Albspirit

Media/News/Publishing

Albana Shala: Korrik ’90

Do të plakeshin prindërit.
Si muret e palyera të shkallëve të pallatit ku jetonin.
Jo nga marrja e frymës, rrudhat, apo mbipesha.
Do të plakeshin një natë të nxehtë vere,
teksa rrinin e prisnin pas dritareve.

Im atë me një kanotiere të bardhë dhe pantallona të shkurtra.
Im më mbante kafshuar buzën e poshtme.
Ime motër dridhej.

Prisnim të shikonim kur do të kalonin në Unazë autobusët,
të mbushur me ata që ishin futur ambasadave.

E pabëra ishte bërë.
Kombi i lodhur dhe i uritur kishte dështuar.
Ëndrra ishte kthyer në zhgjëndërr, tani po bëhej përsëri flutur.
Ëndërr për një jetë më të mirë.
Vetëm kaq.

Atë mbrëmje prindërve të mi iu ishin mbaruar fjalët.
U kishte rënë autoriteti i dijes, ishte fundi i hierarkisë.
Ne ishim dëshmitarët e ikjes së parë, të madhes.

Nga do t’ia fillonin?
Në ç’gjuhë do të na mësonin tani,
se ç’ishte e mira dhe e keqja?
Si do na e shpjegonin që fatet tona të lidhura nyje
edhe mund të zgjidheshin?
Si do na e shpjegonin se ç’e dallonte guximtarin nga kokëkrisuri?
Të duruarin nga i fituari? Se si shuhet dhimbja e ndizet shpresa?
Si do na e mësonin se ç’ishte liria,
kur vetë nuk kishin qenë ndonjëherë të lirë?

Ashtu, të mpirë e të pagojë,
si anije pa busull, me direkë të thyer nga shkundullima,
u ulëm të katërt e filluam të kërkonin si fëmijët,
fjalët e një gjuhe të re, të pagjymtuar.

Dhe, nuk luajtëm vendit derisa i gjetëm.
Pleqëria kishte trokitur ca dyer më tutje.
Kur të kthehej, do të sillte me vete
mbipeshën, rrudhat, frymëmarrjen e penguar.

© Albana Shala, ‘Parajsa është e portokalltë’, Botime DITURIA

* foto ne fillim te viteve 90-të, kur ende ishim në mëmëdhe dhe nuk ishim shpërndarë si zogjtë e korbit.
* per nostalgjiket ne sfond nje radio Iliria dhe nje cep Obodini

Please follow and like us: