Në 100-vjetorin e Luftës së Vlorës 1920 – 2020
Në 100 vjetorin e Luftës së Vlorës 1920 – 2020
TREGIMET E GJYSHIT PËR BEKIMIN E NJË EPOPEJE
Nga Luan I. Memisha
Ishte bekim ardhja e Sulejman Delvinës në Lepenicë, më tha gjyshi, me një emocion të brendshëm, si një ish ushtar i regjur i Perandorisë osmane…
Tani do të tregoj për një luftë tjetër të madhe, që e bëmë për veten tonë për të çliruar Vlorën, e kishte fjalën për luftën e Vlorës në atë vitin e bekuar 1920.
Më kish treguar për shumë ngjarje për atë luftë, si për komandantin e çetës së Lepeniceës, Sheme Jazon, që ra si trim në betejën e Llogarasë dhe me gjakun e tij vaditi pemën e lirirsë. Gjithashtu im gjysh Avdulla Memishaj më tregonte dhe për trima të tjerë që nuk i kanë munguar Labërisë e Lepenicës e sidomos më tregonte dhe për trimërinë e zv/komandantit të çetës së Lepenicës, Fejzo Tafilin që në atë luftë zëvëndësoi Sheme Jazon. Për Fejzon gjyshi më tregonte dhe për trimërin e tij në demonstratën e Vlorës më 1919.
Për luftën e Vlorës te vitit 1920 gjyshi thosh se ishte një luftë që ne na bashkoi atdhedashuria dhe dëshira për të qënë të lirë. Në këtë luftë ne lamë berrat në brinjë dhe qet e parmëndës në arë dhe u ndeshëm me një armik të madh në numër e të armatosur deri në dhëmbë, por ne , ishim të armatosur me dashurin për vatanin me zemrën e fortë, se në luftë, more djalë, vendos zëmra dhe jo arma, ne ishim çobanët që u vërvitëm si luanë mbi atë ushtri aq të madhe me betimin e besën atdhetare: O të lirojmë Vlorën, o të shuhemi të tërë!
Gjyshi më tregojë kush e bekoi atë luftë përveç udhëheqësve dhe dëshmorëve, ajo luftë mori bekimin edhe nga qeveria e Lushnjes me me në krye Sulejman bej Delvinën.
Këtu në odat e Memishahe të Vlorës, ka ardhur Sulejman Beu vet i tetë, i kam pritur së bashku me Fejzon, Numanin, Selamin etj.
Pas takimit me kryepleqësinë e Mallakastrës në shtëpinë e Bektash bej Cakranit, Sulejman Beu në mëngjesin e datës 27 shkurt 1920 kaloi lumin e Vjosës u hodh në Sevaster, në Velçë, kaloi lumin e Shushicës pikërisht te konakët tanë, thoshte gjyshi, në vendin e quajtur Rreth, në Lepenicë dhe unë e prita me nderime e përqafime si shqiptari shqiptarin, si një kryeministër e patriot që vinte të bekonte një luftë çlirimitare dhe vendimtare për kombin, ky fat na takoi ne vlonjatve të Laberisë. Mysafirët me në krye Sulejman bej Delvinën hynë në portën e Memishahe, trokëllima e patkojve të kuajve lajmëronte gjëmimin e asaj lufte që pritej të shpërthente.
E pritëm në odën tonë gjith burrat e nderuar të Lepenicës, unë Avdullu, Numani Fejzoua, Sheme Jazo, Tafil Muhameti, Selam Hitaj, Allush Mamo, Ali Canaj dhe shumë burra të fshatit dhe patriotë. Për të mos u diktuar dhe të mos pengoheshin nga pushtuesit, kishim hapur fjalë , që do ti jipnim hairin e një krushqie, prandaj kishin ardhur ata të ashtuquajtur krushq.
Dhe kështu ishte vërtet, do të bëhej një dasëm e madhe si ato dasmat që trimat e kanë pasur zakon. Dhe këtë dasëm do ta bekonte edhe kryeministri i qeverisë së sapo formuar disa ditë më parë në Kongresin e Lushnjes.
Mbas rreth një ore ku Sulejman Beu piu kafenë dhe hëngri një kafshit bukë në atë mëngjes të 27 shkurtit 1920 Sulejman Beun e shoqëruam për në stanet mbi Lepenicë në vëndin e quajtur Krivovë, pronë e Memishahe dhe e Canajve ku po e prisnin mysafirët, kryepleqtë e fshatrave dhe burrat e shquar të Labërisë me në krye Osman Haxhiun , Ibrahim Avdullahun dhe burra të tjerë të shquar të krahinës.
Unë me një skuadër djemsh të zgjedhur e shoqërova Sulejman Beun dhe shokët e tij deri lart në faqe të malit ku na pritën shumë burra.
Ata e pritën kryeministrin me krah hapët e me dashuri, u shtruan në biseda me një dashuri e dakortësi atdhetare.
Edhe sot i kam në veshë fjalët e atyre burrave që gjykonin e prisnin hekur dhe me vetëdijen kombëtare thoshin me krenari e pa ju luajtur qerpiku i syrit: Do kërcejmë brenda në Vlorë/të gjithë me dyfek në dorë.
Të shikoje ata burra kur shtrëngonin duart e përqafoheshin për të lidhur besën për një epope që do mbetej në histori, ishin pamje që të mbeten në kujtesë gjithë jetën. E mbaj mend se një trim i asaj ane ju përgjigj pyetjes së Sulejman beut në se ishim gati për luftë me gjuhën e fshatit: ne jemi eshka, presim nga ju shkëndijen e hurorit, që eshka të ndizet e të mos shuhet kurrë.
Për këtë luftë të shenjtë keni edhe bekimin tonë shtoi i gëzuar Sulejman bej Delvina, se këto male do të jenë prap fole shqiponjash e trimash dhe hodhi shikimin lart malit te Qurmenges mbi Lepenicë.
Në momentin e largimit Sulejman beu na tha se lirinë e meritojnë ata që luftojnë e japin jetën për të, siç është e gjithë Labëria.
Më 3 shtator 1920, ishte major Ahmet Lepenica dhe patrioti i madh At Shtjefën Gjeçovi që ngritën flamurin e fitores së luftës së Vlorës dhe e ngulën në Kaninë mbi varrin e Ismail bej Vlorës duke plotësuar amanetin e tija që Vlorën ta shikonte të lirë që nga mali i Shashicës, ne e merituam fitoren tha major Ahmet Lepenica se luftuam dhe derdhëm gjakun për të.
Eh, more djalë, më thoshte gjyshi, sa kohë kanë shkuar e sa njerëz nga ata trima nuk jetojnë më, por ne jemi krenar për ta, dhe për ato që kemi bërë. Dëshmorët e ’20-tës jetojnë në këngë ndaj janë bërë të pavdekshëm.