Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (6)
RIKONFIGURIMI I IDENTITETIT
Alternativat e mbijetesës
Është pak e çuditshme si ndodhi që shqiptarët e Kosovës, që në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, krijuan alternativa e tyre të shpresës, me anë të të cilave duhej t’i kundërviheshin dëshpërimit dhe defetizmit. Marrë në përgjithësi, gjendja e kosovarëve ishte tmerrësisht e pashpresë. Idili i Shqipërisë etnike kishte marrë fund bashkë me luftën. Ajo kishte qenë një ëndërr e shkurtër, e cila tani ishte prishur përfundimisht dhe kosovarët duhej t’i ktheheshin një realiteti me iluzione krejtësisht të shkatërruara. Ata që kishin mbështetur idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, kishin pësuar disfatë të pariparueshme, kishin ikur nga kishin mundur (thuhet se me këtë rast ikën nga Kosova rreth 4.000 veta), ishin degdisur nëpër botë dhe Kosova, ndoshta njësoj si edhe Shqipëria, kishte mbetur pa nacionalizëm dhe pa idealizëm kombëtar. Në rrethanat ballkanike të mbeteshe pa nacionalizëm ishte njësoj si të shfaqeshe i zbuluar përpara një llave ujqërish, pa asgjë në dorë dhe pa vend ku të futesh. Të mbeteshe pa idealizëm kombëtar, siç kishin mbetur shqiptarët e Kosovës, ishte njësoj sikur të humbje pikat e orientimit në një mjegull të dendur.
Çfarë duhej të bënin tani kosovarët, cilën rrugë duhej të ndiqnin? Katër vitet e jetës së përbashkët me Shqipërinë, përveç që kishin mëkuar shumë shpresa për të ardhmen, kishin qenë produktive edhe në rrafshin arsimor, kulturor, madje edhe ekonomik, por më shumë në fushën e vetëdijes dhe të identitetit. Një pjesë e kosovarëve, me shumë dilemma fetare dhe të paidentifikueshëm qartë me njësinë kombëtare shqiptare, përfundimisht e kishin gjetur “rrugën e Zotit”. Një pjesë tjetër, e mësuar me traditën e gjatë të qëndrueshmërisë së Perandorisë Osmane, ishte strukur me një anë dhe rrinte në pritje të zhvillimeve më afatgjata. Tani që ndodhi përmbysja, njerëzit e kishin të vështirë ta merrnin veten: Shqipëria pothuajse ishte bërë një me Jugosllavinë, por vetëm në luftimin e përbashkët të nacionalistëve, të antikomunistëve, të NDSH-istëve, apo edhe të komunistëve që patën guximin të kërkonin zgjidhje të drejtë për Kosovën. Çdo gjë e kishte një alternativë, përveç nacionalizmit, i cili alternativë të vetme e kishte pushkatimin ose burgosjen.
Kjo periudhë, periudha 1944-1948, duket të ketë qenë koha më e pamundshme për Kosovën, sepse konfuzioni ishte aq i madh, sa që ishte vështirë të gjendej një shpjegim racional. Më pas gjërat filluan të qartësoheshin, pra filluan të bëheshin tragjikisht të qarta. Shqipëria, jo për shkak të Kosovës dhe as për shkak të rrezikut permanent që të gllabërohej nga Jugosllavia, por për “çështje parimore” dhe “të ideve të mëdha”, vihet në anën Bashkimit Sovjetik dhe të Stalinit, në konfliktin e tij me Titon dhe Jugosllavinë. Ky zhvillim e mbyll përfundimisht kufirin e Kosovës me Shqipërinë dhe kjo bën që kosovarët e atyre viteve të mos kenë më asnjë iluzion sa i përket Shqipërisë. Shqipëria nuk shërbente më për asgjë, përveç se për një kohë, ndonjë kosovar mund ta shpëtonte kokën duke kapërcyer kufirin, sikundër që ndonjë tjetër mund të vriste fqinjin e tij për shkak të megjes ose pse ia kishte shikuar gruan, më pas të ikte në Shqipëri dhe atje të gënjente se kishte ikur nga represioni serb. Më anë tjetër, Shqipëria nxirrte grupe diversantësh në zonat kufitare, dhe Jugosllavia e bënte po të njëjtën gjë. Njerëzit vriteshin nga të dyja palët, por në të dy rastet ishin shqiptarë ata që e hanin plumbin.
Rezoluta e Informbyrosë çoi edhe një numër kosovarësh në Goli Otok, por ata, kryesisht, nuk u burgosen për shkaqe ideologjike, siç ndodhi me informbyroistët serbë e malazias, por për çështje nacionale. Të burgosurit politikë shqiptarë që atëherë filluan të ishin të ndryshëm nga të burgosurit e tjerë politikë të Jugosllavisë. Në rrethanat çfarë u krijuan, ata nuk mund të ishin njerëz pa ideologji dhe nuk mund të ishin unikë në pikëpamje, përfshirë edhe identitetin kombëtar. Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, për të shpëtuar nga identifikimi negativ që bënte pushteti jugosllav, u regjistruan si turq. Këtë proces të konvertimit e parapëlqente dhe mbështeste pushteti. Kështu, më 1948 nuk kishte të regjistruar më shumë se 1.315 turq në Kosovë, por pesë vjet më vonë ky numër arrin shifrën fantastike prej 259.535 vetash. Procesit të regjistrimit të vitit 1953, prej të cilit doli kjo shifër, i parapriu një propagandë e intensifikuar, e zhvilluar përmes emisarëve të ndryshëm të angazhuar nga UDB-ja, kryesisht njerëz të fesë, të cilët me insistim kërkonin që shqiptarët të regjistroheshin si turq. Më pas, po këta njerëz e vazhduan propagandën e tyre, për t’i bindur njerëzit të shpërnguleshin në Turqi. Shifrat që kanë publikuar studiuesit shqiptarë janë alarmante, tragjike: përgjatë viteve 1952 – 1958 thuhet se janë shpërngulur në Turqi 285.810 persona, ndërsa në periudhën 1959 – 1965 janë shpërngulur 179.871 veta.
Në të vërtetë, sikundër që do të shihet edhe në vitet në vijim, Jugosllavia e re nuk u distancua asnjëherë nga programi nacional serb, i cili, herë përmes elaborateve dhe herë përmes organizimeve legale, vazhdonte politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve. Legalisht shqiptarët ishin pakicë kombëtare e pranuar në Jugosllavi, por paralelisht me politikat legale, bëheshin edhe politikat gjysmë institucionale, të cilat favorizonin idenë e vjetër të nacionalizmit serb, se shqiptarët e Kosovës ishin kolonë turq, të ardhur në Kosovë bashkë me Perandorinë Osmane.
Studiuesit shqiptarë insistojnë se në janar të vitit 1953 në Split ishte zhvilluar një takim ndërmjet Titos dhe ministrit të Jashtëm të atëhershëm të Turqisë, Fuad Kypriliu, me të cilin kishte biseduar për riaktivizimin e traktatit të paratifikuar të vitit 1938 ndërmjet mbretërisë së Jugosllavisë dhe Turqisë, për shpërnguljen e një milion shqiptarëve nga Kosova dhe nga Maqedonia Perëndimore. Është vështirë të dihet nëse pretendimet e studiuesve shqiptarë kanë një bazë reale, se edhe vetë Tito ka qenë i angazhuar në këtë projekt të shovinizmit serb, por ajo që mund të dihet saktësisht është fakti se shpërngulja ka qenë legale dhe se është bërë me miratimin dhe me nxitjen e organeve të shtetit.
Këto kanë qenë vite të rënda për Kosovën. Veprimet e shtetit jugosllav kanë qenë të studiuara mirë dhe të kombinuara, të tilla që popullsia e pambrojtur e ka pasur të vështirë t’iu bëjë ballë. Është ushtruar dhunë sistematike policore, është ushtruar dhunë ekonomike, është ushtruar propagandë dhe, kur është parë se të gjitha këto nuk japin rezultatet e dëshiruara, janë ndërmarrë edhe aksione suplementare, ta zëmë, si aksioni i armëve, i cili nuk ka pasur ndonjë shkas të veçantë që të ndërmerret gati dhjetë vjet pas luftës, por është organizuar vetëm për të ushtruar terror mbi popullsinë civile. Madje, sikur kanë rrëfyer dëshmitarët e kohës, aksioni kishte degjeneruar në shitblerje pushkësh nga një dorë në tjetrën, nga policia sekrete te spiunët, nga spiunët te hallexhinjtë, të cilët, pas torturave çnjerëzore, shitnin kaun e lavrës ose lopën e qumështit për të blerë pushkën e kërkuar, kudo që mund të gjendej ajo.
Modeli i shqiptarit jugosllav
Këtu dua të ndalem pak më gjatë dhe, bashkë me lexuesin, të sqaroj një dilemë. Unë e kam lexuar librin me kujtimet e Fadil Hoxhës dhe, në disa vende, më ka bërë të stepem për shkallën e lartë të papërgjegjësisë, ose të cinizmit, që shfaq autori kundruall disa zhvillimeve fatkëqija që kanë ndodhur në Kosovë, për të cilat Fadil Hoxha, nëse mund të thuhet se nuk ka qenë përgjegjës i drejtpërdrejtë, doemos që ka pasur dijeni; nëse nuk ka pasur dijeni në kohën kur janë zhvilluar ato ngjarje, doemos që ka dëgjuar të flitet për to në rrethana të tjera; nëse nuk ka dëgjuar të flitet dhe nuk ka pasur bashkëpunëtorë dhe miq t’i tregojnë në atë kohë, doemos që për këto gjëra ka mundur ta mësojë të vërtetën pas viteve ’90, kur u hoq embargoja nga të gjitha ngjarjet historike dhe politike. Atëherë, përse ky njeri, që e supozonte veten si lider të pakontestueshëm të Kosovës për një periudhë shumë të gjatë kohore, në rrëfimin e tij nuk e sheh të arsyeshme të zbulojë anën e errët të këtyre ndodhive? Ose të mbajë qëndrim rreth tyre, sepse janë ngjarje që i kanë sjellë shumë fatkeqësi këtij vendi, kanë hapur shumë varre, kanë lënë shkretë shumë konakë dhe e kanë cenuar Kosovën në qenien e saj…?
Të themi se Konferenca e Bujanit ishte ajo që ishte dhe Fadil Hoxha nuk kishte qenë ai që e kishte përcaktuar kahet e zhvillimin të kësaj ngjarjeje; të themi se Kuvendi i Prizrenit i korrikut të vitit 1945 ishte ai që ishte dhe se Fadil Hoxha nuk ka pasur aq forcë dhe ndikim sa të ndryshojë rrjedhën e tij; të themi se edhe kryengritja e Drenicës ishte ajo që ishte dhe Fadil Hoxha nuk kishte mundur të bënte gjë tjetër, përveç se të jepte urdhër të sulmoheshin me topa luftëtarët e Shaban Polluzhës. Ishin këto ngjarje që zhvilloheshin në rrethanat e luftës dhe Fadil Hoxha nuk ka qenë as i pari as i fundit, që mund të jetë gjendur në anën e gabuar në një luftë të tillë. Por pas këtyre ngjarjeve, në Kosovë vjen një periudhë e pushtetit populluer, në ushtrimin e të cilit marrin pjesë edhe komunistët dhe ish-partizanët shqiptarë, përfshirë edhe Fadil Hoxhën. Ne tani e dimë se në vitet e para të pasluftës në Kosovë, madje deri në vitin 1966, kuadrove shqiptare nuk u mundësohej dhe as u lejohej ushtrimi i një pushteti real. Për të gjitha gjërat e rëndësishme vendosnin të tjerët.
Shqiptarët mund të ishin ekzekutorë të vegjël, shërbëtorë të pushteti dhe pak gjë më shumë se kaq. Në këtë sens, për Fadil Hoxhën dhe shokët e tij mund të gjendet një arsyetim: ata ishin idealistë dhe, si të tillë, kishin besuar shumë gjëra që më pas dolën të pabesueshme, joreale. Ata kishin besuar në idealet e komunizmit dhe ishin zhgënjyer. Ata kishin besuar në vëllazërim-bashkimin e popujve të Jugosllavisë dhe ishin zhgënjyer. Ta zëmë, ne kemi pasur kurajë ta arsyetojmë deri diku shkrimtarin Hivzi Sulejmani, i cili pas luftës emërohet prokuror, dhe të emëroheshe prokuror për atë kohë donte të thoshte të dërgoje shumë njerëz para skuadrës së pushkatimit. Këtë fakt të tmerrshëm për një shkrimtar ne kemi qenë disi të prirë ta harrojmë, për faktin se ishte po ky Hivzi Sylejmani që një ditë doli e tha: Jo, unë nuk kam luftuar për këtë! Kjo nuk është ajo, për të cilën ne kemi qenë të gatshëm të japim jetët tona! Kjo që po shohim, nuk ka qenë kurrë ideali im! Ky Hivzi Sulejmani, që tërhiqte një rrënjë shqiptarësh të boshnjakizuar të Peshterit, që librat i shkruante serbisht dhe pastaj i përktheheshin shqip, pat kurajë të gjitha këto t’i thoshte, kur Jugosllavia ende ishte shumë e fortë dhe kur komunizmit nuk i shihej fundi askund.
Fadil Hoxha jo që nuk e bëri këtë, sepse të gjithë nuk mund të bëheshin disidentë, apo diçka që i shëmbëllen asaj, por ajo që mua më habit, është synimi dinak dhe cinik që të arsyetohen gjërat. Ja si e shpjegon ai shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. “Kanë arritur pak vonë informatat për shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, në vitet 1953-54”, thotë ai dhe, pasi shpjegon se informatën e kishte sjellë Sinan Hasani në Beograd, jep edhe shifrën prej 50 mijë njerëzve që kishin marrë viza prej Ambasadës së Turqisë për t’u shpërngulur. Bashkë me një serb të Kosovës, Fadil Hoxha shkon te Rankoviqi për ta sqaruar këtë çështje. Dhe Rankoviqi, për habinë e tij të mëvonshme, mban “qëndrim korrekt”, sepse, thotë ai, turqit mund të shkojnë në Turqi, ata shkojnë në atdheun e tyre, ndërsa shqiptarët gjithashtu mund të shkojnë, nëse atje kanë ndonjë anëtar të familjes së ngushtë, ndryshe jo. Tani Fadil Hoxha pretendon se kishte arritur ta ndalte shkuarjen e shqiptarëve në Turqi, ndërkohë që ka harruar se pak më përpara vetë pohon se në Kosovë gjatë atyre viteve ishte hapur një çështje deri atëherë e panjohur: regjistrimi i shqiptarëve si turq. Fjalitë vijuese janë lapidare për nga konfuzioni: “Aty Rankoviqi ka pasur qëndrim korrekt. Do të vdes dhe nuk do t’ia harroj. Haptazi na tha: ‘Shqiptarët mos i lejoni të shkojnë!’. Kemi vështirësi. Që nga ajo kohë shkuarja në Turqi u ndërpre. Por, megjithatë, prapë kanë shkuar. Kanë shkuar në Shkup, janë bërë banorë të Maqedonisë – të Shkupit një javë dhe pastaj e kanë marrë shpërnguljen prej Kosovës. Në Shkup kanë marrë viza…”. Ngjashëm flet edhe për aksionin e armëve, ndonëse edhe me këtë rast gjen një arsyetim se ishte informuar vonë, sepse kishte qenë në spital. Por ama e thotë: “Nuk kemi qenë kundër mbledhjes së armëve, mirëpo kemi qenë kundër mënyrës se si i kanë mbledhur armët dhe jemi përpjekur ta ndalim. Krejt këtë punë e ka bërë OZNA”. Por një raport i mëvonshëm i krerëve të sigurimit serb, të cilët arsyetoheshin për zhvillimet e asaj kohe ndër kosovarët, thoshte prerazi se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës kishin qenë të informuar paraprakisht për aksionin e armëve dhe e kishin miratuar atë. Dhe e kishin vlerësuar. Në këtë kuadër, vetëm një gjë nuk del e qartë: si arrinte Fadil Hoxha të ruante te populli i Kosovës një aureolë lideri të paprekshëm, sikur ai çdo gjë që bënte, e bënte për të mirën e shqiptarëve, se ishte i vetmi që i kishte përballuar të gjitha, se ishte i afërt me Titon, se prej tij i kërkonte të drejtat e Kosovës, se ai ia miratonte me zemërgjerësi, se ai kishte qenë në konflikt të vazhdueshëm me nacionalizmin serb, me OZNA-n, me UDB-në, me Rankoviqin etj. Madje, legjendat për Fadil Hoxhën thureshin me një autenticitet të çuditshëm: Fadili i tha kështu e kështu Titos, Titoja i tha kështu Fadilit; Fadili I tha kështu Rankoviqit, Kardelit, Bakariqit, në një kohë që po ky Fadili, siç e tregon vetë në rrëfimin e tij, për një kohë të gjatë nuk kishte pasur asnjë kontakt me Titon dhe asnjë rol në zhvillimet politike të nivelit të lartë. Si arriti ai ta krijojë këtë aureolë rreth vetes, kjo ende mbetet enigmë. Në të vërtetë, sikundër që do të shihet edhe më vonë, liderë të këtillë me aureolë shenjtërie dinë të krijojnë vetëm popujt primitivë. Prijësit kosovarë, shumica syresh, përgjatë gjithë historisë më të re do të shfrytëzojnë me shkathtësi të madhe këtë rrethanë fatkeqe të injorancës së thellë të popullit të vet dhe me lehtësi të pashembullt do të bëjnë shkapërcimin e pamundshëm nga tradhtarë në heronj.
Ndërsa i themi këto, nuk e kemi synim për të vënë në vend ndonjë të vërtetë historike, por për të qartësuar idenë se brenda vetë Kosovës, pas Luftës ë Dytë Botërore, filloi të formohej një kontingjent njerëzish të distancuar nga shumica shqiptare, nga shqiptarët e zakonshëm, të cilët vuanin pasojat e rënda të diskriminimit. Ata u profilizuan menjëherë pas luftës, si bashkëpunëtorë të pushtetit, shumica të rekrutuar nga OZNA dhe më vonë nga UDB-ja. Aty-këtu mund të gjendej edhe ndonjë kuadër i pamanipuluar nga pushteti, por të tillët ishin jashtëzakonisht pak. Ky kontingjent kosovarësh, në fillim, në vitet e para të pasluftës, ishte i vogël dhe në Prishtinë ose në qytetet e tjera të Kosovës jetonte në marrëdhënie tepër të ngushta me kuadrot komuniste serbe dhe malazeze, duke përzier edhe familjet. Ky kontingjent kosovarësh të distancuar, me kohë zgjerohet dhe rritet në numër, paralelisht me avancimet që bën Kosova në drejtim të zhvillimit politik, ekonomik, social, arsimor, kulturor dhe të hapave të përshpejtuar që bën në integrimin jugosllav.
Diferencimi dhe distancimi i tij në pikëpamje sociale është i qartë. Ata jetojnë më mirë se të gjithë shqiptarët e tjerë në Kosovë, kanë rroga të mira, udhëtojnë në Beograd, vishen më mirë dhe dinë të flasin serbisht. Në rrethin e tyre tërheqin edhe njerëz të rinj, të cilët fillojnë t’i shkollojnë në universitetet jugosllave, por më së shumti në Beograd. Përzgjedhjen e këtyre të rinjve e bëjnë ose organet e sigurimit të shtetit, ose komitetet lokale të partisë, me shumë besueshmëri dhe me shumë konfidencë. Nga familjet e njohura nacionaliste tërhiqen djemtë e rinj, të cilët arsimohen dhe edukohen me para të shtetit. Përmes kërcënimeve dhe shantazheve ata futen në spiralen e varshmërisë shtetërore, bëjnë martesa të përziera, në mënyrë që pastaj të bëhen shembull për rrethin prej nga vijnë. Cenet biografike, kërcënimet dhe shantazhet përdoren edhe ndaj kuadrove të vjetra e të verifikuara, sa herë që ata duhej ta rikonfirmonin lojalitetin ndaj Jugosllavisë. Këta kosovarë, tashmë të distancuar nga populli i vet, bëjnë të gjitha përpjekjet të njëjtësohen me mentalitetin sllav. Duke qenë pjesëtarë të një kombi të fyer dhe të përçmuar nga të gjitha anët, ata i përqendrojnë të gjitha përpjekjet të mos identifikohen me shqiptarët shumicë, të cilët tashmë kishin filluar të mbushnin rrugët e qyteteve të mëdha të Jugosllavisë si punëtorë krahu, sharrëxhinj, hamaj. Ideali jetësor i një pjese të shqiptarëve të Kosovës bëhet Jugosllavia, elita e saj, kuluaret e Beogradit, jeta politike dhe kulturore e kryeqendrës, ku ka frekuencë të madhe idesh kontemporane, por edhe fërkime të mëdha nacionale brendajugosllave, të cilat me sukses neutralizohen nga idetë e Titos për bashkëjetesë të të gjitha kundërshtive nën modelin jugosllav të socializmit. Kjo pjesë e kosovarëve ka një brengë: si ta afrojë sa më shumë Kosovën me Jugosllavinë, me standardin e saj të matjes së të të gjitha vlerave. Por derisa elitat politike të mbarë Jugosllavisë, krahas mbështetjes te parimet e integrimit jugosllav, ndërtojnë elita të pavarura kombëtare, elita e atëhershme politike kosovare synon të ndërtojë një elitë politike dhe kulturore që përjetësisht duhej të qëndronte e varur nga ideja e jugosllavizmës. Elita kosovare e periudhës së autonomisë u ndërtua jashtë kësaj skeme, kur në Kosovë filloi të zhvillohej një luftë e ashpër ndërmjet nacionalizmit shqiptar dhe integralizmit jugosllav.
Pra, gradualisht, u krijua modeli i shqiptarit jugosllav, i cili shumë shpejt identifikohet si mbështetës i fuqishëm i idesë së vëllazërim-bashkimit, që për kushtet kosovare donte të thoshte përvetësim i parezervë i të gjitha vlerave jugosllave dhe, paralelisht me këtë, heqje dorë nga identiteti shqiptar. Në të vërtetë, askush nuk kërkonte nga këta kosovarë të mos quheshin shqiptarë, të mos flisnin shqip, të mos mendonin shqip, të mos jetonin sipas traditave shqiptare, të mos krijonin familje shqiptare. Por atyre iu ofrohej një model tjetër i jetës, që për rrethanat kosovare ishte shumë më i avancuar: ishte modeli jugosllav, ku shkatërrohej pamëshirshëm çdo identitet kombëtar josllav dhe i pabarabartë me të. Që shqiptari i Kosovës të bëhej jugosllav i barabartë, nuk mjaftonte vetëm të avanconte në kulturë jete, në kulturë sjelljeje, në kulturë banimi, të avanconte në arsimim, të mësonte të fliste serbokroatisht pa theks shqiptar, të bënte miq serbë, boshnjakë, maqedonë, kroatë, por duhej të bënte më shumë se kaq: të distancohej nga çdo gjë që ishte shqiptare, madje mundësisht t’i përqeshte traditat e veta dhe identitetin e vet. Me sjelljen e vet, më mënyrën e vet të jetës, me lojalitetin ndaj shtetit dhe ndaj të tjerëve, ai duhej të tregonte se nuk ishte primitiv, se nuk e meritonte të urrehej e të përçmohej, se dallonte nga shqiptarët vrasës dhe gjakatarë të kohës së shkuar, se mund të kishte emër mysliman, por nuk duhej të ndihej i tillë, se kishte kulturë dhe kjo kulturë doemos që duhej të ishte sllave, ndryshe ajo nuk kishte kuptim.
Shovinizmi komunist
Po i lexuam shkrimet tona të historisë, do të vërejmë se në këtë periudhë ngjarjet rreth Kosovës rrjedhin disi njëtrajtshëm, në kuptimin e njëanshmërisë së tyre. Do të shohim se komunistët e Shqipërisë flasin për zhvillime pozitive në kuadër të LNÇ-së, për luftë të suksesshme kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, për vendosjen dhe stabilizimin e pushtetit popullor dhe, natyrisht, për disa rrethana të jashtme jo shumë të favorshme dhe gjithsesi më shumë për reaksionin e brendshëm. Kjo ka qenë skema, e cila është ndjekur nga historiografia zyrtare e Shqipërisë. Kur vinte puna te Kosova, me sa më pak rreshta, duhej thënë diçka e mjegullt edhe për të, që në esencë kishte këtë kuptim: se revizionistët jugosllavë i tradhtuan idealet e komunizmit dhe prandaj as çështja e Kosovës nuk gjeti zgjidhjen e duhur mbi parimet leniniste.
Historiografia zyrtare e Jugosllavisë natyrisht që gjërat do t’i shikojë ndryshe, nga këndvështrimi i saj. Historianët jugosllavë mund të jenë dukur më pak ideologjikë, por kjo ka qenë vetëm pamje e jashtme. Në të vërtetë, në raport me çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve, ata do të bëjnë një kombinim gati të pamundur nacional-shovinist dhe komunist njëkohësisht. Ata do të glorifikojnë vijën komuniste projugosllave në Partinë Komuniste të Shqipërisë, që nga grupet e para komuniste, njëkohësisht duke i atribuuar rolin e themeluesit PKJ-së dhe emisarëve të saj, si Miladinit, Dushanit dhe Tempos. Por, më anë tjetër, me këmbëngulje do ta mbrojnë pozicionin e tyre nacionalshovinist ndaj shqiptarëve, duke mos hequr asnjë presje nga programi nacional serb, të cilin tani do ta riambalazhojnë me veshjen terminologjike të internacionalizmit proletar. Pra, shovinizmi i mëparshëm imperialist serb tani do të bëhet shovinizëm komunist serb, duke gjetur pikëtakime edhe aty ku kjo të duket krejt e pamundur. Edhe rreth Kosovës historianët jugosllavë i nënshtrohen diktatit serb, duke mos bërë ndonjë përpjekje të madhe të arsyetojnë veprimet radikale që ndërmorën në Kosovën e pasluftës. Në mënyrë shumë përgjithësuese do të thonë se në Kosovë reaksioni ishte shumë i fuqishëm dhe se në disa momente ai mori karakter kundërrevolucionar. Me këtë formulë përligjeshin të gjitha masakrat që ishin bërë në Kosovë që nga viti 1944 e prapa.
Historiografia kosovare, gjatë viteve të autonomisë, u gjet në një situatë jashtëzakonisht paradoksale, kur bëhej fjalë për zhvillimet në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo duhej të mbronte qëndrimin e udhëheqjes politike kosovare, se autonomia e Kosovës i tërhiqte rrënjët që nga LNÇ-ja dhe në këtë pikë ajo duhej t’i kundërvihej historiografisë serbe, e cila e mohonte këtë fakt. Historianët serbë LNÇ në Kosovë (për aq sa pranonin se kishte pasur LNÇ në Kosovë) e trajtonin si të pandarë nga LNÇ-ja e Serbisë, respektivisht si të tillë që ajo mund t’i referohej njëlloj pavarësie organizative, por jo që të kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me organizimin e LNÇ-së në nivel jugosllav. Sipas tyre, i tillë kishte qenë edhe organizimi partiak. Kjo dëshmohej edhe me mospërfaqësimin e Kosovës në mbledhjet e AVNOJ-it. Mësimi që jepnin historianët e Kosovës ishte i qartë, por edhe mësimi që synonin të jepnin historianët serbë gjithashtu dilte i qartë. Arbitër në këtë pike mund të ishte Dedieri, historiani personal i Titos, por ai, ndonëse kroat, në parim nuk e ndryshon diskursin e tij antishqiptar, të kodifikuar qartë që në librin e hershëm “Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare (1939-1944)” të botuar në vitin 1949, kështu që historianëve të Kosovës u mbetej që këtë betejë ta bënin vetë, madje edhe pa mbështetjen e historianëve të bunkerizuar të Shqipërisë.
Pra, konflikti ndërmjet historianëve jugosllavë dhe historianëve shqiptarë të Kosovës të kohës së autonomies nuk u zhvillua vetëm rreth LNÇ-së në Kosovë, por edhe rreth themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe zhvillimit të LNÇ-së në Shqipëri. Në Jugosllavi, atëbotë, ishte ngulitur pikëpamja se Partinë Komuniste të Shqipërisë e kishin themeluar komunistët jugosllavë, nga grupet e përçara, që nuk arrinin të krijonin një organizatë të përbashkët partiake. Kjo çështje nuk ishte vetëm historike, por më shumë politike, sepse duke ia kontestuar Shqipërisë autenticitetin e organizimit partiak-komunist, kontestohej edhe LNÇ-ja, e bashkë me këtë edhe legjitimiteti i pushtetit të tanishëm në Shqipëri. Për historianët nacionalistë serbë, njësoj si edhe për ish-organizatorët jugosllavë të LNÇ-së në Shqipëri, po kaq i rëndësishëm ishte afishimi publik i një sprove të re shoviniste kundrejt shqiptarëve në përgjithësi, i nënçmimit të tyre, sprovë kjo që duhej parë nëse do të kalonte e pandëshkuar në rrethanat e socializmit liberal të Titos dhe të Jugosllavisë së rirregulluar me ndryshimet kushtetuese, të cilat tashmë kishin filluar dhe që duhej të nxirrnin si përfundim funksionimin e një modeli të ri të federatës jugosllave. Për një nënçmim të këtillë arrogant të komunistëve të Shqipërisë kishin dhënë argumente të mjaftueshme vetë krerët komunistë të PKSH-së, veçmas me ato përqafimet dhe puthjet e grave të tyre krejt “dorëlira” ndaj Miladinit, Dushanit dhe ndonjë tjetri, që kosovarët tashmë i kishin të njohura përmes librit të Dedierit.
Do të jenë dy autoritete shkencore të Kosovës, Ali Hadri dhe Fehmi Agani, që do ta hapin dhe do ta diskutojnë politikisht dhe historikisht këndvështrimin jugosllav të themelimit të PKSH-së. Së pari ndodhi reagimi i Ali Hadrit ndaj memoareve të Svetozar Vukmanoviq-Tempos, ndërsa më vonë mbrojtja e disertacionit të doktoratës nga Fehmi Agani, afërsisht mbi të njëjtën temë. Në kujtimet e tij, Tempoja kishte përfshirë edhe aktivitetin që kishte zhvilluar dy-tri vjet me radhë, si i dërguar i PKJ-së në Shqipëri, Greqi, Maqedoni dhe Kosovë për organizimin e LNÇ-së. Tempoja pohonte me këmbëngulje se lëvizjen komuniste në Shqipëri, përfshirë edhe themelimin e PKSH-së, e kishin bërë jugosllavët dhe se komunistët shqiptarë, gjatë viteve të luftës dhe menjëherë pas saj, kishin bërë dy gabime të mëdha: kur kishin tentuar të bënin marrëveshje me ballistët dhe kur kishin eliminuar Koçi Xoxen. Ali Hadri i kundërvihet Tempos kryesisht duke përdorur argumente nga “Historia e Partisë së Punës”. Sipas tij, Tempoja nuk i kundronte në mënyrë marksiste themelimin e PKSH-së, sepse nuk merrte para sysh faktin se Partia Komuniste e Shqipërisë ishte themeluar si rezultat i rrethanave të brendshme etj. Kurse për Koçi Xoxen thotë po atë që thoshte udhëheqja politike e Shqipërisë, se kishte qenë fraksionist dhe i përfshirë në rrjetin e spiunazhit jugosllav.
Ali Hadri nuk ishte historian dosido dhe reagimi i tij ndaj Tempos nuk mund të merrej vetëm si reagim i pastër shkencor, sepse, në njëfarë mënyre, ai ishte historian zyrtar I Kosovës për LNÇ-në dhe prapa qëndrimeve të tij mund të fshihej një tendencë pothuajse e tejdukshme e kreut politik të Kosovës, i përfaqësuar nga autonomistët e rinj në krye me Mahmut Bakallin, të cilët haptazi, duke shfrytëzuar politikat liberale të Jugosllavisë, dukej sikur tashmë kishin marrë guximin të sfidonin Serbinë dhe Jugosllavinë dhe pak nga pak të bënin hapa afrimi me Shqipërinë, madje edhe në ato pika, ku mospajtimet midis dy shteteve ishin jashtëzakonisht të mëdha. Në rastin e Tempos, reagimi i Ali Hadrit ishte një mbështetje e hapur që Kosova i bënte Shqipërisë, veçmas bazës historike të udhëheqjes së saj. Por mbulesa e kontestimeve kishte tjetër bazë ideore: Tempoja, në memoaret e tij, e kishte mohuar pothuajse në tërësi LNÇnë në Kosovë dhe kishte thënë se shqiptarët e Kosovës kishin pasur qëndrim armiqësor ndaj komunistëve. Ky kontestim ia mohonte Kosovës të drejtën për status më të mirë në bashkësinë jugosllave, nga ç’e kishte pasur në vitet e para të pasluftës, si një krahinë ku represioni arsyetohej me qëndrimin armiqësor të shqiptarëve ndaj LNÇ-së, ndaj komunistëve dhe Jugosllavisë në përgjithësi.
Identiteti pezull
Me një ndarje të thellë brenda vetes, Kosova tashmë po identifikohej si hapësirë e veçantë, që nuk ishte tamam as Shqipëri e jashtme, as Jugosllavi e brendshme. A ishte ky një identitet i mëvetësishëm? Nuk mund të thuhet. Ishte një identitet pezull, një identitet në pritje, një identitet i papërfunduar, i tillë çfarë është edhe sot e kësaj dite. Atëbotë, edhe përkundër trysnisë së madhe nga të gjitha anët, substanca kombëtare e Kosovës nuk u shpërbë. Në dhjetëvjetëshat e parë të pasluftës, një pjesë e kosovarëve mori rrugën e arratisë, një pjesë tjetër përfundoi në Turqi, një pjesë u manipulua nga Jugosllavia dhe u bënë shqiptarë jugosllavë, një pjesë tjetër u regjistruan turq, dikush u bë goran, dikush boshnjak, por kishte edhe të tillë që zhvilluan emigrimin e brendshëm: furrtarë të Hasit dhe të Gorës u shpërndanë anë e kënd Jugosllavisë, ëmbëltorexhinjtë e Tetovës gjithashtu, ndërsa punëtorët sezonalë kosovarë gjendeshin atje ku zhvilloheshin projektet e mëdha të ndërtimit në infrastrukturë ose në objektet ekonomike.
Martesat e përziera firuan një numër jo të vogël kosovarësh, të cilët populluan qytetet xehetarësh të Bonjës e të Serbisë, ose ata më me shumë fat, kryeqytetet e republikave më të zhvilluara. Nga fundi i viteve ’60 filloi edhe emigracioni ekonomik në shtetet e Europës Perëndimore. Por, megjithatë, substanca nuk u shpërbë. Ku qëndron enigma? Nuk ishte vetëm nataliteti i lartë, ndonëse edhe këtë faktor duhet marrë në konsideratë. Pjesa e kosovarëve që tregohej e qëndrueshme kundrejt asimilimit dhe shpërbërjes, bënte jetë tradicionale, pothuajse të pandikuar nga depërtimet bashkëkohore.
Në njërën anë, kjo situatë e linte Kosovën të pazhvilluar, me ecje tepër të ngadalshme për rrethanat e reja, por më anë tjetër po atë Kosovë e bënte rezistuese kundrejt trysnive të fuqishme, qofshin ato të menduara e të planifikuara, qofshin ato spontane, që i sillte koha. Nuk ishte favorshme një situatë e këtillë për Kosovën, që substanca e saj të ruhej përmes formave të jetës tradicionale, shpesh të prapambetur. Fundja, kjo nuk ishte një zgjedhje që e kishte bërë ajo. Ishte një situatë negative, që në mënyrë paradoksale favorizonte kompaktësinë etnike të elementit shqiptar, kudo që gjendej ai në hapësirat e Jugosllavisë. Këtë rrugë të mosnënshtrimit e zgjodhi pjesa dërmuese e popullsisë kosovare. Ata jetonin keq, bënin jetë të mbyllur, jetonin në bashkësi të mëdha familjare, lindnin shumë fëmijë, zhvillonin një ekonomi ekstenzive të mbështetur në bujqësi dhe blegtori, komunikonin pak me jetën urbane, shitnin gjëra të pakta dhe blinin gjëra të pakta. Por ato bashkësi kishin një gjë të mirë: ishin të ndërtuara asisoj, që e bënin pothuajse të pamundur depërtimin e ideologjisë komuniste, krahas ideve të jugosllavizmës dhe të mënyrës së jetës sllave.
Depërtimin e parë në këtë bashkësi të konservative dhe tradicionale e bëri shkolla në gjuhën shqipe. Vetëm ajo arriti të luhaste brenda kësaj bashkësie pozicionin shumë të fuqishëm të fesë dhe të zakoneve kanunore. Çuditërisht ajo ishte e pranueshme dhe e besueshme, sepse vinte në gjuhën shqipe, e kuptueshme dhe sugjestive, e afërt dhe imponuese. Vetëm shkollës shqipe Kosova tradicionale dhe konservative iu dorëzua pa kushte. Ndonëse me problem dhe mungesa të mëdha, ajo u zhvillua shpejt, u masivizua dhe, në ndonjë segment, arriti të bëhej edhe cilësore. Komunistët, as shqiptarë e as jugosllavë, nuk mund ta ndalnin këtë arsimim të shpejtë të Kosovës, jo vetëm pse një veprim i tillë do të shkonte kundër rrjedhës, por më shumë për faktin se përmes saj, pra përmes shkollës synonin të thyenin kompaktësinë e traditës kosovare, të ndryshonin mentalitetin kosovar dhe ta konvertonin atë në një lëndë nëse jo të përdorshme, atëherë gjithsesi të parrezikshme për Jugosllavinë. Unë nuk them se në këtë pikë sistemi jugosllav nuk arriti të bënte asgjë në Kosovë. Vitet e autonomisë, përveç që avancuan Kosovën në shumë drejtime, kishin edhe një shkallë të lartë rrezikshmërie, sepse perms arsimimit të integruar jugosllav, krahas rritjes së ndjeshme të numrit të kosovarëve me identitet të qëndrueshëm dhe stabël, rriten ndjeshëm edhe kontingjentin e shqiptarëve jugosllavë, të cilët, që të ndiheshin si të tillë, kishin mbështetjen e fuqishme të institucioneve, të partisë dhe të shtetit. Natyrisht që atyre iu besohet qeverisja e Kosovës, por nga poshtë, terrenin fillojnë ta fitojnë kosovarët e një lloji tjetër, me arsimim dhe formim kombëtar, pak nacionalistë, pak folklorikë dhe pak marksistë-leninistë, por të tillë që gradualisht e fituan betejën me kontingjentin e integralistëve jugosllavë. Në vitin 1981 ndodhi beteja finale, kur kosovarët e fituan luftën kundër të gjithë projekteve dhe elaborateve, kundër të gjitha joshjeve dhe trysnive, kundër dilemave të veta dhe konfuzionit në të cilin kishin jetuar për një kohë relativisht të gjatë.
Por, që të arrihej deri në këtë pikë, beteja identitare në Kosovë ishte zhvilluar e ashpër. Së paku deri në vitin 1968, Kosova kishte një identitet të ndrydhur, të heshtur, nga një trysni që nuk lejon mundësi identifikimi. Kosovarët ishin të privuar nga identiteti edhe për një arsye tjetër: nuk kishin potencial të brendshëm të shpërthenin murin e heshtjes, prapa të cilit qëndronin të paformësuar, të paartikuluar. Jugosllavizma i joshte dhe i kërcënonte njëkohësisht. Por shumica syresh ishin hezitues. Bartnin me vete një trashëgimi të rëndë, një kujtesë negative. Mbi shumë varre dheu nuk ishte terur ende. Të tjerët, ata që bartin trashëgiminë e LNÇ-së dhe të ndërtimit të “pushtetit populluer”, ishin sinonim i kushteve të avancuara të jetës, I prishjes së strukturës tradicionale të shoqërisë, i ndërtimit të normave të reja etike dhe shoqërore, por të gjitha këto të amputuara panatyrshëm në jetën kosovare, ose të paguara me çmimin e rëndë të tradhtisë. Shqiptarët jugosllavë ishin komunistë dhe, të ishe komunist, për pikëpamjet e shumicës së kosovarëve tradicionalë, donte të thoshte të ishe sllav, të ishe serb, ose shumë i afërt me këtë proveniencë.
Vetëm depërtimi i mëvonshëm i ideologjisë marksiste-leniniste nga Shqipëria do ta ndryshojë deri diku këtë përfytyrim që kishin kosovarët tradicionalë për komunizmin. Në të vërtetë, ata me këtë rast bënë një kompromis të pashembullt: E pranuan në njëfarë dore komunizmin e urryer për hir të Shqipërisë. Sepse, në ato vite te hershme, të ishe komunist në Kosovë donte të thoshte të ishte polic, të ishe spiun, të ishe pushtet, të ishe i pafe, të ishe rrënues i normave etike. Me kohë natyrisht që ndryshon ky imazh i komunistëve, veçmas në periudhën e autonomisë, atëherë kur në Jugosllavi bëhet liberalizimi edhe I organizatave partiake, por edhe i konceptit ideologjik të doktrinës. Për më tepër, në periudhën e autonomisë bëhet një masivizim pothuajse i panatyrshëm i LKJ-së në Kosovë, për shkak të një ideje utilitare, që konsistonte në një dualizëm tepër kontradiktor: Partia mendonte se duke masivizuar organizatën në Kosovë, do të shtrinte ndikimin e saj në të gjitha poret e jetës, edhe atje ku nuk kishte arritur të depërtonte asnjëherë, ndërkohë që një pjesë e mirë e kosovarëve kultivuan idenë se me aderimin masiv në LKJ krijonin rrethana të favorshme që partinë ta përdornin për interesat e tyre madhore. Ishte njëlloj gare në një lojë të dyfishtë, se kush do t’ia dilte të ngadhënjente mbi tjetrin.
Varshmëria identitare e Kosovës
Nga historiografia jonë nuk mund të kuptohet, nëse ndonjëherë është zhvilluar farë gare ndërmjet hapësirave të ndryshme shqiptare, për të marrë primatin e shqiptarizmës ose të shqiptarisë. Para se të bëhej Shqipëria, nuk kishte as shenja të ndonjë konflikti veri-jug, ose diçka e tillë. Madje mund të thuhet se edhe lufta për pushtet në Shqipëri, pas vitit 1924, arrin të stabilizohet ndjeshëm dhe dy herë radhazi bëhet ndërrimi i pushtetit veri-jug, jo mbi baza rajonale, fetare ose dialektore, por mbi baza të tjera. Nuk kam parë të jetë shkruar diku se pushteti i Zogut ishte i urryer, për shkak se ai ishte verior, ose diçka e tillë. Mund të jetë thënë se ai vendosi në pushtet një bandë bashibozukësh të paarsimuar, me të cilët edhe ai vetë tallej sa herë që i vinte rasti. Madje, çuditërisht nuk kam parë të jetë shkruar diku as ndonjë ankesë, përse Zogu aplikoi në administratën qendrore gegërishten, siç u dëgjuan më vonë ankesa për aplikimin e toskërishtes. Ose, nuk u tha gjëkundi se Noli e rrëzoi Zogun përkohësisht nga pushteti, sepse njëri ishte gegë dhe tjetri ishte toskë. Në atë tentativë për marrje pushteti, Zogu më shumë pat kundërshtarë nga veriu sesa nga jugu. Po kjo, në njëfarë mënyre, mund të thuhet edhe për komunistët, të cilët nuk u mbështetën nga njëra palë pse ishin toskë, ndërsa u kundërshtuan nga pala tjetër sepse nuk ishin gegë. Tjetër është se Enver Hoxha spekuloi me origjinën e vet jugore dhe ndarjen dialektore e ktheu në instrument të ushtrimit dhe të mbajtjes së pushtetit.
Në një plan më të gjerë gjithëshqiptar, aspiratat për të marrë rol prijës në botën shqiptare, edhe nëse kanë ekzistuar ndonjëherë, ato kanë pushuar me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Tashmë e kemi thënë se Kosova më 1878 dhe më 1912, pra dy herë radhazi, e kishte dëshmuar se nuk kishte potencial shtetformues, për shkak të tri rrethanave të pafavorshme: e para, sepse kishte një luhatje identitare, që ishte faktor limitues për ta çuar deri në fund çdo project kombëtar; e dyta, sepse nuk kishte krijuar një elitë kombëtare, as politike, as kulturore, madje as ekonomike (kishte bejlerë turkoshakë, të mykur në konservatorizmin e tyre); dhe, e treta, sepse Kosova ishte hapësirë mitologjike serbe dhe kjo mitologji (në pazaret e fuqive të mëdha, me fillimin e depërtimit të interesave ruse në Ballkan) arriti të ngadhënjente mbi realitetin shqiptar të paidnetifikueshëm aq qartë. Në këto rrethana, veçmas pas vitit 1912, Kosova tërhiqet përfundimisht nga ideja (nëse një të tillë e ka pasur ndonjëherë) e marrjes së rolit prijës në botën shqiptare. Për këtë kanë qenë të vetëdijshëm edhe liderët kosovarë të asaj kohe, si Hasan Prishtina e Isa Boletini dhe Bajram Curri, të cilët ndjekin logjikën e bashkëngjitjes së Kosovës me Shqipërinë dhe jo të krijimit të një Shqipërie tjetër lloji, me epiqendër të zhvendosur. Ata bëhen të vetëdijshëm se Kosova nuk ka potencial identitar për të marrë rol prijës, por ka potencial për të marrë rol bashkëngjitës.
Degradimi identitar i Kosovës vazhdon të thellohet dhe bëhet jashtëzakonisht i rëndë pas vitit 1912, veçmas pas Luftës së Parë Botërore, deri në vitin 1941. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria për Kosovën është një vend ku mund të shpëtohet koka, më vonë një vend ku mund të merret pak shkollë, por jo aq shumë edhe një vend që ëndërrohet prej kosovarëve. Një numër i vogël kosovarësh të zhvendosur në Shqipëri përpiqen të mbajnë gjallë idenë e bashkimit kombëtar, ose të çlirimit të Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Vetë kosovarët, brenda Kosovës, pasi përjetojnë një terror të paparë nga mbretëria Jugosllave me dominim serb dhe pasi dështojnë të ndryshojnë diçka me kryengritjet e njëpasnjëshme, duke e njohur pamundësinë apo edhe mosdashjen e Shqipërisë për t’i ndihmuar në çfarëdo forme, fillojnë të gjejnë rrugët e shpëtimit. Në këtë periudhë substanca shqiptare pëson erozion të madh dhe merr goditje të pariparueshme. Përveç shpërnguljeve, ndodh edhe konvertimi në turq në qendrat urbane të Kosovës dhe të Maqedonisë, në boshnjakë në zonat e Ulqinit, Tivarit, Plavës, Gucisë, Peshterit dhe Pazarit të Ri, si dhe një shndërrim i pandreqshëm i ortodoksëve shqiptarë të Maqedonisë në maqedonas dhe i një numri të kufizuar i katolikëve gjithashtu shqiptarë në sllavë të të gjitha kombësive, por më së shumti në kroatë.
Ndërkohë, situata ndryshon rrënjësisht në vitin 1941. Shqiptarët janë të lirë, madje janë aq të lirë sa që një numër syresh mund të kthehen sërish në identitet. Apo janë aq të lirë, sa që pa ndonjë ndëshkim mund t’i dëbojnë një numër të kolonistëve dhe t’i kthejnë tokat që ua kishin marrë ata, mund t’i vrasin disa syresh, por çuditërisht janë të kujdesshëm ndaj banorëve të vjetër serbë të Kosovës, të cilët nuk hezitojnë t’i marrin në mbrojtje. Për Kosovën tani Shqipëria është çdo gjë, është anë e horizontit prej nga vjen liria, është ndjenjë e lehtësimit, është këndellje, është ringjallje e ndjenjave më të fshehta të patriotizmit të strukur nën njëmijë trysni. Shqipëria është abetare me shkronja shqip, është mësues që flet dhe të mëson shqip, është ofiqar që shkruan emrat shqip, është administratë që t’i kthen tapitë e tokave të grabitura nga kolonët serbë. Realisht, në katër vjetët e Luftës së Dytë Botërore u vendos varshmëria përfundimtare e Kosovës nga Shqipëria. Për tridhjetë vitet e shkuara, Kosova nën mbretërinë jugosllave kishte degraduar shumë, ndërsa Shqipëria e pavarur kishte avancuar së tepërmi. Pra, ishte krijuar një shpërpjestim raportesh që nuk mund të kompensohej, as të tejkalohej.
Shqipëria tani kishte elitë kombëtare, arsimore, kulturore, përgjithësisht intelektuale, kishte edhe aristokraci, sado të vogël dhe sado të kufizuar, kishte shtresë të lartë shoqërore dhe infrastrukturë kulturore. Në vitet e indipedencës shqiptarët e Shqipërisë i kishte mësuar Konica si të vishej fraku, një numër i madh syresh kishin parë botë dhe kishin marrë arsim të avancuar perëndimor; gratë mbanin kapele si në revistat e modës dhe dikur bënë edhe një mbretëreshë që organizonte ballo dhe pritje të shoqërisë së lartë. Shqipëria kishte mësuar sjellje me etiketë, kishte mësuar kulturë dhe tolerancë fetare.
Po në Kosovë? Asgjë nga këto. Kosovarët kishin një dëshirë të papërmbajtur që të bëheshin si Shqipëria. Ishin vitet e luftës dhe të Shqipërisë unike, që i bënë kosovarët të shihnin se Shqipëria përfundimisht kishte marrë atributin e referencës së tyre kombëtare dhe identitare. Më pas, vitet 1945-1948, u kaluan në konfuzion të madh. Shqipëria u gjend nën trysni të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike, që të pranonte vasalitetin kundrejt Jugosllavisë, madje edhe përfshirjen në të njëjtin shtet. Kosova nuk e donte këtë. Nuk e donte as qëndrimin internacionalist të udhëheqjes politike të Shqipërisë kundrejt Jugosllavisë dhe çështjes së Kosovës. Donte një qëndrim të qartë të udhëheqjes politike të Shqipërisë: bashkim të Kosovës me Shqipërinë dhe asgjë tjetër. Komunistët kosovarë tashmë e kishin marrë vendimin në Prizren që kjo të mos ndodhte. Ata kishin vendosur që Kosova t’i bashkohej Serbisë. Populli e kundërshtoi këtë në mënyrë kategorike dhe kërkoi që në këtë synim të mbështetej nga Shqipëria. Shqipëria bënte të paditurin dhe luante në kartën ideologjike: Këta janë reaksionarë! Kosova është reaksionare! Kosovarët u irrituan nga ky qëndrim i Shqipërisë dhe i thanë njëri-tjetrit: Na tradhtoi Shqipëria!
Konfigurimi i brendshëm
Ishte ky largimi i parë shpirtëror i Kosovës nga Shqipëria, pas disa vitesh të lidhjes së afërt. Natyrisht që komunistëve kosovarë iu pëlqeu kjo situatë e krijuar dhe u ngutën ta thellonin edhe më shumë ndarjen e brendshme kosovare: më një anë nacionalizmi dhe reaksioni; më anë tjetër “forcat progresive”, komunistët, spiunët jugosllavë, tradhtarët. Ky ishte konfigurimi i brendshëm i Kosovës. Ndarja ishte e thellë dhe e papajtueshme. Ajo do të vazhdojë përgjatë krejt periudhës së pastajme dhe do të oscilojë në varshmëri nga situata e krijuara në Kosovë dhe nga shkalla e besimit që kishin kosovarët ndaj udhëheqjes komuniste.
Deri më 1966 kosovarët nuk u besonin komunistëve dhe as komunistët kosovarë nuk i besonin popullit të vet. Komunistët kosovarë e ushtronin pushtetin e tyre përmes dhunës ushtarake dhe policore, duke kërkuar te populli jo mbështetje normale, por kolaboracionistë. Kosovarët e indinjuar dhe të mllefosur e refuzuan komunizmin jugosllav, por gradualisht filluan të binin në grackën e komunizmit shqiptar. Ishte Shqipëria ajo që filloi të funksiononte. Ajo filloi t’i tërhiqte pas vetes kosovarët, kryesisht me propagandë. Pas mospajtimit të thellë ndërmjet kosovarëve dhe Shqipërisë rreth Jugosllavisë, tani midis tyre krijohet një pakt i heshtur: që të dy palët urrejnë Jugosllavinë. Nacionalistët kosovarë marrin satisfaksionin e munguar: Shqipëria më në fund e shpall Jugosllavinë armik ideologjik, politik dhe nacional. Kjo iu leverdis nacionalistëve kosovarë, madje politikën e Shqipërisë, pavarësisht se është e veshur me njëmijë e një marrëzi ideologjike, e përvetësojnë si program të veprimtarisë së tyre, edhe të ngritjes ideologjike, edhe të punës politike, edhe të organizimit ilegal.
Pra, deri në vitin 1966, Shqipëria ka avantazhe të mëdha në Kosovë, madje funksionon pa konkurrencë, por megjithatë nuk e ka me vete shumicën e popullit, sepse kosovarët ende e kanë të freskët tradhtinë e viteve të pasluftës, një masë e madhe e njerëzve janë analfabetë, komunikimi me Shqipërinë mbështetet kryesisht te Radio- Tirana (më vonë te Radio-Kukësi) dhe ajo, pra Shqipëria, nuk mund t’i manifestojë të gjitha avantazhet që i ka kundrejt Kosovës, sepse propaganda e saj perceptohet vetëm në një dimension, në atë tonik, jo vizual. Por, më anë tjetër, imazhi tonik i Shqipërisë, përmes Radio-Tiranës, është një indikator i mjaftueshëm për të krijuar ëndrrën kosovare për Shqipërinë ideale. Një imazh më i plotë i Shqipërisë do të nxirrte në sipërfaqe mungesa dhe mangësi të mëdha. Imazhi i reduktuar është më funksional dhe më i efektshëm për përfytyrimin e idealizuar. Shqipëria funksionon në Kosovë pikërisht përmes këtij imazhi të reduktuar dhe selektiv. Plenumi i Brioneve e ndryshon situatën, e bën më të komplikuar, më të vështirë për nacionalistët shqiptarë të Kosovës, njësoj edhe për Shqipërinë. Por krijon edhe disa avantazhe. Tani në konkurrencë u futën edhe shqiptarët jugosllavë, komunistët shqiptarë të Kosovës dhe mbështetësit e tyre. Plenumi i Brioneve nuk u mbajt për shkak të Kosovës dhe Kosovën as që e kishte në rend të ditës. Ishte një ndeshje e Titos me bashkëpunëtorët e tij të afërt rreth pushtetit, të balancave të brendshme jugosllave, por që u kamuflua si ndeshje e koncepteve të ndryshme të qeverisjes. Komunistët kosovarë përfituan nga kjo situatë, sepse, duke bërë ca ndryshime të rëndësishme, bënë për vete numër më të madh ithtarësh dhe mbështetësish. E favorshme iu doli edhe gjetja e një fajtori sipëror, ndaj të cilit ata gjoja kishin qenë të pafuqishëm, siç ishte UDB-ja, që thuhej se kishte kontrolluar pushtetin e të gjitha niveleve në Jugosllavi. Kaq iu desh komunistëve kosovarë që të arsyetonin çdo gjë që kishte ndodhur dhe çdo gjë që kishte shkuar keq në Kosovë. Ata nuk i dhanë kujt llogari se edhe vetë, shumica syresh, kishin qenë pjesë e strukturave të UDB-së, kishin qenë vetë UDB-ja. Situatën e tejkaluan pa ndonjë traumë të madhe, madje, si gjithmonë, duke u rigjeneruar shpejt dhe duke mos prekur levat kryesore të pushtetit.
Pra, për kosovarët e të dy krahëve u krijuan disa avantazhe, por gjithsesi përfitimin më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë e patën shqiptarët jugosllavë. Me dënimin verbal që iu bë akteve të dhunshme të UDB-së, përfshirë edhe veprimet shoviniste dhe gjenocidale ndaj kosovarëve, sikundër edhe me liberalizimin e jetës dhe me avancimin e disa proceseve, ata e zgjeruan ndikimin e tyre të masat e gjëra të popullit. Njerëzit sikur filluan të luhateshin. Një pjesë e tyre u vu në pozitë të zgjedhjes së domosdoshme: ose Jugosllavi reale, me të gjitha favoret jo të pakta që i krijonte ajo, ose Shqipëri ideale dhe iluzore, me të gjitha rreziqet dhe të panjohurat që i shkonin pas. Kjo ndeshje nuk ishte e lehtë. Kjo nuk ishte dilemë teorike, ishte rrethanë jetësore. Nuk vendosje këtu nëse në shqyrtimet teorike neutrale do t’i mbaje më shumë krah Buharinit, Trockit, Stalinit, apo titizmit revizionist, apo marksizëm-leninizmit enverist. Vendosje për jetën tënde dhe të familjes, për të ardhmen e fëmijëve, për kafshatën e gojës, për shkollimin e tyre, për shumë gjëra të këtilla. Kosova kishte vuajtur shumë dhe nuk e kishte të lehtë ta refuzonte ofertën, të cilën në njëfarë mënyre po ia bënte Jugosllavia. Ajo i ofronte zhvillim, arsimim, prosperitet, brenda mundësive dhe rrethanave, ndërsa prej Kosovës kërkonte besnikëri dhe lojalitet. Një serb ose një kroat mund t’i shfrytëzonte të gjitha privilegjet e socializmit liberal jugosllav edhe pa qenë mirënjohës dhe pa dëshmuar lojalitet, sepse Jugosllavia ishte e drejta e tij natyrore. Për kosovarët kjo nuk vlente. Për ta Jugosllavia liberale dhe e shanseve për jetë të dinjitetshme kërkonte si kundërvlerë lojalitetin e padiskutueshëm.
Kur ta shikosh situatën në një kontekst më të gjerë, kjo kërkesë nuk nënkuptonte ndonjë sakrificë të madhe për kosovarët. Popujt josllavë të Bashkimit Sovjetik, sipas modelit të të cilit ishte ndërtuar në fillim Jugosllavia socialiste, kishin qenë të detyruar të bënin shumë më tepër sakrifica se shqiptarët dhe pakicat e tjera në Jugosllavi dhe, si kompensim, të fitonin shfarosjen në vazhdimësi, atë që realisht kishin përjetuar kosovarët deri më 1966. Tani oferta kishte tjetër përmbajtje: mund ta ruaje identitetin, mund ta kultivoje atë, mund të zhvilloje arsim dhe kulturë, por të gjitha këto brenda një kornize të përcaktuar qartë: Jugosllavinë nuk mund ta prekje, as rregullimin e saj shoqëror, as ideologjinë, as fetishet e saj. Madje të ofronin edhe një privilegj tjetër: në bashkësinë jugosllave nuk do të quheshe me emër pezhorativ, por po me atë emër që quhen të gjithë shqiptarët. Edhe gjuhën mund ta shkruaje me alfabetin tënd, dhe jo si disa popuj josllavë të Bashkimit Sovjetik; edhe libra mund të lexoje në gjuhën tënde; edhe në punë të shkollës mund të avancoje; por nuk mund të bëheshe krejt i barabartë me të tjerët, sepse ti kishe një shtet diku matanë, ndërsa Jugosllavia ishte bashkësi e kombeve që nuk kishin shtet tjetër.
Afërsisht këto ishin kushtet e lojalitetit, që kosovarët i akceptuan në fazën e hershme të autonomisë, në periudhën 1966-1974. Në këtë rrethanë, t’i refuzoje këto mundësi do të dukej marrëzi. Por edhe të zgjedhje rrugën e zhbërjes, do të ishte një sakrificë që nuk ia vlente. Prandaj në Kosovë u krijua një identitet i dyfishtë, i cili mbështetej mbi një moral të dyfishtë, ose, thënë më mirë, mbi një rrethanë dualiste: duhej t’i shfrytëzoje të gjitha mundësitë që t’i krijonte Jugosllavia, jashtësisht dhe formalisht të ishe qytetar luajal i saj, ndërsa më anë tjetër të doje Shqipërinë, të punoje për interesat e tua kombëtare, aty ku kishe alternativë, të zgjidhje atë që shkonte në të mirë të kombit tënd, të kishe ideal të largët një Kosovë të bashkuar me Shqipërinë etj. Kjo ishte vetëdija ilegale e një mase të madhe të shqiptarëve të Kosovës, që nga Lufta e Dytë Botërore e prapa.
Nacionalistëve kosovarë, pavarësisht se ishin kritikues të ashpër të të gjitha praktikave kombëtare, politike, sociale, ekonomike, arsimore, kulturore që zbatoheshin në Kosovë, u shkonin përshtat avancimet autonomiste dhe përmirësimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në Jugosllavi, veçmas në ato segmente ku ky avancim prodhonte efekte të drejtpërdrejta zhvillimore, si në arsim dhe kulturë, sepse nacionalizmi kosovar mbështetjen më të madhe e llogariste në kontingjentet që kishin arritur të shkëputeshin nga injoranca, nga prapambetja dhe nga konservativizmi fetar.
Pra, në fund të viteve ’60 dhe më tej, kosovarët zbuluan se paralelisht mund të ishe edhe jugosllavë korrektë, edhe nacionalist shqiptar të respektueshëm dhe kjo bashkëjetesë e këtyre dy kundërshtive ishte e mundshme, sepse të qenit nacionalist shqiptar në atë periudhë domosdoshmërisht nuk kërkonte veprim, nuk kërkonte realizim praktik të ndonjë programi politik, madje as përkufizimin e tij. Ata kosovarë që nacionalizmin shqiptar e kthenin në program politik dhe që bënin çfarëdo veprimesh për ta realizuar atë në ndonjë formë praktike, përfundonin në burg dhe dënoheshin në mënyrë shembullore. Të tjerët vazhdonin ta jetonin nacionalizmin e tyre shtëpiak, familjar, të brendshëm, klandestin, pa rënë në kolizion me shtetin dhe institucionet e tij. Por kjo gjendje nuk mund të qëndronte pezull përgjithmonë, sepse të dy palët bënin garë që të fitonin terren: nacionalizmi shqiptar që t’i bënte sa më të zëshëm mbështetësit e vet, ndërsa jugosllavizma që të tërhiqte në anën e saj sa më shumë mbështetës dhe t’i neutralizonte të gjitha format e nacionalizmit shqiptar, përfshirë edhe atë klandestin.