Jeronim De Rada: RAPSODI TË NJË POEME ARBËRESHE (1)
LIBRI I DYTË
- VJEN MARSI
Vjen marsi, mirësevjen,
vjen i butë dhe i hidhur
duke hedhur shi me diell.
Fushat i lulëzon,
malet i mugullon
drita e shkollarëve
që mësojnë
manastireve të vrërët.
-O moj zonja dallëndyshe
që lodron mbi atë tra,
në ke ndonjë lajm për mua,
thuama e zemrën ma shkrif.
– O jalimono, ti trim,
lajmi që po të sjell,
i gëzuar këndej jashtë:
kudo deti zu të shkrijë.
- CICËRININ DY ZOGA
Cicërinin nja dy zoga,
një këtej, një për matanë,
i folën njëra tjetrës:
Ti s’e pe atë që pashë,
një turk me një vashë
që e bie në vithe të kalit.
Turku vjen duke kënduar,
vashëza duke vajtuar.
Kënga që këndonte turku:
-Lumi unë, i lumi turk,
një pre të majme zura,
me vete kam vashën e bardhë,
të bukurën arbëreshe.
Vajimi që bënte vajza:
-Mjera unë, e mjera vajzë,
që në dorë të turkut rashë,
troku i tij tani më çon
atje ku nuk ka më kisha.-
U përgjigj zogëza tjetër:
-Qëndrova mbi një pallat
dëgjova mëmën që qortonte
vashën e saj të bukur:
-Fatin që në dorë të bie
vet e shkel dhe e humb.-
-Pra, zonja mëma ime,
nga fshati aq e luftuar
të ndahem për argjend e ara
si një e varfër e pangopur?-
Duke ligjëruar vasha
thumbonte me hidhërim:
çdo thumb ish një psherëtimë,
çdo thumb, një pikë lot.
- GARA ME KUAJ
Vuri kusht trimi fatmir,
Vuri kusht me qenin turk,
T’i vraponin kuajt bashkë;
Turku vuri turkeshën,
Trimi vuri të bukurën.
Si e mori vesh e bukura
Sytë i mbushi plot me lot:
Mori çelësat në dorë,
Vuri shportën në krahë
Plot e plot me gadhi (dhurata)
Dhe zbriti në stallë,
Shkoi drejt e tek gjogu.
-Ore ti, gjogu ynë,
nesër në luadh të madh
dua nder të më bësh,
nder mua e zotit tim,
nga sënduqet që kam unë,
tërë brezat e argjentë
nënëbarkëze t’i bëj:
copa prej pellushi kam
paravithe do t’i bëj.
O mor ti, gjogu ynë,
nesër në luadh të madh
dua nder të më bësh,
nder mua e zotit tim;
tërë gjerdanët e artë
fre e rripa do t’i bëj-
edhe gjogu hingëlliu,
si u gdhi mëngjesi,
vanë në luadhet e gjera
edhe nganë kuajt bashkë.
Kali i qenit turk,
shtatëqind rade theu;
kali i trimit arbëresh
nëntëqind rade theu
dhe i fitoi zotit të tij
nderin dhe turkeshën.
Rinte e bukura në derë
edhe ruante diellin.
Pra, si dielli perëndoi
mori ajo draprin
thellë në kopsht hyri
dhe më korri trëndafila,
trëndafila e karafila
për shtratin e zotit të saj.
Vuri në krye trëndafilat,
vuri në mes karafilat,
pastaj u ul të plekste
dy kurorë për krevatet.
Në atë kohë hingëlliu,
hingëlliu gjogu në derë.
U çudit vajza dhe pa.
Me kupën plot verë
e me shportën me elb në llërë
zbriti zonja shkallët.
Kupën ja nderi të zotit.
-Të na rrojë, zot, gjogu!
-Ja, zonjë, e mira ime,
ta solla turkeshën
të të tundi djalënë
kur ninullat t’i këndosh.
- KUR ISHA I VOGËLTH
Kur isha i vogëlth,
isha i prapë shumë,
më nisnin në shkollë
e unë veja në vallet.
-Pas e pas meje,
eja pas meje, vashë,
krojeve, kopshtijeve,
ku janë hijet më të ftohta.
Më dha orën e shkollës
zonja mëmë e bredhim…
Zonja mëmë, si më pastronte,
më gërgiste e porosiste,
po unë vetëm e trishtoja.
Për rrogë shkova tek një zot,
i shërbeva një motmot
për një qëngjezë të bardhë,
edhe zoti nuk ma dha,
më qortoi edhe përzuri,
si e mbusha një motmot.
Rashë në burg unë pasandaj,
tri herë ëndërrita aty
se mbillja një degë dafine
sa mbushi qiellin me degë,
hijen lëshuar para meje;
e më bëhej se në hije
rrinte e më shihte përballë
edhe qengjëza e bardhë.
- ÇARÇAFËT E BARDHË
Vasha mori çarçafët,
çarçafët e bardhë,
shkoi vet me shërbëtoret
në lumë për t’i larë.
Duke larë e duke qarë,
sytë i fshinte me çember.
Që nga përroi atje sipër
vjen një trim kaluar
– Nëm një pikë uji, vashë-
– Jepi këtij zotit huaj
nga shtëmbat në hije.-
– Ç’thua, vash, nuk jam i huaj,
larg syve unë kam qenë,
larg dhe nga zemra juaj.
Vashës iu hodh përpjetë
zemra në kraharor,
i flisnin, i shkreptinin sytë:
– Lumi unë, i lumi trim
sot që kthehem e në udhë
po takohem me jetën
Zoti ynë e ma dërgoi.
- PËR GËZIMIN E RADOVANIT
Shkrepi dielli mbi borë
dhe një reze në ballë i ra
të birit të Fugies,
tek stoliste Radovanin
të ardhur që nga lufta,
e stoliste e i vinte kurorë.
Trimat e Rindinës
luanin në rolie
për gëzimin e Radavanit,
vashëzat e Rindinës
hidhnin valle
për gëzimin e Radovanit,
pulat e Rindinës
kakarisnin dhe bënin ve
për gëzimin e Radovanit.
- MALLI I SË BUKURËS
Hiq të vdiste një bir zoti,
hiq të vdiste e nuk po vdiste
nga malli i së bukurës.
Kuturisi, pra, e jëma,
shkoi tek e bukura:
– Bushtër, bijë e bushtrës,
im bir vdes për ty
dhe ti rri e më qëndis
grykëlinja nusesh,
petrahila priftërinjsh-
E dëgjoi, e bukura,
la të qëndisurit,
mori shportën në dorë
dhe hyri në kopsht.
Këputi një degë ulliri
mbushur kokrra të zeza
siç i kishte sytë vajza,
e vuri në shportë;
këputi një degë ftua
mbushur ftonj të bardhë
siç e kishte gjinë vasha,
e vuri në shportë.
Këputi një degë mollë
mbushur mollë të ëmbla
siç e kishte gojën vasha,
e vuri në shportë.
Dhe u ngjit në dhomat,
vu të linjta hollandeze,
vuri cohën arqëndisur,
vuri brezin e argjendtë,
me këpucët e mëndafshta,
doli e shkoi drejt
në pallat të të dashurit.
Gjeti priftërinj e mjekë,
priftërinjtë e bekonin,
gratë rrotull e vajtonin
-O ju priftër e bujarë,
hiquni pak mënjanë
të shoh të sëmurin.
Trimit si i ra në vesh
ai zë si tringëllimë,
në vesh e në zemër,
sytë i hapi në çast.
– Degën me mollë nuk e dua,
vetëm dua ti për grua.
- DHRIA DHE QIPARISI
Kur linde ti vashë
unë në derën tënde isha;
lutesha dhe falesha,
falesha te zoti ynë
të lindje një syzezë,
syzezë vasha leu.
Kur u rrit e u bë në moshë
lajmës i dërgova.
Vajza deshi, po nuk deshi
ajo bushtra, e jëma.
-Vashë, ti mos u helmo,
ja kthej mendjen unë sat ëme.
Bleva një palë nallane
e së ëmës ja dërgova,
lajmësin i vura.
Desh e jëma po nuk desh
i jati i mvrejtur.
– Vashë, ti mos u helmo,
ja kthej mendjen dhe tyt eti.
Një jelek kadifeje bleva
dhe tyt eti ja dërgova,
pastaj lajmësin i vura.
Deshi i jati po nuk desh
i vëllai, qeni i tërbuar.
– Vashë, ti mos u helmo,
ja kthej mendjen tët vëllai.
Bleva një brez të argjendë
me shpatën damaskine,
të vëllait ja dërgova,
pastaj lajmësin i vura.
Ngjeshi shpatën në mes,
të motrën e ndaloi.
Një të diel menatë
mora udhën e vajta vet,
hyra në dhomat
ku krehte gërshetat,
i krehte dhe i plekste,
i plekste me fije ari
të ardhur nga Napoli
e në qafë i vinte palë.
Pika loti i binin në gji.
Po nuk ishin pika loti
ishin zjarri i të dashurit.
E përshëndeta, i hodha dorën,
në vithe të kalit e vura
dhe u nisa nëpër sheshe.
Doli para i vëllai
me katër ungj
dhe me shtatë kushërinj.
-Mbaje kalin djalë,
sa t’i jap unë pajën,
pajën kësaj bije zoti-
-Pajën që desha e mora,
mora vajzën si dëbora,
sytë e saj tre mijë dukatë,
edhe vetullat po aq
të rroj unë për gjithë jetën.-
Tek ura e lumit
e rrethuan për ta vrarë.
Ai luftoi me tre a katër,
pastaj ra nga kali
bashkë me të bukurën.
Atje i mbuluan me gurë.
Kur u butësua vera,
trimi u mbi një qiparis,
vajza u mbi një dhri e bardhë
dhe u mbështet te qiparizi.
Nxori rrush dhria e bardhë,
shkonin të sëmurët,
hanin e shëroheshin,
shkonin të plagosurit
merrnin fleta qiparisi
ua vinin plagëve
dhe në çast ato mbylleshin.
- Ç’ TË TAKSI JOT ËMË
Bëri këshillë zonja Lenë
bëri këshillë me tre bujarë,
të martojë dhrinë e bardhë,
të m’i jipë qiparisin.
-Qiparis i hijshëm,
ç’pasuri të la jot ëmë?
Më taksi malin me grigja,
më taksi fushat me të mbjella,
me të mbjella dhe me lule,
edhe rrugët për kangjele.
Katër kuaj me pajime,
katër shërbëtorë kaluar.
-Thuaj ti, moj dhri e bardhë
çfarë stoli të jep jot ëmë?
-Stolitë që më taksi mëma,
nëntë coha e nëntë të linjta,
nëntë keza kadifeje
të qëndisura me ar,
nëntë mbulesa të holla.
- UDHËTONIN NËNTË TRIMA
Udhëtonin nëntë trima,
shkonin në dheun e latinëve
të më çonin nëntë vasha,
nëntë vasha arbëreshe.
Udhës i takoi një plak.
-Të vij dhe unë plaku me ju?
-Je plak e nuk vjen dot.-
-Tek veni ju kaluar,
murxhari më sjell me ju;
sa të çmpini këmbët
më bëni një patericë,
në udhë, në një shqopishte.-
Dhe i bënë një patericë,
në udhë në një shqopishte.
Në atë fshat ku shkuan
ndalën e hodhën shortin
mbi vajzat e zgjedhura.
Dhe më e bardha, më e njoma
ajo plakut i takoi.
Shpejt u ndanë veç e veç,
veç shkuan plaku e vajza,
gjersa arritën në një përrua.
Kali shkoi të pinte ujë.
-Prëhemi këtu në hije.-
Plakun e zuri gjumi
në prëhër të vashës.
Vajza ishte shumë e mençur,
hoqi shaminë nga koka
dhe ja mbylli sytë,
zgjidhi brezin nga mesi
dhe ja lidhi duart,
duart edhe këmbët-
Kur u zgjua plaku,
vasha kish kaptuar malin,
atë mal dhe tjetrin.
-O, kush shkon këtij mali,
zgjidhmëni se do të vdes.-
E mëshiroi zoga e egër
dhe i cimbisi shaminë
dhe i hapi sytë,
i cimbisi brezin
e i zgjidhi duart,
duart edhe këmbët.
-Ec, plak i mjerë,
ec e mblidhu te dheu yt,
sepse fati i trimave
nuk është fat i plakut.-
Nga mjekra që shkuli plaku
zbardhëlloi gjithë dheu,
nga lotët që derdhi plaku
gjithë lumenjtë u frynë.
- CILI ËSHTË MËKATI YT?
Doli dielli nga mali
dhe mbuloi dy pallate.
I ndriti zonjës Lenë
tek i plekste gërshetin
me një cohë gjithë lule ari
të bijës përmbi fron
e mbi qafë ja paloste;
më poshtë pastaj i ndriti
zonjës Agat në këmbë
përpara pasqyrës
ku stoliste djalin
me pellush dhe argjend
se do shkonin për rrëfim,
për rrëfim edhe kungim
te kisha e Todrit.
Ndaj mesditës vasha
shkoi e ra në gjunjë te prifti.
I tha:-Zot, unë dua
një trim që kam në gji;
po shokët më shajnë,
shokët dhe prindërit e mi,
ky është mëkati im.-
Prifti i tha:-U çlirove.
Vetë të jap një pendesë,
asnjeri të mos takosh,
asnjeriu t’i bësh nder,
veç atij që deshe shumë.-
U ngre vajza me uratën.
Erdhi trimi të kungohej.
Porsa priftin e dalloi
atje larg, e ktheu mbrapsht:
-Eja, më bëj një të mirë,
eja dhe më kungo.
Prej andej trimi i bardhë
në kishë e çoi priftin:
-Cili është mëkati yt?
-Vajta krushk unë me një nuse.
Udhës nga shkonim
na zuri një rrëpirë shi.
Gjithë ç’ishin u shpërndanë,
kush në mollë, kush nën dardhë,
kush nën kumbullzën e bardhë,
unë i ziu s’pata se ku
po te dera e vendit të shenjtë
dhe e lidha kalin
te pragu, nën stuhi.
Po me patkonjtë e parë
ai i shkretë e i rrëmbyer
çau pllakën prej mermeri
nga firasi drita në varr
edhe zgjoi vashën e bardhë.
“Trim i bukur e plot dritë,
si më shkunde vdekjen
ulu e puthëm një herë
e më nxirr erën e mykut,
erën e dheut të zi.
Trim i bukur e plot dritë,
si më puthe për të parën,
puthëm edhe për të dytën”
Tri herë unë e putha,
tri herë veten mëkatova;
retë që shkonin në qiell,
më linin hije në zemër.-
Prifti ndenji një copë herë,
pastaj i tha:-Harroje, bir,
se dhe Zoti do ta harrojë.
- EJA, FUTU TI NË VALLE
Shumë vasha të mira ishin,
një mendim të gjitha kishin:
të ngrinin një manastir
mbi varrin e zotit Krisht.
Rërën do ta merrnin
përrenjve të detit,
ujin do ta merrnin
nga gjiri i reve,
reve që lanin vit për vit
fytyrën e dheut e kohën.
Si e mbaruan së ndërtuari
vanë e zunë një valle brenda.
Shkoi andej një bir zoti.
-O i hijshëm bir zoti,
eja, futu ti në valle-
-Po me kë të kapem unë?
Dua të kapem me të bardhën,
me të bardhën si bora,
po ç’është që trembem kaq shumë?
Se është borë e shkrihet,
tek e le, nuk çohet më.-
-O i hijshëm bir zoti,
eja e futu në valle-
-Dua të futem në valle,
po me kë të kapem unë?
-Me të kuqen si shega.
Po pse trembem kaq shumë?
Është shegë e shkoqet.-
-Doja të futesha në valle,
po të mundja të vihesha
pranë zeshkanes së njomë,
po dhe trembem, trembem shumë
mos më nxijë dhomën,
dhomën edhe zemrën.-
- DUKAGJINI ZEMËRGUR
Porositi zonja Voizë
djalin e saj të bukur,
e porositi dhe i lutej:
-O ti duk e biri im,
ti me Lleshin Dukagjin,
lere gjithë shoqërinë.
Dukagjini tradhëtar
të gremis, ti o bir.
Duke vajtur e duke ardhur
te vajza që i rri në shpi
të kafshon si gjarpër i zi.
Trimi nënën s’e dëgjoi.
Ra dëbora dhe e ftoi
Dukagjini që të gjuanin
derrat në pyjet e Drinit.
Zoti duk hyri te fusha
thellë me një shok të vetëm,
e rrethuan dhe e vranë.
Dukagjini zemërgur
kryet ja preu trimit
dhe e vuri majë shpatës,
e në Danjë hyri kaluar,
e dëftonte udhëve.
Oshëtiu thirrmë e keqe
te pallati i zonjës së mjerë,
doli në dritare dukesha
të shih dukën e ta njihte
nga zulmi që i bëri zemra,
m’i kumbuan shtëpitë e larta,
nga grushtat që i dha kresë
u përplasën dritaret,
u përplasën mbi njëra tjetrën.
- KUSH E BËRI TRYEZËN?
-Kush e bëri tryezën?
-E bëri buka dhe vera,
mishi i kuq e rrushi i zi,
mishi i dashit e derrit të egër-
-Tryeza e një prindi
që marton të bijën.
Buzësumbullat e argjendta
e ato fustane kaltra,
zonja të martuara
me vathë margaritari,
me faqe që shkëlqejnë
te dita haredëlirë.-
Vjen thëllëza nga malet,
vjen me krahët plot dëborë,
tund e shkund krahët
dhe mbulon xhamat
para nuses së bardhë
që mendimet i vijnë valë.
- KOSTANDINI I VOGËLTH
Kostandini i vogëlith,
dhëndër vetëm për tri ditë,
e si shkuan ato tri ditë
me nusen të re, të re,
i erdh karta e Zotit të madh,
të nisej në ushtri.
Atëherë Kostandini,
shkoi në dhomën e të atit,
të atit e të ëmës,
dhe uratën u kërkoi,
duke u puthur dorën.
Pastaj çoi të dashurën,
hoq unazën e ja dha.
– Më jep timen, zonja ime,
se më thirri zoti i madh,
të nisem për në ushtri,
të luftoj për nëntë vjet.
Si të shkojnë nëntë vjet,
nëntë vjet e nëntë ditë,
e në mos u kthefsha,
vashë të më martohesh.-
S’pipëtiu fare vasha.
Shtangu dhe qëndroi në shpi
gjersa shkuan nëntë vjet,
nëntë vjet e nëntë ditë.
Pastaj plaku, vjehërri i saj,
(shumë trima bujarë
çonin lajm se e donin)
“bija ime, i tha, martohu”.
As që foli vasha e bardhë.
E m’i bënë krushqi të lumtur.
Te pallati i Zotit të madh
në mesnatë Kostandinit,
i vete në gjumë një ëndërr,
aq e frikur ëndrra ish
sa i trembi gjumin.
Zgjuar dhe i brengosur,
rënkoi e dha një psherëtimë,
sa e dëgjoi dhe Zoti i madh,
mbyllur në shatorre
nga lagështi e natës.
Si u ngre mëngjesit herët,
vuri e u ranë daulleve,
mblodhi bujarë edhe roje
e i thirri tek rreshti.
-O ju ushtarët e mi,
të vërtetën të më thoni,
kush menate psherëtiu?
Gjithë thanë se nuk dëgjuan,
vetëm Kostandini foli:
-Psherëtiva unë, i mjeri.-
-Kostandin, besniku im,
ç’ishte psherëtima jote?-
-Psherëtima ish e thellë,
se martohet zonja ime.-
-Kostandin, o biri im,
shko në grazhdet e mia,
zgjidh ti kalin më të shpejtë,
të shpejtë si skifteri.
I hipi dhe u shpoi mamuzet.
Pak u prë ditën e natën,
gjersa ra në dhe të tij.
Sa m’u gdhi e diela,
më takon të anë e plakur.
-Ku vete ti, o tatë loshi?
-Vete ku shkretimi im
më çon të gremisem,
se pata një bir të hijshëm,
e martova shumë të ri
me vashën që deshi vet;
tri ditë ndenji dhëndër,
sa erdh karta e Zotit të madh,
që e thirri për në luftë,
biri im i mbushur helm,
atëherë vashës i dha unazën:
“Do të nisem për ushtri,
të luftojë për nëntë vjet,
kur të shkojnë nëntë vjet
nëntë vjet e nëntë ditë,
edhe unë të mos kthehem,
mbaj unazën e martohu,
se do jem unë nën dhe.”
Medet, sot vasha martohet
dhe dufeqet që po shkrehen
thonë vdekjen e tim biri
dhe unë shkoj për t’u gremisur.-
– Shko nga erdhe ti tatë losh,
se yt bir vjen për njëmend.-
-Më ruash, i bukuri djalë,
që më dhe lajmin e mirë
se Kostandini vjen njëmend.-
Trimi ngau mamuzet
të arrijë pa vënë kurorë.
Në orën e meshave
mbërriti në katund
mu në derë të kishës.
Kur erdhi nusja,
dhëndëri e dasmorët
e nguli flamurin.
-O ju krushq e ju bujarë,
merrmëni mua për nun
tek nderi i kësaj nuseje-
-Mirëse vjen, ti trim i huaj,
trim i huaj e i hijshëm.-
U hap kisha e brenda hynë.
Dhe më pas erdhi radha
t’i ndërrojë çiftit unazat.
Por e ndërroi e i la te gishti
nuses unazën e tij.
Zonjës si m’i vanë sytë,
e pa mirë dhe e njohu,
lotët çurg ju rrokullisën,
sumbulla faqeve të kuqe,
pikë, pikë gjirit të bardhë.
-O ju priftër e bujarë,
ndaleni atë kurorë,
Kostandin kurorë e parë,
lidhur me vashën për jetë,
Kostandini është ndër të gjallë.-
- MORI VASHË, E BARDHA VASHË
-Mori vashë, e bardha vashë,
si u ndjeve sonte mbrëma?-
-Gjeta mëmë e gjeta tatë,
gjeta vëllezër trima,
gjeta motra të lëvduara
dhe vet e kam trimin e ri:
ditën më rrit me ata sy,
natën më shtrëngon në gji-
-Ju ruajtë Zoti përjetë,
ju dhëntë ditë të bardha e vjetë.
- BUBULLOI NJË KOB I ZI
Bubulloi një kob i zi,
vinte zoti i madh i turqve
vinte me shtatëqind galera,
çdo galerë kish dyqind
trima turq të zgjedhur.
………………………………..
Ç’erdh pedhoti në pallat,
lajmëroi gjithë ata trima,
ata trima e ato vasha
e asnjë nuk shkoi gjëkundi,
po një vashë perëndeshë
vuri cilonin në prëhër
e u fsheh në adunar ,
zuri shkëmbin e bardhë.
Në atë anë mbi përrua
shkoi hordhi e Arminoit.
Njëri nga kalorësit ndali,
e pa vajzën dhe u zdrigj.
-Ecni, shokë, se ju arrij,
diç më zunë sytë këtej
pashë të ndrijë diçka të bardhë,
të bardhë si një copë argjend,
në se është copë argjend
do t’u ve dhe ju në pjesë.-
Po nuk ishte copë argjendi
se ish zonja arbëreshe.
Trimi u sul dhe e rrëmbeu
nga byzylyku e gërsheti.
Vajza u kthye e ju lut:
-Zot, lerma pak gërshetin,
si gërshetin dhe byzylykun;
më dëgjo se ç’do të them
te pallati i zotit të madh
bashkë me zotërinë tënd
pata tre vëllezër,
pra, i katërti, im vëlla,
Skëndebeu, i paepur,
që në vapën e verës
shkuli lis e bëri hije
dhe me shpatën në dorë
nuk e mposhtën ushtarët.-
Aherë trimi plot gëzim
e mori për dore
dhe e çoi në kuvend
ku e prisnin Arminoi,
Arminoi me Amuratin,
-O ti zoti Amurat,
bëj si do e të pëlqen,
kjo vashë që po ta sjell
është motër e Skënderbeut,
që e gjeta të fshehur,
në përrua, të vetme.-
Zoti i madh deshi ta shihte,
deshi ta shihte e dëgjonte.
-Mbasi është kjo vashë
e motër e atij që më qe bir,
mbushja kupën me flori,
zbrazja ti në prehër,
t’i shërbejë për pajën.
- DEDI SKURA
Te çuka e një rrahu,
nën hijen e një lisi,
në shpinë dergjej Dedi Skura
dhe nuk mund të shuante
zjarrminë e plagëve.
I shkuan shokët plot forë:
-Eja Dedi Skurë, shkojmë-
-Ecni, shokë, ju me shëndet,
unë me ju nuk vij dot më;
por ju lutem atje poshtë
të më merrni kalin,
të mos vdesë edhe ai
dhe ja çoni birit tim;
se rritet dhe rrëmben shpatën,
e i hipën ai kalit,
te lufta të ma çojë,
ku mizorët i vranë të atin,
të më mbushi zemrën.
- MILO SHINI
Hanin bukë si dy vëllezër
Skënderbeu e Milo Shini,
nëpër pjata të argjendta
me pirunë të artë
hanin lepuj e kaproj.
Vera që hidhnin në gota
ish e vjetër nëntë vjeçe.
Po ja, u dëgjuan bubullima,
bubullima e gjëmë përtej,
përtej e mbi kodrat.
U përgjegj Skëndrbeu:
-Milo Shin, vëllai im,
dil e shih ç’gjëmime janë,
në është qielli që gjëmon,
priru drejt e prapë këtu,
në ato janë gjëmë turqish
dil e më thërrit që larg.-
Trimi me shpurën e tij
vrik hipi kaluar
dhe doli përtej e pa.
Pa se s’ishin gjëmë qiejsh,
po qenë pararojë e turkut
me flamuj të hapur.
Trimit na i erdhi turp
të kthehej t’i thërriste
Skënderbeut të mi ndihte
dhe pyeti trimërinë e tij:
-O ti trimëria ime
për sa zemra ti më je?
-Për nëntë zemra unë jam,
të luftoj me nëntëqind.
Pastaj pyeti shpatën:
-Shpatë, damaskina ime,
për sa zemra ti më je?
-Për nëntë zemra unë jam
të luftoj me nëntëqind-
Pyeti, pra, kalin e tij:
-Po ti, o murxhari im,
për sa zemra më je?
-Për nëntë zemra unë jam,
të luftoj me nëntëqind.-
Hodhi sytë atëherë në qiell,
u lut:”Ndihmomë, Ynzot!
Dhe ti, Shën Pal, të falem!”
Bëri kryq e u lëshua
si petriti në lumbardha.
Ca të vrarë, ca të plagosur,
ndënë shpatë të gjithë i shkoi,
të gjithë në truall i shtroi.
Një i verbër nga gjaku i tij
sa ngrehu një shigjetë
dhe i çau një shpatull.
I vate trimi përsipër:
-Më thuaj, kush je, ti trim?
-Jam Gjin Bardhela, arbëresh-
-Gjin Bardhelë, vëllau im,
shko tutje mos të të vras
se i dehur jam nga gjaku,
nga gjaku i qenit turk.
E rrëmbeu, pra, mirë nga dora
dhe e çoi te Skënderbeu.
-Zot, mos më mbaj mua mëri;
në s’u ktheva, të gjithë i vrava.
Dhe në se nuk më beson,
dil kundrejt Orkidës.
Nëm dhe lejen se erdhi
koha të qetësohemi-
Kaptoi dielli, erdhtin në shpi.
-Gëzohu, zonja mëmë,
Gjin Bardhelën, tim vëlla,
ta solla. Ma jep uratën,
uratën e zotit tonë,
dhe të të gjithë engjujve.