Grabitja në Rinas/ Vëllai i administratorit të kompanisë, i arrestuar për bashkëpunim me krimin
Thellohet skandali i grabitjes së parave të një banke të nivelit të dytë në Rinas ku Policia e Tiranës akuzoi firmën private ICTS si përgjegjëse për mungesën e sigurisë.
Sot, citynews zbardhi se administratori i kompanisë ICTS është Eno Bushi, avokati i Edi Ramës, i cili është bërë aksioner i kësaj kompanie në prag të zgjedhjeve të vitit 2013.
Në vitin 2014, Bushi është përplasur me ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit e akuzoi atë se ka ndihmuar pilotin italian Giorgo Riformato (piloti që u dënua për avionin me drogë në Divjakë), të kalonte në aeroport. Në atë kohë Bushi i kallëzoi në prokurori ish-kryeministrin për shpifje, duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim për dëm moral
Mediave u ka shpëtuar një detaj që e thellon më shumë skandalin e grabitjes në Rinas. Vëllai i Eno Bushit, Floriani, rezulton të jetë bashkëpunëtor me bandat e krimit. Florian Bushi, punonjës i SHISH, është arrestuar më 22 Janar të këtij viti, pasi akuzohet për shitjen informacioneve të SHISH tek bandat kriminale. Ai dyshohet se i ka dhënë informacion shtetasit Ilir Memushajt, i cili u arrestua për shkak të një atentati të kryer në rrugën Lushnje-Fier, ku u plagosën dy persona dhe mbeti i vrarë shtetasi Denis Kasaj. Për këtë të fundit, SHISH po kryente përgjime që zbardheshin nga Florian Bushi, i cili dyshohet se ja transmetonte autorit të vrasjes Ilir Memushaj. Vetë Florian Bushi, gjatë marrjes në pyetje nga prokuroria e ka pranuar njohjen me autorin e vrasjes Ilir Memushaj.
Eno Bushi avokati mbrojtës njëherazi vëllai i të arrestuarit kërkoi lirimin nga qelia, me argumentin se prokuroria nuk provon faktin se është pikërisht vëllai i tij ai që i ka nisur Memushajt të dhënat sekrete të përgjimeve të SHISH
Skandali i grabitjes së parave në Rinas thellohet cdo ditë e më shumë duke nxjerr në pah lidhjet me politiken dhe krimin. Fakti i parë është avokati i Ramës, Eno Bushi, i cili është në krye të një kompanisë ICTS që sipas policisë është përgjegjëse për mungesën e sigurisë në aeroport.
Fakti i dytë është vëllai i tij, i cili është arrestuar pasi informacionet e SHISH i shiste tek bandat kriminale.
Citynews do të zbardh më tej detaje të tjera të lidhjes së politikës krerëve të mazhorancës me Eno Bushin dhe kompaninë ICTS, e akuzuar nga Policia e Tiranës.
Bushi nuk është ndaluar nga Policia dhe emri i tij nuk është përmendur në asnjë rast, por pas prangave kanë viktimat, 3 punonjës të kompanisë ICTS./Citynews