Albspirit

Media/News/Publishing

Adrianos Gizelis: Krijimi është përcaktimi im!

Sendet - Vlera Personale... — Albmendimiarts.com

Sabina Darova

 

 

 

Intervistë eksluzive me artistin Adrianos Gizelis: Krijimi është përcaktimi im. Lumturia (Felix) dhe dashuria mund të triumfojnë mbi mosbesimin!

 

Image may contain: 1 person, standing, sky and outdoor

 

Kush është Adrianos Gizelis, (Adrian Gjyzeli shqiptarizuar në kohën e Diktaturës komuniste), apo Felix Twen, emri në art?

 

Është kujtesë, mendim, frymëzim. Qëllime të thjeshta njerëzore.

…I lindur në Kurbnesh të Mirditës, në një shtator të acartë, vitesh pastrimesh politike.

Prindërit e mi se bashku me familjet e tyre, u njohën në internim, pas shpërnguljeve  të vitëve 60’.  Në atë kohë babai  im studionte fillologji ruse dhe përgatitej për vazhdimin e studimeve në Leningrad, ndërsa nëna ime banonte në Elbasan. Pjesën tjetër të internimit e kryem  fillimisht në Thumanë dhe më pas në qytezën e vogël të  Fushë-Krujës. Mbarova Politeknikumin në Tiranë. Refuzova të ndiqja studimet në inxhinierinë mekanike në universitetin  e Tiranës. Përfundova dy vite në degën juridike në Elbasan. Pothuajse këtu e 31 vjet, banoj në Athinë. Dhashë provime në degën e filozofisë klasike të universitetit të Athinës. Për arësye ekonomike nuk munda të përfundoj studimet. Kjo është periudha e formimit në filozofinë antike greke, kryesisht në filozofinë platonike.

Image may contain: drawing

Përse keni zgjedhur të prezantoheni në publik me pseudonim? 

 

Zgjodha pseudonimin Felix për dy arësye: e para ka të bëjë me realitetin dhe iluzionin. Në art jemi edhe dikush tjetër, tejkalojmë vetveten. Në një farë mënyre jemi shprehje të një lloj idealizmi platonik. Ajo që jemi dhe ajo për të cilën krijohemi.

E dyta, ka të bëjë me mënyrën si ta sjell jeta. U mbusha me mosbesim. Si të thuash, shpreh një lloj revolte – përderisa nuk pranuan  të më njihnin ashtu si jam, mundem të rikrijoj vetveten.

Krijimi është përcaktimi im. Lumturia (Felix) dhe dashuria mund të triumfojnë mbi mosbesimin.

Image may contain: cloud, sky and outdoor

Jeni piktor, fotograf dhe lëvroni edhe poezinë. Të treja kanë një kapacitet e mprehtësi intelektuale për të shprehur një kombinim të ndjenjës dhe hapësirës. A mundet të na flisni si kanë lindur dhe janë zhvilluar tek ju në kohë?

 

Origjina e familjes ndikon pa dyshim në cilësitë që zgjedh në jetë. Nga kjo trashëgova ndjenjën e së bukurës, të artistikes që forcohet përmes vështirësive dhe përmes përjetimeve personale. Mendoj që u rrita në mënyrë artistike. Jetoj në brendësinë time, pikturën, poezinë, vizionet fotografike. U edukova me principet e filozofisë platonike në raportet  që përcaktojnë të bukurën. Kjo vihet re në më të shumtën e poezive që shkruaj.

No photo description available.

Çfarë përfaqësojnë për ju Shqipëria dhe Greqia?  Si ka ndikuar bota antike në artin modern?

 

Përfaqësojnë vendlindjen që nuk e zgjodha dhe origjinën, që gjithashtu nuk e zgjedh. Përsa i përket botës antike dhe ndikimit të saj, mendoj që mendimi njerëzor në antikitetin grek, njohu shprehjen më të larte, si edhe arti në tërësi, poezia, teatri etj.

Antikiteti është origjinaliteti i njerëzimit, të tjerat janë përpjekje për t’ju afruar…

No photo description available.

Ju i përkisni një familje me emër, e cila ka pësuar një sërë internimesh dhe pushkatimesh nën sistemin e egër komunist. Keni përjetuar dhunën, urrejtjen dhe përçmimin. Si janë përcjellë dhe trasformuar kjo pjesë të dhimbshme e rinisë suaj në jetën artistike? Arti e ndryshon njeriun?

 

Nuk do doja të thellohem në përmasat politike. Kujtesa ime ruan dashurinë e njerëzve të thjeshtë. Në Mirditë dhe në Krujë. – mbaj mend në shkollë që nuk pranuan të më jepnin dëftesë lavdërimi, (atëhere e përfitonin nxënësit me rezultatet më të mira), sigurisht, për arësye politike. Mësuesi im i paharruar, Isufi, protestoi në drejtori dhe ju përgjigjën që nuk munden ta ndryshojnë…

Erdhi tek unë dhe më tha: – Shkruajta në dëftesën tënde që je i përsosur. Nuk kam njohur nxënës më të plotësuar se ty. Ruaj ende dëftesën dhe përqafimin e mësues Isufit. Profesori kishte studiuar në Itali përpara vitit 1944. Vështirësitë e mia personale dhe familjare, nuk më bënë antikomunist. Besoj në revolucionin. E vërtetë, në një të ardhme njerëzore me vyrtyte, por, si atëhere edhe tani, mbetem kundërshtar i çdo pushteti të dhunshëm. Arti nuk e ndryshon njeriun, as ka fuqi të zhdukë padrejtësinë. Ajo që bën, është të japë nismën për qëllime më të larta, të të bëjë me të vërtetë më guximtar!

 

A ekziston censura dhe autoçensura në art sot?

 

Për sa ekziston arti, ekziston edhe censura. Politikanët nuk janë artistë dhe artistët nuk janë politikanë. Është çështje filozofike që nuk mund ta shtjellojmë me pak fjalë.

 

Cilët kanë qenë autorët që ju kanë bërë guidë në edukimin artistik gjatë rinisë?

 

Pyetje e bukur… I pari që ndikoi ishte babai im, Vasil Gjyzeli, i cili ishte poet. Këtu në Athinë ka botuar disa vëllime poetike në greqisht. Më i dashuri shkrimtar për mua është Anton Çehov, stili i tij i veçantë, thjeshtësia, teatri i tij. Tregimet e para i kam shkruar nën ndikimin e Çehovit.

Bertold Breht, gjithashtu. Fillimisht poezitë. Në ato  kohë ishte përkthyer një përmbledhje me poezi.

Lui Aragon. Në bibliotekën e babait kishim vepra të plota në rusisht. Kam provuar të shkruaj poezi në gjuhën ruse (tani e kam harruar pothuajse).

Por, vepra më entuziaste për mua ka qenë  Iliada e Homerit. Ekzistonte një perkthim shume i bukur në shqip, me bazë përkthimin e Iliadës nga Naim Frasheri.

No photo description available.

Në një kohë krizash dhe surreale më së fundi në të cilën po jetojmë, shumë artistë janë nxitur në krijimtari. A ekziston një filozofi politike që i shtyn të kombinojnë të përkohshmen në art? 

 

Krizat dhe vështirësitë janë ushqimi i artistëve. Shumica shkruajne e krijojnë kur ndjehen keq, kur  provojnë dhimbje. Do t’më pëlqente të shkruanim më tepër nga gëzimi. Është më i vërtetë se dhimbja.

Mendoj që ëdhë arti vetë është në krizë dhe nuk duket rrugëdalje. Mungojne idetë, mungon utopia. Që të shkruash duhet të jesh idealist, të mendosh të pamundurën, të thyesh rregullat. Dhe kryesisht, të krijosh për të tjerët, jo për vetveten.

Çështje e ndërlikuar. Unë vetë jam autodidakt, më pëlqen kjo gjë dhe ndoshta më është më lehtë të mbështes këto pikëpamje.

 

 Greqia ka qenë vendi i parë në të cilin u larguan shumë artistë shqiptarë. A ekziston ndonjë formë bashkëpunimi mes tyre dhe si?

 

Nuk jam në gjendje të përgjigjem, sepse nuk njoh mirë. Kontakti im  është vetëm këto dy vitet e fundit, kur krijova profilin në facebook. Vetëm mund të them që kam njohur dhe lexuar poetë të shkëlqyer, të cilët në kujtesën time i veçoj. Mund të jenë të njohur dhe në poezinë europiane… Artistët kudo dhe kurdoherë, kanë prirjen të krijojnë klika, qarqe, të funksionojnë në formë diktatoriale. Arti duhet të jetë demokratik, bashkëbisedues. Përpara nesh miliona dhe pas nesh, miliona të tjerë do të krijojnë.

 

A mendoni se do ktheheni ndonjëherë në Shqipëri me një ekspozitë?

 

Do të përgjigjem me një parafrazim, një shprehje që përdoret në Greqi për të martuarit: “piktura është e dashura ime, ndërsa poezia është bashkshortja”. Nuk di a do më lejojë bashkëshortja të ekspozoj të dashurën, sepse qëllimi im i vërtetë është filozofia që përmbledh arritjet njerëzore.

Please follow and like us: