Albspirit

Media/News/Publishing

Mos qoftë e thënë të na humbasë edhe shpresa…

Eden Babani, Bruksel

Në fund të marsit, kur mendohej se epidemia Covid-19 po arrinte kulmin në Shqipëri dhe kur njerëzit ishin ndrydhur nëpër shtëpi me masa absurde shtrëngimi, me policë të armatosur e me autoblinda të ushtrisë, Kryeministri Edi Rama guxoi të merrte edhe rolin e babait të përgjëruar, për të shpëtuar fëmijët e vet nga e keqja.

“Unë bëj rolin babait, po si mendoni se mua më pëlqejnë këto masa shtrënguese… Tani më ra mua roli i atij babait të rreptë… Pse ju mendoni se më pëlqen mua t’ju mbyll në shtëpi, të mbyll shkollat apo të merrem nga mëngjesi deri në darkë me ju dhe t’ju lodh… Ky që jam me të mirat dhe të këqijat do vazhdoj të bëj që kjo luftë të mos përfundojë me qindra dhe mijëra të vdekur”.

A thua të kenë qenë në çaste deliri kur ka deklaruar këto marrëzi, ashtu siç janë komentuar shpesh qëndrimet e Edi Ramës? Mbase. Por mua nuk më besohet. Ai  e dinte asohere (e di mirëfilli edhe sot) ç’ mund të bënte e ç’ mund të bëjë në aso situatash të vështira. Mirëpo atëherë i duhej gjendja e jashtëzakonshme, për të arritur qëllimet e veta të mbrapshta, duke futur në kurth edhe institucionin e Presidencës. Tashti që afati i gjendjes së jashtëzakonshme mbaroi dhe vendi është hapur pa kurrfarë projeksionesh e protokollesh të studiuara, kurse situata po vjen duke u përshpejtuar në mënyrë të frikshme, duket sikur ka rënë squkë.

Jo e jo! Edi Rama nuk bie squk aq kollaj. Ndoshta kanë rënë squkë disa specialistë epidemiologë që mbetën ekraneve të TV-ve duke na siguruar se situata do të përmirësohej aksh muaj e aksh ditë. Këtyre mund t’ u vihet faj vetëm se zbatonin verbërisht  “urdhrat nga lart”.

Dr. Petrit Vargu tha para dy-tri ditësh: “Hapja e karantinës nuk u bë në një plan të strukturuar por me një urdhër… Ato që kanë thënë nëpër televizione janë përgënjeshtruar nga faktet… Nuk kanë nxjerrë asgjë përveç kollituni tek bërryli dhe lani duart… Do na ndihmonte shumë nëse hapjen do ta bënim të planifikuar, të studiuar në bazë të projeksioneve dhe jo të urdhrave që vijnë nga lart”.

Ndryshon, pra, puna e zotit Kryeministër. Ai ka pambarim plane A, B, C… Z, të cilat i ruan në kuti, sikundër ruheshin gjithë të këqijat e kësaj bot në kutinë e famshme të  Pandorës. I ruan të ndrydhura me shtatë palë çelësa në vilën bunker rrëzë Dajtit. Madje jo vetëm për epideminë, as vetëm për pasojat e tërmetit, por edhe për taksat, edhe për procesin e famshëm të reformës në drejtësi, edhe për reformën zgjedhore, edhe për ndërkombëtarët, edhe për opozitarët… Po të doni, edhe për krizën politike që ka përfshirë kohët e fundit Kosovën. Mendjet e mbrapshta janë të pamata, në kohë dhe në hapësirë. Në kohë krizash, ato të kallin datën.

Miti për kutinë e Pandorës ka qenë njohur qysh se njerëzimi bashkudhëtonte përkrah mitologjisë. Si shumë mite të tjera, edhe ai mbijetoi kohës dhe erdhi deri në ditët  tona, duke e shoqëruar historinë njerëzore hap pas hapi, duke paralajmëruar njëherazi fatalitete e katastrofa me përmasa të papërfytyrueshme.

Për ata që nuk e njohin, po e tregoj shkurtazi.

Që të hakmerrej ndaj njerëzve, pasi Prometeu u vodhi zjarrin qiellorëve që t’ua dhuronte tokësorëve, Zeusi urdhëroi Vullkanin të mbrunte një femër prej dheu dhe prej uji. Perënditë i dhuruan asaj bukuri, mirësi, brishtësi, mençuri, por edhe artin e joshjes e të mashtrimit. Emrin ia ngjitën Pandorë, që greqisht nënkupton “e pajisur me dhunti”. Pastaj e dërguan në shtëpi të Prometeut. Vëllai i Prometeut, Epimeteu, e lëshoi veten në kurthin e joshjes dhe vendosi të martohej me të. Ditën e dasmës, perënditë i falën Pandorës një kuti ku ishin ndrydhur të gjitha sëmundjet e të këqijat e kësaj bote. Enkas, duke e ditur se do ta hapte kutinë, e porositën të mos e hapte. Pa kuptuar hilen, Pandora kureshtare bëri atë që s’duhej bërë, e hapi. Sëmundjet dhe të këqijat u shpërndanë anekënd: mbi fusha e mbi male, mbi dete e oqeane. Në fund të kutisë, mbeti shpresa, i vetmi ngushëllim që u jep njerëzve kurajë të përballen me të këqijat që u bien për pjesë…

Të kuptohemi. Nuk jam helenist si, fjala vjen, i ndjeri Profesor Spiro Konda, e t’u hyj konsideratave shkencore për mitologjinë. Ama padija ime relative, nuk më pengon të gjykoj për kutitë e Edit dhe t’ i vë ato ballazi kutisë së Pandorës. S’ kanë kaluar veç dhjetë vjet nga greva e urisë e disa deputetëve të PS-së në prill-maj të 2010-s, mu  poshtë zyrës së Kryeministrit të atëhershëm, Dr. Sali Berisha. Kërkesa lidhej me kuti, nëse ju kujtohet. “Hap kutitë ose largohu”!

Mirëpo kutitë e Edit nuk i takojnë mitologjisë, ani se do të hyjnë në histori. Ato janë dhjetëra, në mos qindra e mijëra. Janë pjesë e realitetit dredha-dredha të kohës sonë. Është kohë kapërcyelli kjo jona. Dhe, në kapërcyell, të guximshmit e hedhin atë (kapërcyellin). Të mefshtët mbeten matanë. Ndër të lëkundurit, dikush përdredh a thyen këmbën, por, ndonëse çalash, gjendet në anën e së mirës. Dikush tjetër bie në ortakëri me mefshtësinë dhe bëhet rob i saj e i joshjes për pasuri. Në këtë kuptim, përtej kontekstit të mitologjisë, kutitë e Edit marrin vlera utilitare në ditët tona.

Edi e di më mirë se kushdo se me kuti nuk bëhet politikë. Kutitë i përdor nga e keqja, sa herë i nevojiten. Ama, ndryshe nga Pandora, ai e di çka ka brenda tyre. E di edhe se, po të hapeshin, do të shpërthente katrahura mes të mefshtëve dhe të lëkundurve, mbetur mataranë kapërcyellit, çka do të ishte tepër e hidhur për të dhe për të vetët.

Pra, simbolika e përbashkët që ngërthejnë dy llojet e kutive, – e asaj të Pandorës dhe e atyre të Edit, – është një: katastrofa. Po të hapeshin ato të Edit, katastrofa do t’i kapërcente edhe kufijtë e asaj që tashmë njihet si Selia e PS-së, edhe të Qeverisë, edhe të Kuvendit, edhe të gjitha institucioneve kushtetuese të Shqipërisë, mbase edhe të Kosovës. Diçka do të na binte për pjesë të gjithëve. Nga pak ose nga shumë, kjo nuk merret dot me mend. Ama do të më gjente edhe mua që jetoj në Bruksel, edhe ty, kudo që të jetosh, qoftë edhe në hënë, mjaft që të jesh shqiptar, i majtë ose i djathtë. Sepse, siç dihet mirëfilli, në kutitë e Edit nuk fshihen alibi dhe vetëm alibi, por kushedi sesa kurthe, intriga e pabesi. Zoti të na ruajë, sikur të hapeshin ato, sidomos në këtë krizë pandemie, bërë lëmsh me kriza politike, financiare, sociale, atdhetarie e kushedi çfarë tjetër. Mos qoftë e thënë të humbasë edhe shpresa, ashtu siç nuk humbi në kutinë e Pandorës.

Please follow and like us: