Fatmire Duraku: Peripecitë e një qeni në mjediset urbane
Shaip Grabovci, “Aventurat e Dejzit” botoi Shtëpia Botuese “Fad” Prishtinë 2020
Romani me i ri për fëmijë ”Aventurat e Dejzit” i autorit Shaip Grabovci, botuar nga Shtëpia Botuese Fad në Prishtinë, ka një ngjarje të veçantë, ka një shtjellim të veçantë, ka një rrjedhje të veçantë, në mënyrë që romani përgjithësisht të jetë i veçantë…
Pse “Aventurat e Dejzit” është një roman i veçantë? Për këtë gjë ka shumë arsye: Ky pohim lidhet në radhë të parë për trajtimin me suptilitet të jetës së një qeni manar që një pjesë të mirë të jetës e ka kaluar në familjen e Zoe-s, ku ka qenë i trajtuar si anëtar i barabartë i familjes… Por edhe për një pjesë tjetër të jetës e cila rrënjësisht ndryshon nga a para: ku për çdo gjë duhet luftuar, ku komoditeti as që mund të merret me mend, ku lufta për ekzistencë është përditshmëri! E në mes këtyre dy skajshmërive cilën rrugë duhet zgjedhur?
Në pamjen e parë duket punë e lehtë, mirëpo, kur kalohet nëpër njërën e nëpër tjetrën rrugë, atëherë lind dilema! Dhe mu kjo është edhe tema e romanit: “Aventurat e Dejzit”.
Ja sesi rrjedhin gjërat?
…Në një ditë me shi, gjatë një shëtitjeje, me Zoe-n, në parkun e qytetit, Dejzi takon një tufë qensh të rrugës! Atë e rrëmben jeta e tyre, jetë kjo nuk është e kufizuar me orar dhe me rregulla tjera. Në pamjen e parë kjo ishte një jetë pa obligime qofshin ato edhe të këndshme! Pas një hamendjeje Dejzi, vendos të braktisi familjen dhe i bashkëngjitet grupit! Por cilat janë vështirësitë për tu bërë anëtare e tufës, cilat janë kërkesat e kolektivit, cilat janë gëzimet dhe cilat janë hidhërimet që sjell jeta në kolektiv, janë vetëm disa nga temat që trajtohen në roman.
E Dejzi, e rritur në kushte fare tjera, e edukuar, e mësuar e skofiare përnjëherë gjendet në një mjedis tjetër, ku duhet t’i përshtatet rrethit, ku duhet luftuar, shpesh edhe në mënyrë të egër, për të mbijetuar, duhet të bërë shumë… Duhet bërë shumë për tu mësuar në kushte të reja, shumë të vështira, për të përballuar jetën!
Mirëpo, në këtë rrugë të cilën e ka zgjedhur vetë nga kërshëria, ajo jo vetëm që mëson shumë gjëra që do të thonë: jetë, ajo do të jetë edhe një shembull për të tjerët që e rrethojnë të cilët gradualisht përvetësojnë sjelljet e saja. Pra, këtu kemi një këmbim përvojash. Përvetësimi i përvojave si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra, nuk është pune e lehtë, ashtu sikur edhe rruga deri te suksesi, për një përfundim të dëshiruar që nuk arrihet lehtë!
Romani përcjell fatin e Dejzit, mirëpo, porosia është universale, pra duke përcjell fatin e Dejzit, lexuesi e sheh vetin në qendër të dilemës me të cilën gjatë jetës dendur here hasim. Pasi romani iu është dedikuar fëmijëve kjo dilemë është e shtruar në mënyrë shumë suptile dhe adekuate për moshën e tyre, gjë që ma thotë mendja, është pjesa më e suksesshme e romanit.
Kur e kemi fjalën për porosi, romani është mjaft i pasur me to si bie fjala; miqësia mund të fitohet me miqësi, po deshe të jesh i respektuar duhet të respektosh tjetrin, mandej xhelozia vret edhe aty ku nuk duhet… Ruajtja e krenarisë është, që duhet kultivuar, sjelljet me mençuri janë mbi të gjitha- ato evitojnë konfliktet… Kështu renditen edhe shumë e shumë e porosi tjera! Por edhe një here dua ta përsëris, të gjitha këto janë të shkrira në aventurat që përcjelli Dejzin në atë mënyrë sa lexuesi të gjitha i përvetëson si ngjarje të tija personale, prandaj porosia fare nuk është e imponuar, por e përvetësuar, gjithsesi po.
E veçantë e romanit është edhe kultivimi i dashurisë ndaj shtazëve dhe natyrës, pjesë e të cilës jemi ne. Gjatë leximit të romanit lexuesi shpesh identifikohet me Dejzin, kështu edhe pse Dejzi nuk flet, sikur lexuesi i dalin fjalët nga goja, fjalë këto që bluhen në trurin e Dejzit.
Kur e kemi fjalën për qen- manar që gjithnjë e më shumë po zënë vend në familje, vlen theksuar se zhvillimi i sensit të mirëkuptimit ndaj shtazëve, zhvillon edhe më shumë sensin e mirëkuptimit në mes njerëzve, prandaj ky është edhe një segment që ngritë vlerën e romanit.
Pas shumë peripecive, Dejzi, fare rastësisht, gjendet përballë shtëpisë ku ka kaluar çastet më të bukura në jetë! Ajo gjendet përballe shtëpisë së Zoe-s! Dhe ja dilema e madhe për te: a do të kthehet në shtëpi, ku do t’i gëzonte të gjithë ata që e konsideronin si anëtar familjeje, apo t’i kthehet tufës, me të cilën ka kaluar momente shumë të vështira?
Në ditët e para të dimrit të ftohtë, në shtëpi e pret dhoma e ngrohtë dhe ledhatim i Zoe-s, me një fjalë jeta pa brenga. Mirëpo në anën tjetër atë e pret tufa e devotshme me të cilën ka kaluar shumë vështirësi, me të cilat është kalitur miqësia. Ku zemrat e tufës ka rrahur si një edhe kur është luftuar për jetë a vdekje! Ku tufa ka mbështetur besimin në të?
Dy rrugë të cilat qëndrojnë larg njëra tjetrës… E Dejzi, përballet me këtë dilemë, e cila është sfidë mbi sfida… E Dejzi qëndron si e shtangur derisa mbi qepallat e saja rëndon bora… Ajo qëndron…Qëndron… Dhe niset!
Po kah niset?! Ajo i mbetet të vendosi lexuesi! Kjo dilemë, padyshim është pjesa më intriguese e romanit.
Romani ka 96 faqe, është i shkruar me një stil të rrjedhshëm dhe është mjaft i afërt për lexuesin që i dedikohet.