“Mbi natyrë t’Artit”/Shënime estetike në vitet ‘30, Fishta e Paskali
Nga Dr. Ermir Hoxha
Në vitet ‘20-‘30, Shqipëria më shumë se kurrë, dukej sikur nxitonte të fitonte kohën e humbur nën sundimin e gjatë osman. Në pararojë të kësaj, u vu një numër i madh intelektualësh, të cilët pas fitimit të pavarësisë dhe fundit të Luftës së I Botërore, më në fund mund të aspironin për një zhvillim real në vendin e tyre. Mendime të konsoliduar në rryma e grupime të ndryshme, shfrytëzonin si arenë promovimi, apo debati, shtypin e përditshëm e atë periodik. Të konsoliduar në rryma të veçanta, si “Neoshqiptarizma”, ajo e “Të rinjve”, “Të vjetërve”, “Diktaturës së ndritur”, apo “Mendimi klerikal”, ato mund të ndahen kryesisht nga dy drejtime; konservatore dhe përparimtare, ndërsa polemikat e vazhdueshme mes tyre sollën një përplasje të ashpër ideologjike, që do të zgjaste deri në pushtimin fashist.
Në një nga artikujt e shumtë dedikuar artit, ai përqendrohet në përcaktimin e objektit artistik dhe nocionit të artit në vetvete. Mbi natyrën e tij ai shprehet se: “Kënaqsia pa mërzitje, prehja nga brengat e nga shëmtimet e jetës së përditshme, sedra, shpërblimi, lumturia me të vërtetë njerzore… maja m’e lartë ku arriti shpirti i njeriut ësht arti”. Për të, arti nuk rrëfehet me fjalë a përcaktime. Ashtu si dashuria a bukuria, magjia e tij nuk mund të përcaktohet: ai thjesht ndjehet. Kështu ai vazhdon: “Arti është një mister i jetës. Dhe ndjek ligjet e misterit: ka besnikët për të cilët është një tempull i shenjtë i një feje, po ka dhe parazitët që e thëthijnë, dhe ata që e bëjnë treg të zileve e të interesave të poshtra”.
Në këndvështrimin e Paskalit, duket sikur arti ka dy dimensione, atë hyjnor dhe atë tokësor. Në të parin, ai është magjik, i pakapshëm, ndërsa në të dytin, mjet i manipulueshëm nga matrapazët. Për të, gjithashtu arti duhet të superojë kohën që e ka prodhuar: “Të qëndrojë më këmbë përpara gjykimit të çdo kohe” […] “Arti nuk ësht imitim i natyrës, po është krijim i cili plotëson dhe sipëron natyrën. Imitimi i natyrës i përngjan artit, si arti i përngjan natyrës…”.
Paskali, në përsiatjen e tij mbi artin, mundohet t’i japë një vend dhe kritikut. Ai shprehet se: “Çfaqja e kuptimit të plotë, edhe jo të plotë të artit, është kritikë e artit. Kritika ska ndonjë qëllim, po ka dobi kur ndihmon për të përhapur kuptimin e plotë të artit; përndryshe ësht e kotë ose e dëmshme”, ndërsa mbi marrëdhënien që duhet të ketë artisti dhe kritiku, Paskali shprehet: “Kritikës i përgjigjet me kritikë a me heshtje. Kush kritikut i difton veprën, duke e ftuar të bëjë një më të mirë, provon sheshit që nuk ka haber as nga kritika as nga arti”.
Paskali, ndër të paktit artistë që kishin studiuar teori arti në perëndim, gjithsesi nuk ishte i vetmi personalitet që mundohet të sjellë në vëmendjen e autoriteteve të kohës rëndësinë e artit dhe rolin që ai duhet të luajë në emancipimin e shoqërisë. Një vit më pas (1931) sipërmarrja e tij pasohet nga një sprovë tjetër në artikullin “Arti në dekadencë” botuar nën pseudonimin Arti. Ai shkruan se: “Me hidhërim të math shohim hien e murme të mërzisë që ka mbuluar artin në Shqipëri dhe dëgjojmë psherëtimat e thekshme të zemrave memece, që dinë t’a mojnë”, e më tëj ai shton: “Me anën e artit bota nuk ka për qëllim të nxjerr në shesh kostumet, zakonet e cilësirat e një populli, që i përmbjanë studimet historike e sociologjike; përkundrazi, arti shpreh virtutat, që mojnë një popull përmes kohrave dhe u jep brezave pas ardhës shembullin e gjallë të shvillimit e të qytetërimit… dhe arti kjo lule e qytetërimit që mbin kudo, nuk mund të zhvillohet pa pasur ndjenja dhe kulturë”.
Duhet kujtuar se, shtypi i kohës financohej pjesërisht nga shteti, i cili në këto vite financonte njëkohësisht aktivitete e institucione artistike, apo edhe ngritjen e një serie monumentesh. Në ato të pakta ngjarje, veprat e tyre pëshkruhen nga ngjyrime të forta patriotike, ndërsa duartrokiten fort edhe kur bëhet fjalë për vepra a aktivitete minore. Një ekspozitë a monument sado i vogël, shoqërohej nga një valë euforie në gjithë gazetat e kohës, që evidentonin eventin në do element të tijin si një shenjë jete për kulturën kombtare. Këto artikuj mbylleshin shpesh me thirrje për një art gjithnjë e më shumë protagonist e në lartësinë e duhur, ndërsa evokonin ethshëm për një ngritje shpirtërore kombëtare.
Një kontribut në këtë drejtim, në vitin 1932 jep dhe F. Llagami, një tjetër intelektual i kohës, i cili tek “Gjëndja e përgjithshme e artit”, shkruan se: “Me fjalë të tjera sot për sot jemi në shekullin e materjalizmit, prandaj dhe shkenca po përparon shumë kurse arti jo dhe aq. Piktura dhe skulptura kanë humbë tokë; janë në gjëndje të ngatërrueme, ma keqë se anarshia. Për këtë nuk marrim parasysh ndonjë pikturë a skulpturë të vetme të ndonji artisti me të vërtetë të zotin dhe i denjë të mbajë emnin artist; por marrim në bisedim të përgjithshëm gjendjen e vajtushme, si mundemi me thanë të pikturës dhe skulpturës së sotme: asnjë vepër, me kuptimin e plotë të fjalës, që të ketë gjallni shije e shpirtë, për tu quejt mandje kryevepër”… e më pas shton: “Asht detyra e djelmënis që të kujdeset me i dhanë artit vendin e merituem, me e përkrahë dhe ndihmuem. Nuk asht illuzion që edhe na Shqiptarët, po t’mos na mungojë vullneti për punë, të krijojmë, dal nga dalë artin Shqiptar, i cili ka me i lënë brezave t’ardhshëm kujtimin e jonë”. Për Llagamin, përvec detyrës që i ngarkon rinisë të ngrejë artin, sipas tij në nivel të mjerueshëm, ai e sheh artin e kohës dhe si një trashgimi për brezat e ardhshëm.
Fillimisht Fishta e nis humultimin e tij mbi konceptin e të bukurës, se si ajo i përket sendeve, ndërsa mundohet të bëjë dallimin midis sendeve të realizuara nga dora e njeriut dhe ato që ndodhen mbi tokë. Ja si shprehet ai: “… “Ah! Sa bukur!” Tri fjalë të vetme janë kto; ndër kto tri fjalë asht permledhë e gjithë natyra e Artit: bukurija. Bukurija, po asht njajo qi përban Artin, sa qi pa të Art nuk ka – as në Shqypni, ku nëpër dekretet ministrore po mund u krijojshin artistat, po, por Arti jo”. Mbi natyrën e sendeve ai flet për qëllimin e tyre; pra një vepër arti, për të është një send, por që mbart vlera të qëllimishme artistike: “Edhe kështu bukurija e sendeve të rruzullimit nuk mund të përbajë një vepër artistike të marrë në kuptimin e vërtetë të fjalës… Bukurija e Artit, pra, do kërkue ndër forma prototype të sendeve, e jo nder sende t’individualizueme në natyrë të krijueme mbrenda rruzullimit. Por Fishta shton se nëpërmjet sendit dhe qëllimit të tij duhet të ketë një relacion…: “Pse ndryshe sendet e individualizueme n’ekzistencë a se në natyrë nuk mund do t’u kapshin në një mndyrë të domosdoshme më qellim të vet të natyrshëm”, sipas tij ky relacion përmblidhet në: “Edhe kshtu shifet kjartas, se tri janë permvehtsit e para e kensore të sendit: pushtetsija në të kenun, ardhmenija në të ndollun, e mirsija në veprim.” Fishta rinis diskutimin e tij, mbi natyrën e vërtetë të artit, sepse vetëm bukurija është si thotë ai: “… vec se një dritë, qi burron prej harmonijet, qi kto tri permvetsi të sendeve kan ndërmjet vedit”.
Për realzimin e një vepre artistike Fishta thotë se ndikojnë disa faktorë, të cilët janë: “ Artisti –geni; vendi – ambjenti; koha – kultura. Geni sendergjon iden; ambjenti trajton shijen estetike; kultura përban teknikën a se stilin e veprës”. Pra për të ndërtimi i një vepre arti është produkt i gjeniut të artistit, i cili është i lidhur pashmangërisht me vendin dhe kohën ku jeton.
Për Fishtën Arti nuk është imitacion i natyrës, pasi ai lind në mendjen e artistit…: “Pra jo prej ndonji ideje të zakonshme të sendeve si gjinden në natyrë, por prej një ideje të përftueme nëpër intuicjon në mende të artistit mbi sendin, si ky gjindet i smadhuem në fantazi”, Fishta e konsideron imitimin e natyrës një shprehje të ulët, të pakrahësueshme me artin e vërtetë. Si formën klasike të imitimit të natyrës ai konsideron fotografinë, që në ato vite ishte përhapur ndjeshëm në gjithë qytetet më të rëndësishme të vendit. Ai shprehet: “Prandaj gabojnë, ata qi thonë, se Arti asht një ndërndjeksim a imitacion i natyrës: si mundet me e vërtetue puna edhe prej Fotografijet, e cila sigurisht paraqet natyrën ma besnikërisht se cdo artist në nam e në za, e me gjithë kta ajo nuk asht Art”.
Për të imagjinata, e mbyllur në mendjen e artistit, është ajo që zbërthen artin e vërtetë, bukurinë ideale, që vetëm ai e sheh..: “Edhe kështu, shifet një herë ma tepër se bukurija, si objekt Arti, nuk asht ajo qi shndritë më natyrë, por ajo qi shkelxen m’ideal t’Artistit”, pra mënyra se sheh artisti veprën apo objektin, është vetë shija e tij estetike, e cila kondicionohet nga kushtet e vendit dhe kultura që e rrethon..: “bukurija e formës s’ides së veprës artistike shkon mbas synit, … synit ideal – krijue brenda vedit neper fuqi t’imagjinacionit”.
Si përmbledhje e gjithë kësaj, Fishta përshkruan të gjitha etapat e krijimit të një vepre artistike: “Mbasi pra një herë artisti t’a ketë sendergjue iden e veprës artistike në të gjithë madhninë e vet, syni i mendjes së tij, ka për të skjyrtue nëpër hapsin e rruzullmit të vet ideal e ka për të kërkuem të çfaqunat e rruzullmit të dukshëm, ku të jenë ma të hijshme e bukura, e ndiesit e sensacionet ma të kënshme e t’amla, edhe elementat e pjesët e ndryshme tue i rëndue e tue i përkue me madhni t’ides e qëllim t’objektit të veprës artistike, ka për të nxjerrë bukurinë e formës, e kështu me krijue idealin e veprës së vet”. Sipas Fishtës, artisti, seleksionimin e objektit artistik, e bën me syrin e mendjes dhe ndjesi të shpirtit. Qëllimi i tij është të shkaktojë një shok emocional: “Njaj syni i mendjes pra, qi skjyrton bukuritë terthores së rruzullmit ideal, asht shija estetike, mbas së cillës thamë se trajtohet forma e ides genjale t’artistit, e quhet shije, pse selekcjonin e elementavet të formës s’idealit e ban me sy të mendies e njiheri edhe ndiesi të shpirtit; mbasi kjo formë do të shkaktojë gzim e dhimsi.” Përballja e Fishtës me disa nga pikëpyetjet e trajtuara ndër shekuj nga estetë perëndimorë, tregon guximin e tij intelektual dhe nevojën që ai ndjen për t’i servirur publikut intelektual shqiptar hulumtime që e tejkalojnë dukshëm realitetin artistik e kulturor në vend.
Një kontribut modest në fushën e estetikës mundohet ta japë dhe Androniqi Zengo, në atë kohë e sapokthyer nga studimet në Akademinë e Arteve në Athinë tek “Mi Artin Përgjithsisht” (1935). Ajo me modesti shprehet se është shumë e vështirë të përcaktohet qëllimi i tij i vërtetë, e më pas rradhit mendimet e disa filozofëve të ndryshëm si H. Spencer, Kuzan, Aristoteli, për ta mbyllur me shprehjen e Oscar Ëilde: “Natyra është lënda që lëfton të bëhet shpirti. Arti është shpirti që çfaqet nën konditat e lëndës”.
Po të njëjtin vit, S. Toto, tek “Arti që na duhet” sjell disa hulumtime të shkurtra të “Nuovi Saggi di estetica”, shkruar nga Benedetto Croce. Duke u bazuar fillimisht tek esteti italian, Toto ndalon në dy çështje të rëndësishme: krijimi artistik e arti si funksion shoqëror. Mbi krijimin artistik, ai nënvizon: “Një vepër arti, thotë Croce-ja, është shprehja e mbaruar e një intuicioni të thjeshtë. Artisti intuiton realitetin e gjallë të një idee të thjeshtë, e cila e bashkuar me ndjenjën relative të thjeshtë, na paraqet krijimin e të bukurit.” Toto shton se Croce është për idenë e një arti që nuk i detyrohet kohës që jeton, por një “arte per se”, art për art… një art që përshkon kohërat. Si shembull, ai sjell poezinë “Vallja e yjeve” të L. Poradecit, të cilën e karakterizon si një art universal, pa kohë; prodhimi i jetës dhe shpirtit shqiptar që duhet të jetë. Por Toto nuk është dakord me të. Ai shprehet qartë se: “Arti per se, është një emërim fals dhe sidomos kur shekulli i njëzetë na detyron t’i kuptojmë fuqit krijonjëse si funksione shoqnore, të lindura prej përpjekjeve shoqnore, të cilat e kthejnë energjinë e tyre për zhvillime fantastike të kolektivitetit”. Toto mbështet idenë e një artisti në funksion të kohës, i cili mundohet të japë kontributin e tij për një shoqëri dashamirse ndaj artit, për të shkuar më pas drejt artit platonik. Si konkluzion, ai thotë se: “E përsëris që rrojmë në shekullin e një realizme të tmerrshme. Tendenca realistike sundon të gjitha çfaqjet artistike të popujve të mëdhej. Kleri po e konsideron artin si kapital propagande fetare. Rusët, Gjermanët, Italianët, Turqit e të tjerë popuj kryengritës, po e drejtojnë artin si një fuqi shtytëse për kontemplimin e idealeve që duan t’arrijnë si popuj… Prandaj artisti duhet të jetë prodhim i fuqive tona shoqërore, të bëhet pjesë organike e përpjekjes tonë kolektive, përndryshe kundërshtojmë realitetin e pa biseduarshëm të funksionit shoqëror n’art”. Për Toton, në shoqërinë shqiptare të kohës, është më e nevojshme krijimtaria e një artisti që pasqyron realitetin e ashpër të jetës së përditshme, sesa një artist që përkrah misionin e tij artistik, si një artist pa kohë, platonik, pa vend e kontekst social.
Përpjekjet e sipërpërmendura janë një përmbledhje e shkurtër e atyre pak tentativave të botuara në shtypin e viteve ‘30. Të gjitha këto përsiatje estetike, sado modeste, mundoheshin të luanin rolin e tyre për ngritjen e rolit të kulturës në shoqërinë e kohës. Këto mendime vijnë nga influenca të ndryshme, përgjithësisht perëndimore, por pozicionohen si kontribute të shpërndara e të papërqendruara në një qëllim të qartë. Edhe ato pak revista kulturore të kohës nuk arritën të krijojnë një arenë debati a kultivimi të një mendimi estetik, ku intelektualët e kohës të rrihnin mendimet e tyre mbi artin e kohës. Pjesa më e madhe e tyre pati jetë të shkurtër e shpesh përqendrohej në promovimin e historisë së kaluar të popullit shqiptar. Përveç kësaj edhe aktivitetet artistike në vend ishin mjaft të vakëta për të stimuluar sadopak një diskutim estetik në nivel të gjerë mes intelektualësh. Për secilin prej artikujve të kohës të botuar mbi artin, regjistrohen pak apo aspak reagime a shenja përkrahjeje. Pjesa më e madhe e tyre mbetën si ishuj mendimi në një realitet të vështirë në shumë drejtime e me një regjim monarkik që kishte prioritete të tjera shumë më emergjente.