Frank Shkreli: USHTRIMI I GAZETARISË SË LIRË NUK ËSHTË KRIM-30-VJET ZHGËNJIM!
“Jam betuar të mos heshtë, kurdoherë që njerëzit kudo durojnë dhe pësojnë vuajtje e poshtërim”, ka thënë i ndjeri Elie Wiesel, njëri prej mbrojtësve më të njohur të drejtave të njeriut dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe. “Ne duhet patjetër të mbajmë një qëndrim në mbrojtje të së vërtetës. Qëndrimi indiferent ndihmon vetëm shtypësin dhe kurrë nuk është në favor të viktimës. Nganjëherë duhet patjetër të ndërhyjmë. Kur rrezikohet jeta e njerëzve dhe kur është në rrezik dinjiteti njerëzor, kufijtë kombëtarë dhe ndjenjat personale nuk kanë asnjë rëndësi më. Kurdoherë që burra e gra persekutohen në një vend të botës për arsye politike, racore ose fetare – në atë moment – ai vend duhet të bëhet qendra e universit tonë”, ka thënë Elie Wiesel.
Kjo këmishë më poshtë është 30 vjet e vjetër. Ishte një këmishë që Departamenti Amerikan i Shtetit vuri në qarkullim në atë kohë për të shënuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, marrëdhënie që ishin ndërprerë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për pothuaj 50-vjet komunizëm, si dhe pjesëmarrjen e delegacionit të parë amerikan në Shqipëri në zgjedhjet e para pluraliste. E ruaj gjithnjë këtë këmishë megjithëse e grisur. Madje e kam vendosur në një kornizë, si kujtim i një ëndërre dhe një shprese të dikurshme. E ruaj si kujtim të realizimit të ëndrrës së një pjese dërmuese të shqiptarëve me rastin e shembjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, si një simbol kur shqiptarët filluan të merrnin frymë lirisht, pas pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Ashtu mendonim atëherë. Ndoshta ishim naiv.
E ruaj si kujtim shprese e periudhës Mars-Prill i vitit 1991. Them si kujtim shprese sepse për herë të parë në Tiranë gjendej një delegacion zyrtar i Shteteve të Bashkuara, më pak se dy javë pasi ishte nënshkruar në Washington protokolli për rivendosjen e marrëdhënive diplomatike midis dy vendeve. Ndërsa shetisnim mbrëmjeve në Sheshin ‘Skenderbej’, vihej re një atmosferë entuziazmi dhe shprese për ndryshim. Në veshët tanë brohorisnin thirrjet e rinisë shqiptare: “Liri Demokraci” dhe parullat, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, e të tjera parulla të tilla pro-perëndimore; ato i shikoje të varura kudo në rrugët e Tiranës dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Këmisha përkujtimore e asaj ngjarjeje me rëndësi – e kthimit të madh historik — në fillim të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 30-vjet më parë, kujton periudhën Mars-Prill, 1991 të qëndrimit tonë në Tiranë dhe pjesëmarrjen tonë, si vërejtës zgjedhorë (election observers) në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri: “Votoni Për Ne”, nuk ishte thirrje që shqiptarët të votonin për ne, sepse ne nuk ishim në listën e kandidatëve, por do u jepte mesazhin shqiptarëve, që të votonin për kandidatët që shpreheshin në mbështetje të lirisë, përfshirë lirinë e shtypit dhe zhvillimeve të reja demokratike në vend. Që të votonin, pra, për vlerat amerikano-perëndimore, për lirinë e fjalës dhe të shprehurit, si një prej parimeve më të shtrenjta të demokracisë amerikane dhe perëndimore.
Fatkeqësisht, mesazhi i para 30-viteve në këtë këmishë – mesazhi i realizimit të ëndrrës së shembjes së komunizmit dhe i kujtimit të shpresës se, më në fund, ditë më të mira e prisnin Kombin shqiptar — sot është kthyer në një zhgënjim të vërtetë. Lista e arsyeve për zhgënjimet e mia, ashtu si edhe për shumë shqiptarë — brenda dhe jashtë Atdheut –me politikën shqiptare është e gjatë. Ata që mund të kenë ndjekur kontributin tim modest në publicistikën shqiptare gjatë viteve, mund të kenë venë re përqëndimin tim, ndoshta të tepruar sipas disave, mbi domosdoshmërinë e lirisë së vërtetë të shtypit për një shoqëri vërtetë demokratike sidomos në vendet post-komuniste në tranzicion.
Prandaj nuk po më durohet pa shprehur zhgënjimin tim të radhës ndaj vendimit të marrë, ditë e fundit, nga autoritetet e qeverisë shqiptare, për të goditur me një tjetër ‘grusht në hundë’ lirinë e medias në Shqipëri edhe ashtu të plagosur rëndë, tanimë nga masat arbitrare të qeverisë shqiptare. Televizioni Ora NEWS, një prej zërave të fundit kritikë ndaj qeverisë Rama, ka marrë urdhër nga autoritetet për mbylljen e aktivitetit, një vendim ky që siç duket u tërhoq më vonë, por ORA NEWS nuk u nda pa një gjobë të rëndë nga autoritetet, me arsyetimin se në disa emisione të këtij televizioni nuk ishte zbatuar urdhri për praninë në studio të jo më shumë se dy personave. Për mua nuk duhet të ketë asnjë arsyetim që justifikon urdhërin për mbylljen e aktiviteteve të medias, qoftë gazetë, revistë, portal a po televizion. Raportohet se ky udhër, që u cilësua nga drejtuesit e televizionit ORA, si një “skandal dhe i paprecedentë”, është kritikuar rëndë nga organizatat e gazetarëve dhe nga disa personalitete të politikës shqiptare, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, Z. Meta.
Ndërkaq, nuk kam parë ndonjë reagim të fortë nga pranitë diplomatike ose nga “ndërkombëtarët” e vendosur në Tiranë ndaj kësaj masakre të fundit të lirisë së medias në Shqipëri. Ka ardhur koha që ju si përfaqësues të vlerave perëndimore dhe si mbrojtës të lirisë së medias, të hiqni dorezat dhe të largoni maskat diplomatike kur flisni për lirinë e medias në Shqipëri. Fjalët nuk mjaftojnë më! https://telegraf.al/politike/mbroni-lirine-e-medias-te-nderuar-ambasadore/ Në fund të fundit, duhet parë se kemi të bëjmë me një vend–ku liria e shtypit dhe e fjalës së lirë në Shqipëri gjendet përballë një rreziku të madh— e për më tepër kemi të bëjmë me një vend i cili si shtet që kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, duhet të jetë shembull i ushtrimit të liriës së media dhe jo shkelës brutal i saj. Ironia e kësaj situate është se OSBE-ja është një organizatë, për të cilën liria e medias me statut, është ndër të drejtat më thememlore që duhe të mbrojë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.
Shpresa e një shiptaro-amerikani e 30-viteve më parë — se me shembjen e komunizmit, njëra prej lirive bazë të njeriut — liria e vërtetë e fjalës dhe e medias në Shqipëri — po zhduket. Televizioni ORA news është ndër mediat e pakta kritike ndaj qeverisë, që përpiqen të ruajnë sadopak një pavarësi nga qeveria dhe nga njerëzit e saj. ORANews, me disa media të tjera si motra të pavarura është e mbërthyer në një luftë të ashpër dhe të padrejtë me autoritetet qeveritare, si –Davidi me Goliatin – në mbrojtje të së vërtetës dhe të lirisë së fjalës, siç tregon edhe urdhëri i fundit i qeverisë Rama, fillimisht për të mbyllur, e pastaj për të gjobitur televizionin ORA NEWS.
Kërcënimet, frikësimet, gjobat dhe urdhërat për mbyllje të aktiviteteve legjitime gazetareske të një televizioni nga autoritetet e qeverisë shqiptare, siç është rasti i fundit i ORA News – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — janë shkelje të rënda të ligjeve vendase dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare nga autoritetet shqiptare, nënshkruese e të cilave është edhe Shqipëria. Për më tepër, heshtja flagrante e ambasadave perëndimore dhe përfaqësuesve të tjerë perëndimorë në Tiranë, ndaj këtyre shkeljeve të pashembullta të lirisë së medias në një vend të NATO-s, siç janë sulmet kundër ORA NEWS në Shqipëri, është e papranueshme dhe e patolerueshme, 30-vjet pas thirrjeve të shqiptarëve për “Liri, Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Është koha për të qenë seriozë në mbështetje të lirisë së vërtetë të medias në Shqipëri, të nderuar diplomatë: si përfaqësuesë të atyre vlerave perëndimore të lirisë e demokracisë, nëqoftëse vërtetë mendoni se ato vlera duhet të jenë edhe vlerat e Shqipërisë post-komuniste, demokratike dhe të shqiptarëve të lirë në shekullin XXI!
Një prej këtyre vlerave është liria e shtypit! Ushtrimi i profesionit të gazetarit nuk guxohet të konsiderohet si krim, në një vend anëtar të NATO-s dhe në një vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Europian. Mos HESHTNI përball këtyre shkeljeve flagrante të lirisë së shtypit dhe të medias në Shqipëri. “Jam betuar të mos heshtë, kurdoherë që njerëzit kudo durojnë dhe pësojnë vuajtje e poshtërim”, ka thënë i ndjeri Elie Wiesel, njëri prej mbrojtësve më të njohur të drejtave të njeriut dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe. “Ne duhet patjetër të mbajmë një qëndrim në mbrojtje të së vërtetës. Qëndrimi indiferent ndihmon vetëm shtypësin dhe kurrë nuk është në favor të viktimës. Nganjëherë duhet patjetër të ndërhyjmë. Kur rrezikohet jeta e njerëzve dhe kur është në rrezik dinjiteti njerëzor, kufijtë kombëtarë dhe ndjenjat personale nuk kanë asnjë rëndësi më. Kurdoherë që burra e gra persekutohen në një vend të botës për arsye politike, racore ose fetare – në atë moment – ai vend duhet të bëhet qendra e universit tonë”, ka thënë Elie Wiesel.
Të nderuar diplomatë perëndimorë në Tiranë – për ju si përfaqësues të vlerave perëndimore në atë vend, si rrjedhim i krizës aktuale politike, Shqipëria duhet të bëhet për ju — sot për sot — qendra e universit të veprimit tuaj diplomatik. Mos HESHTNI, ju lutem, por mbroni vlerat perëndimore në Shqipëri, sidomos lirinë e shtypit para se të bëhet vonë — ashtuqë shqiptarët të mos humbasin krejtësisht shpresën e 30-viteve më parë, për liri e demokraci të vërtetë në vendin e tyre – dhe që ju të mos humbni kredibilitetin si shpresa e fundit e tyre. PLEASE DON’T BE SILENT BYSTANDERS! Në bazë të vlerave perëndimore, gazetaria nuk është krim. Mbrojeni, pra si një vlerë perëndimore në Shqipëri — jo me deklarata boshe, por me vepra!