Kozeta Zavalani: Mbroj pasurinë kulturore dhe identitetin kombëtar, pjesë e së cilës është Teatri Kombëtar
Kozeta Zavalani
Sot pranvera është në ajërin e ngrohtë, megjithëse në qiell dielli është zhdukur dhe nuk e bën shpirtin të buzëqeshë! Horizonti me qiellin e ngarkuar me pluhur, duket sikur e ka fundosur diellin humnerave të kujtesës, duke e bërë të padurueshëm këtë atmosferë në kryeqytet.
Dy muaj më parë bota më dukej krejtësisht ndryshe deri më 8 Mars, kur të gjithë ishim mbledhur në Bibliotekën e Paqes, ku Misioni Diplomatik për Paqe më nderoi me titullin “Misionare e Paqes Globale” dhe “Ambasadore Nderi” për përkushtimin e kontributin e çmuar në fushën e edukimit, qytetërimit, letërsisë, gazetarisë dhe njerëzimit, për frymëzimin e bashkëjetesës shoqërore dhe paqes ndërkomunitare, si nxitëse e misioneve të ardhshme që sjellin paqen dhe prosperitet për gjithë njerëzimin. Njëkohësisht po atë ditë, me një paraqitje të bukur u shpalos gjithë krijimtaria, u promovua edhe libri im i ri me poezi shqip e anglisht “Jetoj – I Live”, në prani të shumë intelektualëve shqiptarë e dhjetra krijuesve, miq e mikesha, që ma zbukuruan festën. Fill pas këtij eventi të paharruar, kur ende nuk ishin vyshkur lulet nga buqetat e shumta, që më dhuruan, e gjetën veten duke jetuar në një pandemi globale, të detyruar të izolohemi e të mbrohemi nga njeri tjetri, nga armiku i padukshëm i quajtur Covid-19.
Njerëzve në mbarë botën u është dashur të rregullojnë stilin e jetës së tyre; duke qenë të gjithë të njëjtë e të barabartë para Zotit, vetëm me familjen! Kështu edhe unë, duke u izoluar në shtëpi me familjen, kam pasur kohë të analizoj veprimet e vetvetes, të shkruaj e të lexoj më shumë, të pastroj gjithçka në shtëpi, të gatuaj gjithçka që u pëlqen djemve e bashkëshortit, madje edhe bukën me qiqra për Pashkët, që gjithmonë e kam porositur në Korçë.
Kam pasur kohë të lexoj e të shkruaj, më tepër se asnjëherë tjetër më parë. U mësove me atë ritual jetese të ditës, pa harruar makthet e natës, kur kalova një grip të fortë, që ndonëse mendoja se isha ftohur ditën e promovimit, nga që kisha veshur fustanin e hollë lejla me rruaza të bardha, kur të gjithë ishin ende të veshur trashë, kisha pasur frikë, mos kisha virusin, ndaj kam pyetur gjithë miqtë e mikeshat që kishin qenë në promovim, nëse ishin mirë me shëndet. Kështu tani gëzohem që, të gjithë janë mirë, me bekimet e Zotit, sepse me dhjetra kanë vdekur e gjendja në botë ka qenë katastrofike. Megjithëse dukej e trishtueshme dhe e frikshme, sepse pati marrë shumë jetë njerëzish, gjë që e bëri prespektivën të dukej e errët, unë gjithmonë isha optimiste e mendoja se, gjithmonë ka dritë në të gjithë këtë errësirë, sepse pas natës, gjithmonë vjen ditë e dielli do të ndrijë!
Po ku është dielli sot? Vite më parë si sot në 15 Maj kemi festuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes, me veprimtari të ndryshme, që të tregojnë rëndësinë e familjes dhe proceset shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin ato, por këtë vit është ndryshe për shkak të pandemisë Covid-19. Por pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Familjes që ka qellim të promovojë familjen dhe vlerat e saj, barazinë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë, për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin, më bëri të reflektoj për komunitetin tonë të ndarë më dysh. Janë firmosur peticione pro dhe kundër prishjesh së Teatrit Kombëtar.
Sa keq, gjithmonë të ndarë ne shqiptarët! Mos na e ka fajin shqiponja me dy krena, që njera sheh majtas e tjetra djathtas?! Mendoj se godina e Teatrit Kombëtar duhet të ruhet e restaurohet dhe jo të shembet! Zëri Evropian i shoqërisë civile i përkushtuar ndaj trashëgimisë kulturore dhe natyrore – dhe organizata partnere e saj, Instituti Evropian i Bankës së Investimeve, kanë njoftuar 7 monumentet dhe vendet e trashëgimisë më të rrezikuara në Evropë për vitin 2020: I pari në listë është Teatri Kombëtar i Shqipërisë.
Sepse është një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane nga vitet ’30, e cila është një nga qendrat më të spikatura kulturore në vend, që përballet me kërcënimin e menjëhershëm të prishjes.
Në këtë kohë kur ne po dalim nga Covid 19 të rraskapitur ekonomkisht, pse të mos pranojmë të rikonkunstruktohet, kur kemi edhe ndihmë nga Europa Nostra, por duhet të shembet dhe të shpenzohen miëjarda për ndërtimin e një teatri të ri? A dëgjohet zëri i qytetarisë?
Moto e punës sime mbetet thënja e zj. Hilari Klinton: “Liria dhe përparimi nuk kanë lindur nga heshtja”. Pra të mos heshtim! Zëri ynë duhet të dëgjohet! Unë kam zgjedhur të vrapoj nëpër rrugët e jetës, ndonjëherë edhe të pakuptimta, të shoh gjurmë të padukshme, ndoshta edhe të çoroditura e të meditoj pas gjithçkaje që kam lënë pas. Më pëlqen ta sfidoj lexuesin, duke bërë që poezia t’u hyjë nën lëkurën e shpirtit dhe të ndikojë me magjitë e saj. Poezia është mburoja ime kundër shëmtisë së kësaj bote. Ajo transformon të gjitha këndet e pjerrëta dhe filtron të gjitha pasojat e zilisë e keqdrejtimit.
Si qytetare europiane dhe banore e Europes mendoj se kam të drejtë të ruaj dhe të mbroj pasurinë kulturore dhe identitetin kombëtar, pjesë e së cilës është edhe Teatri Kombëtar. Si “Ambasadore për Paqen” gjithmonë jam motivuar nga parimi hyjnor “Të jetosh për të ndihmuar të tjerët”. Ndaj ftoj gjithë qytetarët e veçanërisht shoqërinë civile të respektojë qytetarinë europiane në zbatim të vlerave karakteristike, si: tolerancën, barazinë, respektimin e ligjit dhe paqes. Për hir të identitetit tonë kombëtar, të bashkohemi pa dallime politike, ekonomike e sociale e të jemi krenarë për Shqipërinë tonë!
Në çdo hap të zbatojmë thënien e Shën Nënë Terezës: “Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por punë të vogla, me dashuri të madhe”.