Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: NJË PLAK NË MUZG…

Një plak i çalë heq hapat zvarrë,
në muzg,
mbi gjethet e vjeshtës.

E ka pikasur vdekja sakaq,
ajgëtuar,
me zellin e ethshëm.

Dang – ding – dang këmbanoria papushim,
zonës së errët,
të paarritshme prej dritës.

Aty ku shpresat gëlltiten,
në këndellje
ndaj humbjes së fatit,
zërit të frikës.

A thua koha është grindur me perënditë,
dang – ding,
ngrirë,
ngurosur, në mëri?

Këmbanë e përsëritur,
që krejt pakuptueshëm fsheh turbullim.

Dang – ding,
hije e murrëtyer, e sertë,
ngjizur shafran hidhërak,
vaj i vdekjes.

Plak i çalë,
muzgut,
heq hapat zvarrë,
mbi gjethet e vjeshtës…

I vetëm, i vetëm…
Veç një mur i rrëzuar,
s’ka mbetur gjë tjetër…

Dang – ding,
pse s’dalin ta presin,
zambakët e luleboret që s’qeshin …?

Ç’bëjnë ato,
atje në prag të shtëpisë…?

Një plak i çalë, heq hapat zvarrë.
Në shpirt,
në shpirt s’i mungon asnjë kryq…

Please follow and like us: