Albspirit

Media/News/Publishing

Brengat shqiptare të Arbëreshëve, Çamërisë dhe Luginës së Preshevës

Risitë e një libri për brengat shqiptare të Arbëreshëve, Çamërisë dhe Luginës së Preshevës të Mustafa Ismailit

Albert Zholi: Konica, Negovani dhe gjuha shqipe e deformuar ...

Albert Z. ZHOLI

(shkrimtar-publicist)

Libri i ri tri reportazhe:

–         Mes mallit dhe magjisë së arbëreshëve të Italisë   

–         Kur shijova nga afër lotin e hidhur të Çamërisë

                        

 Lugina e Preshevës dhe dëbimi i banorëve autokton nga trojet e të parëve

Reportázhi është një përshkrim publicistik për veprimtari, ngjarje, etj, nga jeta e përditshme, të cilat gazetari i ka parë dhe i ka prekur vetë. “Reportazhi është forma më e bukur, por njëkohësisht edhe më e ndërlikuar e gazetarisë në të cilën ngjarja rrëfehet përmes tregimit. Nevojitet përgatitje serioze, shumë mund, pjesëmarrje në ngjarje, vrojtim i të gjitha detajeve, njohuri enciklopedike… e vendosin në paraliteraturë, dhe është vulë personale e gazetarit në bazë të së cilës edhe pa nënshkrim lexuesit e dallojnë stilin e tij.”- shkruan Aleksandar Pisarev. Që në rininë time kam lexuar reportazhet e Dritëro Agollit dhe Xhevahir Spahiut. Reportazhet e  tyre poetike më mbërthenin dhe linin gjurmë në mendimin tim. Ja tashmë jam përpara tri reportazheve të autorit Kosovar, Mustafa Ismaili. Tri  reportazhe, për tri krahina krejt të veçanta, për tri nga dhimbjet më të mëdha të kombit, arbëreshët e Italisë, Çamërinë dhe krahinën e Luginës së Preshevës. Të parët të shpërngulur 600-vjet më parë në jug të Italisë pas vdekjes së  Skënderbeut, Çamëria në mënyrën më absurde e ndarë nga trungu mëmë në mënyrën më të padrejtë sipas interesave të Fuqive të Mëdha dhe ndikimit të shovinizmit grek, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës u shpërngulën një shekull e më parë në Anadoll e gjetiu. Pse ka qenë kaq i interesuar për këta banorë dhe treva shqipfolës autori?! Ai thekson se nga natyra është kureshtar të njohë çdo komunitet, çdo lëvizje shqiptare emigratore dhe çdo  krahinë shqiptare të lënë në mënyrë të padrejtë jashtë trungut Amë. Misterioziteti shkakton kureshtje dhe kurioziteti është baza e dëshirës së njeriut për të kuptuar. Kur jeni kurioz, gjeni shumë gjëra interesante për të bërë. Njerëzit me fantazi janë zakonisht kurioz dhe marrin nisma deri diku “aventureske” siç do ti lexoni vetë në reportazhet e mëposhtme. Por në këtë rast “aventurat”  janë në emër të kombit.

Reportazhi i parë për arbëreshët e Italisë

Një histori e madhe, një histori ku fshihen 600-vjet. Siç thotë autori këtu nuk jemi në tokë shqiptare, por ndihemi si të jemi në atdhe…. “Jemi në Kalabri, aty ku 50 katunde, prej më shumë se 600 motesh, janë shqiptare, më shumë sesa italiane. Duket se jemi në Arbëri, e këta janë arbër. Edhe vetë italianët e kanë pranuar, sot e asaj dite, se ato zona janë arbëreshe”! Kanë gjuhën, besimin dhe kulturën krejt unike. Autori në këtë reportazh jep me detaje, fshatrat, njerëzit, rrugët, lokalet, bimësinë, ambientin, pozicionin gjeografik, numrin e popullsisë, zakonet, traditat, mënyrën e pritjes, stilin e ndërtesave, ruajtjen e gjuhës, etj. Edhe pse kanë kaluar shekuj nga vendosja e tyre aty në veri të Italisë nga shteti i atëkohshëm, në një zonë të lënë pas dore, arbëreshët janë aty, mirëfilli shqiptarë, në doke, gjuhë, zakone, veshje dhe sjellje. Aty gjendet gjithë shqiptaria, ngado ta marrësh; aty gjenden gjurmët e identitetit tonë, pa ndasi e parti, pa mëri e armiqësi, por përcjellës të denjë shqiptarie që nuk njohin mërinë e politikës. Sapo vë këmbën në tokën Kalabreze apo në çdo fshat të saj, ke ndjesinë se diçka të përket prej saj, thekson autori. Shumëçka prej kësaj toke, të mban të lidhur pazgjidhshmërisht me të dhe fatet e saj. Mes tyre mëson se ata ndihen krenarë për rrënjët e tyre, të përmalluar për tokën e etërve, gjuhën e zakonet e të cilëve i trashëguan, si një nevojë e fortë për të mbijetuar dhe jo vetëm, por edhe për të ekzistuar si një “komb”. Vazhdojnë të jenë se e duan fort të bashkuar, të etur për të mësuar të rejat e gjuhës shqipe, se vetëm duke qenë ashtu dhe aty e ndjenë se sa e fuqishme dhe hyjnore ka qenë dashuria e tyre për kombin e gjuhën, elementë që asnjë stuhi 6 shekullore nuk ua shkuli dot. Në këtë reportazh gjithsecili do të mësojë detaje historike dhe zakonore që  nuk i ka lexuar apo përfytyruar më parë. Autori është treguar korrekt si në aspektin historik po ashtu edhe në aspektin përcjellës për të qenë i besuar tërësisht te lexuesi i kualifikuar.

Së dyti, reportazhi Çamëria!

Kush është krahina e Çamërisë që padrejtësisht ju shkëput trungut amë? Një vend i begatë. Një natyrë përrallore ku zoti është treguar shumë bujar. Kur e shikon nga lart duket si një kopsht përrallor i papërshkruar. Si zor të gjesh një krahinë dytë në krejt Ballkanin si ajo e Çamërisë. Nëse hyjmë në histori kjo tokë magjike është vendi i mbretëreshës Olimbi, nënës së Aleksandrit të Madh, por edhe i Pirro Burrit, mbretit të shquar të Epirit, i Gjin Bue Shpatës dhe i Pjetër Loshës që dominuan në mesjetë. Për më tej Çamëria është vendi i Hasan Tahsinit, i Abedin Dinos, i Muharrem Rrushitit, por edhe i Bilal Xhaferrit e sa e sa martirë të tjerë që bën aq shumë për Shqipërinë. Çamëria është perla e Jonit, valët e të cilit prej më shumë se një shekulli rënkojnë thellë se janë ndarë nga trungu amë. “Çamët, një popull trim e fisnik, që ka provuar dhunën e pushtuesve turq e genocidin fashist grek deri në ikjen e dhunshme nga trojet e tyre shqiptare, ende vuajnë padrejtësitë që janë bërë në kurrizin e tyre. Ndonëse përballë një fati tragjik, ata kurrë nuk e kanë harruar dhe nuk reshtën së punuari e luftuari që dita e rikthimit në tokën e tyre të jetë sa më e afërt. Kjo dëshirë që nuk shuhet kurrë por shtohet çdo ditë, është dhe një apel për të ndrequr padrejtësitë ndaj shqiptarëve, një apel për ndërkombëtarët që heshtën përballë fatit tragjik të një populli dje, e nuk po bëjnë atë që duhet bërë sot, që minimalisht, atyre shqiptarëve fisnikë, tu jepen të drejtat elementare të mohuara. Historia e Çamërisë dhe çamëve, është një histori e pasur trimërie e qëndrese, është një histori dhimbje e shprese”…shkruan shkrimtari çam Arben Kondi.  Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaft e begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve. Për të përcaktuar etninë e shqiptarëve të Epirit, në radhë të parë duhen marrë në konsideratë përshkrimet për etnografinë e Epirit. Ato janë publikuar bollshëm, sidomos në fund të shek. XVIII, në shek. XIX e gjatë shek. XX. Kjo gjë mund t’i atribuohet më shumë famës së Ali Pashë Tepelenës si qeveritar i Epirit, vali i Janinës që në vitin 1778. Por fati i çamëve ka qenë çnjerëzor, thekson autori i reportazhit. Pasojat e masakrave të andartëve grekë ndaj minoritetit çam në Greqi historikisht kanë qenë mjaft të rënda. Shifrat e shpërnguljes së popullsisë myslimane çame nga Çamëria, tashmë janë pranuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i refugjatëve çamë të shpërngulur me dhunë nga Greqia gjatë viteve 1944-45 është rreth 25 000 vetë. Të masakruar dhe të humbur gjithsej rezultojnë 2 300 persona, të vdekur rrugëve gjatë largimit për në Shqipëri e zona të tjera numërohen rreth 2 400 vetë. U dogjën tërësisht dhe u shkatërruan mbi 61 fshatra shqiptare të Çamërisë, ku numri i shtëpive të djegura e të plaçkitura shkon në 5800. U rrëmbyen mbi 17 000 krerë bagëti dhe mbi 110 000 të tjera humbën, apo ngordhën. Janë këto arsyet që autori i njeh shumë mirë që e nxitën atë të marrë këtë udhëtim të menduar me vite. Autori është Kosovar dhe bën një paralele mes historisë së Kosovës dhe asaj të Çamërisë. Një fat i njëjtë? Pse historia është treguar kaq brutale ndaj trungut të shqipeve? Ai e shikon Çamërinë si pjesën më të persekutuar por më vitale. Ai befasohet kur në gjithë Çamërinë e kuptojnë por kanë frikë të flasin gjuhën shqipe. Duke e njohur këtë histori të rrallë, autori në reportazh tregohet i vëmendshëm, korrekt, i ekuilibruar, qëmtues, meditues duke vënë në qendër të reportazhit vëzhgimin real të ambientit si dhe mendimin korrekt të intelektualit. Ai nuk shton dhe nuk përcjell fantazi në reportazh, por vetëm saktësi. Ai sa habitet me realitetin po aq zhgënjehet nga persona që tremben ta thonë indetitetin. Por edhe i justifikon disi pasi edhe Asfalia greke ka vepruar ndaj tyre, ashtu si UDB-ja ndaj popullit martir kosovar.

