Shqiptari që jeton me gjarpërin!
Shkruan Edmond Kaceli, Itali
Qëndrim Saqipi, Kamenicë, Kosovë: Kam jetuar me dy gjarpërinj helmues e tash jetoj me një piton!
Është vetëm 28 vjeç dhe i pëlqen të jetojë me kafshët e egra!
Ka lindur në Tripoli, Libi, djali i dy prindërve shqiptarë, nga Kamenica, Kosovë. Është larguar nga Libia në momentin kur atje filluan trazirat dhe revoltat kundër regjimit të kohës!
Atje jetonte në shtëpi me dy gjarpërinj të rrezikshëm helmues, duke i mbajtur brenda banesës. Ndërsa kohët e fundit, i kthyer në Kamenicë, ka preferuar të ndërrojë gjarpërinjtë helmues me një gjarpër piton që është ndër reptilët e preferuar të njeriut për tu mbajtur në kushte shtëpie.
Pasioni për natyrën, dhe jetën me gjallesat e egra e ka zhvilluar qysh kur ai dhe familja e tij jetonin në Libi. Një minzoo në shtëpi! Dy gjarpërinj helmues të llojit gjarpër me zile dhe nepërka dybrirëshe, (një gjarpër helmues tipik i shkretëtirës), një lloj hardhuce e madhe e njohur me emrin dhaab, dhe nje breshkë, i kanë bërë shoqëri gjatë viteve të fëminisë.
Në Libi ka studiuar, në vitet e shkollës, gjuhën arabe, dhe angleze. Ndërkohë flet, përveç gjuhës shqipe, edhe gjermanisht.
Me shaka thotë se “Në gjuhët e huaja më të vështirë kam shqipen!” Në fakt ka filluar të studjojë gramatikën e gjuhës shqipe, në të cilën ka mjaft vështirësi drejtshkrimore”.
28 vjeçari nga Kamenica është ndër fotografët e spikatur të grupit Wildlife Albanian Photographers, që në rrjetin social FB numëron mbi 15 mijë anëtarë aktivë! Qëndrimi njihet si mjeshtër i detajeve në këtë zhanër fotografie.
Nepërka me brirë credit Qendrim Saqipi
I pasionuar ndaj natyrës dhe jetës së egër, ka zhvilluar edhe pasionin fotografit të jetës së egër.
Gjithashtu i pëlqen të udhëtojë në këmbë nëpër zonat malore të trojeve shqiptare, i vetëm ose në grup. Ecja nëpër male (hiking) është një ndër displinat që vitet e fundit ka afruar më shumë njeriun me natyrën.
Qëndrimi thotë: Trojet shqiptare për mua janë të shenjta! Nëse janë të shejta edhe për ju atëherë për çdo veprim që bëni ju lutem të mendoni dy herë! Ndjehem keq kur shoh mbeturina rrugës të hedhura pa pikën e turpit (derisa 3-4 hapa më larg gjendet nje kosh i mbeturinave). Ndjehem keq kur shikoj djegien e papërgjegjshme të pyjeve! Djegia e pyjeve është një krim kundër vetes!
I njëjti mendim shkon për pasurinë e pamasë që ofron natyra e egër shqiptare!Shoh shpesh shumë persona duke mbytur kafshë, pa asnjë arsye! Për shembull, pas asnjë arsye ka njerëz që mbysin gjarperinjtë të cilët nuk janë agresiv, edhe kur nuk janë as helmues! Për çfarë arsyeje i mbytni kur mund t’i kapni dhe t’i dërgoni në malet më të afërta duke marrë parasysh se edhe ata kanë dobi për natyrën, – vijon ai.
Dhelpra e kuqe credit Qendrim Saqipi
Qëndrim Saqipi, fotografi wildlife, dhe i dashuruar pas natyrës së trojeve shqiptare, thotë: Nuk dua të bëhem i famshëm përmes fotografisë, por nëpërmjet fotografisë thjeshtë kam zgjedhë rrugën për t’iu treguar njërëzve bukuritë e jashtëzakonshme që shfaq dhe fsheh natyra në përgjithësi, e natyra e egër e trojeve shqiptare në veçanti!Ndër momentet më të bukura të pasionit Saqipi, veçon fotografimin e nëpërkës (vipera amodytes) në vitin 2016, identifikuar e fotografuar në Karaqevë, Kosovë; fotografimin e ujkut në vitin 2017, në lartësinë mbi dy mijë metra në bjeshkët e Kosovës; si dhe fotografimi e filmimi i dhelprave në habitatin e tyre natyral në vitin 2019.