Lutfi Alia: Perikopea e Ungjillit të Shën Matteos shkruar në gjuhën shqipe, shek. XIII – XIV
Lutfi Alia
Shkrimet më të hershme në gjuhën shqipe nuk i përkasin krijimtarisë letrare, por përkthime të dorëshkrimeve fetare dhe të Ungjillit të përdorura nga kerikët në shërbimet liturgjike. Shkrimet e para janë realizuar nga klerikët me alfabetin latin në trojet veriore, ku ushtronin aktivitet kisha katolike, ndërsa në jug të trojeve arbërore, nën ndikimin e kishës bizantine – ortodokse, shqipja shkruhej me alfabetin grek, si rezulton në Perikopea e shekullit XIV.
Shkrimi i vjetër në shqip me alfabet latin (fragment i fromulës së pagëzimit i vitit 1462, i Imzot Pal Engjelli), është i përfshirë në kodin 1107 në fondin Ashburnham, në Bibliotekën Medicea Laurentiana – Firenze, i zbuluar nga Nicolae Jorga, i cili e publikoi ne “Notes et extraits pour servir à l’Histoire des croisades au XV siècle” –Shënime dhe ekstrakte të shekullit XV në shërbim të Historisë së Kryqëzatave. Bucarest, 1915, f.195). Prof. Mario Roques, historian i letërsisë mesjetare, thekson se fragmenti në gjuhën albaneze është shkruar në Durrës. (Mario Roques. Romani de Paris, Nr. 205- 206, Janvier-Avril 1926, f. 162-164).(Fotaq Andrea, Pena të arta franceze për shqiptaret 1332-2007, Editions Prind, Tiranë, 2007).
Shkrimi më i vjetër shqip me alfabetin grek është Perikopea e shekullit XIV, ku është një fragment i marrë nga Ungjilli i Shen Matteo. Ky dorëshkrim ndodhet në Bibliotekën Ambrosiana në Milano. (Latinisht Pericope, term me origjinë nga greqishtja: περικοπή, nga περικόπτω:περι– rreth dhe κόπτω – me prerë, pra perkufizon një shkurtimore teksti).
Njoftimin e parë për Pericopea në gjuhën shqipe e dha At Sofronio Gassisi, i cili e zbuloi ne vitin 1912 ne kohën kur prefekt i Bibliotekës Ambroziane, ishte At Akile Ratti, që më pas u zgjodh Papa Pio XI. At Gassisi kërkoi një riprodhim fotografik të tekstit, të cilin ia dërguan me një shënim të At Rattiku shkruan: Të dhënat janë në Katalogun TI, pagine 147. [Codex] 133 (B. 112 sup. olim T 360), madje i thekson se ky tekst është shtesë në dorëshkrimin origjinal. Këtë zbulim At Gassisi ia tregoi Mitat Frashërit, i cili e bëri lajm publik. At Gassisi vdiq ne vitin 1923 dhe studimi i tij humbi, por u ruajt riprodhimi fotografik i tekstit. (Nilo Borgia. Pericope Evangelica in lingua albanese del secolo XIV. Grottoferrata 1930).
At Sofronio Gassisi Murgu Nilo Borgia (Borshi)
(1873 – 1923) (1870 – 1942)
Në katalogun e Bibliotekës është shkruar: Chartac. cm 23,3 -15,3… secol. XIV: f. 63 item frustum, continet verso, ex alio libro, fragmentum quod inscribitur – εύαγγέλιον άρβανείτιχον (sic) τήςμεγάληςπαραοχ (εν) ήςσοφίαόρϑή, etc; “recto” autem notas musicas. Është fragment teksti, ndërsa në faqen e pasme janë shënuar notat e muzikës. Dorëshkrimi është në greqisht (Catalogus Codicus Grecorum Bibliothecae Ambrosianae Mediolani MCMVI. Volume 1. Digesserunt Aemidius Martini Et Dominicus Bassi. Milano. Febbraio 1906), por asnjë studiues nuk e kish identifikuar se një fragment shkrimi me gërma greke ishte në gjuhën shqipe.
Zbulimi i Perokopesë në gjuhen shqipe i Ungjillit të Shen Matteeo, i shkruar me gërma greke, i dedikohet arbëreshit At Sofronio Gassisi, i lindur në komunën Contessa Entellina, e njohurdhe me emrin Kudessi – Kudhësi, pra vendbanim arbëresh me origjinë nga Kudhësi i Provincës së Himarës. At Gassisi ishte Këshilltar i Kongregacionit të Kishave të Lindjes dhe nga viti 1920 priori i Abacisë të Grottaferrata, por kryente dhe detyrat e bibliotekarit dhe të arkivistit. Ishte njohësi më kompetent i greqishtes së vjetër, me kontribut të madh ne studimet e traditës manastiriale të Abacisë dhe të dorëshkrimeve të lashta në greqishten e vjetër.
Pas dëshmisë në arkivën e Raguzës, i 14 korrikut të vitit 1285 për gjuhën shqipe (Thallòczy, Jireček, Šufflay. Acta et Diplomata Res Albaniae, mediae aetatis illustranti. Vol I Annos 344 – 1343. Vindebone 1913), ekzistenca e shkrimeve në gjuhën albaneze në shekullin XIV dëshmohet nga Gullielmus Adae, Ipeshkëvi i Tivarit, i cili në “Directorium ad passagium faciendum” në pseudo Brocardo thekson: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tanem litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris”. (lib. I, parte VIII, anno 1322). Nga kjo dëshmi e viti 1322 qartësohet se albanezët flisnin gjuhën e tyre,që ishte e ndryshme nga e të tjerëve dhe se kishin librat e tyre të shkruara në gjuhën albaneze me germa latine.
Në shekujt XV – XVIII, shkrimet në gjuhën arbërore u shtuan, me formulën e pagëzimit, me përkthime të Ungjilleve, me meshare, me katekizma dhe me poezi fetare te dedikuara shenjtorëve, madje dhe me poezi origjinale të klerikëve arbërorë, kësisoj literaturës fetare në latinishte dhe në greqishte, iu shtuan shkrimet në gjuhën amtare, njëlloj si ndodhi me popujt e tjerë europianë. Duke e krahasuar periudhën kohore të dy dorëshkrimeve të hershme në gjuhë shqipe, me shkrimet e vendeve të tjera europiane, gjejmë përafërsi kohore, çka tregojnë se Albania ishte pjesë integrale e Europës perëndimore. Shkrimet e para në gjuhën angleze janë të viteve 449 – 1100 (tekste agiografike, përkthime të biblës, poema epike, kronika historike); në gjuhën vulgare italiane i përkasin vitit 960, ndërsa pas vitit 1200, filluan shkrimet letrare në italishte, që zëvendësoi latinishten; gjuha gjermane në vitet 750 dhe 1050; sllovenishtja në fund të shekullit XI, gjuha portogeze në shekullin e XII, hungarishtja në shekullin XI, gjuhët kroate dhe polake dokumentohen në shekullin XIV, rumanishtja dokumentohet e shkruar në vitin 1521; letonishtia me një katekizëm të vitit 1585; lituanishtja në vitin 1545 me përkthimin nga latinishtja të një himni; finlandishtja e shkruar për herë të parë në shekullin XVI; sllovakishtja ne vitin 1636, etj.
Sipas dorëshkrimeve antike, nga shekulli IX dhe në vazhdim, në meshën solemne të Pashkës, Perikopea e Ungjillit e Shën Gjonit, këndohej në gjuhën greke nga Patriarku, ndërsa arçidiakono e vazhdonte në gjuhen latine. (Dimitrewskij. A. Opisanie Liturgjistseskij Rukopise. Tome I, TYΠIKA. Kiev 1901). Në Konstantinopojë, në Antiokia, në Aleksandri dhe në Romë, liturgjia kryhej në gjuhën greke, ndërsa ne Egjypt, në Siri, në Mesopotami ritet liturgjike kryheshin në gjuhën e vendeve të tyre. Shërbesat dhe litugjia dy gjyhësore, praktikoheshin dhe në kishën katolike, pasi kishte klerikë madje dhe shenjtorë që nuk e njihnin gjuhën greke, kështu Shën Antonio nuk e njihte greqishten dhe kur u takua me dy filozofë grekë komunikoi me përkthyes, ashtu si Shën Prokopi Martir, e përktheu ungjillin në gjuhën siriane, sepse gjuha greke nuk njihej nga bashkeqytetarët e tij. (Nilo Borgia. Perikopea Evaangelica in lingua albanese. Grottaferrata 1930).
Në shekujt në vazhdim nuk mungojne njoftimet, se në shumë vende, Perikopea e Ungjillit e Shën Gjonit, në meshën e Pashkës këndohej ne gjuhën e popullit si thekson Nilles: Praedicationis evangelicae consensum per totum orbem ab Apostoliss uniformiter factum, licet diversis linguis et in remotis terrae partibus. (Nilles N. Kalendarium Manuale ultriusques Ecclesiae. loc. Cit. tom II, faqe 314 – 315: Oeni – Ponte. 1897).
Nga këto kritere ekleiastike nuk mund të bënin përjashtim të krishterët arbërorë të dy kishave, si katolike dhe ortodokse. Arbërit e trojeve jugore kishin përqafuar kishën bizantine – ortodokse dhe si kuptohet ritet zhvilloheshin në gjuhën greke, por dhe në gjuhën shqipe, pa çka se kemi shumë pak dëshmi. Të mos harrojmë se kishte arbërorë që shkruanin në gjuhën e tyre, ashtu si shkruaninnë gjuhën greke, si arvanitit Nikola Masarites në shekullin XII, shkrimtar i shquar, që shkruajti në greqisht “Varri i Shenjtë në Jerusalem” dhe “Apostujte Shenjtë të Kostantinopolit” (August Heisenberg. Die Grebeskirche und Apostelkirche zwei Basiliken Konstantins, Leipzig C. Hinrichs 1908). Masarrites është autori i poemës dedikuar Shën Pietrit dhe Shën Palit (Giuseppe Schirò Junior. Atti Istituto Veneto 1957). Historiani Giovanni Cantacuzeno dëshmon se Nikola Masarites ishte albanez. (Nicolae Jorga. Medaillons de histoire littéraire byzantine, I. Les historiens, in «BYZ», II, 1925, f. 292).
Si shprehet Giuseppe Schirò Junior në “Storia della litteratura albanese. Nuova Accademia Editrice. 1959, f. 69 – 72”, shkrimi në gjuhën arbërore i Perikopea i Shën Matteo është burimi i një lumi, pasi kishte rrjedhur në errësirë prej mijëra vitesh, doli në dritë në një pergamenë, e ruajtur në Kodin Ambrosian 133, f. 63.
Teksti është me katërmbëdhjetë rreshta, i shkruar nga një klerik arbëror dhe është përkthimi në gjuhën shqipe i një fragmenti nga Ungjilli i Shën Matteo (XXVII, 62 – 66), por i shkruar me grafema të alfabetit grek. Kleriku arbëror (prift, apo murg), duke ndjekur kriteret e “Tyπikòn”, pjesën e tekstit të Ungjillit të Matteo e përktheu me qëllim që kur ta këndonin në kishë,ta shqiptonin në gjuhën shqipe dhe të kuptohej nga besimtarët.
Është tekst i shkurtër, por me rëndësi të madhe në historinë e gjuhës dhe kulturës arbërore.
Nga analiza e tekstit, Nilo Borgia thekson: “Ky dorëshkrimi i çmuar i përket fillimit të shekullit XIV. Nuk e njohim prejardhjen, por me siguri duhet të jetë shkruar në ndonjë qytet të Shqipërisë së Mesme, ku gjuha greke nuk ishte aq e përdorur sa në Epirin e poshtëm. Shkrimi ështe i realizuar në greqishten popullore, pa i dhënë rëndësi thekseve, pra teksti në shqip është shkruar me grafemat greke, ashtu si shqiptohet. Prifti apo murgu, ka përdorur alfabetin grek pa shenja diakritike, ka përdorur shpesh germën “η”, andaj shqiptimi i përkon bukur gjuhës shqipe. Nga riprodhimi grafik i tekstit, rezulton se është një kod muzikor, që mbështet sugjerimin tonë, se gjatë meshës, kleriku do ta shqiptonte Perikopenë në gjuhën albaneze dhe se muzika e Ungjillit nuk bazohet në numërin e rrokjeve dhe fjalëve, por në shqiptimin e saktë të fjalëve. (Nilo Borgia. Pericope Evangelica in lingua albanese del secolo XIV. Grottoferrata 1930).
Si kuptohet, kodi ku është shkrimi në greqisht i Perikopea në gjuhën shqipe, e kanë sjellë në Milano arbërit qe emigruan, te detyruar nga reprazljet dhe persekutimet e hordhive osmane. Kur erdhën në Itali, arbërit morën meshare, kodike, ikona dhe çdo pasuri tjeter materiale dhe shpirtërore, që mundën ta ruanin nga asgjësimi prej barbarëve turqe.
Teksti nuk i përkon besnikërisht origjinalit të Ungjillit të Shën Matteo, madje ndonjë fjalë, apo pjesë fraze nuk gjenden në tekstin origjnal grek. Ky tekst ka disa veçori linguistike, që i shkojnë për shtat gjuhës shqipe të asaj kohe. Zbulimi i këtij teksti nxiti interesin e shumë gjuhëtarëve, glotologëve, filologëve, historianëve dhe paleografëve për të përcaktuar periudhën kohore kur ishte shkruar. Bazuar në aspektet grafike, tipin e pergamenës dhe karakteristikat e shprehjes, njohësit e gjuhës greke të vjetër – paleografët kanë konkluduar se pjesa e tekstit në gjuhën shqipe është shkruar në gjysmën e parë të shekullit XIV. Natyrisht këtë konkluzion e dhanë dhe At Gassisi dhe murgu Nilo Borxhia, dy klerikë ndër më të shquarit njohës dhe përkthyes të greqishtes së vjetër. At Justin Rrota, duke analizuar pjesë të “Pericopea Evangelica”, thekson: “Ekziston një traditë shumë e vjetër – ad immemorabili (sa nuk mbahet mend), se pas liturgjisë në gjuhën latine, mesha vazhdonte me leximin e ungjillit në gjuhën vernikolare (gjuha e popullit – albaneze). Kjo traditë më pas u ruajt vetëm në meshat e Pashkëve. (Justin Rrota. Shkrimtari me i vjeter italo-arberesh, Luke Matrenga 1592. Botimi I 1932, botimi II me 1939)
Teksti me gërma greke dhe transkriptimi në shqip nga Nilo Borxhia.
Transkriptimi në shqip i tekstit i realizuar nga Giovanni Schirò Junior.
Murgu arbëresh Nilo Borgia (Borshi), duke analizuar Pericopea Evangelica, thekson: “Bazuar në analizën e kujdesshme dhe krahasuese të grafemave, ky shkrim në gjuhën albaneze është i njëkohshëm me Pericopea dhe jo i shekullit XV – XVI, si thonë disa studiues”. (Nilo Borgia. Pericope Evangelica in lingua albanese del secolo XIV. Grottoferrata 1930). Nilo Borxhia (Borshi), murg i ritit ortodoks, i urdhërit basilian, filolog, teolog, shkrimtar, historian ishte njohës dhe përkthyes kompetent i dorëshkrimeve në greqishten e vjetër, që ndodhen në Bibliotekën e Abacisë të Grottaferrata – Roma, ku ka shërbyer deri në fund të jetës.
Ky shkrim vërteton se gjuha albanese në shekullin XIV, shkruhej në të dy dialektet kryesore dhe me dy alfabetet, klerikët katolikë shkruanin me grafema latine dhe ata ortodoksë me grafema greke, pra dëshmohet se kultura albanese dhe jeta shpirtërore konfensionale e popullit tonë në trojet veriore ishte nën ndikimin e kulturës latine – katolike, ndërsa në trojet jugore nën ndikimin e kultures bizantine – ortodokse.
Transkriptimi në shqip i shkrimit, fillimisht u bë me nxitim dhe pa kujdes. Paleografët nuk i kushtuan vemendje respektimit të normave filologjik, që sugjerojnë kujdes maksimal në respektimin e interpretimit të dorëshkrimeve të tipit scripta continuasi është shkruar teksti i Perikopea, andaj dhe glotologët u keqinformuan për përmbajtjen e tekstit. Për të shmangur gabimet dhe interpretimet jo të sakta të mëparshme, Nilo Borxhia dhe pas tij Giuseppe Schirò Junior e rilexuan tekstin dhe i ndanë fjalët njera nga tjetra, kësisoj çdo shprehje grafike në shkrimin me germa greke, i dha kuptimin shqip, duke shtuar në kllapa germat shtesë të alfabetit shqip, për të cilat mungonte tingulli përkatës në gjuhën greke dhe që skriba arbëror nuk mund t’i shprehte në këtë dorëshkrim.
Nilo Borxhia dhe Schirò konstatuan se prifti, apo murgu që e ka përkthyer këtë paragraf, nuk i ka qëndruar besnik versionit të Ungjillit të Matteos, por ka bërë përkthim të lirë, madje në ndonjë pjesë i kapërcen disa fjalë, ose i modifikon, andaj ndyshon me Ungjijtë e tjerë. Kështu p.sh vizitën e priftërinjëve dhe të Farisejve te Ponco Pilati, prefekti i Xhiudea, e vendos pak a shumë në të njejtën orë, kur Xhiusepe Arimatea shkon te Pilati për të kërkuar lejen e varrimit të Jezu Krishtit, pra në mbrëmjen e ditës së premte, duke shtuar një epitet për Pilatin “Zotëri” (vargu 4), gjithashtu e kapërcen ditën e varrimit të vendosur nga roja i varrezës “deri në ditën e tretë”, e ndryshon në përkthim shprehjen e Ungjillit të Matteo “gabimi i fundit, është më i keq se i pari” duke e shkruar shkurt “ishtmë i keq ai i prapmi se i pari”, e shkurton frazën e fundit të shkruar nga Shen Matteo, duke e shprehur keq në gjuhën emëtare “si e pat mbyll me gurin te gjithe rojet (kustodhie)”, andaj frazën e vendos në kllapa, duke vepruar si në shkrimet e terminologjisë Helene.
Në anën e pasme të njëjtës faqe të Kodit Ambrosian ku ishte shkruar fragmenti i Perikopea Ungjillore, është shkruar dhe përkthimi i dy vargjeve te një strofe celeberative të Ringjalljes të Krishtit, e njohur si kënga e Ringjalljes shumë e përhapur në kishën ortodokse arbërore, e kënduar në ditët e Pashkëve, deri në fund të periudhës të Pentekoste.
Edhe kjo strofë i përket të njëjtës kohë kur është shkruar Perikopea Ungjillore, është shkrim me të njejtën boje e me të njejten kaligrafi si i pari, pra është shkruar nga i njëjti klerik skriba, sigurisht e përkthyer në gjuhën shqipe po nga i njëjti klerik. Megjithatë, thekson Schirò, varjanti në shqip është me tradicional, pasi kendohet masivisht në kishat arbërore. Ky aspekt shihet nga shkruesi i dorëshkrimit, i cili duke e përkthyer nga greqishtja dhe duke e shkruar tekstin shqip me germa greke, për ta përshtatur tekstin me melodinë, i ka shkruar vargjet me tre rrokje më pak, kështu vargjet me tridhjetë rrokje që është në greqishte, i ka shkruar me njëzet e tre rrokje në gjuhën shqipe.
Shkrimi ne greqishte dhe transkriptimi i strofës të këngës te Ringjalljes të Jezu Krishtit, në kodin Ambrosian sipas Nilo Borxhia (1930).
Transkriptimi i strofës të këngës të Ringjalljes së Jezu Krishtit në kodin Ambrosian, sipas Giovanni Schirò Junior (1959).
Këngët kishtare këndoheshin nga besimtarët në kishat tona, madje albanezët që emigruan në Itali, kur u vendosen në trojet e reja, i ruajtën traditat, besimin katolik dhe ortodoks, madje në shumë komuna, banorët flasin gjuhën e të parëve ne dialektin arbërisht. Në vitin 1866, gjatë një vizite në komunën Roccaforzata në Provincën e Taranto në Pulia, një historian takoi një arbëreshe të moshuar ortodokse, e cila këndonte këngë në gjuhën shqipe, mes tyre dhe këngë kishtare. Ajo i deklaroi hitorianit italian, se këto këngë i kemi sjellë nga vendlindja dhe prej 400 vitesh i këndojmë në kishë, në festa dhe kremtime familjare ose kolektive. Njëra prej tyre ishte kënga e Shën Lazarit, të cilën pasi e dëgjoi disa herë, historiani e transkriptoi dhe e botoi. (Primaldo Coco: Faggiano – Primo casale albanese nel Tarentino, Stab. Tipografico Pappacena, Taranto, 1929).
Teksti në arbërisht i këngës të Shën Lazarit:
“O Zoti, madhe Zoti
Se ka deka Lazarini
E Zoti nenja gjender
Vemmi Eklishi
E shohu Lazarini
E thirti Lazarin ngridu
E Lazari ngridi uperbissi
neng pavi, neng favineng kesh.
Transkriptimi në shqipen e sotme:
O Zot, i madhi Zot
Ka vdekur Lazari
E Zot aty u gjende
Shkove në Kishë
Të shohish Lazarin
E thirre Lazar ngrihu
Dhe Lazari u ngrijt në gjunjë
Nuk shihte, nuk fliste, nuk qeshte.