Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Peizazh i trishtë shqiptar…

Image may contain: 1 person, suit and closeup

Bardhyl Berberi
Rrugë e asfaltuar dhe e shkatërruara nga Hec-et që ndërtohen nëpër Mokër dhe të tjera duke u ndërtuar për fushatën elektorale. Disa minimarkete, ndonjëherë edhe supermarket. Disa magazina me materiale ndërtimi, pikë furnizimi me karburant… Mbi 46 fshatra të ngjeshura në gjirin e maleve të Mokrës. Emrat e dikurshëm Sose, Mbaresa, Vajtime i kanë zënë emrat modernë të huaj. Shumica prej fshatrave të braktisur: Zëmca, Jolla, Llënga, Nica dhe shumë të tjera kanë ngelur me nga dy-tre shtëpi që kanë banorë.

Dy a tre restorante, kryesisht për dasma ose mysafirë. Makineri bujqësore që lehtësojnë ose zëvendësojnë punën e krahut, nuk  sheh tek-tuk nëpër ndonjë arë.  ndonjë traktor i vjetër i kohës së diktaturës,  por të  shumtit punojnë si në Mesjetë. Fusha të lëna djerr, zilka dhe këmborë bagëtish, më rrënqethëse se të Naim Frashërit tek “Bagëti e bujqësi”. Depo prodhimesh bujqësore dhe blegtorale. Ata të pasurit e demokracisë janë kthyer në fshatrat e tyre dhe kanë ngritur shtëpi të reja, me kangjella të stilizuara, edhe me basene të kaltra të mbushura me troftë. Mbi portat, shqiponja të stilizuara. Shumë makina, Bensa, Toyota, Mitsubisha… Edhe pse është kohë fushate dhe mbjelljesh, të gjithë moshat i gjen para televizorëve që ndjekin telenovelat turke. Një nënë i thërret vajzës të mjeli lopën dhe delet, por ajo nuk i përgjigjet se po shikon Hyrriemin. Me punë ende  nuk merret njeri, paret që vijnë nga pjestarët e familjes që kanë në emigracion  mjaftojnë sa për t’u ushqyer…, ndërsa për rrobat rroftë ‘Gabi’ që vjen një herë në javë në fshat dhe bën panairin e veshjeve të përdorura.

Pasdite, me kafe dhe pije përpara, të gjithë në kafene. Vetëm meshkujt, kryesisht moshat e reja. Në kafene nuk ka kurrë femër, kurrën e kurrës. Beqare jo që jo, por as grua të martuar, madje as gjyshe. Zoti e di ku i kanë, ku i mbajnë, ku i ruajnë, femrat.

Nëpër rrugët e fshatit sheh nëna dhe baballarë të lodhur, e të sfilitur, lëvizin larteposht me punëra nga më të ndryshmet, mbjellje, korrje, vaditje, prashitje, kullotje, vjelje qershish.

Nënat dhe baballarët që zhdëpin njëri-tjetrin me gënjeshtra duke i thënë se çupa apo djali studiojnë jashtë shtetit. E dinë fare mirë se çupa, pasi ka vajtur Itali ca kohë ka bërë selfie për në Fejsbuk dhe një zot e di se me se merret. Ata ose ato bëjnë punë nga më ordineret, pa kujtuar një takëm tjetër që merren me pisllëqe. Heqja e fashos së pandemisë i ka nxjerrë të rinjtë nga guska e fshatit dhe janë nisur në drejtim të qytetit.

Por ka shumë të rinj që çdo ditë zbresin në qytet që në mëngjes, me veturat e tyre apo me furgona e  pafund. Kafeneritë e qytetit janë plot me të rinj, djem dhe vajza që bëjnë muhabete të çartuna për pasurim të shpejtë, për dallavere korruptive, për pazare droge dhe transporti në vendet fqinje, për shumë euro, udhëtime aventuroze, pushime në hotele të shtrenjta, makina të fuqishme, skafe, jahte, telenovela, telefilma, spektakle televizive me femra me lëkurë të stukuar që të mos duken prej mishi por prej mermeri, dhëmbë porcelani e sy të shqyer, nga cigaret e hashashit. Një grup djemsh nga fshati ishin grumbulluar në qendër të qytetit të Pogradecit, pranë monumenteve të dy gjenive, Poradecit dhe Kutelit dhe po shikonin disa gurë dhe një krrabë shumë të madhe me llastiqe nga ata që vrasin zogj.

-Ç’është kjo, pyet dikush?

-Llastiqe që vrisnim zogj kur ishim të vegjël.

-Ore, ia pret njëri, po këta paskan ikur për lesh. Ne kur na kapnin me llastiqe në shkollë apo jashtë saj na përjashtonin nga shkolla, na quanin rrugaçë.

–Hajde vepra arti, hajde… cili është mesazhi dhe kush është ky gjeni që e ka bërë këtë, – patjetër ndonjë nga fshati që ka nostalgji për llastiqet… Si nuk u vete mendja të vendosnin nositin e Lasgush Poradecit që ushqen me gjak të vegjëlit e tij apo diçka tjetër që lidhet me qytetin turistik…

Kjo është vepër arti për këta kokëboshë. Njerëzit u acaruan dhe kërkuan të lagohen nga lulishtja e monumenteve te trëndafilat. Por i shkulën llastiqet natën dhe i ‘mbollën’ në parkun e madh të qytetit, përballë ish-kampit të punëtorëve…

Këta prindër që nuk interesohen fort për pjellat e tyre në përpjekje për të mbushur boshtin  e edukatës së munguar, janë lëshuar tërësisht në plotësimin e të gjitha tekave të pjellave të tyre zevzeke, sipas filozofisë së pavdekshme shqiptareske “të dali ku të dali”. Prindër që presin mirënjohje nga fëmijët e tyre realisht ngjajnë si fajdexhinjtë që rrezikojnë qëllimisht paratë e veta në mënyrë që të arkëtojnë nesër interesat… Por më kot, mosmirënjoja është përhapur si epidemi. Ka shumë fëmijë që kanë ikur jashtë shtetit, madje një takëm prej tyre kanë ndërruar numrat e telefonit dhe kanë humbur çdo kontakt me prindërit e gjorë.

-Mundohemi, thotë një i moshuar në Mokër, që të bëjmë me fëmijët tanë një kompromis, por  ky kompromis ka një vijë të kuqe se përndryshe shkelet dinjiteti i secilit. Ti e merr në telefon e ai nuk ta ngre telefonin me muaj të tëra.

-Jeta i paska të tëra, thotë një nënë e moshuar. – Ka rënkime, ka lot, ka e ndonjë buzëqeshje kur dëgjon ndonjë lajm për fëmijët apo të dërgojnë diçka të ngrysësh netët e vështira  nga varfëria… Jeta qënka një provë për të fortët… eh dashuria për fëmijët larg atdheut na është kthyer në një ndëshkim.

E ardhmja, profesioni, kurrkund s’duket, as në horizont. Ky është, shkurt, fshati apo qyteti i sotëm shqiptar. Kush nuk e beson, nuk ka sy ta shikojë
celularë, selfie, operacione kozmetike, tymosje hashashi, statuse të rrejshme në Fejsbuk për ta rrafshuar identitetin, ndonjë kafe, po teproi ndonjë lekë ja jep me ndonjë birrë a pije energjike nga ato që t’i zmadhojnë sytë dhe ta çakërdisin mendjen.

Denatyrimi monstruoz po shkakton zbrazjen me shpejtësi të fshatrave drejt qyteteve dhe të krejt Shqipërisë drejt Perëndimit… Të gjithë e kanë mendjen tek data kur del llotua amerikane… Të ikim nga sytë këmbët, hemorragji vdekjeprurëse që po na frikson të gjithë pasi po futemi në kombet me moshë mesatare më të lartë, kur dikur ishim kombi më i ri. Rinia po ikën, intelektualët dhe njerëzit e mençuar janë të vetmit që mund të bëjnë diçka për evitimin e kësaj humnere liberale, që po na sjell një katastrofë… Politika është bërë bajate, askush nuk do të dëgjojë më për politikë apo për zgjedhjet që po afrojnë… Njerëz të zhgënjyer që ndjejnë neveri për klasën tonë politike… Deri kur kështu me një vend që drejtohet nga të paditurit dhe drejtësia vendoset nga më të pandershmit…

Shpresa për Vetingun është kthyer në ëndrrën e një nate vere…

 

 

 

Please follow and like us: