Gjykata e Strazburgut u kërkon pronarëve të ndjekin procedurat e ligjit të ri të pronave
Në një vendim kyç të ndërmarrë së fundmi, Gjykata e Strazburgut deklaroi se pronarët që deri më sot i janë drejtuar kësaj gjykate për moszbatim nga shteti shqiptar të vendimeve për kthimin e pronave, duhet të ezaurojnë fillimisht procedurat e përcaktuara në ligjin e vitit 2015 para se të ngrenë pretendime të mëtejshme në Strazburg. Rrëzohet pjesërisht edhe kompensimi i qeverisë me çmime të vitit 1947.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut shpalli 12 çështje pronash të paraqitura para saj nga shtetas shqiptarë “të papranueshme” duke i kërkuar pronarëve që të ezaurojnë mjetet ligjore të përcaktuara nga shteti shqiptar në një ligj të viti 2015, para se të fitojnë të drejtën t’i drejtohen kësaj gjykate.
Gjykata duket gjithashtu se rrëzoi pjesërisht përcaktimin ligjor të vendosur nga qeveria aktuale, e cila dëshiron të kompensojë pronat sipas statusit të tyre në kohën e kompensimit dhe jo gjendjes së tyre aktuale, gjë që përbën ulje deri në shifra qesharake kompensimi të pronave të zëna nga zgjerimi i qyteteve gjatë kohës së komunizmit. Sipas ligjit, këto prona në periferi të qyteteve do të kompensohen me çmimet e tokës bujqësore, pemishteve apo kullotave dhe jo si tokë urbane.
Gjykata deklaroi se ka vendosur si kusht që kompensime të tilla të mos rezultojnë në asnjë rast në vlera kopensimi më pak se sa 10% e vlerës së pronës që “ish-pronarët do të përfitonin nëse vlerësimi financiar do të llogaritej mbi bazën e zërit kadastral aktual të pronës së shpronësuar.”
Ky duket se është një ndryshim domethënës, për shkak se, fjala vjen, tokat përreth Tiranës, të cilat si toka urbane vlerësohen me 300 apo më shumë euro për metër katror, si toka rurale vlerësohen me më pak se sa 5 euro për metër katror.
Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave të vitit 2015 u miratua nga maxhoranca aktuale nën premtimin se do të akordonte 5 miliardë lekë në vit për 10 vjet me rradhë për të kompensuar një pjesë të pronave të sekuestruara gjatë kohës së Komunizmit. Gjatë viteve të para të zbatimit të këtij ligji, shuma prej 5 miliardë lekësh nuk është parë kurrë./ Reporter.al