon Luftës së Gjormit. Gjendën edhe variante të tjera të kësaj kënge.
Gaqo Trola
BRENDA NË TIRANË
Brenda në Tiranë,
Afër një spitali,
U vra Qemal Stafa,
Në një ditë maji.
Dje më erdhi karta
Nga çeta e malit
Ngreu, – i thotë nëna, –
Të do partizani.
– Kam marrë tre plagë
Plumba italiani
Të më merret haka,
Gjakun mos ua falni.
Ç`e morën nga prapa,
Spiunët e djallit,
Luftoi me patllake,
Gjersa i doli xhani.
Popullit shëndenë,
Qëndro si luani,
– Nënë lamtumirë!-
I thotë Qemali.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë “ Këngët partizane, trashëgimia shpirtërore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” Tiranë 2014, f. 250 Mbledhur, përgatitur dhe paisur me një studim hyrës nga akademik Vasil TOLE.