Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (13)

PJESA III: IDENTITETI POLITIK

 

PENDESA E THELLË E NDËRHYRJES

 

Rrethanat dhe konteksti

 

A kishte një rend dhe një logjikë gjërash në hapjen e çështjes së identitetit kosovar? Cili ishte momenti politik i hapjes së kësaj çështjeje dhe si ndodhi që një dilemë e refuzuar në mënyrë kategorike, megjithatë, të gjejë hapësirë në shqyrtimet mediale? Ku e gjente mbështetjen? Te cilët njerëz, te cila proveniencë intelektuale, te cila shtresë e shoqërisë? Kush ishin sponsorët e saj? Kush e donte identitetin pa shtet dhe kush e donte shtetin pa identitet? A ishte bërë Kosova shtet përmes një identiteti të konsoliduar kombëtar, apo duhej të ndodhte e kundërta, që Kosova të konsolidohej si shtet, së pari duhej të bënte kombin e saj? Pse identiteti kosovar u bë çështje politike dhe diskutimi nuk mbeti në nivele akademike? Pra, a bëhet fjalë për një identitet politik, me urgjencë politike, me reflektime politike, apo bëhet fjalë për një trashëgimi historike të lënë në heshtje, të injoruar, të ndrydhur? A është identiteti kosovar në të njëjtën kohë mburojë kundër nacionalizmit shqiptar, kundër primitivizmit nacionalist në përgjithësi, apo më shumë një shpikje identitare pa referencë të qartë, një prodhim hibrid I shoqërisë civile me parashenjë anacionale? A ka bazë historike kombi kosovar? Kujt i shërben ai më shumë, shtetasve të Kosovës, integralistëve shqiptarë, apo provincialistëve? Bashkësisë ndërkombëtare apo Serbisë? A ka histori identiteti kosovar? A ka Kosova potencial vlerash që të bëjë komb? A mund të ndërtohet kombi mbi postulatet e refuzimit dhe të mohimit? Pse ka asimetri në parime? Në të vërtetë, kombi dhe identiteti kosovar a është spekulim medial apo një situatë reale?

Në të gjitha këto pyetje do të jetë vështirë të përgjigjemi, nëse nuk bëjmë një analizë të rrethanave, të cilat çuan deri te një zgjidhje e këtillë e çështjes së Kosovës, zgjidhje e cila, për shqiptarët dhe për një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare mund të quhet optimale, por assesi ideale. Në të vërtetë, idealja në politikë nuk ekziston, sepse ajo, si art i së mundshmes, gjithmonë prodhon kompromise më shumë ose më pak të dhimbshme, varësisht se nga kush vështrohet dhe varësisht si perceptohet. Në rastin e Kosovës, nëse situatën e shikojmë nga këndvështrimi pararendës, pra i gjendjes para vitit 1999, zgjidhja na del të jetë në kufijtë e një mrekullie, pra një idealitet, sepse nga gjendja ku ishte, nga pozita ku ishte, nga kufijtë e zhbërjes, Kosova u zhvendos në kufijtë e optimales, të asaj që mund të quhet zgjidhje e pranueshme ose relativisht e kënaqshme. Por, në këtë e sipër, nuk duhet lënë mënjanë faktin se Kosova një pjesë të historisë së saj më të re, përveç mbijetesës, ia dedikon edhe idealizmës, që domethënë se përjashtimi i ideales tangentonte Kosovën në pikat e saj më të ndjeshme. Kosova për shqiptarët nuk ishte mit dhe histori e vagullt, siç ishte për serbët. Ajo ishte ëndërr për liri, për jetë të dinjitetshme. Ajo ishte ideal i njeriut tokësor, që kërkonte zgjidhje të tilla, të cilat duhej të supozonin një kthesë në histori, jo për shkak të historisë dhe të gjedhes së saj, por për shkak të jetës së njerëzve. Bota tashmë e dinte se shqiptarët në tërësi, e aq më pak shqiptarët e Kosovës, nuk kishin qenë në gjendje të përcaktonin vetë rrjedhën e ngjarje gjatë historisë, por në masë të madhe ishin varur nga raporti i forcave në një kontekst më të gjerë. Vetë shqiptarët ishin të bindur se në kthesat e mëdha të ngjarjeve nga Kongresi i Berlinit e prapa, Europa e krishterë ua kishte bërë me të padrejtë, shpesh duke sakrifikuar ekzistencën e tyre për zgjidhje politike në dobi të fqinjëve agresivë, hakmarrës dhe gjakpirës. Një pjesë e botës ishte në dijeni të kësaj historie, por pjesa më e madhe e saj nuk e kishte mendjen as te historia dhe as te ëndrrat e shqiptarëve. Ata, pra bashkësia ndërkombëtare dhe fuqitë vendimmarrëse, papritmas u gjetën përpara një fakti tragjik, se në Europën e vlerave civilizuese, brenda një periudhe të shkurtër kohore, mund të zinte vend, madje edhe të përsëritej, ideja e zhbërjes së popujve, si në rastin Bosnjës, ashtu edhe të Kosovës. Për të qenë situata edhe më lënduese, në të dy rastet bëhej fjalë për popullsi myslimane dhe indiferenca e botës perëndimore mund të interpretohej si miratim i heshtur i një gjenocidi mbi këtë popullsi.

Në të vërtetë, sikundër u vërejt, Perëndimi nuk ishte unik në këtë qëndrim. Një pjesë e opinionit publik brenda këtyre shteteve ruante traditën e vjetër të Europës konservatore, e cila një segment të identitetit të saj e tërhiqte nga bëmat e kalorësve të kryqëzatave dhe të historive mesjetare me “luftëra të shenjta” kundër botës lindore. Të qenit myslimanë e kosovarëve dhe të qenit të krishterë e serbëve, njësoj si në rastin e Bosnjës, për një pjesë të opinionit në Perëndim, që paraprakisht e kishte të zgjidhur anën e mbështetjes. Vetëm se brutaliteti serb kishte kaluar masën. Ishte një arrogancë, e cila sfidonte të gjitha parimet morale të një bote të civilizuar. Më anë tjetër, ndikimi amerikan dhe depërtimi i filozofisë së re të një bote të lirë, e kishte fuqizuar ndjeshëm frymën reformatore në mbarë Europën tradicionale. Tani veprimi duhej bërë, popullsinë civile duhej shpëtuar, rasti i Bosnjës nuk duhej të përsëritej. Natyrisht, kjo nuk nënkuptonte asnjë zgjidhje politike, ose thënë më qartë, ndërhyrja bëhej për arsye humanitare dhe jo për t’i dhënë zgjidhje politike një problemi. Kosova duhej të gjente zgjidhje politike, të tillë që nuk do të ishte e përcaktuar nga ndërhyrja, por e tillë që do të pamundësonte përsëritjen e situatave të ngjashme në një të ardhme. Neutraliteti politik i ndërhyrjes ishte i padiskutueshëm, që, në një mënyrë, nënkuptonte se statusi i Kosovës jo vetëm që nuk zgjidhej me këtë ndërhyrje, por as nuk përcaktohej në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Shikuar nga këndvështrimi i Kosovës, pavarësisht nga dilemat morale, fetare, civilizuese, ushtarake dhe politike të Perëndimit, shqiptarët u gjetën të kënaqur me ndërhyrjen e vitit 1999. Ata manifestuan një mbështetje të jashtëzakonshme për të gjitha veprimet e komunitetit ndërkombëtar. Kosovarët mbështeten aksionet e NATO-s edhe atëherë kur në ato aksione gabimisht u vranë familjarët e tyre. Ata vajtonin të vrarët nga këto gabime dhe në të njëjtën kohë luteshin që aksionet të vazhdonin. Kosovarët mbështeten pa rezervë edhe të gjitha veprimet e bashkësisë ndërkombëtare pas ndërhyrjes së NATO-s, përfshirë edhe administrimin e OKB-së. Ishte një besim pa kushte, i cili nuk u vu në dyshim për asnjë çast. Nuk u shpreh rezervë, aq më pak u kontestua, cilido veprim i qendrave vendimmarrëse. Kosovarët nuk i pëlqyen disa gjëra, të cilat ndodhën shpejt, pa dëshirën e tyre, por nuk patën sensin e reagimit në një rrethanë të entuziazmit në njërën anë, dhe të konfuzionit të madh, në anën tjetër. Ta zëmë, ata nuk mund ta pëlqenin vendosjen e trupave ruse në Kosovë, ose një ndarje, çfarë ndodhi, e zonave ushtarake të KFOR-it, por ata nuk u pyetën ndonjëherë, ndërkohë që tashmë e kishin humbur orientimin politik, kishin humbur sensin e reagimit, për të kundërshtuar cilindo veprim të bashkësisë ndërkombëtare.

Kosovarët ishin viktima dhe çdo veprim i tyre duhej të sillej në këto suaza. Ata ishin objekt i ndërhyrjes humanitare, duhej të merrnin pamje të përvuajtur, ndërkohë që politikisht kishin pak gjasa të bënin një zë që mund të dëgjohej. Më anë tjetër, ashtu siç ndodhë zakonisht në rrethana të tilla, ata ishin jashtëzakonisht të përçarë politikisht, madje deri në atë shkallë, sa të rrezikonin një luftë civile përmasash të frikshme.

 

Mungesa e strategjisë

 

Pra, në kontekstin e zhvillimeve pozitive të vitit 1999, ishte e pritshme që, pas vuajtjeve me rrezik zhbërjeje, Kosova mund të ëndërronte një zgjidhje ideale, sepse angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare kishte qenë i paprecedent, i veçantë, planetar, i papërsëritshëm. Një pranverë të tërë, bota ishte zgjuar dhe ishte ngrysur me lajmet për Kosovën. Një depërtim të tillë politik dhe medial Kosova as që kishte mundur ta ëndërronte. Por ajo që ëndërronte tani Kosova, ishte një zgjidhje politike pozitive, e favorshme, e cila doemos që duhej t’i përshtatej dhe të ishte ekuivalente me nivelin e këtillë të angazhimit ndërkombëtar. Nuk mund të ishte një zgjidhje politike zhgënjyese, sepse një zgjidhje e tillë do të ishte në disharmoni me këtë angazhim. Kosovarët kishin arsye të besonin se angazhimi model i bashkësisë ndërkombëtare, për të sanuar situatën emergjente, do të sillte si rrjedhojë logjike një zgjidhje politike gjithashtu model. Fundja, Kosova kishte bërë një luftë dhe sado të paqarta të ishin të arriturat e saj në fushëbetejë, në rrethanat e zgjidhjeve politike të pafavorshme, ajo përsëri mund ta kthente situatën në fillimet e një konflikti të ri.

Shumë herë e kam pyetur veten: Cilat zgjidhje politike i mendonin kosovarët në ato ditët e para të mrekullueshme të lirisë, ndërsa ktheheshim të ngazëllyer në Kosovë? A kanë menduar gjë dhe çfarë kanë menduar? Si e kanë përfytyruar ata Kosovën e viteve të ardhshme? Pse ndodhi zhgënjimi dhe kur ëndrrat filluan t’ia linin vendin një realiteti të vrazhdët? A kishin kosovarët një vizion politik pas 12 qershorit 1999? Kur filloi të komprometohet çështja e Kosovës në sytë e botës? Pse ndodhi komprometimi? Pyetje të këtilla mund të ketë bërë secili prej nesh në vitet që pasuan ndërhyrjen e madhe ndërkombëtare, por gjithsesi të paktë kanë qenë ata që janë preokupuar me këto çështje që në ditët e para të asaj vere të jashtëzakonshme, e cila erdh pas dëbimit të Serbisë nga Kosova. Ato ditë Kosova kishte shumë emocione dhe pak racionalitet. Kishte shumë emergjenca dhe krejt pak komoditet politik, për ta analizuar gjendjen e saj, pas një shkundullime të këtillë. Kishte të vrarët dhe të zhdukurit dhe të humburit, kishte rindërtimin e domosdoshëm për një dimër të ashpër që do të vinte shumë shpejt. Por ishin emergjente edhe vjedhjet dhe uzurpimet, të cilat duheshin bërë sa më shpejt, përpara se në Kosovë të vendosej rendi dhe ligji. Po kaq të ngutshme Kosova i kishte edhe hakmarrjet e vogla dhe të mëdha, ndaj serbëve dhe ndaj vetë shqiptarëve, sepse situata pas një lufte nuk mund të kalonte pa tronditje të kësaj natyre.

Të ndërtoje një vizion të qartë politik për të ardhmen e Kosovës në rrethana të këtilla, ishte pothuajse e pamundur. Situatë tepër e ngutshme dhe tepër emocionale, tepër e rrëmbyer dhe tepër konfuze. Më anë tjetër, tashmë ekzistonte një agjendë për Kosovën si protektorat ndërkombëtar, e administruar nga OKB dhe me NATO-n si garanci e sigurisë së brendshme dhe të jashtme. Edhe idetë e mëhershme se çfarë mund të ishte Kosova pas kësaj lufte, pothuajse ishin zhbërë, ishin davaritur, kishin humbur rëndësinë e tyre. Kjo ndodhte edhe për një arsye tjetër, sepse në brendi, në konstalacionin e brendshëm politik të Kosovës gëlonte një mospajtim i thellë midis dy krahëve politikë të armiqësuar së tepërmi gjatë luftës, UÇK-së dhe LDK-së. Askush nuk ia mohonte UÇK-së kontributin e jashtëzakonshëm që kishte dhënë në këtë çështje, sepse ajo, me luftën e saj, me strategjinë e saj, kishte arritur ta vendoste Kosovën në agjendën ushtarake dhe politike të fuqive më të mëdha të botës. Mirëpo, më anë tjetër, në pikëpamje politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse kishte pësuar goditje pothuajse të pariparueshme, gëzonte një mbështetje substanciale, sepse ajo tashmë kishte marrë atributet e një lëvizjeje politike qytetare gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme karshi proveniencës neokomuniste, marksiste-leniniste, revolucionare, që manifestonte UÇK-ja. Ishte e ditur se LDK-ja si strukturë politike kishte dështuar në luftë, ndonëse një pjesë e mbështetësve të saj ishin përfshirë në organizimin luftarak të UÇK-së. Por ajo ruante argumentin e fuqishëm të lëvizjes qytetare të rezistencës paqësore, e cila, edhe përkundër zhvillimeve të pafavorshme për të, gëzonte simpati të brendshme dhe të jashtme, sepse ishte e vetmja mburojë ideore, ideologjike dhe politike kundër revolucionit politik dhe social, i cili tashmë ishte përvijuar qartë në strategjinë politike, jopublike, i UÇK-së.

Në të vërtetë, ndërsa LDK-ja kishte bërë të njohur idenë e saj për Kosovën si shtet të pavarur shumë kohë përpara, duke e çuar këtë çështje deri në kundërthënie të papajtueshme ndërmjet idesë dhe realizimit, UÇK-ja nuk kishte bërë publike ndonjë strategji të saj për Kosovën e pasluftës. Gjatë ditëve të bombardimeve të NATO-s, ndonjëri nga liderët e saj mund të kishte bërë ndonjë prononcim skandaloz për qëllimet përfundimtare të luftës së Kosovës për bashkim me Shqipërinë, por tërheqja kishte qenë e menjëhershme, sepse reagimi i faktorit ndërkombëtar kishte qenë shumë i prerë, refuzues dhe kërcënues njëkohësisht. Pas këtij rasti, UÇK-ja u tërhoq në heshtje dhe në periudhën vijuese nuk adaptoi ndonjë strategji për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës. Një strategji dalëse nuk e kishte as bashkësia ndërkombëtare. Të gjithë e dinin se administrimi ndërkombëtar, sado që të zgjaste, kishte një limit kohor. Kosova duhej të merrte një zgjidhje, sepse administrimi ndërkombëtar nuk ishte zgjidhje, as e përkohshme, as përfundimtare. Administrimi ndërkombëtar ishte një qëndrim pezull, një status quo, një intermexo, një hapësirë e përshtatshme për të filluar ndërmarrjen e komplikuar të zgjidhjes së statusit përfundimtar.

 

Misioni i shëmtuar i OKB-së

 

Çështja që duhet diskutuar tani ka të bëjë me hipotezën, nëse kosovarët mund të përpunonin një strategji pararendëse për zgjidhjen e drejtë të statusit të Kosovës, pas ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Në këtë hapësirë shqyrtimi paraqitet parësor fakti se Kosova nuk bëri luftë fitimtare, pra nuk e fitoi luftën dhe nuk e çliroi Kosovën pa ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. Një fitore e tillë ushtarake, me territor të lirë të qëndrueshëm dhe me aftësi për të mbrojtur atë territor, do t’i jepte të drejtë Kosovës të bëhej faktori kryesor në negociatat që do ta pasonin atë luftë. Mirëpo, kjo nuk kishte ndodhur. Kosova kishte nisur një luftë çlirimtare gati vetëvrasëse, si alternativë e vetme kundrejt pushtimit serb, që ishte bërë i padurueshëm, i papërballueshëm, gjenocidal. Lufta e saj as te optimistët më të mëdhenj nuk kishte supozuar fitore në fushëbetejë, por një detyrim të Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare për t’u futur në një proces negociator dhe për të gjetur zgjidhje politike. Edhe vetë Serbia, ndonëse e përgatitur mirë ushtarakisht, nuk do të mund ta përballonte për një kohë të gjatë një luftë guerile në Kosovë dhe, më vonë, në brendi të territorit të saj. Por, mbi të gjitha, mënyra si ishte sjellë Serbia përgjatë viteve ’90 në Kosovë dhe në mbarë hapësirën jugosllave, kishte krijuar argumente të mjaftueshme për stigmatizimin e saj. Më anë tjetër, Kosova shihej si konflikti i fundit në ish-Jugosllavi, të cilin Serbia nuk e zhvillonte për ristrukturim të ish-federatës jugosllave, por tani për ristrukturim të vetë Serbisë. Nëse luftërat në Kroaci dhe Bosnje ishin zhvilluar për Serbinë e madhe, tani në Kosovë lufta bëhej për Serbinë reale. Humbjet në fushëbetejë dhe ndërhyrjet e bashkësisë ndërkombëtare e kishin çuar Serbinë deri në kufijtë e saj kushtetues, e tillë siç kishte qenë në kuadër të federatës jugosllave. Me Kosovën kishte filluar zhbërja e vetë Serbisë dhe prandaj aleatët e saj, në Perëndim dhe në Lindje, u bënë tepër agresivë.

Pra, ishin krijuar të tilla rrethana që Kosova, realisht, nuk do të ishte subjekt relevant në marrëveshjet për të ardhmen e saj. Ajo ishte objekti pasiv, deri-diku mund të ishte edhe subjekt pjesëmarrës, por asnjëherë nuk do të ishte subjekti aktiv vendimmarrës. Ky perceptim nuk do t’i ndahet Kosovës as përpara dhe as pas luftës së vitit 1999. Në procesin e Rambujesë u pa se Kosova nuk kishte pothuajse asgjë, përveç një guerileje gati vetëvrasëse dhe një lëvizje politike pa asnjë koncept. Grumbulli i kosovarëve në Kështjellën e Rambujesë ishte bërë bashkë me një diktat të fuqishëm të aleatëve perëndimorë, për të vendosur balanca ndërmjet rrymave të ndryshme politike. Kosovarët pranuan marrëveshjen jo të prirë nga ndonjë opsion politik apo nga ndonjë vizion i qartë, por nën trysninë e aleatëve dhe me të vetmen shpresë se Serbia nuk do ta nënshkruante atë marrëveshje. Po në këtë proces kosovarët kishin dëshmuar mungesë uniteti, sikundër edhe paqartësi konceptesh politike dhe mungesën e një vizioni të qartë për Kosovën. Mungesa e unitetit të kosovarëve ishte një ogur i keq për të ardhmen. Konflikti ndërmjet rrymave politike ishte aq i fuqishëm, sa që në Kosovë, në terren, rrezikonte luftën civile. Me këtë rast bota nuk e pat të vështirë të vërente se kosovarët nuk ishin të gatshëm për shtet, as për pavarësi dhe as për ndonjë zgjidhje tjetër politike, që do të nënkuptonte përjashtimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Një elitë e këtillë politike, me ndasi dhe kundërshti të këtilla, mund ta mbante Kosovën në gjendjen e një konflikti të vazhdueshëm, sikundër që mund t’i kthehej edhe Shqipërisë si bumerang, sepse të gjithë e dinin se që andej buronin të gjitha përçarjet dhe mosmarrëveshjet në botën shqiptare. Një elitë e këtillë politike, çfarë e kishte Kosova në Rambuje, herëdokur, do të shkatërronte edhe Maqedoninë. Kjo tashmë ishte një gjë e pritshme.

Supozimi se Shqipëria mund të vendoste një rregull, nëse e merrte nën përkujdesje Kosovën, nuk mund të pranohej as si ide periferike, jo vetëm për shkak se do të prisheshin balancat ballkanike, siç thuhet ndonjëherë, por thjeshtë për shkak të paaftësisë së shqiptarëve për t’i menaxhuar lëvizjet politike brenda vetë mileut të tyre. Më 1997 Shqipëria kishte bërë luftë civile për pushtet, i kishte shkatërruar të gjitha institucionet dhe mbahej në këmbë me një përkujdesje pak të sinqertë dhe pak cinike të bashkësisë ndërkombëtare. Po të nxirrje idenë që Kosova, ta zëmë, e paaftë të qeveriste veten, t’i jepej Shqipërisë nën përkujdesje, sado hipotetike të ishte kjo mundësi, do të shkaktoje një nënqeshje të faktorit vendimmarrës.

Thënë me një fjalë, shqiptarët ishin gjendur në prag të vendimeve të mëdha politike pa asnjë përgatitje, madje në një si ecje kuturu, e cila nuk dihej se ku mund t’i çonte. E vetmja shpresë e tyre ishte drejtësia qiellore dhe aleatët, të cilët çuditërisht dolën në sipërfaqe për një kohë të shkurtër, të gatshëm të merrnin përgjegjësitë ta menaxhonin një krizë, sa për hesapin e tyre, po aq edhe si akt moral i ndihmës për një popull, i cili tashmë, nëse nuk vihej në rrugë të mbarë, rrezikonte një zhbërje të pashembullt. Nuk është e miradijshme, që në këtë kuadër, të diferencohen shtetet tashmë të identifikuar si aleatë të mëdhenj të shqiptarëve, sepse edhe ato shtete të fuqishme që nuk morën rol prijës, patën ndikim të jashtëzakonshëm, duke mos kundërshtuar vendimet e rëndësishme. Megjithatë, duket se SHBA-ja dhe Britania e Madhe do ta marrin botërisht rolin e engjëjve mbrojtës për shqiptarët e pafuqishëm dhe të hutuar politikisht. Mbajtja pas mbështetjes së tyre do t’i çojë kosovarët te zgjidhjet që nënkuptonin garancinë e po atyre që kishin sugjeruar zgjidhjet e tilla. Kosovarët vetëm në një pikë ishin në një mendje: nuk e donin Serbinë dhe, duke mos qenë të gatshëm politikisht të ofronin një zgjidhje për Kosovën, akceptuan referendumin si alternative përfundimtare.

Kjo ndodhi në Rambuje. Më 12 qershor 1999 askush në Kosovë nuk e dinte sesi do të dukeshin zhvillimet e ardhshme. Madje, shumica nuk e dinin se ç’kuptim kishte protektorati ndërkombëtar i OKB-së, përfshirë këtu edhe subjektet dhe partitë politike, ndonjëra prej të cilave fuqizoi organizimin në terren, për të vendosur kontroll mbi Kosovën pa pushtet. Më vonë u pa se protektorati ndërkombëtar i kishte rregullat e sjelljes si një pushtim, por në vend të një shteti, të një mbretërie ose të një perandorie, në mbajtjen e gjendjes nën pushtim participonin pothuajse të gjithë shtetet anëtare të OKB-së. Kjo e bënte çështjen shumë të komplikuar në vendimmarrje, më një anë, ndërsa më anë tjetër, sillte në Kosovë përvoja shumë heterogjene në ngritjen e institucioneve dhe vendosjen e rendit demokratik. Në këtë lojë u fut edhe Europa, duke marrë përgjegjësi në disa fusha, siç ishte ekonomia përmes të ashtuquajturës shtyllë IV e UNMIK-ut, ose mediet, organizimin politik dhe demokratizimin përmes OSBE-së. Por, në atë zallamahi botërore përvojat europiane të kolonizimit ose u përshtaten me ato të OKB-së, ose u neutralizuan plotësisht. As prania amerikane në disa segmente, siç ishte mbajtja e vazhdueshme e pozitës së zv/shefit të UNMIK-ut, nuk pat ndonjë domethënie, kaloi pa u vërejtur, ngase iu përshtat rrethanave.

Kosovarët as që kishin idenë se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Atyre nuk iu shkonte mendja se vendosja e një administrate prej mijëra njerëzish nënkuptonte, në radhë të parë, zgjatjen disavjeçare të status quo-së, pra mbajtjen e gjendjes pezull, sepse, tani e tutje, mbajtja e Kosovës në këtë gjendje nuk do vinte vetëm si rezultat i situatës në terren, as vetëm si rezultat i vështirësive politike për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për statusin e saj, por do të varej edhe nga interesat e këtij misioni ndërkombëtar, pra i mafies së OKB-së. Me t’u vendosur në Kosovë, ky mision do të diktojë vetë tempin e zhvillimeve politike, do t’i krijojë vetë të ashtuquajturat zona të rrezikshmërisë së lartë; vetë do t’i mbajë të acaruara raportet me banorët vendas, kur kjo mund t’u shkonte për shtat; do të nxisë situata konflikti ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve; do të hyjë në marrëdhënie me Beogradin, duke anashkaluar Prishtinën, të gjitha këto me synim që vetë të bëhet zot i situatës. Ta zëmë, nëse situata politike në Kosovë merrte rrugën e zgjidhjes së shpejtë politike, misionit të OKB-së nuk i duhej një zgjidhje e tillë, sepse ai kërkonte ta zgjaste kohën e mbetjes në Kosovë. Nëse, bie fjala, situata në Mitrovicën e veriut dhe në komunat bri saj qetësohej dukshëm, duke shpartalluar bandat dhe duke vendosur rendin dhe ligjin, për misionin e OKB-së kjo nuk ishte zgjidhje, jo pse problemi ishte politik, siç shpreheshin ata, por nga se me qetësimin e situatës binte shkalla e rrezikshmërisë së misionit dhe, bashkë me këtë, përgjysmoheshin edhe të ardhurat. Pra, interes i misionit të OKB-së nuk ishte më Kosova, ishte vetë misioni.

 

Kosova e shumë pamjeve

 

Marrë në përgjithësi, situatat e krijuara para dhe pas 12 qershorit 1999, të cilat e vendosën Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, sado që u dukën joshëse dhe përkëdhelëse për sedrën e lënduar kosovare, më anë tjetër, ky përqendrim i vëmendjes dhe kjo dyndje e madhe e botës në një hapësirë prej jo plot njëmbëdhjetë mijë kilometrash katrorë, tërthorazi bënte të ditur se edhe komplikimet rreth statusit të Kosovës do të ishin të përmasave të ngjashme. Një thjeshtësi më e madhe e situatës do t’i ndihmonte Kosovës, që më shpejt të merrte rrugën e zgjidhjes. Kjo nuk ndodhi, sikundër që nuk ndodhi as ndonjë kërkesë për një zgjidhje më të shpejtë nga vetë kosovarët, të cilët, përveç lojalitetit, nuk i ofruan asgjë bashkësisë ndërkombëtare. As kundërshtim, as mosbindje. Strukturat politike kosovare vetëm në një pikë vendosën raporte të partneritetit të vërtetë me ndërkombëtarët: në keqmenaxhimin e resurseve dhe në implikimet mafioze. Në këtë pikë, të dyja palët krijuan lidhje varshmërie me njëra-tjetrën. Kosova shumë shpejt u bë poligon ndërkombëtar i strukturave të degjeneruara të vjedhjes dhe keqpërdorimit, të mashtrimeve financiare dhe të kontrabandës, të trafiqeve ilegale dhe pastrimit të parave. Në këtë vorbull u përfshin të gjithë. Duke marrë nën kontroll segmente të caktuara të ekonomisë, të tregtisë, të doganave, të privatizimit etj., politikanët e Kosovës, së bashku me segmentet e caktuara të administratës ndërkombëtare, brenda një kohe shumë të shkurtër u bënë njerëz shumë të pasur. Zgjidhja e shpejtë e statusit të Kosovës nuk iu shërbente as atyre.

Kosova tani bënte disa jetë paralele. Çdo ditë ajo zbulonte dëshmi të reja të krimeve të tmerrshme, të cilat as që ishin marrë me mend gjatë kohës së luftës: fëmijë të ngulur në hanxharë, gra të dhunuara, kufoma të djegura ose të degdisura nëpër Serbi, për të fshehur gjurmët e krimit. Edhe disa vjet pas luftës, njerëzit do të gjenin vajza e gra të mbytura nëpër puse dhe nëpër lumenj, kufoma pa varre dhe varre pa emër. Kosova i kaloi vitet e para të lirisë me varrime dhe rivarrime. Një numër djemsh dhe burrash ishin kapur dhe mbaheshin peng nëpër burgjet e Serbisë. Sekush shpresonte se ndër ata të burgosur gjendeshin edhe të afërmit e tyre. Do të zhvillohet një tregti e paparë ndonjëherë: serbë nga Serbia ose që dikur kishin jetuar në Kosovë, në bashkëpunim me shqiptarë nga Kosova ose nga Lugina e Preshevës, do të bëjnë telefonata anonime ndër familjet e të zhdukurve, duke kërkuar shuma marramendëse parash, për t’ua gjetur të afërmit e tyre. Në shumicën e rasteve e gjithë historia përfundonte si mashtrim ordiner. Kjo ishte Kosova e njërës pamje.

Pamja tjetër e Kosovës nuk ishte kaq e zymtë dhe kaq dëshpëruese. Ishte folklorike, por brenda kishte edhe një krenari të ligjshme. Anë e kënd Kosovës shënoheshin vendet e betejave të UÇK-së. Mbaheshin fjalime të zjarrta patriotike, kujtoheshin të rënët, ngriheshin lapidare. Ikonografia e këtyre tubimeve gjithmonë ishte e njëjtë dhe fjalët që thuheshin buronin nga literatura patriotike e trashëgimisë së hershme ose më të vonë, e reduktuar në fjalor dhe në mesazhe. Edhe këtu filloi të zhvillohej një biznes: disa poetë, për para, shkruanin vargje për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës, ua jepnin këngëtarëve dhe ata, gjithashtu për para, këndonin pa përtesë për trimëritë e papara të atyre që kishin rënë për lirinë e Kosovës. Nga Shqipëria, skulptorë të realizmit socialist bënin buste dhe shtatore të heronjve, që u vendosen në sheshe dhe gjetiu anë e kënd Kosovës, ani që në shumicën e rasteve pamja e këtyre trimave do të jetë e ngjashme me të Vojo Kushit apo të ndonjë partizani tjetër të Shqipërisë.

Një pamje tjetër e Kosovës ishte ajo e shkatërrimeve dhe uzurpimeve. Ç’është e vërteta, kësaj meseleje ia kishin nisur vetë serbët, të cilët gjatë bombardimeve të NATO-s, në zonat e luftës dhe gjithandej Kosovës, kishin vjedhur dhe plaçkitur çdo gjë që iu vinte ndoresh. Vlera e këtyre plaçkitjeve nuk do të dihet kurrë, sepse ato fillonin me shumat e mëdha të parave që ua morën shqiptarëve në raste pushkatimesh, ose në çdo rrethanë tjetër të ngjashme, pastaj të stolive dhe të gjërave të tjera të çmuara, për t’i dhënë fund kësaj piraterie me djegie masive të shtëpive, veçmas në disa zona të Dukagjinit, të Drenicës etj. Kosovës së qershorit të vitit 1999 i vinte era shkrumb dhe një duhmë e rëndë, që nuk dihej në ishte erë e kufomave të pavarrosura, apo e bagëtisë së vrarë e të ngordhur. Nuk do mend, hakmarrja e shqiptarëve ndaj serbëve, në disa raste, do ta tejkalojë logjikën dhe arsyen, por ajo kurrë nuk do të arrijë përmasën e brutalitetit që serbët kishin bërë ndaj shqiptarëve.

Vetëm se, inercia e shkatërrimeve dhe e uzurpimeve nuk u ndal te pronat e serbëve. Duke shfrytëzuar situatat pa pushtet, kosovarët në masë të madhe vodhën njëri-tjetrin dhe më pastaj, si e kaluan këtë fazë, ia nisën tregtisë së madhe të pronave me serbët. Dëmet që i shkaktuan Kosovës ishin të jashtëzakonshme, sepse shuma të mëdha parash nga Kosova shkuan në drejtim të Serbisë. Të prirë nga një babëzi e çuditshme, kosovarët bënë një garë të paparë në blerjen e pronave serbe, duke ua ngritur çmimet dhe duke ligjëruar si prona private të serbëve hapësirat e mëdha të pronave shoqërore. Në këtë lojë të çmendur përfitimesh u fut edhe agjencia e OKB-së për pronat, e cila, gjatë gjithë atyre viteve bëri lojë të shëmtuar: njohu dokumentet serbe të periudhës së shpronësimit të madh të shqiptarëve dhe, po ashtu, u dha legalitet dokumenteve kadastrale të nxjerra nëpër Serbi, me vula të Kosovës dhe me data të falsifikuara. Dhe kështu, OKB-ja u bë kontrabanduesi më i madh i pronave në Kosovë.

Pra, Kosova e këtyre jetëve paralele; Kosova e plagëve të dhembshme; Kosova e krenarisë dhe idealeve të mëdha; Kosova e ngazëllyer për lirinë e fituar dhe dëshpëruar pse liria nuk jepte zgjidhje për çdo gjë; Kosova e virtyteve më të larta, të njëkohshme me cenet dhe veset më të shëmtuara njerëzore, gjatë viteve të para të pasluftës nuk mund të ofronte asgjë të qartë, aq më pak një zgjidhje politike, e cila vetvetiu do t’i margjinalizonte opsionet negative, qofshin ato të Serbisë, apo të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.

Kosova nuk ishte vetëm protektorat ndërkombëtar në pikëpamje politike dhe administrative. Ajo kishte mbetur pezull në të gjitha pikëpamjet, e tërhequr nga një ekstrem në tjetrin, nga një mori kundërshtish dhe kundërthëniesh. Ajo nuk ofronte asnjë zgjidhje për veten e saj, ofronte lojalitet ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe asgjë më shumë. Në sytë e kësaj bashkësie ajo nuk kishte identitet, sepse kjo bashkësi ndërkombëtare ishte politike, i maste vlerat me kut politik, ndërsa Kosova nuk kishte identitet politik. Ajo kishte qenë një krahinë autonome jugosllave; i qe hequr autonomia në mënyrë të njëanshme nga Serbia; në këtë e sipër ishin shkelur të drejtat e njeriut; më pastaj ishin kërkuar zgjidhje politike, por ato nuk ishin gjetur; kishte plasur një sherr i madh ndërkombëtar, ishte shkaktuar një krizë humanitare; kishte ndërhyrë NATO-ja dhe ja tani ku ishte: pa status, pa të nesërme të qartë, vetëm me të sotmen të karakterizuar me një transicion kaotik dhe shumëplanësh njëherësh.

 

Rrënimi i imazhit

 

Gjatë pranverës së vitit 1999, ndoshta pak edhe më herët, mediet botërore e tashmë e kishin krijuar pamjen e Kosovës dhe të kosovarëve si viktimë ideale. Pamjet e shpërndara anë e kënd botës mund të ishin të ndryshme, por ato flitnin për të njëjtën gjë: për kosovarët e përvuajtur, të dëbuar nga shtëpitë e veta, në një karroceri traktori të mbuluar me plasmas, me dy-tre fëmijë sypërlotur mbështjellë me ndonjë batanije të vjetër, me një tjetër fëmijë në djep ose tek ishte kapur pas gjirit të së ëmës, me pleq të parruar e thatimë e me plaka tek fshijnë lotët me cepin e shamisë. Afërsisht, ky ishte imazhi botëror i Kosovës së pranverës së vitit 1999. Pamjet mund të ishin më pak ose më shumë mbresëlënëse, më pak ose më shumë kreative, por në esencë ato pasqyronin një viktimë të urtë e të përvuajtur, e cila nuk kishte përse të thoshte asgjë, nuk kishte përse të fliste, nuk kishte përse të mendonte. Ajo ishte e destinuar të vuante dhe asgjë më shumë se kaq. Bota i qe nënshtruar këtij përfytyrimi dhe kosovarët duhej ta luanin këtë rol, në të gjitha variantet e një tragjedie njerëzore. Dhembja ishte e madhe, tronditëse, që lëndonte në sedër dhe e bënte përgjegjës çdo njeri të pushtetshëm të botës, çdokënd që i konsideronte pjesë të veten vlerat e civilizimit, çdo njeri që kishte ndjenja humane. U mor vesh, kosovarët nuk kishin nevojë ta aktronin situatën e tyre tragjike. Vuajtja e tyre ishte reale. Reale ishte edhe ndërgjegjja e lënduar botërore, kundrejt një tragjedie të këtillë. Askush nuk luante me gjëra kaq të frikshme, të zymta, çnjerëzore.

Askush nuk e kishte besuar se Europa, modeli botëror i civilizimit dhe vlerave humane, ndonjë pjesë e saj, ende fshehte në vete pikëpamje dhe pasione gjenocidale. Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa, ajo ishte munduar në të gjitha mënyrat të shëronte kompleksin e antisemitizmit. Tani historia po përsëritej në variantin më të keq. Më anë tjetër, tragjedia e Bosnjës kishte lënë të kuptohej se bota perëndimore kishte paragjykimet e saj nacionale dhe fetare. Një përsëritje e tragjedisë së Bosnjës do të dërgonte një porosi të keqe për historinë: se Europa, për shkak të paragjykimeve fetare, ishte treguar indiferente ndaj gjenocidit mbi të vetmit popuj myslimanë të kontinentit të vjetër. Në të vërtetë, të gjithë e dinin se ishin këto paragjykime fetare të Europës, që e kishin çuar situatën deri në këtë pikë. Ajo tashmë kishte toleruar marrëzira të pakufishme të Serbisë ortodokse (edhe të shteteve të tjera të kësaj provenience fetare, përfshirë edhe Rusinë), vetëm e vetëm pse objekt i pasionit të saj fashist ishin boshnjakët dhe shqiptarët, që të dy popuj me shumicë myslimane. (Edhe tani që po flasim, në Bashkimin Europian duket se askujt nuk i bën përshtypje fakti se kryesisht janë shtetet ortodokse të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.) Sido që të jetë, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, stereotipi i viktimës kosovare tashmë ishte krijuar dhe ai shëtiste nga një cep i botës në tjetrin.

Së fundi atij stereotipi iu shtua edhe imazhi i kthimit, respektivisht i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë dhe entuziazmi i paparë dhe mbresëlënës i kosovarëve mirënjohës. Me këtë kthim, kuadri ishte plotësuar. Ideja e humanizmit kishte ngadhënjyer mbi brutalitetin, mbi çnjerëzoren. Viktimës i ishte ofruar mbrojtja, jo drejtësia. Drejtësia për viktimën ishte çështje politike, mbrojtja e viktimës ishte çështje humanitare. Kosovari, viktimë e urtë, tani mund të kthehej në shtëpinë e tij të djegur, të ishte mirënjohës për këtë mrekulli dhe në cep të oborrit të priste ndonjë organizatë humanitare, e cila do ta furnizonte me bukë dhe me gjësendet e tjera të nevojshme. Ai duhej të ishte falënderues, kaq mund të thoshte para ndonjë kamere televizive, asgjë tjetër. Ai nuk kishte nevojë të mendonte, nuk kishte nevojë të fliste, nuk kishte nevojë as për politikë, as për bëma të tjera që trazojnë mendjen dhe shpirtin.

Pra, bëhej fjalë për imazhin e një viktime ideale, sikur kosovarët të mos ishin qenie të kësaj bote, me ndjenja dhe me pasione, por ndonjë komunitet i çuditshëm murgjish budistë. Më anë tjetër, nën pamjen e njeriut të urtë dhe mirënjohës, kosovari fshihte pasione të zakonshme njerëzore, ca më të ulëta e ca më të larta, vese dhe virtyte, mendime dhe ide, kërkesa politike dhe observime individuale. Mbi të gjitha, ai mbante me vete një të kaluar të vështirë, traumatike, me shumë vuajtje dhe padrejtësi. Ai kurrë nuk ishte mësuar t’i besonte drejtësisë që vendosej përmes ligjit, por asaj drejtësie që vendosej ose sipas kanunit, ose sipas mendjes së tij. Në kujtesën kolektive të Kosovës shteti kishte qenë armiku më i madh i kosovarit. Prej tij vinte padrejtësia, prej tij vinte dhuna, prej tij vinte vdekja. Dhe nuk ishte vetëm kjo. Një memorie frustuese ua rëndonte ndërgjegjen kosovarëve: serbët ua kishin vrarë gjyshërit, serbët ua kishin vrarë baballarët, edhe ata prej serbëve ishin kërcënuar të vriteshin dhe po prej serbëve ishin vrarë ose mund të vriteshin edhe nipërit e tyre. Të jetoje me një kujtesë të tillë nuk ishte e lehtë. Nuk ishte e lehtë të jetoje pranë fqinjit serb, të cilit dikur ia kishe hapur derën e shtëpisë, ndërsa ai, sapo i qe shfaqur rasti, kishte vënë një maskë në fytyrë, ose pa të fare, dhe i kishte vrarë të gjithë pa përjashtim. Tashmë dihej, në Kosovë më së keqi e kishin pësuar ata që iu kishin besuar fqinjëve të tyre serbë: ata ua kishin vrarë fëmijët, ata ua kishin dhunuar gratë, ata i kishin bërë mizoritë më të përbindshme. Pse? Nuk kishte ndonjë shpjegim tjetër, përveç se një urrejtje patologjike mbi baza nacionale dhe fetare.

Sipas rregullave civilizuese, hakmarrja individuale përjashton ligjin dhe drejtësinë, sepse, thuhet, drejtësia nuk vihet në vend, nëse një krim ndëshkohet me një krim tjetër. Kosovarët, tradicionalisht, nuk i kanë besuar drejtësisë institucionale, sepse shteti, cilido që i ka sunduar, nuk ka ofruar drejtësi të paanshme. Në rrethanat e pasluftës është vështirë të thuhet se kosovarët deshën ta vendosnin drejtësinë sipas rregullave të tyre, sipas Kanunit ose sipas pasionit primitiv të hakmarrjes. Ata thjeshtë iu nënshtruan inercisë, e cila i ka shtyrë në hakmarrje të gjithë ata që e kanë pësuar në një mënyrë të ngjashme. Kosovarët u sollën njësoj, siç janë sjellë pothuajse të gjithë popujt e Europës pas Luftës së Dytë Botërore: ku arritën i vranë dhe i dëbuan pushtuesit dhe kuislingët. Edhe gjyqet që u bënë, nuk ishin gjë më mire se hakmarrje nga pasioni. Atëherë, përse nga kosovarët kërkohej të silleshin ndryshe? Doemos që ata do të vrisnin ndonjë serb të pafajshëm dhe këtë mund ta bënin për tri arsye: e para, sepse nuk e sundonin dot pasionin e urrejtjes për mizoritë që ata kishin bërë në pranverën e vitit 1999 dhe më herët; e dyta, sepse kishin të akumuluar një kujtesë negative, e cila përfshinte një periudhë të gjatë kohore të jetës së përbashkët; dhe, e treta, sepse donin një zgjidhje politike për Kosovën të pandikuar nga faktori serb.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Bashkësia ndërkombëtare, veçmas Europa sqimatare, nuk e akceptoi një sjellje të këtillë të kosovarit. Ajo nuk desh që kosovari të ndryshonte pamjen e viktimës së urtë. Ai duhej përjetësisht të mbetej i tillë, i urtë, i padëmshëm, i dëgjueshëm. Ajo nuk desh që ndërhyrja, në të cilën kishte marrë pjesë edhe ajo, të bëhej mbulesë për krime hakmarrëse ndaj serbëve. Ajo nuk desh të ndodhte kjo, sepse kishte marrë pjesë në ndërhyrje me shumë dilema dhe hezitime. Ata që kishin qenë të vendosur për ndërhyrje, edhe gjatë ditëve të aksioneve ushtarake ishin përballur me kritika të ashpra. Tani kosovarët kishin krijuar argumente për kundërshtarët e tyre.

Por, mbi të gjitha, bëhej pyetja: A ia kishte vlejtur? Shumica do të thonë jo, sepse në Ballkan të gjithë janë të njëjtë, si kriminelët, si viktimat, sepse edhe viktimat, sapo t’u krijohet mundësia, bëhen kriminelë. Natyrisht që ky ishte një barazim i shëmtuar, i padrejtë, por, mbi të gjitha, ishte një justifikim për hezitimin dhe pendesën. Edhe sikur kosovarët të mos bënin asnjë veprim kundër serbëve, Europa do të kërkonte një arsye për t’u penduar. Nëse nuk do të ishin serbët e dëbuar, ndonjëri edhe i vrarë dhe shtëpitë e tyre të djegura, do të gjendeshin romët, dhe nëse nuk ishin romët, do të gjendeshin goranët, turqit, kushdo qoftë. Për t’u penduar gjithmonë gjendet një arsye. Më në fund, për pendesën dhe sedrën e lënduar të Europës, nëse nuk gjendej dikush tjetër, do të shprehej Brizhit Bardo për mizoritë e të dyja palët ndaj kafshëve. Pra, idesë së pendesës, në çfarëdo mënyre i duhej dalë në fund.

Më anë tjetër, duke pasur parasysh këtë rrethanë, realisht kosovarët do të vënë në pozitë të pakëndshme miqtë dhe përkrahësit e tyre më të mëdhenj, anë e kënd botës, sepse jo çdo veprim i tyre ishte racional, madje as nën pasionin e hakmarrjes, por më shumë me ndonjë llogari fitimprurëse. Në Prishtinë dhe në ndonjë qendër tjetër urbane do të vritet ndonjë plakë serbe, vetëm e vetëm për t’ia uzurpuar banesën. Bëhen edhe veprime të tjera joracionale, të padinjitetshme, ndërkohë që media botërore vazhdon të jetë e fokusuar në Kosovë, duke ndjekur hap pas hapi çdo veprim të kosovarëve. Ishte një monitorim i paparë, i kujdesshëm deri në detaje, shpesh tendencioz, por gjithnjë i arsyeshëm: ata që kishin ndërhyrë, kishin edhe të drejtën e vëzhgimit. Ata mbanin edhe të drejtën e pendesës, njësoj si të drejtën e kërkimit të idealitetit. Ndërsa kosovarët ishin larg të qenit idealë. Ishin një komunitet që kishte vuajtur mungesën e emancipimit dhe të arsimimit, mungesën e institucioneve dhe perceptimin pozitiv të shtetit dhe të ligjeve të tij. Në të vërtetë, perceptimi i kosovarit për rregull dhe ligj ishte negativ, sepse në mbrojtje të rendit dhe ligjit kishte qëndruar gjithmonë një shtet armiqësor, i cili sistemin e drejtësisë dhe ligjin e kishte përdorur jo për të vendosur rregull në jetën e njerëzve, për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, por për t’i shkelur ato. Nga ky perceptim negativ i shtetit kosovarët vështirë që do të lirohen ndonjëherë.

 

Perceptimi i gabuar i konfliktit

 

Edhe përkundër faktit se kishte shpëtuar nga një luftë pothuajse shfarosëse, i kishte shpëtuar një gjenocidi kërcënues dhe pothuajse zhbërës dhe kishte hequr qafe një zgjedhë të urryer prej shumë kohësh; pra, edhe përkundër të gjithave, Kosova nuk kishte status të përcaktuar, që domethënë nuk dihej se çfarë ishte. E ardhmja e saj dukej krejt e paqartë, edhe pas angazhimit të jashtëzakonshëm të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërhyrja e NATO-s thuhej se kishte qenë kryekëput humanitare, pra e tillë që nuk prejudikonte statusin. Rezoluta 1244 e KS të OKB-së e vendoste Kosovën nën protektoratin e OKB-së, ndërsa zgjidhjen duhej kërkuar te Konferenca e Rambujesë, e cila nuk e kishte bërë hapin vendimtar të përkufizimit të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Madje, tani në Kosovë dhe rreth saj ishte krijuar përshtypja se çdo gjë që bëhej kishte vetëm një qëllim: ta pamundësonte pavarësimin e Kosovës në çdo variant dhe në çdo mënyrë. Këtë punë dukej sikur e kishin prioritet edhe trupat e NATO-s. Pas dëbimit të forcave serbe, trupat e NATO-s nuk e kishin preokupim themelor akomodimin e viktimave, që në këtë rast ishin shqiptarët, por pikërisht të kundërtën: lëvizjen e patrazuar të kriminelëve serbë, të cilët, nën mbrojtjen e blinduar të trupave të KFOR-it shëtitnin nga njëra enklaveë në tjetrën, me tre gishta përpjetë, duke provokuar mllef dhe urrejtje te shqiptarët. Konsideratat e jashtëzakonshme për trupat e NATO-s tashmë ishin dvarë edhe për shkak të Mitrovicës. Kosovarët nuk e kishin të vështirë ta akceptonin, se trupat e NATO-s më me kujdes e ruanin urën mbi Ibër dhe, bashkë me të, edhe enklavën serbe në Mitrovicën e veriut, përfshirë edhe paramilitarët e armatosur, sesa kufirin e Kosovës me Serbinë, në Zubin-Potok ose Leposaviq. Të njëjtën gjë bënte edhe administrata e OKB-së, pra UNMIK-u, e cila kujdesej me fanatizëm të jashtëzakonshëm që Kosova të mos bëhej shtet, por më shumë të ruante një status quo, pa zgjidhje, një qëndrim pezull, as në qiell, as në tokë.

Me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, de jure Kosova u bë protektorat ndërkombëtar, por në funksionimin e këtij mekanizmi kishte aq shumë implikime, saqë konfigurimi i saj statusor dukej krejtësisht i çoroditur. Me qëllim që të ruheshin balancat e brendshme të mekanizmit veprues të OKB-së, në Kosovë kishte zbarkuar administrata më e komplikuar dhe më e pamundur që ishte parë ndonjëherë. Në bërjen e kësaj administrate kishin marrë pjesë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, e kjo në një mënyrë donte të thoshte se Kosova duhej të bënte një administratë publike dhe të vendoste një rregull civil, duke u mbështetur në një përvojë shumë heterogjene, thënë më mirë, duke u mbështetur në përvojën e bërjes së shteteve sipas modeleve që nuk i shërbenin askujt dhe që nuk kishin ndonjë domethënie për botën bashkëkohore. Për Kosovën mund të kishte kuptim, ta zëmë, që një suedez ose një gjerman të vinte në ndonjë komunë dhe të tregonte se si mund të organizohej në mënyrë efikase pushteti lokal; se si mund të vendosej rendi dhe ligji, si mund të rregulloheshin çështjet infrastrukturës, të pronës etj. Një francezi do t’i shkonte që të mbante një post të rëndësishëm në departamentin e kulturës, ta zëmë, aty ku zuri fill më vonë profilizimi i administratës kulturore, sepse përvojat e tij kulturore në Francë mund të kishin domethënie për Kosovën.

Po çfarë ndodhi në të vërtetë? Diçka që nuk ishte marrë me mend dhe nuk ishte parë kurrë deri atëherë. Edhe përkundër faktit se për shumë kohë kishte qenë e privuar nga të liritë qytetare; edhe përkundër shkeljeve të rënda dhe abuzimeve sistematike me liritë dhe të drejtat e njeriut; edhe përkundër dhunës së vazhdueshme që ishte ushtruar decenie me radhë; edhe përkundër ngecjes në zhvillim, prapambetjes, luftës shkatërrimtare dhe të gjithë faktorëve frenues që e kishin lënë Kosovën në një gjendje të mjeruar; në krejt këtë kontekst Kosova ishte në Europë dhe standardet e matjes së prapambetjes së saj, të robërisë, të shkeljes së të drejtave dhe çdo gjë tjetër që kishte të bënte më këto, ishin thellësisht europiane. Pra, nuk ishin as afrikanë, as aziatikë dhe as latino-amerikanë. Edhe robëria e saj, ndonëse shpesh i tejkalonte parametrat civilizues europianë, megjithatë kishte kontekst europian dhe vetëm si e tillë mund të kuptohej. Edhe lufta që ishte bërë, edhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje kishte kuptim vetëm në një shkallë më të lartë të observimeve të teorive politike.

Kosova, në esencë, nuk ishte konflikt primitiv. Për ta kuptuar burimin e këtij konflikti, njësoj si përmasat, interferencat dhe pasojat largvajtëse, duhej të kishe një arsimim elementar politik dhe një dije historike sadopak europiane. Mbi të gjitha, që të inkuadroheshe disi në jetën qytetare të Kosovës; që të vendosje një raport çfarëdo qoftë me njerëzit e të gjitha shtresave shoqërore në Kosovë, duhej të kishe një kulturë elementare europiane, të sjelljes, të komunikimit etj. Kosovari mund të kishte dhe gjithsesi duhej të kishte nivel më të ulët kulturor dhe arsimor në raport me shumicën e qytetarëve evropianë me një zhvillim normal, por ai dinte të përcaktonte hierarkinë e vlerave dhe të sillej në mënyrë të diferencuar karshi niveleve të kësaj hierarkie. Prandaj, për kosovarin ishte e pakuptueshme dhe disi absurde, që në krye të departamentit të kulturës, ta zëmë, për vite me radhë në Prishtinë të qëndronte një person nga Kili, për të cilin puna më e rëndësishme që bëri, konsiderohej shfaqja orë e çast e prapanicës në sytë e bashkëpunëtorëve. Ose, më vonë, e një tjetri nga India, i cili ishte shumë i dhënë pas ritualeve dhe sekteve. Për kosovarin nuk ishte e lehtë ta kuptonte, si mund të ndodhte, ta zëmë, që komunikacionin në qendër të Prishtinës mund ta rregullonte një polic nga Fixhi, i cili betohej se semaforin e parë në jetën e tij e kishte parë pikërisht në Prishtinë. Apo, si mund ta shikonte kosovari me miratim faktin se njësia speciale e policisë për ndërhyrje të shpejta, pra një njësi elite në çdo polici të botës, për shumë vite në Prishtinë ishte një njësi nga India, policë të mbështjellë me xhybe dhe me çallma rreth kokës, ndërsa në vend të shkopinjve të gomës, ishin të pajisur me shkopinj bambuje.

Por edhe Europa, në mënyrën e vet, ishte inkuadruar mirë në kontekstin e kësaj loje të përgjithshme. Ndonjë person europian që mund të kishte lidhje të hershme me shqiptarët, mënjanohej me kujdes, që të mos binte në sy si i anshëm. Të tillët, edhe nëse mund të kishin gjetur punë për një kohë në Kosovë, duhej të ishin të kujdesshëm, që të mos shfaqeshin si proshqiptarë, ndërkohë që për avancimin e tyre në ndonjë post me përgjegjësi, fakti se kishin ndonjë lidhje me shqiptarët paraqitej si pengesë serioze. Në anën tjetër, u hulumtuan dhe u gjetën me një shpejtësi të jashtëzakonshme të gjithë ata që kishin lidhje të tërthorta ose të drejtpërdrejta me serbët, lidhje kulturore, çfarëdo lidhjeje tjetër, mjaftonte që kjo të arsyetohej me nevojën e trajtimit të tyre si viktima të situatës së re të krijuar në Kosovë.

Nëpër metropolet e Europës u kërkuan dhe u gjetën gra e burra që dinin serbisht, që kishin njohje me qarqet politike dhe kulturore të Beogradit dhe që ishin të afërt me pikëpamjet nacionaliste serbe për Kosovën. Të tillët u sollën në Kosovë në poste vendimmarrëse, veçmas për bërjen e të ashtuquajturve institucione multietnike, ku bënin pjesë, përveç administratës, edhe institucionet arsimore, kulturore, të informimit etj. Kështu, një gjerman pa titull universitar dhe me një karrierë të dyshimtë profesionale do të merrte përsipër ringritjen e sistemit arsimor në Kosovë, për ta çuar arsimin shqip, për dy-tri vjet, pothuajse në zhbërje, në mënyrë që pas kësaj “përvoje” të fituar në Kosovë, pa pike turpi të përfundonte në Beograd, në një fondacion për zhvillimin e arsimit në Serbi, ose diçka e tillë. Nuk ishte se shqiptarët e Kosovës nuk e shihnin, ta zëmë, se çfarë po ndodhte me sistemin e arsimit në Kosovë, me Universitetin, me Akademinë, me institutet etj. nën drejtimin arrogant dhe të papërgjegjshëm të një Daxneri, por ata i kishin dy çështje të pazgjidhura në raport me këto bisha antishqiptare: e para, këta të huaj ishin fuqiplotë dhe të pakontestueshëm në marrjen e çfarëdo vendimi; dhe, e dyta, vetë shqiptarët nuk kishin ndërtuar një qëndrim të qartë politik, se si duhej të silleshin me persona të këtillë, në duhej të mbanin qëndrim të rezervuar, t’i mbështetnin ose të silleshin në mënyrë përjashtuese. Në të vërtetë një qëndrim i përgjithshëm politik ekzistonte dhe ai çonte në drejtim të një kooperativiteti të ngushtë më bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, pa specifikuar rastet dhe situatat. Kaq mjaftonte që situatat si e Daxnerit të mos merrnin një kundërshtim të përgjithshëm në formën e refuzimit.

E ngjashme ishte situata edhe me disa fusha të tjera, bie fjala, me dokumentet personale të qytetarëve. U ndërtua një mënyrë dhe një procedurë e pajisjes me dokumente të këtilla, e cila, në shumë raste, qytetarin e zakonshëm ose e çonte te administrata paralele serbe që vazhdonte të operonte në Kosovë, ose e bënte të hiqte dorë përfundimisht nga ideja e pajisjes me dokumente personale. Të gjithë e dinin situatën e papërballueshme në këtë sektor, por të paktë ishin ata që kishin dijeni se në krye të këtij shërbimi në Kosovë ishte vënë një ukrainas, ndërsa një serb ishte bashkëpunëtori i tij më i afërt. Të gjithë e dinin, ta zëmë, se koncepti i parë i programit multietnik i Radio-Kosovës e kishte një strukturë gjuhësore diskriminuese për shqiptarët, por të paktë ishin ata që e dinin se hartuese e këtij koncepti ishte një përkthyese franceze e shkrimtarëve të njohur serbë, e cila për vite me radhë në Prishtinë ishte një bërthamë e nacionalizmit serb, që ua shkonte edhe vetë serbëve më ekstremistë.

 

Shpërputhjet etike dhe politike

 

Kush ishin, pra, këta njerëz, të cilët zbarkuan në Kosovë në vitin 1999 e prapa, që ta bënin Kosovën protektorat të OKB-së? Për një arsye ose për një tjetër, kosovarët nuk u shprehën pothuajse asnjëherë krejt qartë për punën e këtyre njerëzve, për ngritjen e tyre arsimore, për moralin e tyre, për bëmat e tyre të përditshme, për sjelljet e tyre, për të gjitha. Nuk u shprehën, sepse për shumë kohë nuk e dinin as vetë nëse kishin kapacitete intelektuale, arsimore, kulturore dhe të tjera për ta bërë këtë. Nuk u shprehën, sepse nuk ishin të sigurt nëse kishin të drejtë morale ta bënin këtë. (Kishin lutur botën që t’i ndihmonte dhe ajo e kishte bërë këtë.) Dhe nuk u shprehën, sepse bazë të çdo krahasimi ata duhej të merrnin pushtetin serb, me të cilin kjo administrate ndërkombëtare, sado e shëmtuar që mund të ishte, nuk mund të krahasohej në asnjë mënyrë.

Por kishte edhe një arsye tjetër, përse reagimi i faktorit shqiptar ishte i squllur, anemik, i papërfillshëm. Subjektet politike shqiptare tanimë nuk ishin vënë në raporte partneriteti me faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, por në raporte vasaliteti. Ato bënin garë se kush do të tregonte lojalitet më të madh dhe të bëhej sa më kooperativ me secilin zyrtar ndërkombëtar, duke filluar nga roja pakistaneze në portën e institucionit e deri te shefi filipinas që mbahej me të madhe dhe kapardisej në zyrën e tij me kondicioner dhe mobilieri të shtrenjta. Lidhja Demokratike e Kosovës, ta zëmë, e konsideronte pjesë të programit të saj dhe të filozofisë së saj politike bashkëpunimin nënshtrues me ndërkombëtarët. Kundrejt saj, strukturat e dala nga lufta, pavarësisht në ishin të përfshira në ndonjë formë organizmi ose jo, mbanin atributin e refuzuesve të bashkëpunimit dhe të sjelljes kundërshtuese. Kjo i bëri disi me kompleks këta të dytët, sikur bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare, përveç që sillte përkrahje dhe privilegje të kuptueshme, krijonte edhe imazh pozitiv në rrethin kosovar: sikur i bënte më të kultivuar, më të sjellshëm, më të arsimuar, pra ua hiqte atributet e njerëzve të pagdhendur, që ata dukej se e vuanin jashtëzakonisht shumë. Thënë ndryshe, ndër kosovarët zhvillohej një garë e shëmtuar e pëlqimit në sytë e ndërkombëtarëve, e cila kurrë nuk do të marrë as mirënjohjet, as nderet e pritshme.

Po kënd respektonim dhe kujt i bënim ndere kosovarët? Burra dhe gra me raca, mentalitete, kulturë dhe traditë jashtëzakonisht heterogjene. Kjo përzierje ishte në vetë natyrën e misioneve të OKB-së. Por a ishte vetëm kjo? Disa syresh ishin të sprovuar me misione të këtilla dhe në Kosovë gjetën një parajsë të vërtetë. Nuk kishte dhunë ndaj të huajve dhe rrezikshmëria për jetën ishte pothuajse zero. Vetë implikimet e tyre në krim (kontrabandë, korrupsion, trafikim etj.) kanë mundur ndonjëherë t’i bëjnë objekt ose cak sulmesh, por në përgjithësi ishin të mirëpritur dhe respektoheshin edhe kur me asnjë veprim të tyre nuk e meritonin këtë. Kishin rroga të mëdha dhe, për kushtet e Kosovës, bënin jetë luksoze. Zunë me qira shtëpitë më të mira dhe bënë shërbëtore e truproja vajza e djem të hijshëm dhe me edukatë, që dinin anglisht, por më me rëndësi ishte gatishmëria e tyre për shërbime të të gjitha llojeve. Dhe këto shërbime ata nuk e kishin për gjë t’i kërkonin pothuajse pa përjashtim. Sepse, shumica syresh, ishin horra dhe kodoshë të sprovuar, homoseksualë, kurva me damkë, të cilët gjysmën e jetës e kishin çuar nëpër bordelet e botës, gjithnjë duke bërë jetë të shthurur, më shumë të dehur se esëll. Shumicën e kohës e shkonin nëpër restorante dhe kafene,  duke ngrënë dhe duke pirë si të babëzitur. Në këtë e sipër, bënin politikën për Kosovën dhe planet për të ardhmen e saj. Secili kishte një preokupim kryesor: që misioni i OKB-së në Kosovë të zgjatej sa më shumë dhe “rrezikshmëria” e misionit të mos zvogëlohej, në mënyrë që shpërblimet të preknin kuotat më të larta dhe ta gjenin arsyeshmërinë. Edhe po të mos ndodhte ndonjë Mitrovicë e veriut, ata do ta shpiknin një të tillë, sepse ajo iu duhej, në mënyrë që tensionet t’i mbanin të larta në vazhdimësi. Por nuk ishte vetëm kjo. Shoqëria tradicionale e Kosovës e kishte shumë të vështirë të përballej me këta njerëz pa vlera dhe pa integritet moral. Ata silleshin si kolonizatorët e dikurshëm, por nuk mund të bëheshin as të tillë, sepse nuk ishin zotërinj dhe zonja, nuk kishin educate të tillë. Ata ishin plebej, që imitonin në mënyrë të shëmtuar aristokratët e dikurshëm të kolonive. Prej tyre kishin marrë vetëm arrogancën dhe mosdhënien llogari për punët e tyre.

Prej tyre mund të kishin marrë edhe ndonjë ves tjetër, por asnjë veti. Pothuajse asnjëri prej tyre nuk bënte jetë të rregullt familjare. Ishin të dhënë pas orgjive, seksit dhe drogës. Asgjë nuk punonin. Shumica as nuk dinte saktësisht se çfarë duhej të bënte. Ata nuk kishin dije profesionale për asnjë punë tamam. Edhe shkollimi i tyre, në shumicën e rasteve, ishte i dyshimtë. Përmes përvojës së gjatë dhe trajnimeve, ata ishin aftësuar të shkruanin raporte, raporte pa fund, që nuk shërbenin për asgjë. Shumica e atyre raporteve nuk do të lexohen kurrë. Disa syresh do të lexohen, për aq sa të shërbenin për të shkruar raporte të reja, ose raporte përmbledhëse, të cilët po ashtu nuk do t’I lexonte njeri.

Për një kohë ata bënë jetë të mbyllur në sektin dhe në enklavën e tyre të përzgjedhur dhe të diferencuar qartë nga vendasit. Por dihej se kjo nuk mund të zgjaste gjithmonë. Të parët që u vunë në shërbim të tyre ishin vajza dhe djem të shkathtë dhe nevojtarë. Nuk ishte shaka të merrje një punë në UNMIK, në OSBE ose kudo gjetkë. Nuk kishte rëndësi se çfarë pune, roje, shofer, përkthyes, gjellëbërëse, pastruese, asistente, sekretare. Të gjithë paguheshin mirë dhe në Kosovën e shkatërruar ekonomikisht, të tillë që kishin nevojë për punë dhe këndellje financiare ishin pothuajse të gjithë. Prandaj edhe gara për një punë të tillë ishte e jashtëzakonshme. Mundësia e zgjedhjes gjithashtu. Nuk kishte konkurse legale, kishte vetëm shije dhe parapëlqim të personave vendimmarrës. E pëlqenin një vajzë, e merrnin. Ishte e bukur, e merrnin. Ishte e lirë në sjellje, e merrnin. Nuk dinte të bënte asgjë, prapë e merrnin, sepse cilësitë profesionale nuk ishin vendimtare. Këta të rinj duhej të dinin të bëheshin shumë të mençur, që t’i gëzonin privilegjet e ofruara dhe të mos binin në grackat e këtyre banditëve me emblema të OKB-së, OSBE-së dhe të sa e sa shoqatave humanitare dhe OJQ-ve. Jo të gjithë do të dinë të sillen në një situatë të këtillë. Sekush do të përfundojë i vrarë në mënyrë enigmatike, sepse mund të kishte zbuluar diçka që nuk duhej. Ndonjë vajzë do të përfundojë e vetëvrarë, nga dijenia se është infektuar me sidë. Disa të tjerë do të përfundojnë rrugëve të botës, në misione të ngjashme me atë të OKB-së në Kosovë, duke ua bërë të tjerëve atë që ua kishin bërë atyre në një kohë të shkuar. Një numër djemsh dhe vajzash të reja do të martohen dhe do të ç’martohen, do të ikin dhe do të kthehen, me një fjalë do të bëhen qytetarë të botës, ashtu sikundër i deshëm dhe nuk i deshëm vetë ne fëmijët tanë.

Që të mos duket sikur çdo gjë është e projektuar qëllimisht me nuancat më të errëta, duhet pranuar faktin se në fazën e emergjencës, e cila përfshiu periudhën vjeshtëdimër 1999-2000, bashkësia ndërkombëtare ndihmoi Kosovën në masë të mjaftueshme, për të mos vuajtur nga mungesat elementare. Ndihmuan me ushqime, me veshmbathje, me tenda, me shtroja dhe mbuloja, me material ndërtimor. Vetëm se duhet ditur një gjë: një vit më vonë, po të hyje në shtëpinë e kujtdo që ishte prekur nga lufta, nuk gjeje pothuajse asgjë nga ajo që një vit më parë me shpirtgjerësi i qe dhuruar Kosovës. Sepse çdo gjë kishte qenë për një përdorim. Sepse cilësia e secilit gjësend të dhuruar (përveç materialit ndërtimor, që edhe ky mund të ishte me Ukraina dhe i kontaminuar me radioaktivitet) ishte nën standardin e Kosovës. Sepse, edhe në këtë fatkeqësi të njerëzve, bota luante teatro: dikujt i jepte, dikujt s’i jepte; dikujt ia falte, dikujt ia shiste. U vu në veprim një korrupsion i paparë, i përmasave që Kosova nuk e kishte njohur kurrë më parë. Edhe manifestimi i këtij korrupsioni ishte brutal, i drejtpërdrejt, pa ekuivoke. Jepje një shumë parash, shtëpia e djegur, si me magji, kalonte nga njëra kategori në tjetrën. Nuk bëheshe bashkëpunëtor në korrupsion, mbetje nën tendë me gjithë kalamaj, pa i ardhur keq askujt, as vendorëve, as ndërkombëtarëve. Prandaj, shumat fantastike, miliardësh, të cilat janë përmendur ndonjëherë si ndihmë për Kosovën, në masën më të madhe janë kthyer nga kanë ardhur, sepse kosovarët kanë marrë minimumin e tyre. Ndonjëherë njerëzit kanë shfaqur publikisht shqetësimin e tyre për këtë situatë, gjithmonë me arsyetimin se Kosovës po i faturohet një ndihmë që ajo nuk e mori kurrë. Por shqetësimi gjithmonë doli i kotë, sepse askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk pranoi të thoshte qoftë edhe një herë, se sistemin e korrupsionit në Kosovë e instaloi bashkësia ndërkombëtare (kosovarët ishin vetëm shërbëtorë të vegjël të tyre), pikërisht ata që sot e përqeshin dhe e tallin Kosovën nëpër të gjitha dyert e botës. Nuk është se kosovarët ishin aq të ndershëm dhe aq naivë, sa të mos dinin të vidhin e të mashtronin. Këtë nuk duhet kërkuar prej askujt në Ballkan, sepse të gjithë ballkanasit, kush më shumë e kush më pak, këtë punë dinë ta bëjnë. Por një vjedhje kaq masive dhe kaq e drejtpërdrejtë nuk ishte parë kurrë në Kosovë. Dhe as mund të shihej, sepse në Kosovën e varfër e të shkretuar aq shumë para nuk kishin qarkulluar kurrë nëpër duart e njerëzve.

Please follow and like us: