Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Mbi romanin e Telemak Koçës ‘Në bregun përballë’

 

Miho Gjini

Duke lexuar romanin e Telemak Koçës “Në bregun përballë” (botuar në greqisht dhe në shqip) nuk mund të mos të ta rrëqethë shtatin dhe shpirtin tabloja e zymtë e realitetit, që përjetoi minoriteti grek i Shqipërisë para, gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, duke u bërë “shesh e vatër zjarresh” të pafundme. Është një libër – makthi të pandërprerë, me vërtetësi emocionale, të cilin e merr ndër duar dhe nuk e lëshon dot pa e mbaruar, kështu që të bëhet pjesë e jotja, duke ndjerë se je edhe ti vetë në atë vorbull ngjarjesh dramatike, që rrjedhin e përfundojnë tragjikisht. Rrallë më ka ndodhur që efekti rrezatues dhe kompleksiteti i ngjarjeve dhe marrëdhënieve të një romani të letërsisë shqipe – si ky i Koçës – të më tretet përbrenda shpirtit, duke i parë më pastaj edhe në gjerësi ngjarjet më të kobshme të tij, bëmat e personazheve, madje edhe fytyrat e tyre të gjalla në trajtë ëndrrash dhe halucinacionesh. Realiteti dhe ëndrra, si reflekse të vetëdijes, që rri gjithmonë zgjuar, më ishin pleksur aq fort, saqë më vinin në tru imazhe kafkiane. Do të ishte absurde që rëndom të krahasoja çekun Franc Kafka me Telemakun greko – shqiptar, por le të mos harrojmë se përçudnimi i karakterit njerëzor, që ndodh në këto “brigje”, ku ka lindur dhe jetuar edhe shkrimtari ynë e kapërcen besueshmërinë e natyrës së njeriut. Diçka kafshërore, si pjesë e incesteve frojdiane, vërshon aty, brenda kontureve të romanit, duke dalë jashtë me ulërimë. Por, nëse tek Kafka deformacioni i figurës së njeriut merr përmasa mbinatyrore, absurde, si një kafshërim i hatashëm, në një sfond bardh e zi të denatyruar gjithashtu, tek romani në fjalë i Koçës e gjithë llava, që zien përbrenda vullkanit (si një trazirë e mosmarrëveshjeve të nxehta dhe të pafundme midis dy shteteve fqinjë, si përplasje konfliktesh të mëdha në gjirin e shoqërisë në brezin kufitar, duke shtuar midis tyre veprimtarinë e heshtur, të padukshme dhe të dukshme të sigurimit shqiptar dhe asfalias greke) janë e mbeten përbrenda një realiteti konkret, pa shtuar apo pa pakësuar asgjë. Kemi të bëjmë me një riprodhim besnik ngjarjesh tragjike, në një sfond të errët, të cilat përcjellin makthe të pabesueshme, imazhe tronditëse dhe mesazhe të pakundërshtueshme.

Telemak Koça, ky shkrimtar i dy identiteteve, me sa duket do të mbetet në analet e letrave të të dy vendeve fqinjë, si një “sui generis” i një ure shpirtërore, që lidh të dy anët e kufirit, të atyre dy brigjeve, ku janë vendosur vëllezër dhe motra të një gjaku, të së njëjtës popullsie, por me marrëdhënie social – politike të kundërta.

Ky autor interesant dhe me vlera, që si grekët ashtu dhe shqiptarët e quajnë “shkrimtar të tyre”, realisht, me letërsinë e vet kryen shpesh atë mision human e historik në të ashtuquajturin “Vorio – Epir”, të cilin nuk e kanë zgjidhur plotësisht as politikanët, shtetarët e të dy vendeve, edhe pse ngjan se lumi i Kserias rrjedh i qetë, në një paqe të përjetshme, midis “pemësh të lulëzuara”, në të dy brigjet e tij. Ky shkrimtar di të qëndrojë mirë përballë problemesh të mprehta, shkaktuar në më të shumtën e herës prej nacionalizmave ekstreme respektive, që herë duken realisht, herë zhduken artificialisht.

Fokusimi i këtyre marrëdhënieve të mprehta në veprat e Koçës është si një depërtim në thellësi të detit që fle, me vorbulla përbrenda vetes, si edhe në shpirtra njerëzish, që shpesh herë thika u ka prekur kockën. Njëkohësisht, është edhe një dritësim i afërt dhe i largët i panoramës dramatiko – tragjike të kësaj treve, e cila ka mbajtur mbi shpinë fate të mbrapshta, si në tragjeditë pagane të Eskilit. Subjekti i këtij romani është real, i ngjarë dhe i vërtetë. Edhe emrat e fshatrave dhe gjithë toponimet janë po ato. Personazhet që lëvizin këtu, me një botë të brendshme të tendosur, janë heronj dhe antiheronj të një komuniteti, i cili ka fatin të jetojë si “i mbyllur” në darën e dy shteteve, duke paguar “kusuret” e politikanëve, duke e ndjerë veten si një “fuçi baruti”, e cila pritet të shpërthejë nga çasti në çast.

Gjithçka aty, ato fshatrat rrëzë malit dhe buzë një fushe të stërgjatë, duket se ekzistojnë sipër një ishulli, mes atij lumit, i cili rreh dy brigjet përballë, si të rrihte dy kontinente të ndryshme. Një prag jetëvdekje e përhershme!

Ekstremizmat e politikës, nacionalizmi i egër dhe absurd i të dy anëve, ndërhyrja brutale në jetën e njerëzve, përçarja, dhuna dhe zhbirimi djallëzor në trurin njerëzor shkojnë në absurditet dhe paradokse të paimagjinueshme. E zakonshmja dhe e përditshmja janë të pështjelluara nga një frikë e pashpjegueshme, nga një mungesë e plotë lirie. Ka një “ajër të ngrirë” në atmosferë, kudo e kurdoherë. Kur mbyllim faqen e fundit të romanit, nuk shohim gjë tjetër, veç “fundin e pusit” të thellë, si njollë e zezë dhe e frikshme, që i ngjan ferrit të vërtetë. Kësisoj, drama e individit bëhet dramë shoqërore. Dhe e kundërta: shteti zbret tek individi, duke e dërmuar, me egërsinë dhe errësirën që i sjell. Rëndesa, mbingarkesa, tensioni, anormaliteti, ideologjizimi dhe politizimi i gjithçkaje në jetën e këtyre njerëzve krijojnë një asfiksi të përgjithshme.

Shkrimtari Koça, falë talentit të tij të dukshëm, ndjen siguri në çdo përcjellje situatash, ngjarjesh e karakteresh, pa u shkëputur as nga e vërteta historike e as nga natyra, herë e butë e herë e ashpër e këtyre anëve, plot pusi të befta dhe me shumë pak lumturi. Vijnë pastaj ca zinxhirë, që lidhin duart dhe shpirtrat e këtyre njerëzve, vrasjet e bëra ditën dhe natën, përdhunimet kafshërore të grave dhe vajzave të pambrojtura, madje edhe nga “ruajtësit e ligjit”, për të mos folur për “komikotragjiken” e farsave gjyqësore. Të gjitha këto e afrojnë romanin e Koçës me rrathët e ferrit dantesk. Është si shpërthim vaji ulëritës në varrezat e fshatit, që paralajmëron “marrjen e të tjerëve”. Një fat tragjik, nga i cili nuk shpëton dot. Ky fokusim tragjik është i një periudhe gati gjysmëshekullore, gjatë diktaturës së Hoxhës, kur Sigurimi ogurzi i Shtetit terrorizonte njëlloj minoritarë dhe shqiptarë.

“Bregu përballë” kishte një fat të trishtë. Romancieri, me penën e tij të mprehtë, ndërthuri me mjeshtëri një subjekt të gjerë e kompleks, fate njerëzish të ndryshëm (të të gjitha kategorive, që nga funksionari më lartë i shtetit, Enver Hoxha, deri tek llumi i njerëzisë, Llahanai), konflikte politike e kontradikta të tensionuara shoqërore e familjare, zhgënjime realitetesh, gjendjesh e rrethanash, shpërbërje karakteresh, pasione kafshërore dhe fare pak, si me pikatore, dashuri e natyrshme dhe e pastër. Në këto përplasje, inverse e dallgëzime të forta (që thërrmojnë shkëmbinj e jo më njerëz), romani i Koçës lypsej të kishte pak më shumë dritësim në shpirtin e këtyre njerëzve, ca rreze shprese, ca fije jete të gëzueshme, pse jo, edhe ndonjë ndjenjë lirike, një linjë me më shumë dashuri, që të hidhte ca ngjyra më të hapura në këtë vepër tragjike. Sado të vështira të jenë rrethanat, këto pasazhe jetësore nuk mund të mungojnë, pasi të prodhuara nga vetë jeta, për mbrojtjen e saj, nuk mund të përjashtohen nga shkrimtarët, sado realistë qofshin ata.

Linja më e realizuar, më domethënësja në roman është padyshim ajo e Petro Harisit. Fati i familjes së tij koncentron fatin e një populli, konkretisht të minoritetit grek në Shqipëri. Ky njeri i thjeshtë, i prokopisë, la Amerikën për të ndërtuar “Amerikën” e vet në “bregun përballë”, ku përplaseshin fatet e ushtrive ballkanike, në përplasjet e tyre historike. Dashuria për jetën, punëdashja e tij e madhe, ndershmëria dhe shpirti optimist bënë që ky nikoqir të gëzonte frytet e këtyre virtyteve njerëzore. Mirëpo e luftonte fati, atëherë kur nuk e priste. Fshatari që shpëtoi nga luftërat ballkanike, nuk iu shmang dot “mallkimit të kufijve”. Fuqitë e Mëdha përcaktuan me “kështu dua”, në mënyrë tragjike, fatin e tij dhe të bashkëkombësve. Kufiri ndau në mes familjet, shtëpitë, fshatrat dhe jetë njerëzish. Ndërsa Stavri Hroni e bëri hanin e vet njëzet metra më tutje Barangës së Petros, fati ishte krejt i ndryshëm me atë të mikut e krushkut të vet. U përfshi në tokën greke, që i kishte shpëtuar “diktaturës së proletariatit” dhe ecte drejt Perëndimit. Dy botë kaq të afërta dhe kaq të largëta njëkohësisht. Pikërisht kur kishte mbërritur në majën e malit të vet, fati e gremisi Petro Harisin në fund, si Sizifi, me gurin e vet mbi shpinë.

Si të mos mjaftonte përfshirja në “skëterrën e kuqe”, fati u ruajti minoritarëve edhe “marrëzinë” e bashkëkombësve matanë kufirit, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë realisht me realitetin, duke bërë kështu “mish për top” dhe therorë njerëzit e tyre të “bregut përballë”. Mosmarrëveshjet dhe lufta e ftohtë midis dy shteteve rëndoi së pari mbi supet dhe fatet e minoritetit.

Katastrofa e jashtme sjell pashmangshëm katastrofën e brendshme, tek çdo njeri, tek çdo familje. Shpërbërja graduale e familjes së madhe të Harisajve, fatet tragjike të bijve të Petros, janë simbolike, janë asonanca që vërtetojnë formulën: kush ngjitet, duke u larguar nga rrënjët, e ka të pashmangshme rrëzimin, shembjen. Dhe sa më e lartë është ngjitja (shih këtu fatin e birit të Petros, Andonit, si edhe të birit të priftit, Kristoforit, që u ngjitën në majat më të larta të hierarkisë komuniste), aq më tragjike dhe zhurmëmadhe është shembja.

Autori e ndjen këtë “errësim drite” (e ka jetuar edhe vetë) dhe nis të bëjë rrëfime pas rrëfimesh, të shpjegojë histori mbi histori. Këto, padyshim, ia zbehin disi vlerat romanit, e pengojnë disi rrjedhën e veprimit. Do të ishte me vlerë shmangia e këtyre dozave të tepruara historizmi, sepse gjërat historike tashmë janë të njohura, qoftë edhe për një zone të veçantë, siç është kjo, ku zhvillohet vepra.

Telemak Koça di t’i parashtrojë ngjarjet dhe karakteret me vërtetësi, me një kolorit fshatarak të ndezur, thjeshtë, edhe me një doze të hollë humori, karakteristikë e stilit të tij. Ai ka mjeshtërinë që të hyjë edhe në anët e fshehta të njeriut, brenda shpirtit të tij të komplikuar, bile edhe atëherë kur njeriu kafshërohet në incestet e përdhunimeve dhe të mëkateve të tjera. Vijnë në fund disa skena tronditëse. Gjyqi final që i bëhet Petro Harisit, pasi e torturojnë çnjerëzisht në qeli, janë pasazhet më të realizuara të librit, pasazhe që kulmojnë artistikisht me skenën tragjike të pushkatimit. Këtu ballafaqohen fuqishëm dy ekstremet e natyrës njerëzore: shëmtimi i moralit komunist dhe dinjiteti i njeriut të ndershëm. Petroja dhe prift Theodhori janë dy portrete që të nguliten në tru dhe nuk mund t’i harrosh më. Janë shpresa se njerëzimi nuk mund të humbasë, kur njerëz të tillë flijohen për të.

Dramatike janë edhe figurat negative të romanit. Pasqyrohen jo bardhë e zi, por shumëplanësh, duke u shpjeguar bindshëm rënia dhe shpërbërja e tyre morale. Figurat ogurzeza të Ilia Llahanait, Grigor Dallës, Mina Zotos etj., janë të suksesshme artistikisht, të nxjerra nga vetë realiteti i pamohueshëm. Janë pjella të denja të kohës shterpë, që i krijoi për t’i shërbyer.

Tejet interesante është edhe figura e Eftalisë, bijës së Petros. Lexuesi ndjek me interes zhvillimin e kësaj figure, gjithçka ndodh me të është tragjikisht reale, e mundshme dhe domethënëse. Dinjiteti me të cilin përballon fatin kjo grua, të mbush me dhimbje, por dhe me krenari për natyrën njerëzore, që ka përfaqësues të tillë të denjë mes saj. Bërja hasha e të vëllait, i cili nga ana e vetë bëri hasha gjithë familjen, por edhe popullin e vet, vjen shumë natyrshëm.

Me të tilla përvijime, romani i Telemak Koçës “Në bregun përballë”, i cili është pritur shumë mirë edhe nga kritika profesionale greke, pas botimit greqisht të kësaj vepre, del mbi përditshmërinë e një komuniteti, duke u bërë gjithë përfshirës, pasqyrë e vërtetë e një realiteti, që do t’i qëndrojë kohës.

Plus Gazeta Athina, 18.10.2013.

Please follow and like us: