Albspirit

Media/News/Publishing

Carmine Abate: Basti i Skënderbeut

 
Ish një pasdite mesgushti e nxehtë. Në pjacë, një grup të rinjsh po provonin me radhë dylbitë që don Fidele Moreloja kish blerë në Krotone pikërisht atë ditë. Vrojtonin detin, pyjet, Sillën, katundet përreth, ua përshkruanin të tjerëve atë që syri u kapte dhe, mbi të gjitha, nuk mungonin të mburrnin fuqinë e dylbive dhe idenë e bukur të don Fidele Morelos, që nuk kish vetëm pasuri por edhe mend, sepse një send i tillë kushedi sa i dobishëm ishte, “shiko, shiko, flamuri i anijes, një grua po nder teshat në Shën Koll, është fare afër, para hundëve”.
Kur i erdhi radha tim eti, drejtoi dylbitë për nga shkëmbinjtë e Krizmës, fokusoi me ngadalësi dhe më pas i tha don Fidele Morelos:
-Shikoni sa fole të bukura me pëllumba të egjër, shoh tre syresh plot me zogj të vegjël. Vë bast 100 mijë për dylbitë tuaja se, brenda dy orëve, do ju sjell një torbë me zogtha ende të gjalla. Magjepsja qe aq e fortë sa për një çast u ndie vetëm pingërima e dallëndysheve që sterronin qiellin. I pari që u shkreh në gaz qe don Fidele Moreloja dhe një çast më pas gajasja çliruese e të rinjve të tjerë mbyti cërcëritjen e dallëndysheve. Të gjithë e dinin se ish e pamundur të arrije tek foletë e mirëmbrojtura, në përroskat e bregut shkëmbor dhe të lëmuar të Krizmës, aq i thiktë qe sa të kallte datën. Të gjithë. Edhe im atë.
-Duhen kthetra maçoku për të zbritur shëndoshë e mirë deri tek foletë, – tha don Fidele Moreloja me ton pajtimtar. – Lërë fare, Skëndërbe!
Por im atë kish hipur tash mbi Guzzi Dondolino-n:
-Për gjysmë ore do të shihni të zbres tek foletë.
Kaloi nga shtëpia, mori dy litarët më të gjatë e më të fortë që kish dhe u nis si raketë, duke mos ua vënë veshin britmave të mamasë që ish në dijeni të gjithçkaje dhe e ndoqi nga pas një copë herë, “mos bëj marrëzira për shpirtrat e të vdekurve, mos bëj marrëzira”. Shkova në pjacë për të kundruar shfaqjen: ndoshta isha i vetmi që nuk ushqeja dyshime, im atë do ta fitonte bastin, ai ishte i fortë, më i fortë nga të gjithë.
-Ja, – briti don Fidele Moreloja gjysmë ore më vonë, – e shoh, po e provon me të vërtetë.
Sheshi qe i mbushulluar me njerëz të të gjitha moshave: shtyheshin, britnin, kërkonin dylbitë, donin edhe ata të shijonin shfaqjen. Edhe unë e pashë për një çast dhe atë imazh e kam ende para syve, të qartë dhe emocionues. Babai kish lidhur njërin cep të litarit tek një degë lisi që dilte disa metra mbi rrëmore dhe cepin tjetër e kish lidhur në bel. Do ketë zbritur nja njëzet metra i kapur me këmbë e me duar pas spikamave të paperceptueshme të shkëmbit. Dhe të gjithë atë çast po thoshin:
-Shiko pak, po ky vërtet po ia del mbanë, – kur djaloshi që mbante dylbitë u zbeh dhe mbajti frymën. Babai kish rrëshqitur dhe po fluturonte, këto tha don Fidele Moreloja që i kish rrëmbyer dylbitë djaloshit, fluturonte i varur në litar sa andej këndej, si një zog pa krahë, tha pikërisht këto fjalë, derisa dega nuk e mbajti më peshën e trupit dhe e shoqëroi tim atë në humnerë, si helikë e thyer dhe tradhtare.
E gjetën të shtrirë në ujin e përroit, sytë mbyllur sikur flinte, por nuk ish prishur; kur e pashë tek arkivoli, fytyra ish e bukur dhe pa asnjë gërvishtje. Vetëm gishtërinjtë e duarve nuk njiheshin më, u kishin mbetur vetëm kockat. Ishte vetëm tridhjetë e pesë vjeç. Atë verë unë do mbushja tetë vjeç.

(Fragment nga romani i shkrimtarit Carmine Abate “La moto di Skanderbeg” (Motoçikleta e Skënderbeut), shqip Klodeta Dibra).

—————————

“La moto di Scanderbeg” i Carmine Abates ndër 100 librat më të mirë italian
Please follow and like us: