Ymer Çiraku: Një përcjellje te libri “Poezi të zgjedhura” (2003) e Pano Taçit
Ymer Çiraku
IN MEMORIAM
Te njeriu Pano Taçi, gjen njëherësh të shpaloset një gëzim i madh dhe një trishtim po aq i madh – humnerë e vërtetë cfilitëse. Po kështu, edhe në poezinë e tij, i gjen pranë e pranë këto dy përjetime të kundërta, si një kontrast i rëndë dhe i hijshëm njerëzor.
P. Taçi është mbase tek ne nga të rrallët bohemë – në jetë dhe në poezi. Atë mund ta takosh përherë nëpër disa nga kafenetë e kryeqytetit, ku bën kuvendimet e ndezura me miqtë e tij dhe ku shkruan poezitë dhe që i pëlqen t`ua recitojë shumë herë ato – përpara se t`i botojë. Miqtë provojnë kënaqësi nga atmosfera e këndshme, që ai me çdo kusht, përpiqet t`ua ofrojë. Thua se punët e tij, i ka më mbroth se të tjerët. Kur në fakt, është veçse e kundërta. Vjen e vona mbrëmje dhe, kur të gjithë largohen një e nga një drejt konforteve të tyre, ai niset i fundit për në shtëpinë hamoqellë, ku rifillon duelin e gjatë me vetminë. Për të sjellë të nesërmen, sërish ca dromca humori e dromca poezie. Nuk mund të merret fort lehtë me mend se ç`mekanizëm i epshëm shpirtëror mund t`i prodhojë këto farfuritje të holla poetike të tij, në atë sfond mungesash të gjërave, deri nga më të nevojshmet – megjithëse asnjëherë nuk ndihet ankimi lëngonjës për to.
Në poezinë e tij, P. Taçi shfaqet si një kryqtar i dashurisë, në të gjitha rrafshet kuptimore të saj: që nga dashuria për fisin e dheun e të parëve e gjer te ajo e hireve të femrës së drojtur e delikate, apo e hukamave të bashkimit të trupave – në çastet sublime të mëkatit njerëzor. Poetika e dashurisë, mbetet thelbi i kësaj poezie, ku përthyhen e marrin trajtën e vet edhe krijimet polemiste e atakuese me realitetin. Në emër të kësaj dashurie shumëkahëshe.
Në këtë poezi, veli i dashurisë është harmonizuar me ritmin dhe rimat e pasura, që rrjedhin si muzikë e vërtetë, me gjuhën e përkorë poetike – që është qëmtuar plot përkujdesje në brumin e shqipes.
Po sjell këtu një nga poezitë antologjike të poetit, atë me titull “Lodhje e skajshme”, ku besoj se mbetet i pakuptimtë apo i tepërt, çdo koment dhe interpretim spiegues i saj:
E lodha veten
duke u grindur me vete.
Më lodhën miqtë dhe unë miqtë i lodha.
E lodha e më lodhi durimi i kësaj jete.
E lodha cigarin
që sytë m`i nxjerr kolla.
Zemrën e kapita,
ah, zemra më kapiti
Shpresat në radhë
i lodha se më lodhën.
i lodha ëndërrat që më lodhën ç`më desh shpirti,
dashurinë, që m`u tha
fill sapo e mbollën.
Toka në bosht,
u lodh duke u vërtitur.
Hëna e lodhur
çdo natë zbehet më shumë
I lodha e më lodhën dyert
që kam trokitur
të zbusja paksa shpirtin që poshtë më vunë,
e kudo më përzunë.
Dhe udha m`u lodh
dhe fundi pa fund.
I lodha e më lodhën netët pa darkë.
Më lodhën e i lodha trotuaret gjithkund
ku jam endur si një deng leckash pa markë.
Dhe fjala m`u lodh në të plasurën buzë,
dhe buza m`u lodh
nga fjala që s`u dëgjua.
Tani,
buza m`u hiros në vatër pa shpuzë,
në shpellat e gjoksit
murgfjala m`u ngujua.
Kjo botë e lodhur për në çfund na shtegton?
I lodhëm e na lodhin çdo gjë që na rrethon.