Së treti shqiptarët e Luginës së Preshevës

Fati i shqiptarëve të Luginës së Pershëvës është po aq i dhimbshëm sa fati i banorëve të  Çamërisë. Fat tragjik ku një zonë e tërë e banuar nga shqiptarë tashmë duket e vdekur për shqipfolësit. Sipas autorit: “Ashtu ndodhi edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës që u shpërngulën një shekull e më parë në Anadoll e gjetiu. Në realitet nuk është i vogël numri i atyre që morën rrugën e mërgimit për të siguruar kafshatën e gojës për vete dhe fëmijët e tyre edhe për një jetë më të mirë duke flijuar jetën e vetë. Në realitet, largimi nga vendlindja gjithmonë njeriun e bënë humbës, sepse larg vendlindjes je i humbur  ke lënë mbrapa ato bukuri natyrore, miq, shokë e farefis, ke lënë pjesën e rinisë në vendin e lindjes. Disa kanë sakrifikuar edhe fëmijët e tyre pa i parë me vite të tëra. Sidomos dyndjet më të mëdha u bënë pas masakrave serbo-sllave nga militarët dhe paramilitarët gjatë viteve 1998- 1999 që si pasoj mbetën edhe shumë të zhdukur dhe fati i të cilëve nuk dihet edhe sot e kësaj dite. Por një mënyrë tjetër e ëmbël e emigrimit të luginasve si mundë ta quaj unë është edhe shpërngulja me bashkimin familjar dhe të martesave”…Komenti në këtë rast është i tepërt. Fati i shqiptarëve nuk është varur prej tyre, por nga më të “fuqishmit” që e kanë tradhtuar kauzën dhe ëndrrën e kombit tonë historikisht. Shqiptarët e Luginës gjithmonë janë dhunuar, masakruar dhe  dëbuar nga vatrat dhe tokat  e tyre sistematikisht ndaj autori ndjen dhembje. Një dhimbje loti që i sëmbon në zemër.

Së fundmi…

Në këto tri reportazhe do gjeni një pjesë të vogël, por shumë domethënëse të shqiptarëve në shekuj. Do gjeni një pasqyrë reale dhe plot dhimbje të asaj historie që për shekuj nuk mundnim dot ta preknim, ta shprehnim, apo ta shëtisnim në çdo skaj. Autori me një penë elegante, ka ruajtur ekuilibrat historike, nuk i ka paragjykuar ngjarjet dhe rrethanat, por njëherazi nuk ka mundur të fsheh mallin e madh dhe lotët kur vizitonte këto vende që i kishte ëndërr  ti “pushtonte”. Këto tri reportazhe janë tri mini-monografi për arbëreshët, çamët dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që plotësojnë një pjesë të vogël, por shumë të saktë, të mozaikut të madh të historisë së tyre të lavdishme.

Please follow and like us: