Ksenofon Krisafi: Simetria e pamundur mes UÇK-së dhe falangave të Millosheviçit (2)
Ksenofon Krisafi
Pjesë nga “Raporti i Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë, Republika Federale e Jugosllavisë”, i 27 Shtatorit 1999
Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve
Njëzet e dy përqind e incidenteve të raportuara kanë të bëjnë me fëmijët, ndërsa 17.5 përqind e rasteve kanë të bëjnë me dhunën e ushtruar ndaj grave.
Gratë dhe fëmijët ishin viktima të vrasjeve dhe ekzekutimeve. Në veçanti, janë raportuar shumë raste në të cilat gratë kanë humbur jetën si pasojë e vrasjeve pa dallim në turmat e civilëve, ndërsa në disa raste ka ndodhur që gratë ishin përzgjedhur dhe ishin nxjerrë karvani i njerëzve dhe ishin pushkatuar. Në shumë raste ishin marë në shenjë dhe ishin qëlluar fëmijë. Në Kaçanik u vranë djemtë deri 17 vjeç, Në Bela Crkva u vranë nga forcat serbe tre fëmijë, respektivisht gjashtë, katër dhe tre vjeç.
… Djemtë e rinj të dyshuar si pjesëtarë të UÇK-së janë marrë në pyetje, janë torturuar dhe ndonjëherë janë vrarë pa marrë parasysh moshën e tyre.
Katërmbëdhjetë persona të intervistuar folën për përdhunimin e konfirmuar ose të dyshuar dhe për shumë raste të agresioneve seksuale. Duke pasur parasysh mentalitetin e lidhur me dhunën seksuale në kulturën shqiptare, është e arsyeshme të supozohet se numri i incidenteve të kësaj natyre mund të jetë më i lartë se sa rastet që pasqyrohen në raportet publike. Më 30 qershor 1999, në Prishtinë, Komisari i Lartë për të Drejtat e Njeriut u takua me Kryetarin e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. Kryesuesja tha se numri i rasteve të paraportuara të përdhunimit në Kosovë ishte shumë i lartë. Ajo tha gjithashtu se në Kosovë dy forma të ndryshme të përdhunimit ishin të zakonshme: përdhunim biologjik dhe përdhunim me armë dhe si gratë ashtu edhe burrat ishin viktima të përdhunimit para dhe gjatë luftës.
Në disa raste, gratë u përdhunuan në shtëpitë e tyre kur fshatrat e tyre ishin nën rrethim. Në Cirez, ku ishin zhvendosur gra dhe vajza të reja, u morën për një natë nga ushtarët e ushtrisë. Në Vranjevac, një grua u përdhunua në shtëpinë e saj dhe burri i saj u vra, ndërsa përpiqej ta mbronte. Në Koliç, trupat paraushtarake të Arkanit, rrëmbyen një numër të grave gjatë sulmit kundër fshatit. Në Ponesh, paraushtarakët hynë në një shtëpi dhe përdhunuan një grua 20-vjeçare para nënës së saj. Në raste të tjera gratë janë marrë dhe janë përdhunuar nga ushtarët serbë që kanë sulmuar grupet e personave të zhvendosur. Janë raportuar gjithashtu raste të përdhunimit në tren me destinacion kufirin ose edhe në stacionin hekurudhor në Prishtinë… shumë paraushtarakë hipën në tren dhe përdhunuan 10-15 vajza të reja para të gjithëve, duke përfshirë fëmijët e vegjël. Thuhet se një grua u përdhunua nga një ushtar paraushtarak në spitalin e Gjilanit ku trajtohej për plagë të pësuara në një shpërthim granate…
.. Gratë ishin urdhëruar që të zhvisheshin gjatë konfiskimit të sendeve me vlerë dhe iu ishin adresuar me fjalë të ndyra (gjuhë seksuale) dhe hera-herës ishin prekur dhe ngacmuar në mënyrë të palejueshme.
Sipas njoftimeve të shumta, duket se ka pasur sistematikisht raste të gjymtimit të grave, të cilave iu janë prerë veshët dhe gishtërinjtë. Në këtë fazë është e vështirë të përcaktohet nëse ky ritual makabër kishte një domethënie të veçantë ose ishte një akt i thjeshtë sadizmi.
Arrestimi dhe paraburgimi arbitrar
Njëzet e tre përqind e refugjatëve të intervistuar kishin qenë subjekte të drejtpërdrejtë të arrestimit dhe paraburgimit arbitrar. Arrestimet arbitrare dhe paraburgimet kryheshin sipas një skeme të njëjtë në të gjithë Kosovën…
Burrat e moshës ushtarake në mbarë Kosovën shpesh ndaheshin nga familjet e tyre dhe ndaloheshin me dyshimin e thjeshtë se mund të ishin anëtarë të UÇK-së, bashkëpunëtorë të UÇK-së, ose me qëllimin e thjeshtë për të marrë informacion. Në shumicën e rasteve, arrestimet masive të meshkujve vinin pas ofensivave ushtarake serbe kundër fshatrave shqiptare…
… Arrestimet masive të njerëzve u kryen në vendet ku priteshin të kalonin karvanet e rëndësishme… Shumë prej tyre nuk u liruan dhe fati i tyre nuk dihet.
Intelektualë shqiptarë, juristë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, aktivistë, politikanë dhe të tjerë u arrestuan dhe u ndaluan në paraburgim arbitrarisht në të gjithë Kosovën. Disa u vranë në paraburgim, ndërsa shumë të tjerë ende mungojnë, konsiderohen të zhdukur.
Një grup të rinjsh u kapën pas një ofensive kundër një fshati në komunën e Urosevacit (Ferizaj). Burrat u vendosën në punë të detyruar dhe u ndaluan pranë trupave serbe për të shërbyer si mburoja njerëzore. Shqiptarët etnikë thuhet se u përdorën si mburoja njerëzore edhe në fshatin Stutica (Shtuticë), afër qytetit të Glogocit, në mes të prillit. Në disa fshatra në komunën e Vitisë, pati pëshpëritje se disa njerëz ishin mbajtur në “arrest shtëpiak”, si mburoja njerëzore për të mbrojtur automjetet ushtarake dhe tanket serbe. Kolona të gjata me persona të zhvendosur u shoqëruan nga trupat paraushtarake serbe dhe policia nga Mitrovica deri në Shqipëri dhe pastaj disa nga personat e zhvendosur u detyruan forcërisht të ktheheshin mbrapsht në mënyrë që “të mbronin” me trupat e tyre karvanet ushtarake nga bombat e NATO-s.
Tortura dhe keqtrajtimi
Gjashtëdhjetë e nëntë për qind e refugjatëve të intervistuar deklaruan se kishin qenë dëshmitarë të pranishëm ose kishin vuajtur vetë personalisht tortura ose trajtime të tjera mizore, çnjerëzore dhe degraduese nga ana e forcave serbe.
Shumica dërrmuese e rasteve të torturës kryheshin në paraburgim, me qëllim mos nxjerrjen e informatave ose rrëfimeve nga ana e të paraburgosurve… Torturat praktikoheshin në vendet e arrestimit dhe në pikat e grumbullimit, ku personat mbaheshin të ndaluar në pritje të transferimit në një qendër ndalimi ose në një burg… Në fund të majit banorët e Vuçiternës u grumbulluan në një shesh, ku rreth 250 burra u veçuan nga të tjerët dhe u mbajtën në një sallë sportive për tri ditë. Atyre nuk iu dha ushqim dhe ujë, i detyruan të qëndrojnë ulur për 10 orë në shkallare me pjesën e sipërme të trupit të përkulur dhe iu dhanë për të pirë ujë të përzier me naftë.
Shumë refugjatë deklaruan se ishin rrahur egërsisht dhe ishin goditur me shkopinj druri dhe metali në “Ndërtesën 92”, në Prishtinë, në gjymtyrët dhe në veshka … Ata u detyruan të vendoseshin përballë murit me këmbë të hapur dhe goditeshin në organet gjenitale… Disa prej tyre ishin futur në një qeli me ujë të ftohtë deri në gjunjë për një natë të tërë.
Disa nga rastet më të rënda të torturës janë kryer në Ferizaj, në një shtëpi private të përdorur më parë si kafene. Të rinj shqiptarë mbaheshin në bodrumin e shtëpisë dhe herë pas here i ngjitnin në katet e sipërme për t’i marrë në pyetje për aktivitetet e UÇK-së. Disa viktima janë mbajtur për disa ditë në bodrum, të zhytur në ujë deri në gju. Gjatë marrjes në pyetje, ishin rrahur egërsisht me shkopinj prej druri dhe disa prej tyre ishin torturuar me goditje elektrike… Një numër i vogël ekzekutimesh të simuluara iu njoftuan Operacionit të Urgjencës (OHCHR-KEO). Në raste të tjera, konfiskimi sistematik i sendeve me vlerë nga grupet paraushtarake në karvanët e prsonave të zhvendosur (PZHBV-së) shoqërohej nga akte veçanërisht sadiste dhe brutale. Në Grashticë, përmes së cilës 100 mijë njerëz kaluan në mes të prillit, grupe paraushtarakësh i goditnin ata me thika, në krahë apo në këmbë pa dallim, ku të mundnin.
Shkatërrimi i pronës
Pas sulmeve ushtarake, fshatrat me popullsi kryesisht shqiptare u dogjën sistematikisht nga trupat serbe… Së bashku me shtëpitë ata digjnin gjithashtu, hambaret me drithë e me farëra, traktorët dhe pajisjet bujqësore të mbetura në shtëpi. Fshatarët që u kthyen pas tërheqjes së forcave serbe konstatuan bagëti të masakruara ose të zhdukura, ndërsa kafshët e ngordhura ishin hedhur në pus për të ndotur ujin e pijshëm.
Shumë shqiptarëve të Kosovës iu ishin grisur dokumentet personale nga trupat serbe gjatë dëbimit, në pikat e kontrollit policor, në kufi ose gjetkë gjatë kryerjes së kërkimeve nga forcat e policisë, ushtrisë ose forcave paraushtarake. Duket se të gjitha këto akte shkatërrimi kishin për qëllim parandalimin e shqiptarëve që të ktheheshin dhe të rifillonin jetën në vendet e tyre të banimit. Shkatërrimi i pronave dhe i të mirave materiale, me sa duket nuk ishte vetëm një akt vandalizmi, por edhe përpjekje për të zhdukur gjurmat e pranisë së popullsisë shqiptare në Kosovë dhe po ashtu, identitetin e saj kombëtar dhe kulturor.
Konfiskimi i pronës dhe i të mirave materiale
Shumica e personave të intervistuar raportuan gjithashtu se iu ishin konfiskuar pronat dhe të mirat materiale nga forcat serbe…
Policia dhe grupet paraushtarake serbe interceptonin grupe të rëndësishme personash të zhvendosur (PZHBV-ve) dhe i detyronin t’iu dorëzonin atyre paratë, stolitë, sendet me vlerë, makinat, traktorët dhe objekte të tjera të çmuara, nën kërcënimin me armë…
Janë raportuar gjithashtu edhe një numër i vogël rastesh të zhvatjes së parave të shqiptarëve nga ana e serbëve në pikat e kalimit kufitar. Veç kësaj, është vërejtur që shpesh personat e zhvendosur janë urdhëruar të dorëzonin automjetet e tyre para se të lejoheshin të kalonin kufirin. Në disa raste janë konfiskuar edhe dokumentet dhe targat e makinave. Shumë prej makinave ishin çmontuar dhe pjesët e tyre ngarkoheshin në kamionë për t’u shitur diku larg. Atyre iu konfiskoheshin edhe dokumentet personale në pikat e kalimit kufitar.
Shtëpitë shqiptare të braktisura u plaçkitën gjerësisht dhe në mënyrë sistematike duke rrëmbyer prej tyre pasuri të luajtshme dhe pajisje të ndryshme. Ndërsa popullata shqiptare largohej nga fshatrat e veta, këmbësoria serbe plaçkiste shtëpitë e tyre, ngarkonte në kamionë mallrat dhe gjithëçka që gjente përpara se t’iu vinte zjarrin. Në disa raste, civilë romë ndihmuan forcat serbe në transportimin e mallrave të konfiskuara.
Faktori i UÇK-së
Deri tani OHCHR nuk ka qenë në gjendje të mbledhë informacion të besueshëm dhe të paanshëm për rolin e UÇK-së gjatë 11 javëve të fushatës së NATO-s. Megjithatë, nga intervistat e kryera nga Operacioni i Urgjencës (OHCHR-KEO) del se gjatë asaj periudhe, UÇK-ja ishte përfshirë në mënyrë aktive në luftën kundër forcave serbe në shumë rajone të Kosovës. Veç kësaj, në disa raste civilët kërkonin mbrojtjen e UÇK-së duke u vendosur në afërsi të pozicioneve të saj dhe ushtarët e UÇK-së u shpërngulën në zonat urbane ose u larguan nga vendi duke u përzier me turmat e civilëve të zhvendosur. Kjo rrethanë mund të ketë ndikuar negativisht në qëndrimin e forcave serbe ndaj civilëve. Në këtë fazë është e pamundur të përcaktohet nëse dhe në çfarë mase “faktori i UÇK-së” ka peshuar në ngjarjet që ndodhën në Kosovë.
Ndikimi i konfliktit të armatosur mbi civilët
…81. Në shumë qytete në jug-lindje të Serbisë-Preshevë, në veçanti, por edhe në Leskovc dhe Vranjë banorë shqiptarë janë arrestuar masivisht gjatë luftës, pa pasur mundësi që çështja e tyre të mund të mbrohej publikisht, sepse mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët serbë të këtyre rajoneve, ishin piketuar gjithashtu si objekt kërcënimi, para dhe pas 24 marsit. Rrjeti i mbrojtjes së çështjes së shqiptarëve, i cili është aq i fortë në tërë Kosovën, nuk kishte asnjë efikasitet përtej kufijve të saj.
RINDËRTIMI I ROLIT TË OHCHR NË KOSOVË PAS 10 QERSHORIT 1999
Kthimi në Kosovë
Më 10 qershor 1999, pas konfirmimit të NATO-s për tërheqjen e forcave të sigurisë së RFJ-së nga Kosova dhe pezullimit të operacioneve ajrore të NATO-s kundër RFJ-së, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1244 (1999) të 10 qershorit 1999, i cili autorizonte Sekretarin e Përgjithshëm, “që duke vepruar së bashku me organizatat ndërkombëtare kompetente, të krijonte një prani ndërkombëtare civile në Kosovë me qëllim që të sigurojë aty një administrim të përkohshëm”. Rezoluta parashikonte edhe krijimin e një pranie ndërkombëtare të sigurisë…
Grupi Këshillimor në fushën e të Drejtave të Njeriut i Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm
Në Raportin e vet drejtuar Këshillit të Sigurimit, në 12 korrik 1999 (S/1999/779) mbi strukturën e UNMIK-ut, Sekretari i Përgjithshëm, kishte parashikuar të emëronte në zyrën e Përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, një këshilltar të lartë për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut…
Këshilltari i lartë i të drejtave të njeriut, z. William O’Neill, i cili mbërriti në Prishtinë më 2 shtator 1999, do të sigurojë që prioritet t’i jepet themelimit të institucioneve dhe infrastrukturave për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, në veçanti të drejtave të grupeve minoritare.
Zyra e Komisariatit të Lartë në Kosovë
Që nga data 24 gushti 1999, OHCHR kishte 12 zyrtarë ndërkombëtarë në Prishtinë dhe kishte rihapur zyrat në Beograd dhe Podgoricë.
Në Kosovë, duke u bazuar në mandatin e saj të gjerë në vend dhe në përvojën e vjetër në zonë, OHCHR do të kryejë detyrat e mëposhtme:…
Mbledhja e informacioneve, në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), mbi kushtet në të cilat janë arrestuar të burgosurit e transferuar në Serbi, për monitorimin e tyre jashtë Kosovës;
Mbledhja e informacioneve, në bashkëpunim me KFOR-in, UNMIK-un, OSBE-në, UNHCR-në dhe KNKK-në, për personat e rrëmbyer në Kosovë nga “policia” dhe “policia ushtarake” e UÇK-së dhe nga aktorë të tjerë jo shtetërorë;
Pjesëmarrja në nënkomisionin e Këshillit kalimtar të Kosovës të ngarkuar me të paraburgosurit (ndaluarit) dhe të burgosurit;…
III. SITUATA E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË KOSOVË PAS KRIJIMIT TË UNMIK-ut
Kthimi i refugjatëve
Menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova dhe përfundimit të bombardimeve të NATO-s, refugjatët e Kosovës në mënyrë spontane dhe masive filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Sipas shifrave të UNHCR-së, më 24 gusht 1999, më shumë se 761,000 kosovarë janë kthyer në Kosovë, ndërsa 6,800 kosovarë kanë mbetur në Shqipëri, 19,000 në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, 8,000 në Mal të Zi dhe 11,400 në Bosnje dhe Herzegovinë.
UNHCR vlerëson se rreth 50,000 refugjatë në rajon po presin riatdhesimin dhe 500,000 refugjatë të kthyer nuk kanë strehim të përshtatshëm për dimrin.
Në vijim raporti trajton eksodin e pakicave etnike serbe, malazeze, boshnjake, rome etj, nga Kosova, i cili u shkaktua, siç thuhet në të, “nga frika, vrasjet, rrëmbimi, plaçkitja e pronave, dëbimet, djegia e gjerë e fshatrave, monumenteve kulturore, historike dhe fetare, dhe nga forma të tjera të frikësimit”. Aty jepen gjithashtu edhe raste të vrasjeve të personave të pakicave të mësipërme, të dyshuar si bashkëpunëtorë ose pjesëmarrës në operacionet e spastrimit etnik, të genocidit si dhe në vrasjet e popullsisë shqiptare, të ndërmarra nga forcat ushtarake dhe paraushtarake të Milosheviçit gjatë Luftës së Kosovë. Ai vazhdon me çështjen që ka të bëjë me:
Personat e zhdukur dhe identifikimi i trupave të vdekur
Probleme te veçanta ka në lidhje me personat e zhdukur. Ende nuk dihet se sa persona janë varrosur në mbarë Kosovën, ku mund të jenë varre të tilla dhe kush është varrosur në to. Raporte për trupa të zbuluar vijnë çdo ditë në zyrat e KFOR-it, OSBE-së, UNHCR-së dhe ICRC-së. Agjencitë kanë zhvilluar një formë standarde për identifikimin e trupave të cilat, kur janë përfunduar, përqendrohen te KNKK-ja, në mënyrë që të mbështesin rolin e saj udhëheqës në gjurmim. Në të njëjtën kohë, mjekët dhe spitalet lokale, kryesisht nën administrimin civil të UÇK-së, lëshojnë certifikata ad hoc të vdekjes, por është e diskutueshme nëse ato kanë karakter juridik…
Administrimi i drejtësisë – gjyqësori
Në përgjigje të arrestimit dhe ndalimit të personave nga ana e KFOR-it, dhe në mungesë të një gjyqësori funksional në Kosovë, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm, z. Bernard Kushner (Bernard Kouchner), miratoi dekrete urgjente për themelimin e një Këshillit të Përbashkët Këshillëdhënës për Emërimet në Gjykatën e Përkohshme (JAC). JAC përbëhet nga katër gjyqtarë kombëtarë, duke përfshirë dy shqiptarë etnikë, një serb dhe një turk dhe tre avokatë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe një nga OHCHR. JAC këshillon Përfaqësuesin Special për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve, personelit gjyqësor dhe prokurorëve për të rivendosur një gjyqësor të pavarur dhe shumetnik… Që nga mesi i muajit gusht, gjyqtarët dhe prokurorët kanë kryer seanca dëgjimore në 144 raste që përfshijnë 263 individë, prej të cilëve 120 janë liruar…
Të ndaluarit (burgosurit)
Me sa duket, rreth 5,000 të ndaluar (burgosur) në faza të ndryshme të procedurave gjyqësore mbi akuzat e terrorizmit u shpërngulën nga autoritetet serbe gjatë luftës në burgje në Serbi.
Në korrik, Qeveria e Serbisë ka dhënë emrat e mbi 2,000 individëve të cilët u transferuan nga burgjet në Kosovë në burgje në Serbi. Informacioni tregon vetëm emrat e individëve dhe vendin e ndalimit; nuk përcakton bazën penale për ndalim. Disa nga këto raste janë sjellë në vëmendjen e Komisarit të Lartë gjatë vizitës së fundit në Kosovë. Në veçanti, Komisari i Lartë u takua me burrin e Dr. Flora Brovina, një aktiviste e të drejtave të njeriut, që u transferua në një burg në Serbi gjatë luftës. Me sa duket, avokatit të saj i është mohuar takimi me të dhe asaj nuk po i sigurohet kujdesi i nevojshëm mjekësor. Komisari i Lartë, pas kthimit në Gjenevë, ka transmetuar informacionin mbi këtë rast për procedura të veçanta për veprime të mëtejshme në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Çështja e të ndaluarve të transferuar është jashtëzakonisht e fuqishme dhe emocionale për anëtarët e familjeve në Kosovë dhe është subjekt i demonstrimeve të shpeshta duke bërë kërkesa për veprim nga UNMIK-u dhe komuniteti ndërkombëtar. Grupet që përfaqësojnë të paraburgosurit pohojnë se ka shumë më tepër persona që janë parë për herë të fundit në paraburgimin e ushtrisë dhe policisë serbe se sa ato që përmenden në listat.
Anëtarët e familjeve në Kosovë kanë vështirësi për të vizituar të burgosurit në Serbi, duke pasur parasysh frikën për sigurinë e shqiptarëve në disa pjesë të Serbisë. Disa anëtarë të familjeve gjithashtu kanë raportuar se u është mohuar mundësia e takimit me të afërmit e tyre në paraburgim. Anëtarët e familjeve që kanë pasur mundësinë për të vizituar të afërmit e tyre në paraburgim, kanë shprehur shqetësim rreth kushteve të paraburgimit në burgje të tilla si Sremska Mitrovica dhe Pozharavac. Grupet që përfaqësojnë të paraburgosurit kërkojnë lirimin e këtyre të burgosurve ose së paku transferimin e tyre në institucionet e burgut në Kosovë.
Nga 420 të burgosur të Prizrenit të akuzuar për krime terroriste para 24 marsit 1999, 320 janë identifikuar nga avokatët lokalë si të përfshirë në listën e bërë nga Ministria e Drejtësisë e RFJ-së. Avokatët nga Prizreni kanë kërkuar nga Kombet e Bashkuara të kërkojnë transferimin e të burgosurve kosovarë në Kosovë dhe vendosjen e tyre nën juridiksionin e UNMIK-ut. Në Gjilan, OHCHR intervistoi një person i cili ishte transferuar nga burgu në Gjilan në burgun e Vranjës (brenda Serbisë) në mes të qershorit së bashku me një grup të burgosurish (afërsisht 45). Megjithatë, ai u lirua brenda pak ditësh nga fundi i armiqësive të NATO-s dhe u kthye në Gjilan. Ai dha informacion për keqtrajtimin gjatë arrestimit të tij.
Pasojat e luftës për të drejtat e njeriut jashtë Kosovës
Disa qindra shqiptarë janë dëbuar nga jugu i Serbisë në rrethin e Gjilanit të Kosovës. Në lindje, shqiptarët etnikë nga qytetet serbe të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, të cilat shtrihen përtej kufirit të Kosovës, vazhdojnë të mbërrijnë në Gjilan. Sipas autoriteteve të përkohshme në Gjilan, 320 familje (3,227 persona) kanë ardhur nga këto qytete, duke raportuar se janë dëbuar nga policia serbe dhe Ushtria Jugosllave…
Sipas një regjistrimi të bërë në vitin 1991, shqiptarët përbëjnë rreth 7 përqind të të gjithë popullsisë në Malin e Zi. Ata jetojnë në pesë komuna: Ulqin, Tivar, Podgoricë, Plavë dhe Rozhajë. Dy parti politike shqiptare kanë kërkuar një status të posaçëm për shqiptarët në Mal të Zi dhe që të kenë përfaqësues në parlamentin malazez…
VËZHGIMET PËRFUNDIMTARE
Ky raport konfirmon edhe njëherë se forcat serbe kryen krime tronditëse gjatë fushatës ajrore të NATO-s e cila filloi më 24 mars 1999. Komisari i Lartë vazhdon të besojë se është thelbësore që përgjegjësit për shkeljet të tilla penale të dalin para drejtësisë. Në këtë drejtim, OHCHR mbështet plotësisht hetimet që vazhdojnë nga ana e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë. Në paraqitjen e këtij raporti të konsoliduar, Komisari i Lartë dëshiron të theksojë se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të pranojë që të mbeten të pandëshkuar ata që janë përgjegjës për mizori të tilla të tmerrshme…
REKOMANDIME
Komisiari i Lartë i kushton rëndësinë më të madhe hetimit të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë konfliktit në Kosovë dhe përpjekjeve për të nxjerrë para drejtësisë autorët e krimeve të tilla. Në këtë kontekst, Komisari i Lartë u kërkon shteteve anëtare që t’i ofrojnë TNPJ-së mbështetjen dhe burimet e nevojshme për të kryer sa më mirë këtë detyrë thelbësore.
Komisiari i Lartë i bën thirrje TNPJ-së, KNKK-së dhe OSBE-së që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të hetuar fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur…
Komisari i Lartë i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së një Kosove shumëetnike ku të respektohen të drejtat e njeriut të të gjithë banorëve. Megjithatë, Komisari i Lartë pranon se prioritet duhet t’i kushtohet përpjekjes për të shpëtuar jetën e njerëzve në rrezik. Në këtë drejtim ai mbështet programin e evakuimit humanitar të ndërmarrë nga UNHCR, por thekson domosdoshmërinë e përgatitjes së kushteve për kthimin e sigurt të të gjithë kosovarëve të zhvendosur.
Komisari i Lartë i bën thirrje popullatës së Kosovës që të përmbahet nga dhuna dhe t’i japë fund sulmeve kundër serbëve, romëve dhe grupeve të tjera minoritare. Komisari i Lartë u bën thirrje udhëheqësve shqiptarë që të dënojnë këto akte të dhunës dhe fton UÇK-në të bashkëpunojë me UNMIK-un dhe KFOR-in në hetimin e krimeve të tilla…
Komisari i Lartë i bën thirrje qeverisë së Serbisë të sigurojë një listë të azhurnuar të të gjithë të ndaluarve, të transferuar nga Kosova, duke specifikuar akuzat, nëse ka, sipas të cilave personat janë të paraburgosur dhe për të garantuar që familjet e tyre të kenë mundësi kontakti me ta.
Komisari i Lartë thekson nevojën për të hetuar me shpejtësi akuzat për qendrat e paraburgimit të UÇK-së, vrasjet, përdhunimet, torturat, zjarrvëniet, dëbimin, grabitjen, vjedhjen dhe shkeljet tjera të të drejtave të të gjithë banorëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Në kuadrin e masave të nevojshme për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të garantuar për të gjithë kosovarët, Komisari i Lartë i kërkon UNMIK-ut të vazhdojë me çmilitarizimin e plotë dhe çarmatimin e UÇK-së.
Komisari i Lartë thekson rëndësinë e përfshirjes së kosovarëve në rindërtimin civil dhe në proceset vendimmarrëse të Kombeve të Bashkuara…
Komisari i Lartë gjithashtu i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i kushtojë vëmendje të veçantë situatës së të drejtave të njeriut në Republikën e Serbisë dhe Malit të Zi dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të parandaluar shpërthimin e dhunës dhe forcimin e demokracisë në rajon. Në këtë kontekst, Komisari i Lartë thekson rëndësinë e hartimit të strategjive afatgjata për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajonin e Ballkanit dhe përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit midis aktorëve ndërkombëtarë për të promovuar një kulturë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe tolerancës.
————
Raport i Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë, Republika Federale e Jugosllavisë,- Economic and Social Council, Distr. General, E/CN.4/2000/10, 27 September 1999, Sipas Ksenofon Krisafi, Në Gjenevë për Kosovën- Fjalime në institucionet ndërkombëtare (1998-2002), UMSH Press&Onufri, Tiranë, 2018.