Adela Kolea: Olen Çezari, violinisti gjenial shqiptar i tempujve të muzikës botërore
Si “fëmijë gjeni”, unë nuk është se e kam quajtur vetë veten time në këtë mënyrë. Ky është një përkufizim që të cakton bota. Ama, më ka kushtëzuar të gjithë fëmijërinë…! Madje, unë, fëmijëri nuk kam pasur fare, fatkeqësisht… Që fëmijë i vogël studioja shumë. Ndërkohë që në atë moshë ushtrohesha në violinë, nga dritarja e dhomës shihja moshatarët e mi tek luanin me top. Ndërsa unë duhej të studioja shumë sepse, përpara konkursesh kombëtare, ushtrohesha për 4-6 orë në ditë, ndërsa për konkurse ndërkombëtare studioja 8-10 orë në ditë. Olen Çezari: Në këtë moment po përfundoj videon e dytë të projektit të “Shtatë Mrekullive të Botës”. E para qe ajo e statujës së Krishtit Shpëtimtar në Rio de Janeiro, ku interpretova mbi shpatullën e Krishtit e që përbën pra, njërën prej shtatë mrekullive.
28 Nentor 2018
Projekti i dytë përfshin interpretimin nga ana ime mbi Murin e Madh Kinez dhe video duhet të jetë gati për t’u publikuar më 5 shkurt, meqë përputhet edhe me Vitin e Ri Kinez.
Projekte të reja kam përgjithësisht pafund.
Por, e kam veçanërisht për zemër të bëj të ditur koncertin që do të mbaj në fund të prillit në Tiranë. Aty kthehem pas dy vitesh tashmë.
Unë interpretoj kudo nëpër botë por, për mua, Tirana mbetet Tirana!
Ai është Olen Çezari, gjeni i violinës me origjinë shqiptare dhe një instrumentist eklektik.
Datëlindja ’75, lindur në Durrës, Shqipëri, shtetas italian.
Bën pjesë në një familje artistësh, duke pasur nënën instrumentiste dhe mësuese violine në Durrës.
Përqasja e parë me violinën ka mbërritur për të në moshën tre vjeçare dhe ky “fëmijë gjeni” në moshën pesë vjeçare ka realizuar shfaqjen e tij të parë në publik.
Diplomohet në mënyrë të parakohshme, në moshën 14 vjeçare në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ndërsa në moshën 17 vjeçare diplomohet në Romë në Konservatorin e Shën Cecilies, duke rezultuar deri më sot, studenti më i ri në moshë i diplomuar në atë seli. Vitin e mëpasshëm diplomohet në Mozarteum në Salzburg.
Është ‘qytetar i botës’.
Ka interpretuar në tempujt më të mëdhenj të muzikës botërore, nga Teatri i Lashtë i Taorminës, në Wiener Konzerthouse të Vjenës, nga Carnegie Hall i New-York-ut, në Auditorium Parco della Musica në Romë, nga Théâtre Le Palace në Paris, në Teatromonumental RTVE të Madridit. Nga shfaqjet e tij më sugjestive, përmendet ajo e veçanta mbi shpatullën e statujës së Krishtit Shpëtimtar në Rio de Janeiro, si hap i parë i projektit ambicjoz mbi zbulimin e 7 mrekullive të botës së re. Olen Çezari ka interpretuar edhe para personalitetesh të tilla të larta, si udhëheqës shtetesh, përveçse në prani të Papa Gjon Pali II, Papa Ratzinger dhe Papa Françeskut. Oleni ishte pjesë e cast-it të artistëve shqiptarë, të cilët morën pjesë së fundmi në koncertin e madh të datës 19 nëntor 2018 në Romë në Teatrin Argjentina, në nderim të Skënderbeut, në kuadër të mbylljes së vitit përkujtimor të Heroit tonë Kombëtar, duke u kremtuar në të njëjtën ditë, me një takim në vijim me Papa Françeskun. Sot, me theksin e tij tipik roman në të folur, me një dozë të spikatur humanizmi që e karakterizon, ashtu sikurse edhe me vetitë e tij të larta komunikuese, Olen qe i pranishëm në Albania News për një intervistë të gjatë mbi rrugëtimin e tij të jetës dhe atë të karrierës profesionale, njëkohësisht edhe mbi projektet e tij të ardhshme.
Intervista
Përshëndetje Olen, mirë se vini në Albania News! Ju jeni një virtuoz i violinës. Jeni konsideruar “Fëmijë gjeni”. Rezultoni ende sot si studenti më i ri i diplomuar në Konservatorin e Shën Cecilies në Romë. Meqë përmendëm konceptin “Gjeni/Mrekulli”, a ka ndonjë mrekulli të veçantë që uroni që të ndodhë në botë sa më parë të jetë e mundur?
Përshëndetje Adela. Faleminderit, mirë se ju gjeta! Pikësëpari, si “fëmijë gjeni”, unë nuk është se e kam quajtur vetë veten time në këtë mënyrë. Ky është një përkufizim që të cakton bota. Në realitet, qe ime më ajo që zbuloi prirjen time për muzikë dhe zotërimin e veshit muzikor, kështu që fillova të ushtrohem në violinë që në vogëli. Gjithçka ndodhi në kontekstin e një Shqipërie nën diktaturë e nisa studimet, studime pafund, nga mëngjesi në mbrëmje. Si rrjedhim, përfundova së studiuari të gjithë repertorin e mundshëm ekzistent në Shqipëri dhe shteti shqiptar u detyrua të më mundësojë një bursë studimi për jashtë Shqipërisë. Në këtë mënyrë qemë nisur për studime jashtë shtetit unë, Tedi Papavrami – Tedi qe nisur katër muaj para meje – Klodiana Skënderi dhe një djalë tjetër. Në rastin tim personal, kjo gjë u bë e mundur pasi qe verifikuar në lidhje me mua një dukuri e rrallë. Në moshën e parakohshme 10- vjeçare, unë pata filluar të frekuentoj Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ndoqa kurset aty për katër vite rresht dhe u diplomova, duke rezultuar pra, studenti më i ri në moshë që diplomohej në atë Institut në Tiranë. Në momentin që një diplomë universiteti e zotëroja tashmë nga Konservatori në Shqipëri, mbërrita në Romë në moshën 14 vjeçare në Konservatorin e Shën Cecilies dhe aty më këshilluan që të jepja vetëm provimet finale për të marrë një diplomë të re, pasi njërën e kisha nga Shqipëria. Mirëpo, ngaqë unë kisha përfituar nga shteti shqiptar një bursë studimi dyvjeçare, mendova ta shfrytëzoja atë, duke studiuar në Konservatorin roman edhe për dy vjet pra, duke thelluar studimet e mia e u diplomova në moshën 17- vjeçare, duke rezultuar deri më sot, si studenti më i ri i diplomuar në Konservatorin e Shën Cecilies në Romë. Përsa i përket një “mrekullie” të mundshme që uroj të ndodhë në botë sa më parë të jetë e mundur, unë pikësëpari kam për zemër të theksoj që është gjendja në të cilën ndodhet mjedisi dhe ndotja e tij, në të cilën marrim pjesë e i vuajmë pasojat, ajo çka më shqetëson. Unë jam një ambientalist i bindur. Është deti kryesisht që më shqetëson dhe nuk lodhem kurrë së diskutuari për këtë çështje në kontekste të ndryshme ku mund të ndodhem, që gjithçka që hedhim në det, na kthehet mbrapsht në tryezat tona, nëpërmjet ciklit klasik e të pashmangshëm të zinxhirit ushqimor.
Përqasja juaj e parë me violinën ju ndodh në moshën tre vjeçare. Në moshën pesë vjeçare, shfaqja juaj e parë në publik. Ky gjenialitet, a ju ka kushtëzuar fëmijërinë dhe raportin me moshatarët?
Sigurisht që kjo pozitë më ka kushtëzuar të gjithë fëmijërinë…! Madje, unë, fëmijëri nuk kam pasur fare, fatkeqësisht… Që fëmijë i vogël studioja shumë. Ndërkohë që në atë moshë ushtrohesha në violinë, nga dritarja e dhomës shihja moshatarët e mi tek luanin me top. Ndërsa unë duhej të studioja shumë sepse, përpara konkursesh kombëtare, ushtrohesha për 4-6 orë në ditë, ndërsa për konkurse ndërkombëtare studioja 8-10 orë në ditë.
Mbiemri juaj i familjes, “Çezari” përkon me atë “Cesare/ Cesari” italisht. Ju jeni qytetar i botës, por gjithnjë “ i birësuar” prej Romës. A mos ndoshta mbiemri juaj shqiptar ka qenë një prelud i transferimit tuaj në qytetin e Çezarit të madh roman?
Po, si të themi, mbiemri im “Çezari” mund të gjendet në Romë, ashtu sikurse edhe në Padova apo Bolonja etj. Origjina e familjes sime e merr zanafillën në një fshat të vogël të Jugut të Shqipërisë, lidhur me Korfuzin,Greqi, që shekuj më parë ishin nën zotërimin e Republikës së Venedikut. Unë kam në trungun gjenealogjik të familjes, gjurmë të hershme shqiptare, ashtu sikurse edhe greke e italiane prandaj, duke e ndier veten tipik mesdhetar, ndihem njëkohësisht si një urë lidhëse ndërmjet dy kombeve tona, shqiptar e italian, madje e konsideroj veten ambasador të bashkimit të kulturave italo-shqiptare.
Ju keni interpretuar në skena unike botërore dhe në kontekste sugjestive: Vlen të kujtohet performanca juaj mbi shpatullën e statujës së Krishtit Shpëtimtar në Rio de Janeiro, përveç kësaj, keni dhënë shfaqje përpara personalitetesh të tilla si udhëheqës shtetesh apo në praninë e Papa Gjon Pali II, Papa Ratzinger, Papa Françesku. Po këtë shfaqje të fundit në Romë në nderim të Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar, që vijoi me takimin me Papa Françeskun, si e përjetuat? Panorama artistike në Itali dhe në botë është e pasur me emra shqiptarë. Ndër këta emra, a pati ndonjë që, ju mungoi veçanërisht në koncertin në fjalë në Romë?
Po, e vërtetë. Kam pasur nderin të interpretoj në vende të veçanta e të rëndësishme në botë. Përsa i përket këtij koncerti të fundit në Romë, më kontaktoi drejtpërdrejt e ngarkuara me punë pranë Ambasadës Shqiptare në Selinë e Shenjtë, Vatikan, znj.Majlinda Dodaj, e cila pati idenë e koncertit dhe u mor me organizimin e eventit. Ndërkohë, nuk kishim dijeni paraprake mbi aprovimin e Papës për këtë event. Kini parasysh që aprovimi nga Selia a Shenjtë na mbërriti në gusht, për koncertin që do të zhvillohej në nëntor, pra në një hark kohe shumë të shkurtër. Atëherë u munduam që të dy të kontaktonim artistët, të cilët u treguan të gatshëm sipas angazhimeve të agjendës së tyre. Me një fjalë, artistët janë të kushtëzuar nga kontrata pune, që nuk mund t’i shkelin për këtë apo atë arsye.
Një pjesë e mirë e artistëve që kontaktuam na shprehën fatkeqësisht pamundësinë e tyre për të qenë të pranishëm për shkak angazhimesh profesionale, ndërsa të tjerë u bashkuan me ne në momentin e fundit. Kur tashmë cast-in e artistëve të kompletuar e kishim krijuar, filluam të mendonim për skenën ku do të zhvillonim koncertin. Sepse, duke e anashkaluar idenë e një shfaqjeje në ndonjë kishë të Romës, u përkujdesëm për faktin se në kishë, muzikë dhome edhe interpretohet fundja, ama balerinët e kanë të pamundur të vallëzojnë në atë kontekst. Ndaj menduam për Teatrin Argjentina, për atë skenë të vlefshme, ku çdo profil artisti të kishte mundësi të interpretonte ashtu siç e meritonte. Në rastin tim personal më ka ndodhur të kem mospërputhje kohore për angazhime të miat, me angazhime të tjera të programuara diku. P.sh, fatkeqësisht, unë mbeta pa shkuar dhe pa interpretuar në dasmën e mikut tim më të ngushtë, pikërisht sepse, ai e vendosi ditën e dasmës në një kohë të shkurtër, dhe në një moment kur unë kisha nisur tashmë kontratën e punës në Bangkok. Pra, me keqardhje të madhe nga ana ime, nuk arrita dot të jem i pranishëm as në dasmën e mikut të ngushtë.
Cila është Muza juaj artistike? Violinisti juaj shqiptar apo i huaj i preferuar?
Muza ime e preferuar ka vetëm një emër: Charlie Chaplin. Sepse, e konsideroj një artist të kompletuar. Ai ishte në gjendje ta shkruante një pjesë, ta interpretonte, ta orkestronte, ta dirigjonte, ta propozonte atë pjesë si brendi të një filmi, film në të cilin mund të ishte vetë akor e regjisor njëherësh, ndaj është një figurë e tillë poliedrike, për të cilën ushqej respekt të thellë. Për mua, Chaplin ishte një mit i vërtetë, e adhuroj! Ndërsa, një violinist shqiptar apo të huaj të preferuar, nuk e kam. Secili ka mënyrën e vet personale sesi e mendon të raportohet me muzikën, apo të krijojë muzikë. Ka nga ata që preferojnë të merren vetëm me muzikë klasike, nga ata që të merren me muzikë të lehtë, apo nga ata – si unë – që preferojnë t’i praktikojnë të dyja llojet e muzikës. Ndaj për këtë arsye them se secili ballafaqohet me muzikën sipas mënyrës së vet individuale.
Ç’ndjesi perceptohet, të kesh qenë dikur emigrant dhe sot të shohësh veten në listën e artistëve më brilantë shqiptarë nëpër botë? Kujt i detyrohet emërtimi provokues i grupit tuaj artistik “International Clandestine Orchestra”?
Emërtimi i grupit tim, më duhet të pohoj se nuk është në mënyrë të mirëfilltë provokues, ose më mirë: si “provokues”, ai edhe mund të tingëllojë, ama është zgjedhur enkas e me shumë dashuri, “Klandestinët ndërkombëtarë”, ishim të gjithë ne, pjesëtarët e grupit, thjesht na referohet neve. Pikërisht sepse, çdo pjesëtar i grupit tim, pavarësisht se zotëron nënshtetësinë italiane, është me origjinë të huaj. Ata mbërrinin në Itali nga çdo cep i botës, dhe kush më shumë e kush më pak, janë ballafaquar të gjithë me mosbesimin fillestar që Italia i rezervonte të huajve dhe me problemet e burokracisë italiane për dokumentat: leje qendrimi, deklaratë largimi nga Italia etj. Por, ne e konsiderojmë veten vërtetë “Klandestinë Ndërkombëtarë” që interpretojmë në të gjithë botën, duke u kthyer në ambasadorë të mirëfilltë të muzikës nëpër botë.
Rrënjët në Shqipëri, a ju thërrasin shpesh? Ç’ndjesi perceptoni, si një artist i kalibrit botëror tashmë, sa herë që ktheheni në Durrës, në qytetin e lindjes?
Nuk kam ndonjë ndjesi të mirë sa herë që kthehem në Durrës. Ndiej dhimbje, të jem i sinqertë, trishtim, pasi sapo hyn në Durrës, me të kaluar rrethrrotullimin e parë, ndihet një aromë mbytëse plehrash të djegura. Më tej vazhdon rrugën dhe mbërrin tek Amfiteatri i madh. Pika e vetme turistiko-kulturore kjo, e cila është në gjendje të bëjë anijet të ndalen dhe të mbushë qytetin me turistë. Por, ky amfiteatër nuk është i kuruar, ndodhet në një gjendje depresive totale. Dhe këtu, sipas meje, mund të bëhet shumë më tepër. Unë nuk jam politikan, nuk merrem me politikë por, me muzikë. Më vjen keq për gjendjen e lënë pas dore të këtij amfiteatri roman të Durrësit, i cili si vepër, nga ana e vet është i mrekullueshëm, e pastaj, nëse mendohet që një amfiteatër tjetër brenda Shqipërisë gjendet në Butrint por, që është shumë larg nga Durrësi, ky, kemi fatin të gjendet pikërisht në qytetin tonë bregdetar dhe do të mund të përbënte një burim interesi të ndjeshëm për turistët që sapo zbarkojnë në Durrës, ndaj më dhemb zemra për të. Pranë amfiteatrit ndodhen disa banesa të shëmtuara përsa i përket anës estetike dhe të administruara keq duke iu referuar infrastrukturave e shërbimeve aq sa, tubat e shkarkimit që dalin nga këto shtëpi, përfundojnë drejt e në amfiteatër. Kjo gjë është e papranueshme.
Projekte të ardhshme? Ëndrra në sirtar?
Në këtë periudhë po përfundoj videon e dytë të projektit të lidhur me “Shtatë Mrekullitë e Botës”. Video e parë ka qenë ajo, në të cilën interpretova në shpatullën e statujës së Krishtit Shpëtimtar në Rio de Janeiro, që është pikërisht njëra prej shtatë mrekullive. Video e dytë e projektit përfshin interpretimin nga ana ime në Murin e Madh Kinez dhe ajo duhet të jetë gati për t’u publikuar më 5 shkurt, datë e cila përkon edhe me Vitin e Ri Kinez. Si projekte, përgjithësisht kam pafund. Por, kam për zemër të bëj të ditur koncertin që do të mbaj në Tiranë në fund të prillit. Aty kthehem pas dy vitesh tashmë. Unë interpretoj kudo nëpër botë por, për mua, Tirana mbetet Tirana!
Kjo intervistë është e disponueshme dhe në italisht me titullin “Olen Cesari, il grande ma, umile genio del violino italo-albanese”