Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (5)

DYZIMET IDENTITARE

 

Avantazhet e pushtimit

 

Lufta e Dytë Botërore krijoi një precedent të çuditshëm, ndoshta më të çuditshmin në Europën e atëhershme: Kosova jetoi më mirë gjatë viteve të kësaj lufte, se sa në paqen e deriatëhershme dhe asaj që erdh pastaj. Pushtimi i Kosovës ishte nazifashist, pra nuk kishte ndonjë emër tjetër. Italia që pushtoi Shqipërinë dhe pastaj pjesën më të madhe të Kosovës, ishte po ajo Itali fashiste e Musolinit, njësoj si Gjermania naziste e Hitlerit, e cila shkaktoi aq shumë vdekje dhe vuajtje në Europë dhe më gjerë. Nuk duhet paragjykuar arsyet përse ky pushtim nuk ishte as i urryer dhe as i dëmshëm për Kosovën. Para se të ndodhte pushtimi, kosovarët kishin përjetuar gjenocid të tmerrshëm. Edhe pas luftës, me ardhjen e komunistëve në pushtet, ndodhi po e njëjta gjë. Prandaj, nuk ka asnjë arsye t’i vihet embargo shqyrtimit real të kësaj çështjeje, vetëm pse një zgjidhje më të mirë për Kosovën e gjeti fashizmi dhe nazizmi, sesa demokracitë e përparuara evropiane. Është paradoksale dhe tepër cinike kjo situatë: për shkak se nazifashistët gjetën për Kosovën një zgjidhje më të drejtë, më normale se europianët e Kongresit të Berlinit, të Konferencës së Londrës dhe të Versajës, kosovarët duhet ta vuajnë përjetësisht padrejtësinë që u bëhet, vetëm për shkak se këtë zgjidhje e gjetën dhe e aplikuan të parët nazifashistët. Europianët është dashur që këtë çështje ta shtronin pak më ndryshe: Çfarë kishte që nuk shkonte në projektin e tyre për Ballkanin dhe shqiptarët, dhe jo ta shpallin herezi zgjidhjen e çështjes së Kosovës perms revidimit të kufijve dhe të përfshirjes së saj në një shtet të vetëm shqiptar. Fantazma e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe do t’i ndjekë fuqitë vendimmarrëse të Europës edhe gjashtëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë në vëmendje të botës një plan të tillë për Kosovën, që në të gjitha pikat relevante duhej të ishte i ndryshëm nga zgjidhja që kishin gjetur dikur nazifashistët. Për europianët ky është një kompleks i pashërueshëm, për kosovarët kjo është një nëmë e keqe.

Megjithatë, situata e krijuar me Kosovën gjatë Luftës së Dytë Botërore do të ketë disa avantazhe, edhe pas përfundimit të luftës dhe në vitet që erdhën pastaj. Është e vërtetë se kosovarët u bënë komunistë më pak se të gjithë të tjerët dhe më pak se bashkëkombësit e vet shqiptarë morën pjesë në LNÇ. Arsyeja ishte e qartë dhe e thjeshtë: ata e kishin më mirë se ç’e kishin pasur ndonjëherë dhe përfshirja në luftën antifashiste, komuniste ose jokomuniste, kishte kuptimin e kthimit të gjendjes së mëparshme në Kosovë, pra kthimin e Serbisë. Kjo mund të mos ishte vetëdije politike e kosovarëve, më shumë mund të ishte frikë dhe instinkt, një instinkt që e parandiente rrezikun real. Mirëpo, me ardhjen në pushtet të komunistëve dhe me përfshirjen e përsëritur të Kosovës në Serbi dhe Jugosllavi, paralelisht me dhunën sistematike, me vrasjet dhe përndjekjet në masë, pushteti i ri do të jetë i detyruar t’ua siguronte kosovarëve disa të drejta, sado minimale që mund të ishin ato. Nëse nazifashistët kishin lejuar mësimin në gjuhën shqipe, madje e kishin stimuluar atë, do të ishte absurde që këtë të mos e bënte pushteti populluer. Nëse nazifashistët dhe kuislingët e kishin bërë administratën shqip, pushteti i ri nuk mund të binte aq poshtë, sa ta pezullonte atë në tërësi. Më anë tjetër, lidhjet që ishin vendosur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjatë kohës së okupimit, nuk mund të shkëputeshin aq lehtë, sepse kjo lidhje tashmë nuk ishte thjeshtë fizike, por kishte depërtuar më thellë, ishte bërë lidhje shpirtërore. Ishin krijuar dhe vazhdonin të krijoheshin edhe varshmëri të tjera, nga të cilat më me rëndësi ishin ato kulturore dhe arsimore. Të mësoje fëmijët e Kosovës të lexonin shqip, duheshin abetare nga Shqipëria; ta shtypje “Rilindjen” shqip në Prizren, duhej të shkoje t’i merrje shkronjat shqip në Tiranë, siç u detyrua të bënte Fadil Hoxha. Pra, në pikëpamje arsimore dhe kulturore, Kosova pa asnjë mundësi tjetër, u lidh fort pas Shqipërisë dhe e tillë do të mbetet që atëherë dhe tutje, pavarësisht zhvillimeve të pafavorshme politike që erdhën pastaj.

Këto lidhje komunistët u munduan t’i modifikonin dhe t’i ç’natyralizonin që me shfaqjen e tyre të parë në skenën politike. Në vend të lidhjes së gjakut, të lidhjes së gjuhës, të traditës, të mentalitetit e të etnopsikologjisë, ata fuqizuan dhe i dhanë përparësi lidhjes në vijën ideologjike. Përkatësinë ideologjike ata e vendosen mbi përkatësinë kombëtare. Në raportet e ndërvetshme që krijuan komunistët shqiptarë, pastaj komunistët shqiptarë me ata serbë e jugosllavë, rëndësia e përkatësisë kombëtare u zhvendos në prapavijë, për t’ia lënë vendin ideologjisë.

Është e vërtetë se komunistë shqiptarë në Kosovë u bënë kryesisht ata që morën pak shkollim në Shqipëri, u lidhën me grupet komuniste të Shkodrës, Korçës ose Tiranës, por ideologjia që të gjithë i çoi shumë shpejt në lidhje të forta me komunistët serbë dhe jugosllavë, duke ua dobësuar gradualisht lidhjen natyrore me Shqipërinë. Vetë komunistët e Shqipërisë për një kohë të shkurtër u bënë vasalë ideologjikë dhe organizativë të komunistëve jugosllavë. Në këtë pikë, përveç Kominternës, një rol shkatërrimtar duhet ta kenë luajtur edhe komunistët shqiptarë të Kosovës, të cilët, të gjithë pa përjashtim e identifikuan rolin e organizimit partiak me spiunimin ordiner. Fundja, është e njohur se i pari që përhapi idetë komuniste në Shqipëri, që kishte lidhje me Kominternën dhe me komunistët serbë të Pejës, ishte Ali Kelmendi.

Në grupet komuniste të Shqipërisë, veçmas në atë të Shkodrës, por më vonë edhe të Tiranës, pjesëmarrja kosovare ishte shumë e dukshme. Si mund të shpjegohet ky fakt? Çfarë i lidhte kaq fort kosovarët me komunizmin, sa ata në këtë rast, së paku përpjestimisht, t’ua kalonin shqiptarëve të Shqipërisë? Në pikëpamje arsimore dhe të përgatitjes intelektuale, që domethënë edhe ideologjike, kosovarët ngeleshin shumë prapa, në krahasim me pjesëtarët e grupeve nga Shqipëria. Përse ata, pra, ishin aq të shumtë në numër? Pothuajse shumica e nxënësve kosovarë të shkollave të mesme nëpër Shqipëri, u bënë komunistë dhe u përfshin në LNÇ. Ata, në përgjithësi, nuk vinin nga një trashëgimi proletare. Shumica syresh ishin bij zejtarësh të kamur, që nuk kishin probleme sociale, sepse të tillët zakonisht nuk shkonin në Shqipëri të bënin shkollë. Nëse ata jo, prindërit e tyre kishin edhe njëfarë vetëdijeje kombëtare, ndryshe fëmijët e tyre mund t’i futnin nëpër shkolla serbe dhe mejtepe turke. Atëherë, si ndodhi që ata, pothuajse pa përjashtim, u përfshin në të njëjtën mënyrë në grupet komuniste (shpesh nga të njëjtit persona), u bënë tradhtarë të Kosovës dhe të çështjes kombëtare në të njëjtën mënyrë, vranë kundërshtarët e tyre politikë brenda radhëve, të gjithë pa përjashtim spiunuan ku arritën, te Pavli, te Bora, te Spasoja etj., morën pjesë në ngjarjet kontradiktore dhe ndërvetshëm përjashtuese, siç ishte Konferenca e Bujanit dhe Kuvendi i Prizrenit, qëndruan në pushtet për një kohë relativisht të gjatë dhe prapë nuk e dekonspiruan njëri-tjetri as në amanetin e fundit të jetës…? Pra, si mund të ndodhte kjo? Përgjigja më e mundshme është se ata nuk ishin njerëz politikë, me një organizim të thjeshtë politik. Gjithsesi ishin diçka më shumë se kaq.

 

Improvizimi i luftës

 

Nga ajo që kemi lexuar nëpër librat e kujtimeve të pjesëmarrësve të LNÇ-së të Kosovës, mund të nxirret përfundimi se kosovarët nuk bënë ndonjë luftë për të qenë. Ata e improvizuan luftën, aty ku patën mundësi ta bënin këtë, zunë ndonjë pritë, bënë edhe ndonjë atentat, kryesisht mbi ndonjë bashkëpunëtor të armikut dhe pjesën më të madhe të kohës së luftës e kaluan nëpër ato zona malore, ku ushtritë italiane e gjermane as që dukeshin asaj ane, qoftë në malet e Sharrit, nëpër bjeshkët e Tropojës apo pjerrinave të pakalueshme të grykave të Valbonës. Kishte edhe raste të shpeshta të demobilizimit, të kthimit në shtëpi, që domethënë se për trimat partizanë jo që nuk dinte gjë ushtria armike, por edhe njerëzit e mëhallës mungesën e tyre e pandehnin si shkuarje te dajallarët ose dalje në bjeshkë. Në ndonjë rast, kur këta partizanë mund të bëheshin të bezdisshëm, ushtritë pushtuese ndërmerrnin aksione të shpejta përmasash të kufizuara, vritnin ose kapnin disa syresh, vetëm sa t’ua bënin të ditur njerëzve se andej rrotull silleshin ca djem të rinj me mendje çiliminjsh, që donin ta futnin përsëri Kosovën nën Serbi. Gjithashtu, kam vënë re se pothuajse asnjëherë nuk thuhet numri i saktë i pjesëtarëve në këto njësi partizane, sepse duket të ketë qenë tepër i vogël, i tillë që demanton plotësisht idenë e një mbështetjeje të gjerë e lëvizjes te popullsia e Kosovës. Por edhe këtu duhet bërë një saktësim: mbështetjen më të madhe idetë komuniste e gjetën te popullsia sllave, veçmas te ajo malazeze e Pejës me rrethinë (për shkak të lidhjeve tradicionale me rusët), ndërkohë që serbët e Kosovës ishin mbështetës të flakët të ideve çetnike.

Ndërkaq, glorifikimi i LNÇ-së dhe i bëmave të paqena të partizanëve të Kosovës nuk lidhet vetëm me faktin e njohur se historitë e luftërave e shkruajnë fitimtarët, as me të dhënën se glorifikimi i LNÇ-së u krijonte komunistëve një lloj argumenti për mbajtjen e pushtetit. Duan të thonë se ky glorifikim krijonte në Kosovë edhe disa efekte të tjera, ta zëmë, se autonomia e Kosovës nuk ishte një dhuratë që Titoja ua kishte bërë shqiptarëve, siç shpreheshin nacionalistët serbë, por bazat e kësaj autonomie ishin vendosur që në kohën e luftës, me pjesëmarrjen e barabartë të kosovarëve në lëvizjen antifashiste, krah për krah me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Por edhe më shumë se kaq, pjesëmarrjes së kosovarëve në LNÇ, njësoj sikundër edhe përfshirjes së tyre në organizimin e PKJ-së, kohëve të fundit kanë filluar t’i atribuojnë edhe efekte që kurrë nuk i ka pasur dhe nuk ka mundur t’i ketë. Kështu, ta zëmë, gjithnjë e më shpesh thuhet se, po të mos kishte ndodhur pjesëmarrja e shqiptarëve të Kosovës në lëvizjen antifashiste dhe përfshirja e tyre në organizimin komunist jugosllav, fati i kosovarëve do të ishte i njëjtë me atë të çamëve në Greqi, ose i “folkdojçerëve” të Vojvodinës. Pra, një dëbim i tyre masiv nga Kosova.

Vërtet, a mund të ndodhte diçka e tillë, apo këto janë argumente që përdoren tash së fundi, për të justifikuar gjëmën e madhe që i solli Kosovës ripushtimi komunist, apo për të korrigjuar disi këtë pjesë të palavdishme të historisë?

Së pari, krahasimi i kosovarëve me çamët është i paqëndrueshëm, sepse bëhet fjalë për dy popullsi numerikisht të pakrahasueshme. Përveç kësaj, dëbimi i kosovarëve në Shqipëri nuk do të mund të ndodhte, sepse në të dy vendet, edhe në Jugosllavi, edhe në Shqipëri kishin fituar dhe kishin ardhur në pushtet komunistët dhe ata formalisht e kishin proklamuar se regjimi i ri do të gjente zgjidhjen më ideale për çështjen kombëtare: vëllazërimin e popujve. Nëse kjo ishte gënjeshtër, e që ishte gënjeshtër nuk ka asnjë dyshim, atëherë Jugosllavia nuk do të bënte me shqiptarët të njëjtën gjë që kishte bërë Greqia me çamët edhe për faktin se çamët ishin e vetmja popullsi myslimane në atë vend, në një kohë që në Jugosllavi, përveç shqiptarëve, kishte edhe një popullsi sllave me besim mysliman (boshnjakët).

Më anë tjetër, kosovarët nuk mund të krahasoheshin as me “folkdojçerët” e Vojvodinës, sepse ata ishin pakicë gjermane që kishin mbështetur Hitlerin dhe kishin marrë pjesë aktive në luftërat e tij. Dëbimi i tyre nga Vojvodina nuk ishte fenomen i shkëputur, por ndodhi në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë me dëbimin e pakicave gjermane pothuajse nga të gjitha shtetet e Europës Lindore. Fundja më në fund, dëbimi i kosovarëve për në Turqi u riaktivizua shumë shpejt pas Informbyrosë, që domethënë se pjesëmarrja në LNÇ nuk i ndihi ata që të shpëtonin nga kjo e keqe, sapo në Jugosllavi u krijuan rrethanat e përshtatshme për një gjenocid të ri.

Mbi të gjitha, nga librat e kujtimeve që i përmendëm më sipër, mund të kuptohet në mënyrë të tërthortë se roli i kosovarëve në lëvizjen komuniste jugosllavo-shqiptare nuk ka qenë aq i madh dhe as vendimtar, por më shumë ka pasur rëndësinë e mbështetjes për jugosllavët dhe të marrjes së informacionit të nivelit jo shumë të lartë. Deri në Konferencën e Bujanit kosovarët i shohim të vrapojnë sa andej, sa këndej, herë duke shoqëruar ndonjë person të rëndësishëm jugosllav që shkonte në Shqipëri, herë të tjera duke shoqëruar emisarë të Shqipërisë që vinin në Kosovë. Por gjithnjë, pas secilës ecejake nëpër Shqipëri, Fadil Hoxhën, ta zëmë, e shohim duke ngarendur që sa më shpejt t’i bëjë raport Pavle Joviqieviqit ose Boro Vukmiroviqit në Vitomiricë të Pejës. Sikundër që do të shihet në ndonjë rast, informacione të nivelit të lartë as që kishin mundësi të bënin komunistët kosovarë, sepse, ta zëmë, Enver Hoxhën nuk e spiunonte dot te jugosllavët Fadil Hoxha, sepse lidhjet e tij nuk shkonin më larg se në Vitomiricë, në një kohë që për takimin e këtyre dy “hoxhallarëve” në Tiranë, Beogradi do të informohej nga dora e parë, nga vetë Koçi Xoxe. Prandaj, kur e sheh se diçka e tillë ka ndodhur, Fadil Hoxha zihet ngushtë, jo pse me Enver Hoxhën kishte folur diçka që do t’ua fshehte jugosllavëve, por nga se e vëren rolin e vet tepër të vogël te jugosllavët, madje edhe në raport me “kushëririn” e tij në Tiranë.

 

Konferenca e Bujanit

 

E zëmë se tani, një ngjarje me rëndësi, që duhej të kishte rol identitar në historinë e Kosovës, do të duhej të ishte Konferenca e Bujanit. Historianëve të Kosovës asnjëherë nuk ka qenë e mundur t’u thuash se Bujani nuk kishte asgjë nga ato që do të mund ta bënin ngjarje të madhe. Madje edhe Noel Malcolm shprehet se “Rezoluta e Bujanit paraqiste dokumentin themelor të vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës”. Në vitet e para të pasluftës, ngjarja pothuajse ishte heshtur nga vetë ata që e kishin organizuar.

Nga vitet shtatëdhjetë, në kohën e autonomisë, filloi të përmendej më shpesh, por gjithmonë duke i mëshuar idesë së jugosllavizmës dhe të bashkim-vëllazërimit. U bë ngjarja më e rëndësishme e LNÇ-së për Kosovë pas viteve nëntëdhjetë, atëherë kur në Kosovë filloi një garë e të gjithëve, për të thënë se për Kosovën kishin punuar edhe bashkëpunëtorët e nazifashizmit, njësoj si edhe bashkëpunëtorët e OZNA-s dhe të UDB-së. Këtë idil rreth Bujanit nuk doli kush t’ua prishte ish-partizanëve të Kosovës dhe mbase nuk do t’ua prishnim as këtë radhë, sikur disa syresh, bashkë me historianët e tyre, të mos dilnin të thoshin se Konferenca e Bujanit, për nga rëndësia që kishte për Kosovën, ishte e barasvlershme me Lidhjen e Prizrenit. Kjo është një gënjeshtër e madhe.

Ja disa fakte rreth saj, të cilat, nëse dimë t’i lexojmë, flasin pak më ndryshe. Disa historianë thonë se Konferenca e Bujanit u mbajt si përgjigje e organizmave të LNÇ-së në Kosovë kundrejt trysnisë në rritje të PKJ-së dhe UNÇJ-së, të cilët kërkesën e zëshme të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje do ta cilësojnë si ndikim të linjës shqiptaromadhe. Pra, sipas shkresave që iu vijnë radhazi udhëheqësve të LNÇ-së në Kosovë në vjeshtën e vitit 1943, kryesisht nga Tempoja, jugosllavët nuk donin që në këtë fazë të diskutohej çështja e kufijve, e aq më pak nëse Kosova do të shkonte me Shqipërinë ose do të mbetej me Jugosllavinë. Po këtë gjë ia thotë udhëheqjes së PKSH-së edhe Titoja, në një letër dërguar në fillim të dhjetorit të po atij viti. Më anë tjetër, Kosova nuk ishte përfaqësuar as në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it, që donte të thoshte, sipas disave, se ajo nuk llogaritej si pjesë e Jugosllavisë, ndërsa sipas të tjerëve, se ajo nuk do të përfaqësohej në nivel jugosllav, por do të ishte pjesë e Serbisë. Në një rrethanë të këtillë, thonë historianët, udhëheqësit e LNÇ-së në Kosovë nuk panë zgjidhje tjetër, përveç se të konvokonin një mbledhje, në të cilën do të formohej Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës, me ç’rast do të viheshin bazat e pushtetit popullor dhe të strukturave të tij të organizuara.

Deri këtu gjërat janë relativisht të qarta, por tani lind një pyetje tjetër: Kush ishte nismëtar i organizimit të Konferencës së Bujanit? Përgjigja është një dhe vetëm një: Komiteti Krahinuer i PKJ-së për Kosovë dhe Metohi. Atëherë, këta komunistë të Kosovës, që ishin avangarda e LNÇ-së, që paskan vendosur të mbahej Konferenca e Bujanit, në të cilën qartë do të thuhej se Kosova do t’i bashkohej Shqipërisë, përse edhe më tej ishin strukturë e organizuar e PKJ-së dhe jo e PKSH-së? Si bëhet, pra, që avangarda e LNÇ-së në Kosovë, komunistët pra, në njërën anë të ishin pjesë e organizimit partiak jugosllav, ndërsa në anën tjetër, si struktura të organizimit të pushtetit popullor, të merrnin vendime që shkonin kundër këtij organizimi?

Nëse komunistët e Kosovës donin që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, kush i ndalte ata që si strukturë partiake me kohë të lidheshin me PPSH-në? Nuk donin vetë? Le ta thonë. Nuk i donte PPSH-ja? Kush i ndaloi që ta thonë këtë? Apo nuk i lejonte PKJ? Po të donin, edhe këtë mund ta thoshin. Fadil Hoxha, në rrëfimin e tij autobiografik, Konferencës së Bujanit i jep atributet e vetëvendosjes, në një kohë që bën të ditur se i pari i radhës që kishte marrë përsipër përgatitjen e Konferencës, ishte Pavle Joviqeviqi. Vetëvendosja e Kosovës dhe Pavle Joviqeviqi nuk mund të vihen në të njëjtën radhë, në asnjë rrethanë.

Por tani le t’iu referohemi edhe disa thënieve të historianëve rreth Konferencës së Bujanit. Ata thonë se organizatorët u përpoqën që në Konferencë të tërhiqnin sa më shumë njerëz me influencë, patriotë të shquar, pavarësisht se të tillët nuk ishin pjesë e organizuar e LNÇ-së. Megjithatë, me ndonjë përjashtim të rrallë, ata nuk ia dolën ta bënin këtë. Nuk ia dolën ta bindnin të merrte pjesë në këtë mbledhje as Bedri Pejanin, as Selman Rizën, apo ndonjërin nga vëllezërit Kryeziu, as përfaqësues të pushtetit vendor. (Pothuajse në të njëjtën kohë, me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, pjesëmarrja e intelektualëve, e patriotëve me nam dhe e përfaqësuesve të pushtetit vendor ishte krejt ndryshe.)

Sido që të jetë, Konferenca u mbajt më 31 dhjetor 1943 dhe më 1e 2 janar 1944, me pjesëmarrjen e 49 delegatëve. Që të kishin legjitimitet këta delegatë, duhet të ishin të zgjedhur prej dikujt. Shumica ishin të zgjedhur prej komunistëve, që domethënë se nuk kishin legjitimitet demokratik. Por më e çuditshmja është se një konferencë e këtillë për Kosovën mbahet në Bujan, në një fshat të humbur të Tropojës, që edhe atëherë gjendej në Shqipëri. Vërtet ishte kohë lufte dhe në një rrethanë të tillë kufiri nuk kishte ndonjë rëndësi. Pastaj, Bujani ishte krejt afër me kufirin e Kosovës…

Pra, a kishte ndonjë domethënie tjetër mbajtja e Konferencës pikërisht në Bujan? Duket se po. Konferenca u mbajt në malësitë e Tropojës, në një zonë krejtësisht të izoluar nga bota, që domethënë në Shqipëri, në male, për shkak se atje ende funksiononte besa dhe kanuni. Për komunistët kosovarë, që kryesisht vinin nga Gjakova, ky mund të ishte vendi i vetëm ku ata mund të ndiheshin të sigurt, jo pse ushtria gjermane i ndiqte hap pas hapi, siç kishin qejf të thoshin gjithmonë, por nga se nuk e gjenin një vend të tillë askund në Kosovë. Në Kosovë, kudo që hynin, partizanëve ua kthenin pushkën, në fshatrat shqiptare pse kishin serbë me vete; në fshatrat serbe, pse kishin shqiptarë me vete. Në Tropojë situata ishte më ndryshe, sepse aty kishin zënë vend disa batalione partizanësh të Shqipërisë, si dhe ndonjë aradhë partizanësh kosovarë. Megjithatë, del pak e paqartë pjesëmarrja e Tefik Çangës nga Shkodra, Beqir Ndout, Veli Maxhun Doçit, Shaban Haxhisë, Jalë Sali Bajraktarit nga Malësia e Gjakovës, pra të territoreve brenda Shqipërisë, si dhe e pesë përfaqësuesve nga Plava dhe Gucia, përfshirë edhe Sadik Bekteshin. Çfarë donin ata në Konferencë, kur dihej se ajo duhej të lidhej territorialisht me Kosovën? Mos ishte kjo njëlloj garancie se Konferenca nuk do të merrte kahe të padëshiruar për shqiptarët, prandaj ajo ishte siguruar nga brenda dhe nga jashtë? Dhe kush e kërkonte këtë garanci? Në këto pyetje unë nuk kam gjetur gjë të shkruar si përgjigje, përveç fjalëve të Sadik Bekteshit, të cilin e kam takuar në Tiranë më 1992 dhe rreth Bujanit më pat thënë fjalë për fjalë: “Nuk ka pasë djalë nane që ka mujt me dalë prej atij vendi, pa e shkrue n’Rezolutë se Kosova ka me u bashkue me Shqipninë”.

Ndërkohë, të dhënat nga brenda Konferencës nuk flasin se hareja dhe entuziazmi, siç thotë Fadil Hoxha në kujtimet e tij, i karakterizonin seancat kryesore të Konferencës. Sikundër dihet, problem më vete paraqiste rezoluta. I pari që reagoi ndaj tekstit të rezolutës ishte Pavle Joviqeviqi, i cili kishte postin e sekretarit politik të Komitetit Krahinuer të PKJ-së për Kosovë dhe Metohi (ky është emërtimi i saktë dhe jo “Kosovë e Rrafshi i Dukagjinit”, siç u shkrua më vonë). Ai kërkon që paragrafi i rezolutës, në të cilin flitej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duhej të hiqej, duke argumentuar se çështjet që kanë të bëjnë me vetëvendosjen, me ndarje, me kufijtë etj. do të bisedoheshin pas përfundimit të luftës. Pavle Joviqeviqit i kundërvihet Hajdar Dushi. Duket se ndërmjet tyre zhvillohet një duel i ashpër verbal, sepse pozicionet e tyre paraqiten të papajtueshme. Nën trysninë nga brenda dhe jashtë Konferencës, delegatët detyrohen të gjejnë një kompromis, të cilin, sipas dëshmitarëve e shpik pikërisht Fadil Hoxha. Kështu, në Rezolutë mbetet se “Kosova dhe Metohija asht krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipninë”, por më tej shtohen fjalitë që flasin për luftën e përbashkët të popullit të Kosovës “me popujt e tjerë të Jugosllavisë”, si “e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyne, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Garanci për këtë është UNÇ e Jugosllavisë dhe UNÇ e Shqipnisë, me të cilën asht ngusht e lidhun” si dhe “aleatët tanë të mëdhenj, Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit)”.

Natyrisht që Konferenca e Bujanit u kritikua nga komunistët jugosllavë, por, më anë tjetër, periudha pas saj u shoqërua me likuidime fizike të shumë pjesëtarëve të LNÇsë. Duket se në vetë strukturat partiake të Kosovës, njësoj si në ato të pushtetit populluer fillon një spastrim përmasash të gjëra. Ndërkaq, sa i përket Konferencës së Bujanit, gjërat ende mbesin të paqarta në fakte dhe në interpretim. Pra, edhe sot e kësaj dite nuk u mor vesh nëse Konferenca e Bujanit qëndron në themel të autonomisë së Kosovës, siç e interpretojnë disa historianë dhe siç ishte interpretimi politik deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar; apo bëhet fjalë për “synimin shekullor të shqiptarëve të Kosovës” për t’iu bashkëngjitur Shqipërisë. Ky dualizëm në interpretimin e kësaj ngjarjeje përbën esencën kosovare të një identiteti të dyzuar, i cili, varësisht nga rrethanat, duket e ka më të lehtë të shfaqet në variante sesa që të kristalizohet dhe të qartësohet përfundimisht. Për rrethanat e sotme, vetëm një gjë ka arritur të bëhet e qartë: Konferenca e Bujanit ishte një ngjarje komuniste në të gjithë përbërësit e saj.

 

 

Lidhja e Dytë e Prizrenit

 

Por, derisa Konferenca e Bujanit viteve të fundit u lartësua së tepërmi, një ngjarje që në njëfarë mënyre mund t’i ketë paraprirë asaj, ose ishte zhvilluar paralelisht me të, Lidhja e Dytë e Prizrenit, vazhdon të lihet në heshtje edhe sot e kësaj dite. Sipas historiografisë zyrtare, atë e organizuan kuislingët shqiptarë të shtyrë nga shërbimi sekret gjerman, me qëllim të nxitjes së reaksionit kundër LNÇ-së. Natyrisht, si për shumë konstatime të ngjashme, askush nga historianët nuk ka sjellë ndonjë dëshmi për këtë. Më e çuditshmja është se në trajtimin e kësaj ngjarjeje, sikundër edhe të shumë zhvillimeve që lidhen me veprimtarinë e nacionalistëve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, rënia e komunizmit, pas viteve ’90, për historianët shqiptarë nuk ka pasur ndonjë domethënie. Historinë shqiptare të kësaj periudhe vazhdojnë ta shkruajnë komunistët, si në ditët e tyre më të mira.

Kështu, ta zëmë, ndodhi që për një ngjarje kaq të përfolur, siç ishte Lidhja e Dytë e Prizrenit, as pas kaq vitesh të heqjes formale të embargos komuniste, nuk gjendet një studim serioz, me dokumente dhe me qasje shkencore. Në mungesë të studimeve të këtilla, edhe më tej mbesin të vlefshme shkrimet e shtypit të kohës dhe dëshmitë e shkruara nga pjesëmarrësit, të shpërndara në shtypin e emigracionit shqiptar. Nga këto dëshmi një gjë del e qartë: Lidhjen e Dytë të Prizrenit nuk e ka themeluar Xhafer Deva, siç thuhej nga historianët zyrtarë, me qëllim të cilësimit të saj si organizatë kuislinge dhe profashiste (Xhafer Deva arriti në Prizren në seancën e dytë të Lidhjes), por një grup patriotësh dhe intelektualësh, me synim që të ruhet tërësia territoriale e Shqipërisë, me kufijtë e saj të gjakut dhe të gjuhës.

Ja emrat e grupit nisjatuer (ku nuk bën pjesë Xhafer Deva): Sheh Musa Shehzade (kryetar), Shefqet Shkupi, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Qazim Bllaca, Pjetër Vuçaj, Tahir Zajmi, Hevzi Meraku, Luk Simoni, Qemal Balila, Haxhi Fahriu dhe Sokol Dobroshi (anëtarë).

Ky organizim erdh si përgjigje e domosdoshme e shqiptarëve, veçmas e viseve të Kosovës, të Dibrës dhe të Pazarit të Ri, kundrejt situatës së re gjeopolitike, e cila ishte krijuar pas kapitullimit të Italisë fashiste, në fillim të shtatorit të vitit 1943. Pra, ishte evidente frika ndër shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë se zhvillimet e reja mund t’i copëtonin serish tokat shqiptare, respektivisht se mund të ndodhte që bota sllave, që tani ose në fund të luftës, t’I aneksonte serish trevat që nuk ishin përfshirë në Shqipërinë londineze. Prandaj, siç njoftonte shtypi i kohës, pika e parë e programit të bisedimeve ishte kërkesa “e bashkimit të përhershëm dhe të pazgjidhshëm” të të gjitha krahinave shqiptare”; pika e dytë e programit ishte bashkimi me Shqipërinë i “krahinave të Mitrovicës, Vuçitërnës, të Pazarit të Ri dhe të Senicës”; ndërsa pika e katërt bënte fjalë për formimin e një “Komiteti Qendruer në Prizren”, i cili do të merrte përsipër “organizmin ushtarak dhe politik të Kosovës”. Në pikën e pestë të programit kërkohej mbledhja e të gjitha “dokumenteve historike, politike dhe diplomatike që forcojnë qenien shqiptare të tokave të lirueme”, si dhe “vuajtjet pa fund të banorëve të këtyre viseve në kohën e sundimit jugosllav”, të gjitha këto “si dokument në rasën e nji paqie të ardhme”.

Pas seancave të fillimit të mbledhjes, në Prizren fillojnë të vijnë delegatë nga të gjitha viset shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, kështu që në ditët në vijim (më 17,18 dhe 19 shtator) arrihet një përfaqësim i tërësishëm, i paparë deri atëherë në tubimet politike të shqiptarëve. Nuk mbetet asnjë njësi administrative e Kosovës pa një përfaqësim në këtë tubim, sikundër që pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e Strugës, Dibrës, Tetovës, Shkupit, Pazarit të Ri, Senicës, Tutinit etj. Nuk kishte përfaqësues nga brendia e Shqipërisë, me përjashtim të zonave kufitare me Kosovën. Disa nga përfaqësuesit ishin prefektë ose zyrtarë të lartë administrativë, ndërsa një numër i delegatëve kishin autoritet të madh në mjediset prej nga vinin, duke qenë disa syresh titullarë ofiqesh të larta profesionale, si avokatë e profesorë, madje edhe doktorë, ose të tjerë që kishin kredibilitet të madh patriotik. Ja disa nga emrat që i drejtohen tubimit, ose popullit të mbledhur përjashta, i cili ndiqte me entuziazëm punimet e Lidhjes: Shefaqet Shkupi, dr. Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi, dr. Xhelal Mitrovica, Bedri Pejani, Ibrahim Fehmiu etj. Për anëtarë të Komitetit Qendruer të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u zgjodhën: Rexhep Mitrovica (kryetar), Sheh Musa Shehzade dhe Kolë Margjini (nënkryetarë), Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca. Në tetor bëhen disa ndryshime në strukturat udhëheqëse të Lidhjes, për shkak se disa nga këta personalitete përfshihen në qeverinë e Tiranës dhe në Asamblenë Kombëtare, sikundër edhe vetë Rexhep Mitrovica, i cili bëhet kryeministër i Shqipërisë dhe në krye të Lidhjes zëvendësohet nga Bedri Pejani. Nga mesi i janarit të vitit 1944 mbahet një tjetër mbledhje e Komitetit Qendruer të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në të cilën, thonë kronikat e kohës, “u bënë disa ndryshime në strukturën udhëheqëse dhe miratohet statuti i organizatës”. Në të vërtetë, ndryshimi më i madh do të ndodhë ndonjë muaj më vonë, kur Xhafer Deva, pas masakrës së 4 shkurtit në Tiranë, vendos të kthehet në Kosovë dhe, më sa duket, ta marrë vetë në dorë Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe luftën antikomuniste.

Për veprimtarinë e mëtejshme të Lidhjes së Dytë të Prizrenit nuk ka informacion të mjaftueshëm, së paku jo derisa udhëheqja e saj u detyrua të braktiste vendin dhe të shpërndahej në emigracion, që atje të vazhdojë një aktivitet pothuajse të pamundur, për shkak të shumë rrethanave. Gjithashtu nuk dihet nëse Lidhja e Dytë e Prizrenit arriti t’I realizonte disa nga detyrat e saj sipas statutit që ishte miratuar, sepse ajo, përveç se kishte karakterin e një lëvizjeje politike, planifikonte edhe ngritjen e strukturave paraushtarake nëpër të gjitha vendbanimet shqiptare “të Kosovës, të Dibrës dhe të Pazarit të Ri”. Bie në sy gjithashtu fakti se emri i Xhafer Devës, të cilit historiografia zyrtare ia veshi rolin kryesor në themelimin e Lidhjes, nuk përmendet gjëkundi, vetëm si i pranishëm, por jo si i zgjedhur në ndonjë strukturë të organizatës. Duket se theksimi i Xhafer Devës si ideator i Lidhjes së Dytë të Prizrenit është bërë me qëllim, për ta afruar organizatën sa më shumë me shërbimin sekret gjerman, pjesëtar i të cilit supozohej se ishte Xhafer Deva.

Situata politike e krijuar në periudhën vijuese në Kosovë nuk shkoi në favor të forcave që e krijuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Organizata nuk arriti të profilizohej qartë politikisht, veçmas në raport me Gjermaninë naziste dhe me forcat e brendshme që e mbështetnin atë. Rreshtimi I patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë, të përfshirë në Lidhjen e Dytë të Prizrenit apo edhe jashtë saj, tërësisht shkoi në drejtim të gabuar, sepse opsioni i tyre politik I krijimit të një shteti unik shqiptar, ose thënë edhe më qartë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, u lidh më shumë me fuqitë e Boshtit se sa me Aleancën antifashiste. Por edhe sikur kjo lidhje të mos bëhej siç u bë, një zgjidhje tjetër për Kosovën vështirë që do të gjendej, sepse për një ndryshim eventual të kufijve në Ballkan nuk ishte marrë miratimi i fuqive të mëdha, të cilat në përfundim të Luftës së Dytë Botërore bënë hartat e reja të botës.

Mirëpo, edhe përkundër rezultatit asfare, apo, thënë më mirë, të një shkarjeje esenciale që ndodhi në mbarë botën shqiptare, Lidhja e Dytë e Prizrenit kishte rëndësi politike, sepse në një kohë zhvillimesh të turbullta dhe kontradiktore, ajo qartësoi vijën konsistente kombëtare të përbërë nga dy postulate themelore: e para, se shqiptarët nuk e deshën komunizmin dhe iu kundërvunë atij deri në vetëshkatërrim, duke e identifikuar atë si ideologji antikombëtare; dhe, e dyta, se kosovarët e identifikuan perspektivën e tyre kombëtare vetëm në një lidhje të pashkëputur me Shqipërinë. Këto dy postulate do të përbëjnë “shkapërcimin kohor” ndërmjet dy epokave, të asaj parakomuniste dhe paskomuniste, duke lënë në mes një vakuum të errët të një kohe ndër më kobshmet për shqiptarët.

 

Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë

 

Sa herë që flitet për funksionimin e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe, referencë kryesore merret Kosova dhe aspiratat e saj për të jetuar në një shtet kombëtar, ndërkohë që lihet disi në heshtje vullneti politik i asaj pjese të botës shqiptare, që ndryshe quhet Shqipëri londineze. Më herët iu referuam disa fakteve, që bëjnë të njohur se në periudhën midis dy luftërave botërore Shqipëria filloi të ndjehej e vetëmjafueshme në hapësirën që përfshinte dhe, po në këtë periudhë të konsolidimit të shtetit shqiptar, ndjehet edhe një lloj indiference, refuzim i heshtur, ose edhe i hapur ndaj viseve shqiptare të mbetura jashtë kufijve shtetërorë. Një pjesë e njerëzve në Shqipëri, patriotë dhe nacionalistë të ndryshëm, gjatë kësaj periudhe, ndjehen emocionalisht të lënduar rreth Kosovës, por politikat e shtetit synojnë të bëhen racionale dhe të dimensionohen në varshmëri me interesat e tij.

Pas vitit 1941, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kuptimi i shtetit shqiptar zgjerohet edhe për shkak se pjesa më e madhe e Kosovës përfshihet në kuadër të këtij shteti, sikundër edhe për faktin se shteti amë, pra Shqipëria, merr rolin integrues dhe emancipues për pjesën tjetër të kombit, i cili, për shkak të rrethanave historike, ka nevoja specifike në raport me Shqipërinë. Nën ombrellën nazifashiste, këtë rol Shqipëria e luan me shumë sukses dhe për njëfarë kohe nuk bëhen të ditur shenja të raporteve të acaruara ndërmjet veriut dhe jugut, toskëve dhe gegëve, apo Kosovës dhe Shqipërisë. Përkundrazi. Përveç idilit kombëtar, në këto vite marrin hov edhe format e tjera të integrimit.

Por, sikundër do të shohim, vjen një çast kur ky idil do të përmbyset në një mënyrë mjaft të vrazhdët, duke lënë prapa një shije të keqe për vite dhe dekada me radhë. Atë që mund të thuhet se Xhafer Deva e paskësh bërë si veprim pozitiv me mbështetjen që i paskësh dhënë idesë së bashkimit kombëtar, sikundër edhe me veprimet konkrete për ta bërë funksionale këtë ide, më anë tjetër, po kaq negativ mund të quhet veprimi i tij në fillim të shkurt të vitit 1944, kur, për hakmarrje personale, kapitullit të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri ia shtoi një rast tragjik, që do të dominojë këto marrëdhënie për dekada me radhë dhe do të flasë, në mënyrë të tërthortë, edhe për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.

Faktet tashmë kanë dëshmuar se masakra e 4 shkurtit e vitit 1944 nuk ka pasur përmasa të tilla çfarë i është dhënë nga komunistët që erdhën në pushtet pak më vonë dhe se kjo masakër nuk kishte kuptimin e një konflikti shqiptaro-kosovar, ose të një mllefi të kosovarëve të frustruar nacionalistë kundër Tiranës komuniste. Masakra ishte një qërim hesapesh, ose ndeshje ndërmjet pushtetit kuisling dhe ilegales komuniste të Tiranës, e menaxhuar keq nga aktori kryesor i saj, Xhafer Deva. Por duhet vërejtur se rrethanë më fatkeqe e kësaj situate ishte fakti se pushtetin kuisling e përfaqësonin kosovarët, në rastin konkret kryeministri Rexhep Mitrovica, ministri i Brendshëm, Xhafer Deva dhe mercenarët apo sejmenët e tij kryesisht kosovarë. Më anë tjetër, të vrarët dhe të burgosurit në mbrëmjen e 4 shkurtit 1944, pavarësisht në ishin komunistë ose jo, shumica ishin banorë të Tiranës, fakt ky që e lëndoi së tepërmi kryeqytetin dhe nxiti një valë të paparë antikosovarizmi në Shqipëri.

Është e ditur se komunistët e Shqipërisë, të cilët më pas erdhën në pushtet, këtë rrethanë fatkeqe e shfrytëzuan për qëllimet e tyre propagandistike. Ata manipuluan shumë fakte rreth kësaj ngjarjeje, përfshirë edhe numrin e të vrarëve dhe të burgosurve. Dokumentet e kohës do të tregojnë se numri i të vrarëve ishte shumë më i vogël nga 80-104, sa thuhej nga propaganda komuniste; se të vrarët nuk ishin të gjithë shqiptarë dhe se disa që i konsideruan si të vrarë më atë datë, nuk u identifikuan ndonjëherë. Kështu, burimet e kohës thonë se numri i tërësishëm ishte gjithsej 44, prej të cilëve 23 u identifikuan me emra dhe mbiemra si shqiptarë, 4 u identifikuan si të kombësisë italiane, 4 të kombësisë malazeze, 1 i kombësisë jugosllave, 6 të identifikuar si punëtorë, por pa emra dhe 6 të tjerë të paidentifikuar. Këto të dhëna janë botuar në gazetën “Bashkimi” një vit pas masakrës dhe aty u bëhet thirrje banorëve të Tiranës që të paraqesin rastet e të vrarëve në këtë masakër, gjë që bën të ditur se as numri dhe as emrat e të vrarëve, edhe një vit pas masakrës, nuk ishte plotësisht i njohur. Gjithashtu është interesant fakti se shoqatat antifashiste të Shqipërisë, të cilat me rastin e 65-vjetorit të masakrës së 4 shkurtit i dërgojnë një promemorie Këshillit Bashkiak të Tiranës për të ndërtuar një monument në përkujtim të viktimave, nuk janë në gjendje të nxjerrin më shumë se 30 emra të të vrarëve me këtë rast. Ndërkaq, kombësia e të vrarëve është mjaft heterogjene për rrethanat e Shqipërisë së asaj kohe. Derisa 4 italianët mund të ishin nga kontingjenti i të “harruarve” në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë, ndërsa tani të përfshirë në lëvizjen komuniste, më anë tjetër del krejtësisht e paqartë prania e 4 malazezve, përfshirë këtu edhe një “jugosllav”, I cili, sipas gjasës, ishte hebre (David Kohen).

Sido që të ketë ndodhur, një gjë është e sigurt: përgjegjës i drejtpërdrejtë i vrasjes së këtyre njerëzve (pavarësisht numrit) ka qenë Xhafer Deva dhe në raportet Kosovë- Shqipëri ka lënë një plagë të hapur, e cila rregullisht është apostrofuar qoftë nga regjimi komunist, qoftë nga banorët e Tiranës. Pavarësisht se nuk u quajt përgjegjës për këtë masakër vetëm Xhafer Deva “me kosovarët e tij mercenarë”, sepse aty ishte edhe kryeministri i qeverisë kuislinge Rexhep Mitrovica, pastaj komandanti i përgjithshëm I xhandarmerisë, Hysni Dema, komandanti i forcave të Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani, prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, përgjegjësia doemos që do të bjerë pikërisht mbi të, në radhë të parë, sepse ai ishte ministër i Brendshëm dhe, e dyta, sepse vrasjet dhe burgosjet masive morën shkas nga një atentat që u bë mbi nipin e tij, Fahri Ibrahimin. Sikundër do të dëshmojë Isuf Deva, një tjetër nip dhe sekretar personal I Xhafer Devës (ai u arrestua nga jugosllavët në Zagreb në qershor të vitit 1945, iu dorëzua palës shqiptare dhe pas një procesi gjyqësor u pushkatua), lista e të burgosurve dhe të vrarëve të 4 shkurtit kishte dalë nga dosjet e Xhafer Devës.

Duket se edhe një fakt tjetër e ka irrituar keq Xhafer Devën, sepse atentati mbi nipin e tij ishte bërë te hotel “Dajti”, ndërsa ai kishte dalë nga makina ministrore, pra nga makina e Xhafer Devës, që domethënë se atentati mund të ishte planifikuar të bëhej mbi vetë ministrin e Brendshëm. Por, mbi të gjitha, Xhafer Deva me këtë rast nuk manifeston cilësi pushtetari të vërtetë, sepse masakrën mbi qytetarët e Tiranës, sado që shumica syresh mund të kishin qenë komunistë, e motivon me një hakmarrje krejt personale, pra primitive. Më anë tjetër, Xhafer Deva nuk shfaqet i kujdesshëm në frenimin dhe përmbajtjen e bashibozukëve të tij kosovarë, të cilët duket se marrin shkas nga ky atentat të shfryjnë mllefe të vjetra mbi banorët e Tiranës, duke vrarë, duke burgosur dhe keqtrajtuar me këtë rast edhe persona që nuk kishin asnjë lidhje më lëvizjen komuniste. Kjo situatë bëhet më e ngarkuar edhe për shkak të një rrethane tjetër: Kryeministri i qeverisë kuislinge të Shqipërisë dhe ministri i Brendshëm, Rexhep Mitrovica dhe Xhafer Deva, pra dy njerëzit më të fuqishëm të asaj Shqipërie që do të duhej të shërbente si model i një bashkimi të mundshëm të shqiptarëve në një shtet, janë kosovarë, që domethënë se në këtë rast ndodh një lloj “pushtimi” kosovar i Shqipërisë. Ky pushtim i dytë i Shqipërisë (sepse pushtimi i parë ishte gjerman), hipotetik ose real, bëhet pikërisht nga Xhafer Deva, i cili e ushtronte pushtetin e tij jo perms strukturave legale të pushtetit, por kryesisht perms mercenarëve kosovarë dhe bandave që i shkonin prapa. Nën një pushtet të këtillë, Tirana qytetare nuk do të jetë ndjerë aq mirë dhe prandaj masakra e 4 shkurtit do të marrë edhe konotacionin e luftës civile ndërmjet shqiptarëve të bashkuar në një shtet. Këtë fakt do ta shfrytëzojnë për interesa të tyre edhe komunistët e Shqipërisë, por edhe antikosovarët në përgjithësi, sikundër edhe të gjithë ata që në Shqipëri nuk e përkrahin idenë e një shteti të përbashkët me Kosovën. Pra, shija e keqe e kësaj ngjarjeje, përfshirë këtu edhe epilogun e saj tragjik, do të hidhtësojë për një kohë të gjatë raportet Kosovë-Shqipëri dhe do ta sjellë në vëmendje të Shqipërisë drojën ose skepticizmin se një bashkim i mundshëm I shqiptarëve në një shtet mund të shoqërohet edhe me episode çfarë ishte edhe masakra e 4 shkurtit të vitit 1944.

 

Tradhtia e dyfishtë

 

Por le t’i kthehemi Kosovës. Tashmë është e njohur se ngjarjet më dramatike në Kosovë nuk kanë ndodhur njëkohësisht me zhvillimet më dinamike të Luftës së Dytë Botërore, por ndodhën atëherë, kur lufta ishte në përfundim e sipër ose menjëherë pas përfundimit të saj. Këto ngjarje për një kohë të gjatë kanë qenë nën embargo, për shkak se ishin pikat më të errëta të luftës dhe të “heronjve” të saj, të cilët e mbajtën pushtetin për një kohë të gjatë dhe pandehnin se vetë mund ta merrnin vendimin se çfarë mund të mbetej e shkruar në histori dhe çfarë duhej të harrohej përgjithmonë. Mirëpo, përveç historisë së shkruar, një popull që kishte traditë të gjatë gojore, pra të rrëfimit të gjërave gojë më gojë, doemos që do ta kultivonte edhe këtë mënyrë të ruajtjes në kujtesë të atyre ngjarjeve, të cilat historia zyrtare mëtonte t’I harronte sa më shpejt. Kështu, u mbajtën në kujtesë dhe shpëtuan nga harresa ngjarjet si kryengritja e Drenicës e Shaban Polluzhës, e ndodhur në janar-shkurt të vitit 1945; vendosja e pushtetit ushtarak po në dimër të vitit 1945; masakra e Tivarit e ndodhur në prill të po atij viti; si dhe kuvendi i Prizrenit, i mbajtur në korrik të vitit 1945, me të cilin realisht mbyllet kapitulli më tragjik i kësaj lufte në Kosovë. Në të vërtetë, përgjatë gjithë kohës së sundimit të komunistëve, në Kosovë ishin në qarkullim të dy variantet e historisë së këtyre ngjarjeve. Zyrtarisht ishte thënë se në mbarim të Luftës së Dytë Botërore në Kosovë shpërthyen kryengritje kundërrevolucionare, të organizuara nga reaksioni dhe mbeturinat e armikut, të cilat u shuan me goditjen e fuqishme të forcave të organizuara të shtetit të ri jugosllav. Mirëpo, këto ngjarje kishin edhe versionin e tyre popullor, i cili përhapej gjithandej odave, kuvendeve të burrave, bisedave familjare, ku ngjarjet dhe pjesëmarrësit në to cilësoheshin si patriotike dhe gëzonin simpatinë e gjerë të kosovarëve. Ky variant gojor i shpjegimit të këtyre zhvillimeve e mbajti gjallë kujtesën për kryengritjen e Drenicës, për Shaban Polluzhën, për masakrën e Tivarit, për të gjitha ato ngjarje që u vunë nën embargon e fuqishme të pushtetit dhe të zyrtarëve të tij. Kjo situatë zgjati deri në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, kur realisht filloi rishikimi i ngjarjeve të historisë dhe heqja e ndalesave për trajtimin e tyre pa kufizime ideologjike. Mirëpo, tani kufizimet u shfaqen në krah tjetër: ngjarjeve të ndaluara iu atribuuan fakte, persona dhe ndodhi të paqena. Megjithatë, kjo ishte një rrethanë e përshtatshme në kontekst të krijimit të parakushteve për shpjegime dhe arsyetime, të pjesëmarrësve të ngjarjeve dhe të atyre që ishin dëshmitarë.

Rrëfimet e tyre, pa asnjë kufizim, munden t’i bënin publike si pala që kishte pasur embargo për shumë vite, si pala tjetër, që e kishte ushtruar këtë embargo. Tani askush më nuk mund të ankohej për kufizime apo censurë zyrtare. Dhe çfarë doli nga kjo? U bënë të ditura publikisht ndodhitë të atij dimri famëkeq të fillimit të vitit 1945. Në të vërtetë, shqetësimet kishin filluar që disa muaj më parë, që nga vjeshta e vitit 1944, kur ndodhi i ashtuquajturi çlirim I Kosovës. Vendi u gjend në një rrëmujë politike dhe ushtarake. Në Kosovë hynë brigadat e Shqipërisë, të cilat qëndruan fare shkurt dhe vazhduan operacionet luftarake në ndjekje të ushtrisë gjermane, e cila tashmë tërhiqej në veri. Populli i Kosovës do ta konsiderojë tradhti atë që bënë këto brigada, sepse ato, edhe përkundër lutjeve dhe përgjërimeve që të mos e linin Kosovën, e braktisën atë në situatën më të rëndë. Brigadat e Shqipërisë shkuan në drejtim të Vishegradit, ndërsa prapa tyre hynë brigadat partizane malazeze dhe serbe, të cilat i kishin shtuar radhët e veta me çetnikë të konvertuar. Ato, në emër të luftimit të reaksionit dhe të mbeturinave të armikut, ndërmorën reprezalje në mbarë Kosovën. U burgosën dhe pastaj u pushkatuan shumë njerëz, pa shkas dhe pa më të voglën arsye. Pas përfundimit të operacioneve luftarake deri në Bosnjë, brigadat e Shqipërisë u kthyen prapa, kaluan nëpër Kosovë, panë se çfarë kishte ndodhur në mungesë të tyre, kosovarët përsëri u përgjëruan të mos i braktisin, por ato marrin urdhër të largohen nga Kosova. Këtë veprim të brigadave të Shqipërisë kosovarët gjithmonë e kanë konsideruar tradhti.

Por a kishin të drejtë? Jo, nëse mendonin se ishin të zot të vetes, se kishin ushtrinë e tyre partizane, se kishin zgjedhur këshillat e tyre nacionalçlirimtare. A vazhdojnë kosovarët të thonë edhe sot se Konferenca e Bujanit legjitimoi pushtetin politik në Kosovën autonome në kuadër të Jugosllavisë? Atëherë, çfarë donin në Kosovë brigadat partizane të Shqipërisë? Asgjë. Por e vërteta është se vendimet e Bujanit, njësoj sikundër edhe lidhjet e vazhdueshme organizative të komunistëve të Kosovës dhe të aradheve partizane me strukturat e Serbisë nuk ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ata, pa Shqipërinë, konsideronin se nuk kishin fuqi për t’iu kundërvënë ripushtimit të Kosovës. Atyre, pra kosovarëve, nuk u pengonte fare se udhëheqja politike e brigadave partizane të Shqipërisë ishte komuniste. Kjo për ta nuk kishte rëndësi. Ata ishin shqiptarë dhe kosovarët e kërkonin mbrojtjen e tyre. Kur Shqipëria nuk i merr në mbrojtje, ata zhgënjehen dhe shtetin amë e akuzojnë për tradhti.

Në dimrin vijues, krahas operacioneve të spastrimit që vazhdojnë me të njëjtin intensitet, fillon edhe mobilizimi i kosovarëve për të ashtuquajturën luftë përfundimtare kundër Gjermanisë në tërheqje e sipër. Ishte hapur Fronti i Sremit dhe atje ishte menduar të dërgohej Shaban Polluzha me drenicasit e tij. Duke ditur si rrodhën ngjarjet e mëvonshme, askush nuk beson se kërkesa për t’i dërguar drenicasit me traditë rebelimi në Frontin e Sremit, ishte bërë pa paramendim. Përkundrazi. Sikur bën me dije vetë Fadil Hoxha në kujtimet e tij, me shkuarjen në Frontin e Sremit, Shaban Polluzha duhej të tregonte bindje dhe lojalitet. Ai I çon luftëtarët e tij deri në Podujevë, aty përfundimisht vendos të mos shkojë më tej dhe nis të kthehet prapa. Askush tjetër, por vetë Fadil Hoxha jep urdhër të shtihet me topa kundër drenicasve të Shaban Polluzhës. Këtë e pohon ai vetë, në librin e tij të kujtimeve.

 

Pacifizimi i Kosovës

 

Realisht, me urdhrin që jep Fadil Hoxha të shtihet kundër luftëtarëve të Shaban Polluzhës, luftës së pambaruar në Kosovë i jepet dimensioni i luftës civile. Tanimë partizanët në Kosovë nuk luftojnë kundër armikut nazifashist, luftojnë kundër kundërshtarëve të tyre politikë. Dhe kundërshtarë politikë e kanë shumicën e popullit të Kosovës. Ndërsa Fadil Hoxha, që mrekullisht kishte shpëtuar nga një “vetëvrasje” e menduar dhe e parealizuar, pavarësisht se i bëri shërbimet e nevojshme në ndihmë të terrorit që ushtrohej në Kosovë, po atë dimër hiqet nga pozita e shefit të shtabit (megjithatë, mbetet zëvendës), në Kosovë vihet pushteti ushtarak dhe të gjitha kompetencat i marrin ushtarakët serbo-malazezë, bashkë me OZNA-n. Vrasjet masive të shqiptarëve tani bëhen edhe me pretekst tjetër: fillon mobilizimi i tyre për t’i dërguar në fronte të ndryshme të luftës. Në të vërtetë, gjithkush e dinte se, në rrethanat çfarë ishin atëherë, shqiptarët e Kosovës nuk mobilizoheshin për luftëtarë frontesh, por për efekt terrori brenda vetë Kosovës dhe për efekt vrasjesh, kudo që mund të realizoheshin ato.

Në këto rrethana ndodhi edhe masakra e Tivarit. Ajo që është shkruar deri më tani për këtë masakër, për nga interpretimi i lirë i rrëfenjës, ngjan shumë me ato që kam dëgjuar unë që në fëmijërinë e hershme në katundet e Krajës, të rrethinës së Tivarit. Kosovarët u vranë pa ndonjë arsye, numri i tyre i saktë nuk dihet, kufomat e tyre u hodhën në det, mbi ata shtinë edhe civilët, një numër syresh u vranë edhe nëpër male, atje ku u kapën nga banorët malazez të rrethinës. Më kujtohet, kur isha fëmijë, derisa përshkonim këmbë rrugën për në Tivar, nën maje të Rumisë, matanë Gropave të Pinçit, kalonim nëpër një vend që quhej Maja e Shkallës. Nën bokërrinat që zbritnin teposhtë në drejtim të Tivarit të Vjetër, rruga malore kalonte përmes një katundi të vogël malazezo-boshnjak. Njerëzit e anëve tona, ndërsa kalonin pranë shtëpive të atij katundi, u grahnin mushkave që të ecnin më shpjet dhe muhabetet e nisura i ndalnin përgjysmë. Njëra nga shtëpitë e katundit kishte një dritare të vogël që shikonte nga rruga dhe im atë një herë më pat thënë se nga ajo dritare, dikush nga katundi, i kishte vrarë 12 kosovarë të paarmatosur, të cilët iknin bokërrinave të zhveshura përpjetë dhe nuk gjenin një vend ku të futeshin. Në katundet e Krajës u strehuan një numër i të mbijetuarve dhe miqësitë që u lidhën atëherë kanë vazhduar deri në ditët e sotme.

Por më është dukur disi e çuditshme dhe një mungesë respekti për të vrarët në këtë masakër mënyra sesi Fadil Hoxha në kujtimet e tij i shmanget ndonjë shpjegimi çfarëdo qoftë dhe përpiqet të bëjë të paditurin, madje në njëfarë mënyre duke e miratuar versionin zyrtar të ngjarjes, se kishte qenë një incident tragjik, të cilin e kishin shkaktuar vetë kosovarët. Më anë tjetër, historianët e Kosovës, që me kohë nuk bënë ndonjë hap të madh në hulumtimin e dëshmive arkivore për këtë ngjarje, por u mjaftuan me rrëfimet e dëshmitarëve. Nuk ishte vetëm embargoja jugosllave, që pamundësoi një hulumtim më thelbësor të ndodhisë, por edhe njëlloj frike e historianëve kosovarë se në këtë ngjarje do të dalë e implikuar edhe udhëheqja politike dhe ushtarake e Shqipërisë. Dhe, merret vesh, ajo ishte e implikuar në mënyrë jashtëzakonisht tragjike.

Në të vërtetë, Shqipëria tashmë kishte kapitulluar para Jugosllavisë dhe atributet jugosllave për kosovarët si reaksionarë, kishin zënë vend në botëkuptimin e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Shqipërisë dhe do të qëndrojë i pandryshuar deri në kohët e vona. Në përgjithësi, përgjatë viteve 1944-48, kur miqësia shqiptaro-jugosllave njihte ditët e saj më të marra, trajtimi i kosovarëve që ankoheshin nga terrori jugosllav te autoritetet e Shqipërisë ishte refuzues dhe i egër. Kosovarët, qofshin të ikur ose të ndjekur, arrestoheshin në Shqipëri, mbaheshin nëpër burgje, u nënshtroheshin hetimeve dhe një numër syresh u dorëzoheshin autoriteteve jugosllave. Rasti më i përçudshëm është ai i Selman Rizës. Por nuk është vetëm ky. Me aksione të përbashkëta dhe duke këmbyer reciprokisht informatat, Shqipëria dhe Jugosllavia për një kohë relativisht të shkurtër arritën të vendosnin nën kontroll zonat veriore të Shqipërisë, përfshirë edhe zonat kufitare me Kosovën, ndërsa Kosovën e pacifizuan pothuajse tërësisht.

Prandaj, nuk bisedohet nëse Shqipëria ishte në dijeni ose jo për masakrën e Tivarit, por në çfarë shkalle e ndihmoi atë. Hulumtimi i arkivave do të duhej të nxirrte në dritë se çfarë ishte shkruar në marrëveshjen shqiptaro-jugosllave, që kolonat e të mobilizuarve kosovarë të kalonin rrugës Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër dhe më tej në drejtim të Tivarit, kush i shoqëronte ato kolona, sa kosovarë të mobilizuar u vranë para se të arrinin në Tivar dhe gjëra të ngjashme. Sepse nuk ishte vetëm një kolonë dhe nuk ishte vetëm një rast. Edhe pas kësaj masakre, nëpër Shqipëri kaluan së paku edhe dy kontingjente të mobilizuarish, po me të njëjtin destinacion. Në këtë mënyrë, pas Luftës së Dytë Botërore, pacifizimin e Kosovës e ndihmoi edhe Shqipëria, duke u bërë pjesë e një skenari ndarës dhe refuzues për kosovarët, tashmë të mbetur pa asnjë mbrojtje dhe pa asnjë perspektivë politike.

Kuvendi i Prizrenit

 

Pas shpalljes së gjendjes ushtarake, mobilizimit të dhunshëm të rreth 50 mijë kosovarëve dhe vrasjes së një numri të madh syresh me pretekste të ndryshme, në Kosovë u krijuan rrethanat për një ndërmarrje të re politike: anulimin e vendimeve që ishin marrë në Konferencën e

Bujanit. Kjo u bë në të ashtuquajturin Kuvend i Prizrenit, I cili u mbajt 8-10 korrik 1945. Kisha krijuar idenë se në librin e kujtimeve të Fadil Hoxhës kjo ngjarje duhej të zinte një vend të rëndësishëm, sepse në popull ishte krijuar një si gojëdhënë për qëndrimin që kishte mbajtur ai në këtë kuvend. Dhe legjenda thoshte kështu: Pasi kishte bërë përpjekje të pasuksesshme për ta ndryshuar rrjedhën e kësaj ngjarjeje, Fadil Hoxha, pjesëmarrësve shqiptarë të mbledhjes, me lot në sy u kishte thënë afërsisht këto fjalë: Mbaruem, burra! Pshtojeni kokën, kush mundet! Në librin e kujtimeve, me një gjakftohtësi lapidare, Fadil Hoxha të thuash si shkarazi përmend faktin se “vendimet e Konferencës së Bujanit u suprimuan në Kuvendin e Prizrenit” dhe se aty u vendos që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë. Është pak e çuditshme, dhe këtë ai nuk e thotë asnjëherë, si arritën Fadil Hoxha dhe disa të tjerë t’i mbijetonin këto ngjarje kaq të kundërta me njëra-tjetrën: edhe Konferencën e Bujanit, ku, siç thonë ata, qenka marrë vendimi që Kosova t’i bashkëngjitej Shqipërisë, po edhe Kuvendin e Prizrenit, ku u mor vendimi që Kosova të bëhej me Serbinë? Fadil Hoxha thotë: “Të gjithë anëtarët e Bujanit kanë qenë aty”, pasi pak më sipër kishte pohuar, se tashmë ishte dhënë në diskutim deklarata “që do t’i bashkohemi Republikës së Serbisë” dhe se dokumentet e prezantuara pranohen “njëzëri”.

Tashmë dihet se disa nga pjesëmarrësit e Kuvendit të Prizrenit nuk arritën ta mbijetonin atë ngjarje, disa të tjerë u burgosën, sekush u shantazhua në forma të ndryshme, por, krejt në fund, u krijua një listë e “përfaqësuesve të popullit” që nënshkruan “vendimin unanim”, me të cilin Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë, “me vullnetin e lirë të popullit”. (Kjo situatë do të përsëritet së paku edhe një herë në historinë më të re të Kosovës, në vitin 1989, kur Kuvendi i Kosovës do të votojë ndryshimet kushtetuese të Serbisë, me të cilat suprimohej autonomia e Kosovës. Po të mos kisha qenë i pranishëm në Prishtinë në vitin 1989, nga ndonjë distance kohore me siguri kisha besuar se delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës u gjetën nën trysninë e madhe të ushtrisë dhe policisë serbe, sepse edhe ashtu kushtetuta e Serbisë e miratuar asaj radhe u quajt kushtetutë e tankeve. E vërteta është se kosovarët me këtë rast, njësoj si në vitin 1945 në Prizren, tradhtuan veten e tyre dhe se për këtë vetë e mbajnë përgjegjësinë. Madje, çuditërisht, pothuajse në të njëjtën mënyrë, në të dy situatat, “përfaqësuesit e popullit” janë përpjekur të fshihen prapa ngjarjeve të tjera që ndodhën atëbotë. Por e vërteta është se delegatët e Kuvendit të Prizrenit të vitit 1945 ishin përzgjedhur nga OZNA, ndërsa të Kuvendit të Kosovës të vitit 1989 nga SPB-ja e asaj kohe.

Nënshkrimi i qitur në letër në vitin 1945 dhe gishtat e ngritur në Kuvendin e Kosovës më 1989, janë dy gurë të lidhur në qafën e Kosovës, që përforcojnë idenë e vetëvrasjes politike, të cilën kosovarët dinë ta bëjnë mirë herë pas here).

Edhe dy gjëra bien në sy rreth Kuvendit të Prizrenit të korrikut të vitit 1945: emrat e nënshkruesve, si dhe shpërndarja e tyre nëpër komunat e Kosovës. Disa nga këta persona, nënshkrues të aktit të bashkëngjitjes së Kosovës me Serbinë, mrekullisht kanë ditur të fshihen për aq shumë vite nga sytë e opinionit, duke u shfaqur njëkohësisht në pamje të dyfishtë. Disa të tjerë veprimin e kishin bërë me ndërgjegje dhe vetëdije të plotë. Ja disa emra që kumbojnë dhe bien ne sy në mesin e 82 emrave të përfaqësuesve të rretheve të vendit: Kolë Shiroka (Prizren), Elhami Nimani (Gjakovë), Ibrahim Tërnvaci (Drenicë), Xhavit Nimani (Vuçitërn), Fadil Hoxha e Mark Krasniqi (Pejë), Sinan Hasani (Gjilan), Sahit Zatriqi (Istog), Qamil Brovina (Rahovec), Asllan Fazliu (Suharekë) etj. Të pashmangshëm janë aty edhe emrat e afro 30 serbëve dhe malazezëve, të cilët publikisht ose nga prapavija, për shumë dekada bënë ligjin në Kosovë.

Por rastet e këtilla nuk duhet marrë në shqyrtim si diçka e jashtëzakonshme, sepse Kosova, si çdo vend tjetër i botës, ka pasur kolaboracionistë me çdo pushtues. Fenomenin duhet parë në një plan tjetër: Përse më 1945 aq lehtësisht një numër kosovarësh, jo pa dije politike, marrin vendim t’i bashkëngjiten Serbisë? Dhuna dhe terrori doemos që e kanë bërë të veten. Por do parë këtu edhe një fakt tjetër, po kaq i dhembshëm: mesazhi që iu vjen kosovarëve nga Shqipëria në atë kohë nuk është aspak inkurajues për ta vazhduar qëndresën dhe rezistencën. Përkundrazi. Më anë tjetër, kjo mund të jetë edhe arsyeja, përse një pjesë e mirë e kosovarëve, veçmas komunistët dhe pjesëmarrësit aktivë në atë pjesë të LNÇ-së të organizuar nga PKJ-ja dhe PPSH-ja, u përfshin në zhvillimet më negative të asaj periudhe, sepse Shqipëria nuk funksiononte si mburojë për asgjë, as për ide, as për veprime. Madje, ishte po ajo Shqipëri që e ndihmonte Jugosllavinë në të gjitha format t’i persekutonte dhe t’i nënshtronte kosovarët. Disa detaje nga kjo situatë zbulohen në mënyrë autentike nga një letër e Spasoje Gjakoviqit, e shkruar në vitin 1981…

 

Një histori me OZNA-n

 

Në të vërtetë, bëhet këtu fjalë për veprimtarinë dhe bashkëpunëtorët e OZNA-s në Kosovë, përfshirë edhe viktimat e saj, të cilat në realitet janë viktima të dhunës shtetërore jugosllave. Nga një letër e Spasoje Gjakoviqit, shef i atëhershëm i OZNA-s për Kosovë, dërguar më 18 shkurt 1981 organeve partiake dhe të pushtetit të asaj kohe, kuptohet se ndërmjet Spasoje Gjakoviqit dhe Mahmut Bakallit, ende në pushtet, kishte shpërthyer një konflikt. Po e japim këtë situatë, ashtu siç është gjetur në dokumentet e kohës.

Spasoje Gjakoviqi qenkësh hidhëruar shumë në Mahmut Bakallin, për faktin se ky nuk e kishte pranuar në një takim sy më sy, madje as pas ndërhyrjes së Fadil Hoxhës. Prandaj Sapsoje Gjakoviqi vendos që të shkruaj letrën prej 41 faqesh. Letra nis pikërisht me faktin se Mahmut Bakalli, në një takim me Titon kishte kërkuar sqarime për likuidimet e disa njerëzve në Kosovë gjatë viteve të pasluftës. Në letër janë dhënë fakte, të cilat duket se kanë qenë të panjohura jo vetëm për Mahmut Bakallin, por edhe për shumë njerëz të tjerë në Kosovë. Pas leximit të kësaj letre të Spasoje Gjakoviqit, Bakalli kërkon një takim urgjent me Fadil Hoxhën, Xhevdet Hamzën dhe Xhavit Nimanin, një takim zyrtar. Por ky takim nuk ndodh asnjëherë, ndoshta edhe për faktin se demonstratat e vitit 1981 nisin vetëm 20 ditë më vonë.

Por, për këtë letër, qëndron edhe një shkas tjetër. Bakalli, kohë më parë, kishte refuzuar kërkesën dhe intervenimin e disa njerëzve nga Beogradi, që Ali Shukrija të dërgohej në Federatë, si kuadër i Kosovës. Ai kishte vendosur që Shukrija të mbetej në Kosovë, pa asnjë funksion. Por pas presioneve të shumta, ai vendos që ta zgjerojë kryesinë e Komitetit Krahinor të Kosovës, për t’i ofruar një vend Ali Shukrisë. Ky fakt e irriton Spasoje Gjakoviqin. Në të vërtetë, për Ali Shukrinë, Gjakoviqi kishte reaguar edhe më parë, në një letër dërguar Titos, më 24 maj të vitit 1974, me rastin e propozimit të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës që Ali Shukrija në Kongresin e Dhjetë të LKJ-së të zgjidhej anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar ekzekutiv i Kryesisë. Informata, thotë Gjakoviqi, kishte të bënte me qëndrimet e Ali Shukrisë gjatë LNÇ-së. “Për këtë ka ditur edhe shoku Xhavit Nimani dhe shokët e mi nga OZNA, për çka shumë udhëheqës të OZNA-s kanë kërkuar që unë ta burgos Ali Shukrinë”.

Më tej, Gjakoviqi vazhdon: “Shokët Miladini dhe Krsta gjatë LNÇ-së e kanë akuzuar Ali Shukrinë si fajtorin kryesor që u burgosën shokët nga KPJ-SKOJ-i, përveç Ali Shukrisë, sepse nga një anëtar i celulave partiake ishte lënë pa u burgosur, që të shërbente si lidhje për burgosjet e tjera”. Sinjalet e para për qëndrimin e Ali Shukrisë gjatë LNÇ-së kishin ardhur nga OZNA e Serbisë dhe më vonë edhe nga OZNA e Jugosllavisë. Vërtetimi i këtyre fakteve, thotë Gjakoviqi, ishte bërë nga kuadrot shqiptare. Mjaft të dhëna të sakta kishte dhënë edhe Çapajev Bajgora. Pas këtyre fakteve, që Gjakoviqi ia kishte bërë me dije Titos, më 1974, kishte ardhur edhe reagimi nga Prishtina: Mahmut Bakalli ia kishte parë për të madhe Spasoje Gjakoviqit për qëndrimin që kishte mbajtur ndaj Ali Shukrisë.

“A kam pasur një zgjedhje tjetër”, bën një pyetje retorike Spasoje Gjakoviqi, “përveç se ta shpalos haptas një pjesë të historisë që do të duhej të mbetej e panjohur për opinionin. Nga kjo që po iu them dhe shkruaj më poshtë, do të shihet se nuk kam pasur asnjë zgjedhje tjetër. Sepse, më duhet të them, se një fjali që më ka ardhur nga Bakalli, ka qenë shumë e rëndë: Hë, shoku Spasoje, më thuaj, ajo OZNA jote sa njerëz ka pushkatuar pas luftës në Kosovë? A kanë qenë 12.500 apo 13.500? Kjo pyetje më ka befasuar shumë edhe për faktin se u bë përmes telefonit, ndërsa unë isha në zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm…”.

“Të nesërmen”, vazhdon Spasoje Gjakoviqi, “e kam thirrur shokun Alush Gashi dhe i kam thënë se OZNA ka pushkatuar në Kosovë 1.274 bashkëpunëtorë të okupatorit, vrasës apo organizatorë të ndryshëm. Në këtë numër nuk hyjnë të vrarët gjatë aksionit të Ushtrisë Popullore Jugosllave.” (Të përkujtojmë, shkruan Gjakoviqi, në atë kohë ballistët kishin marrë Trepçën, kishin pasur si territor të lire Sërbicën, kishin marrë Podujevën, Ferizajn dhe një pjesë të Gjilanit.)

“Por dua t’iu them, shoku Bakalli, edhe disa fjalë për OZN-ën”, shkruan në letër Spasoje Gjakoviqi. “Si udhëheqës i OZNA-s për Kosmet, bazën e parë e kemi vendosur në Prokuplje dhe pastaj në Podujevë, në rajonin e Llapit. Podujeva dhe rajoni i Llapit gjithmonë kanë qenë territor më i mirë për veprim, si për gjetjen e njerëzve, ashtu edhe për shtrirje të pastajme në territorin e Kosovës”. Gajkoviqi shkruan se me veprimet që kishte bërë, ishte pajtuar edhe Miladin Popoviqi. “Atëherë, shoku Bakalli”, vazhdon Spasoje Gjakoviqi, “dua t’ua bëj me dije se në OZNA kam punuar me këta njerëz të kombësisë shqiptare: Rasim Cerkezin për rajonin e Mitrovicës, Ali Shukrinë për rajonin e Ferizajt, Kacanikut, Vitisë, Gjilanit dhe Kamenicës, Alush Gashin për rajonin e Pejës, Xhevdet Hamzën për rajonin e Gjakovës, Mehmet Cikulin për rajonin e Prizrenit. Kurse në qendër të OZNA-s për Kosovë, kam punuar me shokët Xhavit Nimani dhe Ismet Shaqiri. Por ka pasur edhe disa shokë të tjerë shqiptarë në OZNA, si: Mazlum Nimani, Shaban Kajtazi, Shabo Gutiq, Nazmi Kursani…”.

Pastaj letra trajton shpjegime të ndryshme për punën e OZNA-s në Kosovë dhe bën përpjekje të sqarojë lidhjet me Shqipërinë, si dhe marrëveshjen me Koçi Xoxen, për të likuiduar qindra njerëz të Gjakovës me rrethinë, të cilët ishin përgatitur të iknin nga Kosova në Shqipëri. “Por dikush kishte dekonspiruar dhe aksioni nuk është kryer më sukses”, shkruan Gjakoviqi. Edhe një sqarim tjetër jep ai: Kur është aprovuar Rezoluta Informbyrosë e vitit 1948, në malet e Kosovës kemi pasur vetëm 22 ballistë, që ka qenë një situatë e lehtë për t’u kontrolluar. Në atë kohë mua më dërgojnë në Shqipëri për tu takuar me Koçi Xoxen, i cili fliste shumë mirë gjuhën maqedonase. Për mua ishte inkurajues momenti kur Koci Xoxe më shpalosi fakte të tjera për gjendjen në teren. Ai më thotë, shkruan Spasoje Gjakoviq në letrën e tij, se në Kosovë dhe në malet e saj ka më shumë se 2 mijë luftëtarë nën armë, që janë të gatshëm të luftojnë. Koçi Xoxe thoshte se këto informata i kishte marrë nga një qendër spiunazhi në Greqi. “Është e qartë pra, shoku Bakalli, se prapa kësaj ka qëndruar një qendër e fortë. Mund ta merrni me mend cila: Bashkimi Sovjetik ka qenë i vetmi vend që ka pasur interes të shkatërrojë Jugosllavinë përmes Kosovës”, konstaton Gjakoviqi.

Please follow and like us: