Enver Robelli: Ironia e dr. Branko Horvatit kundër shovinistëve serbë
Nga mesi i viteve 80-të mori hov të ri propaganda agresive e regjimit serb dhe intelektualëve nacionalistë serbë kundër shqiptarëve. Ata akuzoheshin madje për “gjenocid biologjik” në Kosovë – domethënë përmes natalitetit të lartë synohej gjoja krijimi i një Kosove etnikisht të pastër, shqiptare. Në atë kohë ekonomisti i njohur kroat dr. Branko Horvat botoi librin e tij “Çështja e Kosovës” (Kosovsko pitanje), një analizë e detajuar dhe e guximshme kundër propagandës që vinte nga Beogradi. Libri ngjalli debate të ashpra. Lidhur me natalitetin në Kosovë Horvat shkroi me fakte dhe me një ironi therëse si vijon: “Ekspertët e statistikës parashikojnë se popullsia e Kosovës nga 1,76 milionë në vitin 1985 do të arrijë në 2,53 milionë në vitin 2000. Kosova atëherë do të ketë më shumë banorë se Maqedonia, Vojvodina, Sllovenia apo Mali i Zi. Ndërsa në mbarë vendin shkalla e lindshmërisë vjetore është 0,7 për qind, në Kosovë është 2,5 për qind ose tri herë e gjysmë më shumë. Nga kjo nxirren përfundime mbi propagandën e suksesshme irredentiste të lindshmërisë sa më të madhe të fëmijëve me qëllim të krijimit të Kosovës etnikisht të pastër.
Unë, natyrisht, nuk e di se çka mendojnë kosovarët kur bëjnë fëmijë. Por këtë as që duhet ditur. Mjafton analiza e të dhënave statistikore të cilat zbulojnë qëllimet më të fshehta njerëzore. Në të vërtetë përgënjeshtrimi i tezës së lartpërmendur shoviniste është shumë i thjeshtë: të gjitha grupet etnike në Kosovë kanë natalitet të lartë”.
Dr. Horvat si shkak të lindshmërisë së lartë përmend papunësinë e madhe të grave në Kosovë. Nga mesi i viteve 80-të Kosova ishte rajoni i vetëm në Jugosllavi ku pjesëmarrja e grave në jetën aktive (punësim) zvogëlohej. “Kur gruaja mbetet në shtëpi, ajo lind, dhe kështu mbyllet qarku i natalitetit. (…) Aktualisht në Kosovë punojnë përgjysmë më pak gra se në Bosnjë apo Maqedoni, dhe ky dallim është i mjaftueshëm për të shpjeguar dallimet sa i përket shkallës së lidhshmërisë”, shkruante Horvat. Ai bënte dhe një krahasim me Shqipërinë: ndonëse ky vend ishte ekonomikisht më dobët i zhvilluar, numri i grave të punësuara në Shqipëri ishte pothuaj tri herë më i madh se në Kosovë. Në vitin 1981 gratë e punësuara në Kosovë lindnin 2,82 fëmijë, të papunësuarat 5,2. “Në kushtet e pasigurisë ekonomike, familja është një lloj enti për sigurim social”, theksonte dr. Branko Horvat.
Dr. Branko Horvat u lind më 1928 në Petrinja afër Sisakut. Studioi ekonomi, filozofi dhe sociologji. Doktoroi dy herë: në Zagreb dhe në Manchester. Studimet postdoktorale i ndoqi në Londër, në Harvard dhe në Massachusetts Institute of Technology (MIT). Ishte themelues dhe drejtor i Institutit të Shkencave Ekonomike në Beograd. Ka qenë këshilltar për çështje ekonomike i kryeministrave të Jugosllavisë, Turqisë dhe Perusë. Ligjëroi, mes tjerash, analizën dhe teorinë e ekonomisë në këto universitete: në Beograd, Lubjanë, Titograd (Podgorica e sotme), Zagreb, Paris, Cambridge, Yale, Washington dhe në disa universitete të Europës, Amerikës Latine dhe Afrikës. Punimet e tij shkencore u përkthyen në 15 gjuhë. Më 1989 u zgjodh kryetar i UJDI, një nisme intelektualësh nga qendrat urbane të Jugosllavisë, e cila synonte transformimin demokratik të Jugosllavisë, angazhohej kundër luftës dhe për të drejta të njeriut. Horvat vdiq në vitin 2003.