Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani, Melburn: In memoriam prof. Bardh Nik Shiroka

Bardh Shiroka- (1932 – 2006)

 

Bardhi i bardhë si kmisha që ka veshë në dukje e, në shpirtë gjithë jetën!

Ata që e njohën afër përjetë të jetës nuk e harrojnë buzqeshjen e tij aq të ambël sa kishte fjalën, e deri tek shtërngimi burrnor i dorës së pastër. 

Ishe fëmijë kur e njohta prej vllaut të madh Alfonsit, me të cilin ishin të një moshë, shokë po dhe të asaj brezni studentash që e paguene me jetë persekucionin e terrorizmit komunist në Shkodren e masakrueme… 

Vetëm me kujtue emnat e kriminelave vrastarë: Zoji Themeli, Hilmi Seiti e ish hetuesit korçar Skënder Villa, drejtor i Gjimnazit Shkodrës, mjafton me kuptue se shka ka kalue rinia shkodrane, e panjollosun me Sigurimin e Shtetit. 

Bardh Nik Shiroka ishte ndër studentat e shkëlqyeshëm ndër mësime, kur më 10 maj 1950 u arrestue grupi i studentave të Shkodrës. Bardhi e përfundoi Gjimnazin, po nuk mujti me i shpëtue arrestimit mbas atyne pak viteve që ishte ushtar në repartin ushtarak të Beratit, më 4.7.1955.

Dëshira e madhe e sigurimit komunist për me prangue dhe torturue dhe Bardhin si të gjithë shokët e tij, nuk ishte plotsue pa e pa në birucat e Sigurimit të Shkodrës, ku zhvilloi hetimet. Gjykata e Shkodrës drejtue nga toger Faik Spahiu, nuk u kursye me fillue akuzën kundër Bardhit, me “shkollën françeskane të Shkodrës dhe me vazhdue me përpjekjen e tij për me rrëzue pushtetin komunist…”, vetëm me llafe e shpifje ashtu si, ka kenë gjithmonë për 47 vjet dhe procedura e “drejtësisë sonë popullore” antidemokratike. Akuzat ishin ato të grupit studentave të vitit 1950… 

Akuza që randon Bardhin në dënimin e tij asht gjoja “pjesëmarrja e tij në një organizatë kriminale studentore, që kërkon me rrëzue pushtetin…”. 

Këta veprime të dhunshme të Sigurimit baheshin për me justifikue para opinionit të Shkodrës, shifrat e nalta të dënimeve të randa, si rasti i Bardhit, që u dënue 10 vjet burg, me punë të detyrueshme ndër kampe shfarosje. 

Vendimi i dhanun më 19 Tetor 1955 nga gjykata e Shkodrës, u aprovue më 23 Nandor 1955 nga Gjykata e Naltë në Tiranë, me kryetar Mustafa Qilimin dhe antarë Hilmi Telegrafi dhe Sotir Spiro, tue firmosë origjinalin. 

Pafajsia e Bardh Shirokës vërtetohet nga lirimi i tij mbas 7 vjetësh burg, me 24 Gusht 1962. Sikur akuzat ndaj tij të kishin vetëm një rresht ndër të gjitha fletët të vërtetë: Bardh Shiroka nuk delte nga burgu as mbas 20 vjetësh tue iu përsërit dënimet nga 20 e 25 vjet, mbas dënimit të parë. Kjo praktikë asht ndjekë me disa mija vetë të ridënuem nder burgje.

Bardhi ka folë dhe ka shkrue rusisht, italisht, greqisht, latinisht dhe në burg ka mësue edhe anglishten në mënyrë të persosun.  

Bardh Shiroka (28 Shtator 1932 – 10 Maji 2006), ishte ndër figurat ma të nderueme të inteligjencës së qytetit të Shkodrës, gja për të cilën, kur unë në vitin 1991, ishe në kryesinë e BSPSH dhe kerkova nga Nenkryetari i Këshillit të Ministrave të Qeverisë provizore, zotni Gramoz Pashko, formimin e “Shoqatës së të Përndjekunve Politik të Shqipnisë”, gja që ai e aprovoi mbrenda 4 ditësh dhe na njoftoi nga Tirana per zgjedhje të një Kryetari, unë ju drejtova Bardh Shirokës, tue Ju lutë me marrë atë detyrë. Bardhi nuk e pranoi, tue u justifikue me gjendjen shndetsore jo të mirë. Atëherë me që nuk i lente gja mangut Bardh Shirokës, qytetari po aq i njoftun Lin Martini, Ju drejtova Atij, tue rikujtue edhe një thanje të At Mëshkallës per te: “Nder të rijtë e burgosun aso kohe në Burrel, asht kenë dallue me gisht per qendrimin e tij Lin Martini!” Kjo ishte garanci e plotë per detyren që po i kerkojshe. Me vështirsi e pranoi, tue Ju lutë edhe Karlet Luka, Dedë Gjonmarkaj. Dhe, Emni i Linit mbeti i nderuem! 

Arsyeja e vertetë e kundershtimit Tyne, nuk ishte se Ata nuk e donin që të formohej ajo Shoqatë, po ishin shumë pesimistë per drejtuesit e Shtetit…

Sot mbas gati 30 vjetësh… Kur asnjeni nuk jeton ma, u mundova me Ju rikujtue Popullit të Shkodres Emnat e Nderuem t’ Atyne Burrave, që nuk e dij a i vijnë ma Asaj Shkoder… Vertetë që Ata vuejtën si Krishti, po në Themelet e Rozafës, Ata shkruene Emnat e vet me shkronja t’ arta!

Nderim e Lavdi të Perjetëshme kujtimit t’ Atyne Burrave..! 

Melbourne, Gusht 2020.  

Please follow and like us: