Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Ideja e rrezikshme ruse për Kosovën në Këshillin e Sigurimit dhe heshtja e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare

Ideja e rrezikshme ruse për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Shaban Murati

Pasi doli për dere nga Kosova njëherë në qershor 1999 kur NATO zboi forcat ruse që pushtuan aeroportin e Prishtinës, dhe njëherë në 2003 kur arka e zbrazët ruse i zboi forcat ruse nga Kosova, Moska po kërkon të rikthehet në Kosovë duke hyrë nga dritarja e Këshillit të Sigurimit të OKB. Diplomacia ruse i ka intensifikuar përpjekjet për të shitur ndërkombëtarisht idenë e saj të zgjidhjes së dialogut Kosovë-Serbi në Këshillin e Sigurimit. Ambasadori i Rusisë në Serbi dhe njëkohësisht i dërguar i posaçëm i pashpallur rus për Ballkanin, Aleksandar Bocan- Harçenko, në datën 9 maj deklaroi: “Një zgjidhje përfundimtare për Kosovën duhet të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit të OKB, duke miratuar një rezolutë të re, që zëvendëson rezolutën 1244”.

Duhet thënë që në fillim se diplomacia ruse ka dalë me qëndrimin e një zgjidhjeje përfundimtare në Këshillin e Sigurimit për marrëveshjen Kosovë-Serbi, sepse e ka të qartë se Këshilli i Sigurimit i OKB nuk e zgjidh dot çështjen e marrëveshjes Serbi-Kosovë dhe sepse Rusia ka interes strategjik që të mos zgjidhet konflikti midis Serbisë dhe Kosovës. Intriga diplomatike ruse fillon qysh në terminologji, kur ambasadori rus flet per “zgjidhje përfundimtare për Kosovën”, në një kohë kur nuk ka “çështje të Kosovës”, sepse ajo është e mbyllur që në 2008, por ka çështje të dialogut dhe të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Diplomati i vjetër rus e di fare mirë se me rezolutën e OKB të 10 shtatorit 2010 është përcaktuar çështja e dialogut Serbi-Kosovë dhe mbi bazën e kësaj rezolute të OKB, që e ka pranuar edhe Rusia, u hapën bisedimet në Bruksel në 2011 midis Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE.

Këshilli i Sigurimit i OKB e ka dëshmuar disfunksionalitetin e tij në çeshtjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ky disfunksionalitet i Këshillit të Sigurimit për raportet Serbi-Kosovë është meritë e diplomacisë ruse, e cila vazhdoi traditën e “njet-it”, (“Jo”-së) së famshme të ministrit të jashtëm sovjetik, Andej Gromiko, që në Këshillin e Sigurimit të OKB thonte vetëm “Njet”, sa që mori edhe nofkën “Mister Njet”. Rusia e pengoi zgjidhjen e drejtë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës në vitin 1999, kur bllokoi me veton dhe njet-in e saj rezolutën për ndërhyrjen ndërkombëtare në Serbi për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të popullit shqiptar të Kosovës nga forcat ushtarako-policore të qeverisë së Millosheviçit. Rusia ishte me qendrimin që Serbia të lejohej të vazhdonte politikën kriminale të spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë. Kështu që 19 shtetet demokratike të Aleancës Atlantike ndërhynë në Serbi në zbatim të ligjit ndërkombëtar humanitar për të shpëtuar një popull të tërë nga gjenocidi serb.

Rusia e bllokoi edhe një herë tjetër në mënyrë flagrante zgjidhjen në Këshillin e Sigurimit, kur në vitin 2007 i vuri veton e saj miratimit të rezolutës për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, rezolutë e hartuar mbi bazën e planit të njohur të të dërguarit të posaçëm të OKB për bisedimet e statusit të Kosovës, ish presidentit finlandez Marti Ahtisaari. Rusia e bllokoi vazhdimisht, sepse ishte kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Moska ishte dhe është që Kosova  të mbetet koloni e Serbisë. Ishte në 1999, ishte në 2007, por është edhe sot e kësaj dite, sepse ambasadori i Rusisë Harçenko në 1 gusht 2019 sapo shkeli në Beograd afishoi në mënyrë kategorike: “Kur ne kërkojmë zgjidhje për Kosovën ne nisemi nga ajo që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Me një fjalë Moska e propozon Këshillin e Sigurimit si forum për një zgjidhje në funksion të objektivit strategjik të diplomacisë ruse që Kosova të mbetet koloni e Serbisë. Pyetja e thjeshtë që del është se përse duhet të shkojë dialogu dhe marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës në Këshillin e Sigurimit, kur Rusia e ka vendosur paraprakisht se është kundër pavarësisë dhe lirisë së Kosovës. Diplomacia ruse këmbëngul ta çojë në Këshillin e Sigurimit, sepse synon që të mbetet e pazgjidhur çështja e marrëveshjes përfundimtare midis dy shteteve dhe që konflikti i ngrirë midis tyre të vazhdojë, sepse me ekzistencën dhe fryrjen e këtij konflikti mbështetet ndërhyrja dhe prania ruse në Ballkan.

Për të argumentuar nevojën e kthimit në Këshillin e Sigurimit të OKB diplomacia ruse shtrembëron me ndërgjegje realitetin historik dhe kuadrin juridik të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës si në planin rajonal, ashtu dhe në planin ndërkombëtar. Ambasadorit rus në Serbi, si eksperti kryesor diplomatik rus për çështjet ballkanike, që ka marrë pjesë si përfaqësues i diplomacisë ruse në Konferencën e Dejtonit, pastaj në Konferencën e Rambujesë dhe më vonë në trojkën e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, nuk i falet të mos e dijë më mirë se kolegët e tij në MPJ ruse se kuadri juridik dhe diplomatik i çështjes së marrëdhënieve Serbi-Kosovë është krejt tjetër nga ai që paraqet zëdhënësja Zaharova në brifingjet e saj argëtuese.

Si ekspert kryesor i Moskës për Ballkanin ambasadori duhet ta ketë të qartë se Serbia nuk ka asnjë lidhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB. Nuk ka lidhje për këto arsye:

Së pari, se rezoluta 1244 nuk e përmend në asnjë rresht dhe nen të saj emrin “Serbi”. Referenca e rezolutës për një farë sovraniteti të shtetit “RFJ”, është për një shtet tjetër, kurse Serbia është shtet i ri i krijuar në vitin 2006.

Së dyti, në bazë të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2004 Serbisë nuk i takon asnjë e drejtë, asnjë referencë dhe asnjë pretendim për OKB dhe për rezolutat e saj, për kohën kur Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB. Serbia është pranuar anëtare e OKB në fund të vitit 2000. Me këtë argument juridik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hodhi poshtë në vitin 2004 padinë e Serbisë kundër SHBA, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve perëndimore për gjoja agresionin e NATO-s në 1999. Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB kur është miratuar rezoluta 1244 në 10 qershor 1999. Kështu që Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pretendojë se rezoluta 1244 i takon asaj.

Së treti, MPJ ruse e di fare mirë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik 2010 me kërkesë të OKB shpalli verdiktin se pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244. Tribunali më i lartë ndërkombëtar i drejtësisë sanksionoi të drejtën e pavarësisë së Kosovës si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Rusia është e detyruar të respektojë vendimin e këtij tribunali të OKB.

Së katërti, Serbia është larguar nga Kosova me vullnetin e saj në bazë të marrëveshjes së Kumanovës, të cilën e ka nënshkruar qeveria serbe. Pra sipas ligjit ndërkombëtar, Serbia është larguar nga Kosova në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare të firmosur prej saj.

Së pesti, Serbia është larguar me vullnetin e saj nga Kosova dhe i tërhoqi forcat ushtarake, policore, kufitare, administrative të saj nga kufijtë aktualë të Kosovës. Kufijtë administrativë të Kosovës u shndërruan automatikisht në kufij shtetërorë midis dy shteteve, sipas praktikës dhe parimit të pranuar ndërkombëtarisht që kufijtë e shteteve të reja, që dolën nga ish Jugosllavia, do të ndërtoheshin mbi kufijtë administrativë, që ata kanë pasur në kohën e federatës. Ndaj është i pabazuar juridikisht qëndrimi i presidentit serb për ndryshimin e kufijve dhe për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës.

Ajo, që në idenë ruse është e papërputhshme me normat dhe praktikën diplomatike dhe juridike ndërkombëtare, është fakti se nuk merr parasysh që marrëveshja përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës është marrëveshje midis dy shteteve fqinjë për njohjen midis tyre. Njohja diplomatike midis dy shteteve nuk ka asnjë arsye që të bëhet objekt i Këshillit të Sigurimit. Njohja reciproke është çështje ekskluzivisht dypalëshe e vullnetit dhe e kompromisit midis tyre në tavolinën e bisedimeve. Realiteti i ri politik dhe gjeopolitik i Kosovës i krijuar pas viti 1999 të çlirimit të saj nga NATO dhe pas vitit 2008 të shpalljes si shtet i pavarur i njohur nga mbi 100 shtete të OKB, imponon rrugën e vetme të mbylljes së dialogut midis dy shteteve me njohjen reciproke midis tyre. E vetmja kornizë juridike, ku Këshilli i Sigurimit mund të fusë në rendin e ditës Kosovën, është pranimi i saj si anëtare e OKB.

Diplomacia ruse, që është e obsesionuar nga strategjia e lënies me fund të hapur të konfliktit Serbi-Kosovë, po kërkon të rikthejë mbrapa historinë dhe flet sot në vitin 2021 për “çështje të Kosovës” në një kohë që nuk ka “çështje të Kosovës”, por ka çështje të normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës si dy shtete të pavarura. Duk pasur si objektiv moszgjidhjen e konfliktit midis dy shteteve, ideja ruse e dërgimit të çështjes së dialogut Serbi-Kosovë në Këshillin e Sigurimit të OKB është tepër e rrezikshme për shtetësinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Është e rrezikshme, sepse synon të neutralizojë politikën e drejtë të Perëndimit, SHBA, NATO-s, etj. të cilët kanë mbështetur fuqimisht të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Është ide e rrezikshme, sepse ideja e mësipërme ruse ka gjetur hapësirë në dosjet dhe në qendrimet e diplomacisë burokratike të BE. Në datën 31 janar 2020 shefi i politikës së jashtme të BE, Joseph Borrell, deklaroi në Beograd se “pa një marrëveshje të Këshillit të Sigurimit të OKB Kosova nuk mund të jetë një shtet i njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo varet jo vetëm nga Uashigtoni”. Nuk është e qartë përse spanjolli Borrell në entuziazmin për t’i bërë qejfin Serbisë dhe Rusisë, duhet të atakonte Uashingtonin. Pëlqimi i diplomacisë së BE për idenë ruse bëhet në një kohë kur shtete kryesore perëndimore SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, etj. nuk e kanë mbështetur idenë ruse.

Idea e diplomacisë ruse për Kosovën në Këshillin e Sigurimit po bëhet e rrezikshme, sepse për fat të keq ka qarqe qeveritare në Prishtinë që po shprehen në favor të asaj. Kështu në platformën zyrtare të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 7 mars 2019, në pikën 17 të Platformës, me titullin: “Kosova si pjesë e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet: “Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në çfarëdo rasti”.

Qeveritë në Kosovë, kushdo qofshin ato, duhet të shprehen me forcë kundër idesë ruse të rikthimit të “çështjes së Kosovës” në KS të OKB. Duhet të shprehet kundër me forcë edhe qeveria e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB, sepse heshtja për kurthet e rrezikshme të diplomacisë ruse kundër Kosovës dëmton rëndë pavarësinë e Kosovës dhe interesat jetike të kombit shqiptar./gazeta dita/

http://www.gazetadita.al/ideja-e-rrezikshme-ruse-per-kosoven-ne-keshillin-e-sigurimit/?fbclid=IwAR0nSRUcCkr7PCfu_BSNSTGf1ejiZHpw1o8LP1ItkeF6mfbBSRn0FmsAZgY

Please follow and like us: